Allahu i Madhëruar urdhëron dhe thotë në Kur’an: “Thuaju atyre (hipokritëve që ju ngacmojnë juve, në lidhje me betejën e Uhudit, dhe ju thonë se po të mos kishit shkuar në betejën e Uhudit nuk do të kishit vdekur as nuk do të ishit vrarë) se nëse do të ishit në shtëpitë tuaja dhe do të ishte shkruar prej Allahut që të ishit vrarë, do ju kishte ardhur vdekja edhe në shtretërit tuaj.”([1])
Allahu i Madhëruar thotë: “Le të ruhen ata që e kundërshtuan urdhrin e Pejgamberit a.s dhe e shkelën urdhrin e tij se mos i godet ndonjë fitne (sprovë) apo ndonjë ndëshkim i dhimbshëm.”([2])
Gjithashtu Allahu i Madhëruar thotë: “Falë mëshirës së Allahut ti o Muhamed je i butë me ta, dhe nëse do të ishe i ashpër dhe zemërgur, ata (pra sahabët e tu, ndjekësit e tu) do të ishin larguar prej teje, prandaj fali ata, kërko falje për ta dhe konsultohu me ta dhe pasi ta marrësh vendimin mbështetju Allahut.”([3])
Këto urdhra hyjnorë i kanë shërbyer umetit të Muhamedit a.s dhe umetit islam këtu e njëmijë e pesëqind vjet, dhe do t’i shërbejnë deri në Ditën e Kijametit, këto udhëzime që përbëjnë në vetvete parime universale, absolute e të jashtëzakonshme të cilat i shërbejnë umetit islam në çështjet e dynjasë dhe të ahiretit të cilat përbëjnë në vetvete një shkollë të madhe, madje çdo urdhër apo çdo ajet prej këtyre ajeteve, në vetvete është një shkollë shumë e madhe që sa më shumë rri në të dhe thellohesh, aq më shumë përfiton prej saj, aq më shumë edukohesh në të dhe aq më shumë ndriçohesh me të.
Këto ajete Allahu i Madhëruar i ka zbritur në lidhje me betejën e Uhudit. Beteja e Uhudit ka ndodhur si sot 1444 vjet më përpara, në 15 Sheval. Para betejës së Bedrit, një vit më përpara, ndodhi përballja me politeistët e Mekës edhe pse kjo përballje ishte në mungesë të dëshirës së pejgamberit a.s. Mekasit insistuan të përballeshin me Muhamedin a.s dhe besimtarët e tij në një vend të quajtur Bedër për të cilin unë ua këshilloj atyre që ua mundëson Allahu i Madhëruar të bëjnë umre ose haxh, të gjejnë kohë t’i vizitojnë këto dy vende, Bedrin dhe Uhudin ku Allahu i Madhëruar i ka përmendur në Kur’an. Këto vende nuk vizitohen në shenjë ibadeti, pra jo duke menduar se po e vizitova këtë vend kam sevap, jo në këtë aspekt, por për të nxjerrë mësim, për t`i parë nga afër ato vende që i ka përjetësuar Allahu i Madhëruar në Kur’an. Vetëm në këtë aspekt ka sevap, pa iu afruar konceptit të bidatit sepse shpeshherë kemi bërë shumëçka bidat.
Bidati është plotësisht gjë tjetër. Nëse ti shkon dhe i viziton këto vende për të nxjerrë mësim, veçanërisht me brezin e ri, për t’i marrë fëmijët tanë dhe për t’u treguar se ku e ka bërë betejën e parë Pejgamberi a.s me kufrin dhe me politeizmin, ku ka triumfuar Pejgamberi a.s për herë të parë dhe ku për herë të parë i ka thënë botës: “Unë jam! Dhe këtu e tutje duhet të më futni në llogari!”. Këtë duhet ta bëjmë dhe nuk them se është vaxhib hyjnor por sepse duhet t’ua mësojmë fëmijëve jetën e Pejgamberit a.s edhe nëpërmjet vendeve ku janë zhvilluar ngjarjet.
Prandaj shfrytëzoj rastin për ta ezauruar këtë koncept, kur të shkojmë në Medine apo edhe në Meke të vizitojmë ato vende të shenjta për të bërë haxh dhe umre, le t`i kushtojmë pak vëmendje gjeografisë edhe historisë së profetit Muhamed a.s duke shkuar dhe shkelur me këmbë ato vende ku janë zhvilluar ngjarje vendimtare për Islamin dhe për gjithë botën deri në Ditën e Kijametit. Mundësisht të shoqëruar me një udhëzues të mirë me vete për të treguar me detaje se ku ka qëndruar Pejgamberi a.s, çfarë duaje ka bërë, ku kanë qëndruar sahabët për të hapur hendekun, si janë pozicionuar, sepse jo më kot Allahu i Madhëruar na i përmend këto vende në Kur’an sepse siç thotë Sejid Kutbi Zoti e Mëshiroftë: “Kur Allahu t’i jep detajet e historive në Kur’an, Allahu i Madhëruar ka për synim për të krijuar skenën e zhvillimit të ngjarjes, për të mundësuar kuptimin sa më të plotë e më të thellë të saj.”
Kur Allahu i Madhëruar përmend vende në Kur’an dhe detaje të historive, Allahu I Madhëruar dëshiron të ta vizatojë skemën ku janë zhvilluar ngjarjet që ta përjetosh sa më tepër. Përtej shenjtërimeve, për ne i adhuruar është vetëm Allahu i Madhëruar, dëmi dhe dobia na vijnë vetëm prej Zotit të Gjithësisë dhe prej askujt tjetër. Ne nuk e adhurojmë Pejgamberin a.s, ne nuk e adhurojmë Qaben, ne adhurojmë vetëm Zotin ama në aspektin e gjurmëve gjeografike, ne si muslimanë duhet t’i kushtojmë rëndësi të veçantë. Pse? Sepse kur shkon dhe i prek këto gjurmë dhe e studion jetën e Pejgamberit a.s duke e parë me sy, duke i prekur këto gjurmë me dorë dhe duke i shkelur me këmbë, e përjeton shumë më ndryshe historinë e pejgamberit Muhamed a.s. Në të kundërt përmendja e tyre me detaje në Kur’an, në synetin e Pejgamberit a.s dhe transmetimet e sahabëve s’do të kishin vlerë.
Pas betejës së Bedrit ku muslimanët triumfuan dukshëm, edhe pse muslimanët nuk e kërkonin atë betejë, mekasit të cilëve u kishte rënë reputacioni rëndë, u mobilizuan një vit më mbrapa dhe u turrën drejt Medinës duke u përballur me Muhamedin a.s në vendin që quhet Uhud. Pejgamberi jonë i dashur a.s ishte i zgjuar, ishte strateg, ishte politikan, ishte administrator dhe kryetar shteti shumë i mirë por njëkohësisht ishte një menaxher i jashtëzakonshëm i krizave dhe një lider i jashtëzakonshëm i popullit në kohë krizash madje Pejgamberi a.s për menaxhimin e krizave kishte planin A, planin B dhe planin C. Pejgamberi a.s thirri sahabët për të zbatuar planin A dhe u tha sahabëve dy ide.
Ideja e parë ishte për t’i luftuar mekasit në Medine, për t’u bërë luftë guerrile me burra, gra, fëmijë e pleq për t’u vërsulur me sëpata, me sfurqe, me gurë e me shigjeta, nga çatitë e shtëpive dhe rrugicat dhe kjo do të shkaktonte një hallakatje të madhe të ushtrisë së mekasve dhe do u shkaktonte dëme shumë të mëdha. Alternativa e dytë ishte për të dalë jashtë Medines dhe për t’u përballur sipas luftës klasike që bënin arabët dhe ushtritë në përgjithësi që përballeshin në fusha të mëdha. Pejgamberi a.s anoi nga e para, gjithashtu dhe njerëzit me përvojë në mes të sahabëve, që ishin sprovuar me lidership, thonin që ishte më mirë për ta për t’u përballur brenda në Medinë, për të thënë që nuk është momenti për të treguar të fortin por është momenti për të ruajtur veten dhe njëkohësisht për të fituar me sa më pak humbje dhe ky është lideri i vërtetë, strategu i vërtetë dhe menaxheri i vërtetë.
Domethënë në menaxhimin e krizave nuk hyjnë në punë emocionet as euforitë por mendja dhe diplomacia sipas parimeve, normave si dhe përdorimi me efiçensë të resurseve që ke. Këtë donte të bënte pejgamberi Muhamed a.s.
Pjesa më e madhe e xhematit të pejgamberit a.s thanë se donin të dilnin e të përballen, madje një pjesë e tyre thanë se e kemi pritur këtë ditë, veçanërisht ata që kishin dashur të përballeshin me armikun në betejën e Bedrit por nuk kishin marrë pjesë, sikur donin të kompensonin atë triumf që kishin përjetuar muslimanët në atë betejë.
Dolën të luftonin në betejën e Uhudit dhe ushtria muslimane ishte njëmijë vetë mirëpo shoqëria e pejgamberit a.s sapo kishte filluar të formohej. Dy kilometra afër Uhudit, kryehipokriti Abdullah Ibn Ubejb Ibn Seluli bashkë me treqind ushtarë u tërhoq me pretekstin se ishin injoruar dhe fyer sepse nuk iu mor mendimi, mirëpo ata kishin synim tjetër, kishin synim ta dobësonin Pejgamberin a.s dhe këtu doli në pah dëmi i madh i hipokrizisë.
Gjithmonë ajo që ka bërë ndikim për mirë nuk ka qenë sasia por ka qenë cilësia e cila shprehet nëpërmjet sinqeritetit, qëndrueshmërisë, durimit. Këta kanë qenë gjithmonë delli i Islamit dhe palca e tij.
Pejgamberi a.s vazhdoi rrugën edhe pse problemi tashmë nuk ishte thjesht numerik por edhe psikologjik, sepse kjo tërheqje e një të tretës së ushtrisë kishte një dëm të madh psikologjik në ushtrinë e Pejgamberit a.s. Pasi arritën në Uhud, Pejgamberi a.s e organizoi ushtrinë në mënyrë perfekte dhe u tha atyre që ishin në rrafsh që askush të mos e fillojë betejën pa marrë urdhër nga Profeti a.s dhe pesëdhjetë veta i urdhëroi të qëndronin në kodrinën që sot quhet kodrina e shigjetarëve. Kush shkon në atë vend dhe ngjitet te kodrina e shigjetarëve, të duket sikur je duke marrë pjesë vetë në atë betejë duke shikuar vendin ku ka qëndruar Pejgamberi a.s, vendin ku është goditur Pejgamberia.s, vendin ku ia kanë çarë kokën Pejgamberit a.s, i kanë thyer dhëmbët, dhe vendin ku është strehuar në malin e Uhudit, dhe kur i merr gjithë këto të dhëna të ngjarjes në terren e përjeton ndryshe ngjarjen.
Pejgamberi a.s u tha pesëdhjetë vetëve të rrinin mbi kodrën e shigjetarëve dhe të mos lëviznin prej aty në asnjë rast. Pra po të shikonin se ushtria myslimane kishte fituar të mos zbrisnin prej aty dhe po të shikonin se kishin humbur dhe ishin copëtuar të mos zbrisnin prej aty.
Ishin pesëdhjetë shigjetarë që do i mbronin krahët pejgamberit a.s ku përballë ishin tremijë idhujtarë dhe raporti ishte një me katër. Gjjithmonë nëpër beteja numri muslimanëve ka qenë një me katër e sipër, domethënë numri armiqve ka qenë shumë më i madh se numri i muslimanëve. Ka raste ku raporti ka qenë një me dhjetë.
Këtu del në pah natyra e myslimanit të mirëformuar. Profeti a.s në ballë të ushtrisë zgjodhi njerëzit më besimtarë, më të qëndrueshëm, më të sprovuar, më të vëmendshëm, më të zgjuar, ata që e kishin vërtetuar qëndrueshmërinë dhe nuk tërhiqeshin me goditjen e parë.
Veç sa më sipër, Profeti a.s donte të përcillte edhe një mesazh shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me faktin se forca e myslimanëve nuk buron nga numri i shumtë por nga formimi imanor, fetar dhe moral islam.
Filloi përballja dhe në përballjen e parë myslimanët triumfuan, mirëpo çfarë ndodhi? Këtu filloi sprova e vërtetë dhe këtu ia vlen të theksohet se gjithmonë sprova e muslimanëve ka ardhur nga brenda dhe jo nga jashtë. Kur e panë shigjetarët se muslimanët triumfuan dhe mekasit ia mbathën me të katërta saqë edhe gratë e tyre që i kishin marrë me vete për t’u rënë dajreve, për t’i inkurajuar dhe për t’i stimuluar mekasit, filluan duke ikur dhe lëshuan edhe dajret e tyre, u përveshën dhe ia mbathën me të katërta saqë thotë një nga shokët e Profetit a.s: “Aq shumë u futëm te ushtria armike saqë arritëm te prapavija e tyre.”
Sahabët që ishin në kodër thanë: “Beteja mbaroi, tani shkojmë përfitojmë edhe ne nga plaçkat e luftës!” Dyzetë veta prej shigjetarëve zbritën. Komandanti i tyre u tha: “Kujtoni urdhrin e Pejgamberit a.s që na ka thënë të mos zbresim nga këtu derisa të na vijë urdhri nga Pejgamberi a.s.”([4])
Duhet theksuar se edhe armiqtë kanë njerëz të zgjuar në mesin e tyre madje edhe strategë. Prandaj ka një problem, gjithmonë kur njeriu injoron veten duke u treguar gafil dhe nënvlerëson tjetrin duke mos e marrë në konsideratë, aty fillon humbja për të sepse kjo tregon mungesën e seriozitetit dhe ky detaj i kësaj historie kaq të veçantë na thotë: “Mos injoro përpjekjet e tua në çështjet e dynjasë dhe ahiretit as çështjen më të vogël sepse në shumë raste humbja vjen prej injorimit të detajeve.” Salaudin Ejubi, Zoti e mëshiroftë, e rrethoi një kala të kryqtarëve për disa ditë dhe tha se duke i mbajtur të rrethuar nuk kanë nga dalin, do u shterojnë zahiret, pra uji dhe ushqimi dhe do të dorëzohen.” Problemi ishte se në këtë kala ishte mbreti francez që kishte pushtuar Kudsin dhe po të kapej mbreti do detyroheshin të dorëzoheshin.
Dikush i dha mendimin për t’u shpërndarë pjesë-pjesë për ta detyruar mbretin të dilte nga kalaja, pastaj do ta zinin në befasi. Por faktikisht mbreti u tregua më i zgjuar. Ky mbret që ishte shtatëmbëdhjetë vjeçar që ishte i sëmurë me lebrozë dhe mezi e përdorte shpatën, ndoqi rrugët që ndoqi Salaudin Ejupi, pra i shkoi pas Salahudinit. Pasi ishte shkapërdredhur ushtria e tij dhe e zuri në befasi, qe gati duke e vrarë Salaudin Ejubin dhe e plagosi në shpatull.
Kur iku Salaudin Ejubi në Egjipt tha: “E harrova porosinë e xhaxhait tim i cili më pati thënë: “Asnjëherë mos u mashtro me forcen tënde dhe asnjëherë mos e nënvlerëso forcen e armikut tënd.” dhe kur e harrova këtë këshillë më harroi edhe triumfi edhe fitorja.”
Për t’u kthyer sërish tek beteja e Uhudit, të mashtruar nga plaçka e luftës, dyzet nga shokët e Pejgamberit a.s zbritën nga kodra e shigjetarëve dhe për pasojë i shkaktuan humbje të mëdha myslimanëve me shtatëdhjetë e katër sahabë të vrarë, njëri prej tyre dhe Hamzai r.a.
Pejgamberi a.s shkoi dhe u strehua në malin e Uhudit. Ebu Sufjani i ekzaltuar nga fitorja shkoi në rrëzë të malit të Uhudit dhe thirri: “A është vrarë Muhamedi a.s?
Omer Ibn Khatabi r.a tha: “Nuk është vrarë!”
Ebu Sufjani vazhdoi: “Lavdi për Hubelin (një nga idhujt).”
U tha Pejgamberi a.s të thonë: “Allahu është më i lartësuari.”
Ebu Sufjani ia ktheu: “Të vrarët tanë me të vrarët tuaj, pra ju na vratë në Bedër, ne ju vramë në Uhud.” Pejgamberi a.s tha nëpërmjet Omerit: “Të vrarët tanë janë në Xhenet kurse të vrarët tuaj janë në Xhehenem.”([5]) Allahu i Madhëruar thotë: “Nëse ju ndjeni dhimbje edhe ata kanë ndjerë dhimbje, por ju shpresoni te Allahu atë që nuk shpresojnë ata.”([6]) Pra humbja e besimtarëve nuk është si humbja e atyre, humbja e tyre është për Xhehenem kurse humbja jonë është për në Xhenet, pra fundi është për të devotshmit. Kjo i dha zemër Pejgamberit a.s të mobilizohet dhe pas betejës së Uhudit, pasi iku Ebu Sufjani me ushtrinë e tij, dhe filloi duke u ftohur dalëngadalë nga dehja e fitores. Dikush i tha Ebu Sufjanit: “Po ne nuk fituam gjë! Në fund të fundit na vranë në Bedër dhe ne i vramë këtu, ne erdhëm për gjë tjetër.”
Cili ishte qëllimi? Për të vrarë Muhamedin a.s dhe për të shkulur Islamin nga rrënjët, prandaj ata dalëngadalë u mobilizuan përsëri. Pejgamberi a.s e dinte këtë gjë dhe këtu doli në pah se çfarë do të thotë të jesh i vëmendshëm deri në fund.
Domethënë as gëzimin e madh të mos e lësh që ta marrë mendjen, e as hidhërimin e madh të mos e lësh të ta marrë mendjen. Gafleti është i urryer në të dyja rastet, edhe kur të fitosh mos u ekzalto shumë por edhe kur të humbësh mos u hidhëro shumë, mos u bëj gafil.
Pejgamberi a.s e dinte shumë mirë se çfarë mund të bënin politeistët sepse i njihte mirë , njihte mentalitetin e tyre, mendësinë e tyre, dellin e tyre dhe inatin e tyre. E dinte shumë mirë se dehja e fitores nuk do u zgjaste shumë mekasve, siç dinte se në mesin e tyre ka dhe njerëz të zgjuar që po të vendosnin synime do punonin për t’i realizuar deri në fund. Mesazhi është shumë i qartë: Njohja e tjetrit është shumë e rëndësishme.
Pejgamberi a.s i mobilizoi edhe njëherë sahabët që kishin qëndruar me Pejgamberin a.s në betejën e Uhudit deri në fund. Dhe bashkë me ta, edhe pse ishin të plagosur, u turr drejt mekasve.
Mekasit u bënë bashkë dhe thanë: “Eja kthehemi në Medine për të shkatërruar muslimanët.” Ata dërguan një hipokrit te ushtria muslimane dhe u thanë: “Kthehuni përsëri në Medine sepse Mekasit janë duke ardhur përsëri dhe janë të inatosur.” Pejgamberi a.s bëri të njëjtën gjë, u dërgoi një person i cili nuk njihej për musliman nga mekasit dhe u tha: “Thuaju mekasve se Muhamedi a.s është kaq i zemëruar me ju saqë mjafton t’ju shohë dhe do ju bëjë pluhur e hi!” Mekasit ikën mbrapsht dhe u kthyen përsëri në Mekë. Ata masakruan muslimanët e vrarë por nuk fituan sepse nuk vranë Muhamedin a.s.([7])
Për ta përmbyllur me tre mësime shumë të rëndësishme.
Mësimi i parë është për hipokritët, ata që janë munduar t’i demoralizojnë muslimanët, problem i cili është edhe sot, që janë përpjekur për t’i manipuluar vazhdimisht muslimanët. Përpjekja për t’i devijuar nga parimet dhe moralet dhe për t’i kthyer në normativë. Përpjekja për të përhapur në mesin e muslimanëve frymë negative, pesimiste, nënvlerësimi dhe inferioriteti është edhe sot por me mjete më të sofistikuara; “S’bëhemi, s’jemi, s’ia vlen, jemi inferiorë”.
Por po t’i llogarisësh muslimanët në aspektin e kapaciteteve, në aspektin e vlerave, në aspektin se kush janë, të tjerët i kanë shumë zili, por shumë prej myslimanëve vazhdojnë të kultivojnë te vetja e tyre inferioritetin ndërkohë që nuk i shkon muslimanit të pranojë inferioritetin dhe pesimizmin te vetja e vet. Allahu Madhëruar thotë: “Ju jeni më të lartësuarit.”([8])
Këtyre hipokritëve që u thanë muslimanëve “Mos dilni!” kur u kthyen muslimanët, hipokritët thanë: “A e shikoni? Po të na e kishit dëgjuar fjalën neve nuk do ishit vrarë!” dhe Allahu i Madhëruar tha: “Nëse do të ishit në shtëpitë tuaja dhe do të ishte shkruar prej Allahut që të ishit vrarë, do ju kishte ardhur vdekja edhe në shtretërit tuaj.”([9]) Ky pohim kuranor qe lehtësim për muslimanët, për t’u thënë Allahu i Madhëruar në mënyrë të tërthortë se vërtet ju ishit shkaktarë të humbjes tuaj, por asgjë nuk ndodh pa kaderin e Zotit prandaj ngrihuni dhe mos u demoralizoni, përkundrazi kjo humbje do ju shërbejë për mësim.
Mësimi i madh që u mor cili ishte?! Nëpërmjet ajetit të mësipërm Profeti a.s mori këtë mesazh: O Muhamed! Vërtet shokët e tu që gabuan rëndë të shkaktuan një disfatë shumë të madhe por kije parasysh se ti me mëshirën e Zotit je bërë i mëshirshëm për ta!” Domethënë ji i mëshirshëm, dhe dije se nëse do ishe i ashpër dhe zemërgur, ata do të të kishin braktisur ty. Domethënë o Muhamed a.s, këtë xhemat që ke krijuar mbaje fort, mbaje se nuk ta kanë bërë me qëllim të keq “Fali dhe kërko falje për ta dhe konsultohu me ta. Me kë?! Me ata që më shkaktuan humbje?! Po, edhe me ata që të shkaktuan humbje! Edhe me ata konsultohu dhe mos i dëbo nga xhemati por përfshiji, domethënë faktorizoji se edhe ata kanë akoma energji për të punuar për Islamin dhe për fenë e Allahut të Madhëruar.
“Dhe kur ta marrësh vendimin, mbështetju Allahut!”([10]) Këtu kemi një mësim të veçantë. Kur Pejgamberi a.s u mori mendim sahabëve, kur ishte diskutimi për të qëndruar në Medine apo për të dalë jashtë Medines për t’u përballur, Pejgamberi a.s pa se shumica ishin për të dalë. Prandaj, Pejgamberi a.s shkoi në shtëpinë e tij, veshi parzmoren dhe helmetën, u armatos mirë e mirë dhe doli. Kur e panë sahabët i thanë: “Mesa duket o pejgamber i Zotit ne të detyruam të marrësh mendimin tonë ndërkohë që ti nuk ke dëshirë të dalësh jashtë Medines, prandaj nëse dëshiron të qëndrojmë në Medine jemi me ty.” Pejgamberi a.s tha një mësim të madh: “Nuk i shkon një pejgamberi që pasi të merret vendimi dhe të veshë përkrenaren të kthehet mbrapa.”([11]) Domethënë njerëzit që i bëjnë planet mirë, nuk ka më kohë për ta për të hezituar sepse hezitimi nuk është cilësi e muslimanit. Studimi po, llogaritja e mirë po, por muslimanit nuk i shkon për shtat hezitimi dhe luhatja, sepse të futesh në një betejë apo në një punë duke qenë i luhatur do të thotë se që në fillim e ke dënuar veten për të qenë një humbës i suksesshëm.
Allahu na bëftë nga njerëzit që nxjerrin mësim nga këto histori të mëdha, mësime që i duhen umetit dhe do të na duhen deri në Ditën e Kijametit.
Imam – Hatib: Sabaudin Jashari
By: ardhmëriaonline.com
([1]) – Kurani: Ali Imran, ajeti: 141.
([2]) – Kurani: Nur, ajeti: 63.
([3]) – Kurani: Ali Imran, ajeti: 159.
([4]) – Hadith i vërtetë. Buhariu (4043); Ahmedi (18593); Nesaiu, “Es-Sunenu`l-Kubra”, (8581).
([5]) – Hadith i vërtetë. Ahmedi (2609); Hakimi (3163); Taberaniu, “El-Muxhemu`l-Kebir”, (10731).
([6]) – Kurani: Nisa, ajeti: 104.
([7]) – Për më shumë shiko: Taberiu, “Xhamiu`l-Bejan”, v. 6, f. 246-248; Sujuti, “Ed-Durru`l-Menthur”, v. 2, f. 101.
([8]) – Kurani: Ali Imran, ajeti: 139.
([9]) – Kurani: Ali Imran, ajeti: 141.
([10]) – Kurani: Ali Imran, ajeti: 159.
([11]) – Hadith i vërtetë. Buhariu si informatë pra hadithit (7369); Nesaiu, “Es-Sunenu`l-Kubra”, (7647); Ahmedi (14829).



















