Zekati

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Nëse namazi është pastrim i egos dhe dëlirësi e shpirtit, zekati është pastrim i pasurisë dhe dëlirësi për fitimin: “Merr nga pasuria e tyre lëmoshë, me të cilën t’i pastrosh ata dhe t’ua rrisësh veprat e mira! Lutu për ta, sepse lutja jote është vërtet qetësim për ata”.([1])

Allahu i Madhëruar e ka bërë namazin dhe zekatin manifestim të besimit dhe argument për vërtetësinë e këtij besimi. Kurani Fisnik thotë: “Megjithatë, nëse ata pendohen, falin namazin dhe japin zekatin, atëherë janë vëllezërit tuaj në fe”.([2])  Nga ajeti kuptohet, se kush tregohet neglizhent në faljen e namazit dhe në dhënien e zekatit, nuk ka pjesë nga vëllazëria e fesë.

Kështu e kishte kuptuar edhe Ebu Bekri (r.a), kur u shpalli luftë atyre që nuk dëshironin të jepnin zekatin. Këtë veprim ia miratuan edhe shokët e të Dërguarit të Allahut (a.s), edhe kur ai i cilësoi ata me fjalët “Murtedin – renegatë, tradhëtarë të fesë”. Autorët e gjashtë librave bazë të hadithit shënojnë, se Ebu Hurejrah (r.a) ka thënë: “Kur ndërroi jetë i Dërguari i Allahut (a.s) dhe nga arabët mohuan atë që mohuan, Umeri (r.a) i tha Ebu Bekrit (r.a): “Si do t`u shpallësh luftë njerëzve, ndërkohë që i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Jam urdhëruar t`i luftoj njerëzit, derisa të thonë “La ilahe il`lall`llah – Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut” dhe se kush e thotë këtë fjalë, e ka të mbrojtur pasurinë dhe jetën e tij, ndërsa ai që nuk e ka thënë me sinqeritet këtë fjalë, llogarinë do ta ketë para Allahut të Madhëruar”?!([3]) Ebu Bekri (r.a) iu përgjigj: “Betohem në Allahun, se do ta luftoj atë që bën dallim mes namazit dhe zekatit (si detyrë). Dijeni se zekati është detyrim dhe e drejtë e pasurisë. Betohem në Allahun! Nëse nuk më japin qoftë edhe një kapistër që ia kanë dhënë më parë të Dërguarit të Allahut (a.s), unë do t`i luftoj ata”. Umeri (r.a) thotë: “Betohem në Allahun! Unë e kuptova, që Allahu i Madhëruar e kishte frymëzuar Ebu Bekrin për t`i luftuar ata dhe u binda se kjo është e vërteta”. Sipas një transmetimi tjetër, në vend të fjalës “kapistër” thuhet “ftujë – keci femër, që ka mbushur një vit”.([4])

Shiko – Allahu i Madhëruar të ruajtë – se si Ebu Hurejrah (r.a) shprehet me fjalët “Mohuan ata që mohuan”, se si Ebu Bekri (r.a) kuptoi, se ata që nuk e japin zekatin, shkatërrojnë fenë dhe meritojnë të luftohen edhe nëse thonë “Lâ ilâhe il`lall`llâh” dhe se si Umeri (r.a) e miratoi mendimin e Ebu Bekrit (r.a), duke qenë i bindur se kjo ishte e vërteta dhe e drejta. Allahu i Madhëruar dhe i Dërguari i Tij i kanë paralajmëruar me ndëshkimin më të ashpër ata që nuk japin zekatin.

Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që grumbullojnë ar dhe argjend dhe nuk e shpenzojnë për hir të Allahut, paralajmëroji me dënim të dhembshëm. Do të vijë dita, kur (thesaret e mbledhura) do të digjen në zjarrin e Xhehenemit dhe me to do të damkoset balli, anët dhe shpina e tyre e do t`u thuhet: “Kjo është ajo që keni grumbulluar për veten; pra, shijoni atë që grumbulluat”!([5])

I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Çdokush që nuk e jep zekatin e pasurisë, në ditën e Gjykimit ajo do të shndërrohet në një gjarpër të zjarrtë, me të cilin do të digjen balli, ijet dhe kurrizi i tij, në atë ditë që është 50 mijë vjet. Ky dënim do të vazhdojë, derisa të bëhet gjyqi mes njerëzve”.([6]) I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë në një hadith tjetër: “Mjerë për pasanikët, se ç`do të vuajnë në ditën e Kijametit për shkak të fukarenjve. Të varfërit do të thonë: “Zoti ynë! Ne na është bërë padrejtësi në të drejtën tonë nga pasuria e pasanikëve”. Allahu do të thotë: “Betohem në Krenarinë dhe Madhështinë Time! Ju do t’ju afroj, ndërsa ata do t’i largoj”.([7])

Ky ndëshkim është përcaktuar për ata që nuk e japin zekatin, pasi zekati është sistemi bazë i projekteve dobiprurëse, është mbështetësi i punëve të dobishme dhe ndikon në orientimin e drejtë të lakmisë, e stërvit besimtarin që të jetë bujar, e ushtron që të jetë sa më i matur dhe kultivon dashurinë në zemra, i fton shpirtrat për t`u afruar dhe zhduk zemëratat dhe zilitë, fton për bashkëpunim dhe bashkërendim për punë të mira, lufton dhe shkul rrënjët e ligësive dhe korrupsionit, shuan zjarrin e revolucioneve dhe trazirave. Kushdo që bën mirë, ajo do t`i kthehet dhe kush e bën bamirësinë fole, qëndron në të.

Zekati është përgjegjësi dhe detyrë ligjore e shtetit, i cili ka për detyrë ta mbledhë, ta sistemojë dhe të kujdeset maksimalisht që t`ua japë atyre që e meritojnë; atyre që Allahu i Madhëruar ka urdhëruar t`iu jepet. Nëse qeveritë e muslimanëve do ta kishin vlerësuar dhe do të ishin kujdesur siç duhet për zekatin, do të kishin burime hallall të fitimeve që do t`iu mjaftonin pa pasur nevojë të vendosnin taksa të padrejta dhe detyrime të paqena. Në këtë mënyrë do të ringjallnin këtë detyrë të humbur dhe një nga shtyllat e Islamit që është neglizhuar. Nëse qeveritë muslimane e neglizhojnë apo e humbin të drejtën për mbledhjen dhe shpërndarjen e zekatit, atëherë nevojitet që individët ta ringjallin këtë adhurim dhe ta rikthejnë këtë detyrim, duke e dhënë të drejtën e Allahut të Madhëruar, e cila është përcaktuar për krijesat e Tij. Secili prej këtyre individëve që tregohet neglizhent ndaj kësaj detyre, do të mbartë mëkatin e tij mbi qafë dhe “shpërblimi” nga Zoti i tij do të jetë shumë i dhembshëm.

A nuk ke parë individë të shumtë nga mesi i muslimanëve, të cilët neglizhojnë të drejtën e Allahut në pasurinë e tyre, duke mos e nxjerrë sasinë e caktuar të zekatit për të varfërit?! Kjo gjë ka çuar në prishjen e lidhjeve, shtimin e krimeve, ndotjen e shpirtrave, duke shtuar kështu edhe më shumë zilitë dhe mëritë.

“Vëllezërit Muslimanë” e kanë vënë re këtë gjë, prandaj dëshirojnë të jenë pararojë për këtë çështje, duke dhënë shembullin praktik dhe duke e ringjallur këtë shtyllë të Islamit. Ata e fillojnë vetë këtë detyrë, duke nxjerrë zekatin e pasurive të tyre dhe këtë e bëjnë me shpirt të çiltër. Nëse “Vëllezërit Muslimanë” janë të suksesshëm në kryerjen siç duhet të këtij detyrimi, do të jenë argument ndaj atyre që e neglizhojnë këtë detyrë, shembull për ata që duan ta japin (zekatin) dhe ftues për ata që janë pasivë.

Ky xhemat është bërë shembull në Birimebalin e vjetër, të prefekturës Dakalijeh në Egjipt. “Vëllezërit Muslimanë” e kanë mbledhur zekatin dhe ua kanë ndarë atë grupeve, të cilat janë përmendur në ajetin kuranor: “Lëmosha e zekatit është vetëm për të varfërit, për nevojtarët, për ata që janë ngarkuar me mbledhjen dhe administrimin e tij, për lirimin e skllevërve, për të rënduarit nga borxhet, për (luftëtarët në) rrugën e Allahut dhe për udhëtarët e mbetur rrugëve. Këto janë detyrat e vëna prej Allahut. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë”.([8])

 Shpeshherë më dridhej shpirti dhe kisha frikë të madhe nga përçarja dhe mospajtimet që mund të vinin nga fjalët, sepse disa gjëra të vogla e banale mund të bëhen pengesë për realizimin e mirësive të tilla, sidomos kur bëhet fjalë për anën materiale dhe pasurinë. Kur ka përçarje për këto gjëra, çfarë mund të thuash për një projekt që ka si bazë të tij paranë?! Kam pasur frikë për “Vëllezërit muslimanë” në Birimebal, se mos ata dështojnë, si pasojë e pasanikëve kopracë dhe dorështrënguar të atij vendi, gjë që u intereson paragjykuesve, të cilët krijojnë nga një të metë për çdo gjë, edhe nëse ajo gjë është e përsosur deri në kulm.

Kam pasur frikë se këta (paragjykuesit) do t`i shpotisin vullnetarët, duke i cilësuar si hipokritë, do të tallen me mbledhësit e zekatit, se gjoja janë të njëanshëm. Pata frikë edhe nga ndonjë përfitues i babëzitur, që ka lakminë që gjithë sasinë e mbledhur ta merrte për vete.

Po ashtu, traditat dhe zakonet me të cilat jemi rritur, i bëjnë disa familje të këmbëngulin për të asistuar vetë tek shpërndarja e zekatit, duke mos ia besuar këtë detyrë të tjerëve, pavarësisht përfitimit më efikas që mund të ketë nga organizimi i përbashkët.

Kësaj ia kam pasur frikën për vëllezërit në Birimebal, pra nga këto katër pengesa, të cilat janë të dukshme dhe të prekshme në shoqërinë tonë, gjë që të bën të qash dhe të kaplohesh nga mërzia. Mirëpo vëllezërit e Birimebalit dhe banorët e këtij vendi ishin në një shkallë shumë më të lartë se këto paragjykime. Ata u bindën, u gëzuan dhe zemrat e tyre gjetën rehati me punën e “Vëllezërve Muslimanë”, të cilët u vërtetuan njerëzve, se kur pastërtia pushton shpirtin dhe besueshmëria  është e ndërsjellë, ato janë të mjaftueshme për të kaluar dhe nënshtruar çdo pengesë.

Të pasurit e Birimebalit ishin shumë më lart, sesa paragjykimet – që thoshin se ata nuk duan ta japin të drejtën e Allahut (zekatin) -, sidomos kur ftoheshin për ta dhënë zekatin. Të varfërit e Birimebalit ishin shumë më lart, sesa paragjykimet – që thoshin se ata i zgjasin duart për të përfituar nga pasuria e vëllezërve të tyre dhe ja, tek çdo i varfër arriti ajo pjesë e zekatit që ai e meritonte, zemra iu gëzua, ndërsa gjuha e tij lutej pa ndërprerje për ata që kishin dhënë zekatin, për ata që e kishin mbledhur dhe për ata që e kishin shpërndarë atë.

Allahu i Madhëruar u dha sukses të garantuar dhe të sigurtë vëllezërve të Birimebalit, sukses që nuk i la asnjë hapësirë për akuza apo dyshime. “Vëllezërit Muslimanë” formuan një komision, që në fillim të gjurmonin dhe të gjenin ata që e meritonin zekatin. Për këtë u dha besa dhe fjala se nuk do të ketë njëanëshmëri, as servilizëm, as nuk do të zbulohej ndonjë e fshehtë apo të zbulohej ndonjë e metë. Më pas u formua një komision i dytë, që të verifikonte këto gjurmime dhe zbulime, e të vërtetohej ajo që thuhej. Pas kësaj u formua një komision i tretë, që të përcaktonte sasinë e zekatit që i nevojitet çdo personi dhe më pas u formua një komision i katërt, që vlerësonte përcaktimet e bëra dhe i miratonte ato. Në fund u formua edhe një komision i pestë, i cili shpërndau Zekatin.

Ky organizim ishte shumë preçiz dhe i suksesshëm, gjë që ngjalli habinë dhe gëzimin e çdokujt që e pa, apo punoi me të dhe për të, të çdokujt që pa gjurmët e tij të mira në shpirtrat e banorëve të Birimebalit dhe zonave rreth tij.

Pas kësaj, banorët e Birimebalit nuk e ulnin më veten e tyre duke iu nënshtruar traditave apo prangave të trashëguara, por e ndoqën të mirën, u bënë pjesë e bashkëpunimit, duke dhënë kështu shembujt më të lartë për realizimin e një aspirate, të cilën ne e kishim ëndërr qysh para shumë kohësh.

Pas këtij sqarimi, a nuk e shikon ti o lexues i nderuar, se “Vëllezërit Muslimanë” janë njerëz praktikë dhe të punës. A nuk është kjo punë fakt dhe argument që “Vëllezërit Muslimanë” mund të jenë realizuesit e shpresave të njerëzve?! Prandaj duhet të punohet me zell, që shumë shpejt këto arritje – që Allahu i Madhëruar u ka dhënë sukses – të pasqyrohen tek të gjithë njerëzit e popullit tonë: “Prandaj faleni namazin, jepni zekatin dhe mbështetuni tek Allahu! Ai është Mbrojtësi juaj. Sa Mbrojtës dhe Ndihmës i mrekullueshëm është Ai”!([9])

Autor: Hasan El Benna

Përktheu: Rushit Musallari

([1]) – Kurani: Teube, ajeti: 103.

([2]) – Kurani: Teube, ajeti: 11.

([3]) – Hadith i vërtetë. Buhariu (25), Muslimi (22), Ibn Hibani (5895) dhe Ahmedi (5/246).

([4]) – Hadith i vërtetë. Buhariu (2946), Muslimi (21), Ebu Daudi (2640), Tirmidhiu (2606), Nesaiu në “Sunenu`l-Muxhtebâ”, (3092), Ibn Maxheh (3927) dhe Ahmedi (1/19).

([5]) – Kurani: Teube, ajeti: 34-35.

([6]) – Hadith i vërtetë. Buhariu (1403) dhe Nesaiu në “Sunenu`l-Muxhtebâ”, (2441).

([7]) – Hadith i dobët. Taberaniu në “Sagîr”, (693) dhe në “Eusat”, (4813). Hejthemiu në “Mexhmau`z-Zevâid”, (3/62) nr (4325) thotë: “E shënon Taberaniu në “Sagîr” dhe “Eusat”. Në vargun e përcjellësve është Harith ibn Numani, i cili vlerësohet i dobët nga kritikët e hadithit”.

([8]) – Kurani: Teube, ajeti: 60.

([9]) – Kurani: Haxh, ajeti: 78.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *