Abdurrahman ibn Aufi, modeli i të pasurve

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Në këtë temë, do të flasim mbi një figurë tjetër të përgëzuar me xhenet nga Profeti (a.s), dhe ai është Abdurrahman ibn Auf (r.a)

Abdurrahman ibn Auf, është një nga shokët dhe miqtë e Profetit (a.s) dhe ishte nga shtresa e pasanikëve të Mekes. Pasuria e tij arrinte në disa mijëra dinarë floriri. Jetëshkrimi i tij është një shkollë nga e cila do të përfitojmë suksesin, arritjet, shërbimin ndaj komunitetit, miqësinë, heroizmin, kalorësinë, interesin për edukimin e fëmijëve dhe komunikimin me bashkëshorten. Nëse do të depërtonim brenda familjes së tij, do e gjenim se ai ishte një yll, model dhe shëmbëlltyrë për muslimanët.

Konvertimi i Abdurrahman ibn Auf në Islam

Ishte Ebu Bekri ai që e bindi Abdurrahmanin të pranojë Islamin, duke e bërë personin e tetë që pranonte Islamin në Meke. Asokohe, Abdurrahmani ishte vetëm 22 vjeç. Para se të pranojë Islamin, ai i kërkoi kohë Ebu Bekrit që të mendohet dhe vetëm pasi e pleqëroi dhe u sigurua, pranoi Islamin.

Emri i tij nuk ishte Abdurrahman, por Abdu Amr. Ishte vetë Profeti (a.s) ai që ia ndryshoi emrin dhe e thirri Abdurrahman. Ishte në traditën e Profetit (a.s) që t’i thërriste të tjerët me emra ogurmirë. Ai largohej dhe urrente çdo emër që ishte ogurzi dhe shprehte pesimizëm. Diçka të tillë, Profeti (a.s) nuk e bënte vetëm me Abdurrahman ibn Aufin, por me këdo që kishte emër që shprehte dobësi dhe cilësi negative. Një ditë, hyri një burrë tek Profeti (a.s) të cilin e pyeti: “Si e keni emrin?” Ai iu përgjigj: “Zejdul Hajl (kalë)” Profeti a.s i tha: “Që tani e tutje do të jesh Zejdul Hajr (mirësi)”. Ishte traditë e tij (a.s) që të ishte i qartë në terminologji.

Abdurrahman ibn Aufi, emigroi fillimisht në Abisini me muslimanët e tjerë dhe më vonë emigroi dhe në Medine me Profetin (a.s). Kur emigroi për në Medine, ai ishte i varfër dhe nuk posedonte asgjë përveç rrobës që kishte veshur.

Abdurrahman ibn Aufi në shtëpinë e Sa’d ibn Rebi

Kur Profeti (a.s) i vëllazëroi mekasit me medinasit, vëllau i Abdurrahman ibn Aufit ishte Sa’d ibn Rebi. Me ta dërguar në shtëpinë e tij, Sa’d u ul me Abdurrahmanin dhe i tha: Kam pasuri, të cilat do i ndaj përgjysmë me ty. Kurse Abdurrahmani iu përgjigj: Zoti të dhashtë begati në familjen dhe pasuritë e tua. Gjëja e vetme që dua prej teje, është të më tregosh tregun.

“Më trego tregun!” ishte motoja e Abdurrahman ibn Aufit, gjë e cila tregon edukimin e mirë. Ai nuk e pranonte përtacinë dhe dembelizmin, edhe pse gjithçka e kishte të garantuar nga vëllai i tij në fe, Sa’d ibn Rebi.

Vallë si do të sillej ndonjëri nga ne, po t’i ofrohej gjysma e pasurisë dhe një grua për t’u martuar, ndërkohë që ishte i përzënë nga vendlindja, duarbosh dhe i varfër në kulm? A do të kishte njerëz të tillë që mund t’a refuzonin një ofertë të tillë?

Abdurrahmani nuk e pranoi një ofertë të tillë, edhe pse gjendej në pikën e hallit.

Motoja e tij “Më trego tregun” edhe pse kanë kaluar mbi 1.400 vite, ajo vazhdon të jetë e freskët për të gjithë muslimanët dhe e kujtojmë atë me krenari.

Me t’i treguar Sa’d ibn Rebi tregun, Abdurrahmani filloi ta studiojë atë. Ai ishte rritur në treg dhe e njihte shumë mirë artin e shit-blerjes. Menjëherë ai filloi të blejë dhe të shesë dhe për një kohë të shkurtër u bë një nga tregtarët më të mëdhenj në treg. Më vonë ai filloi dhe udhëtimet e gjata tregtare duke arritur të bëhej një nga tregtarët më të pasur mes muslimanëve.

Duke parë sinqeritetin dhe zemërbardhësinë e tij, Zoti i dha sukses në këtë fushë. Çdo i ri dhe e re, nëse i vendosin vetes një synim dhe janë të sinqertë, Zoti do u japë sukses dhe do i ndihmojë në realizimin e tij.

Abdurrahman ibn Auf ishte mishërim i gjallë i lutjes së Profetit (a.s): “O Zot më mbro nga dështimi, përtacia…” 

Ai është një model dhe shembull për çdo të varfër nga muslimanët dhe për çdo të papunë. Çdo sukses fillon me një ide, bisedë, lëvizje etj… Abdurrahman ibn Aufi ngacmon dhe stimulon vullnetet e fjetura. Ai është simbol i suksesit dhe simbol i luftës kundër fukarallëkut dhe papunësisë.

Të tillë ishin shokët e Profetit (a.s), secili prej tyre ishte një shkollë nga e cila mëson dhe edukohesh me moralet dhe virtytet më të larta.

Ndërkohë që flasim mbi dhjetë të përgëzuarit me Xhenet, shumë njerëz i imagjinojnë ata si të varfër, të papunë, që nuk dinë gjë tjetër përveç namazit, agjërimit dhe vajtjes në xhami. Vetëm kështu – sipas tyre – mund të fitohet Xheneti.

Një mendim dhe opinion të tillë e rrëzon Abdurrahman ibn Aufi. Ai sikur i thërret secilit prej nesh, duke thënë: Unë jam i pasur dhe jam nga të përgëzuarit me Xhenet.

Një ditë, Bilali ndodhej në shoqërinë e Profetit (a.s) Të dy ishin të ulur dhe Profeti (a.s) i tha: “O Bilal! Kam dëgjuar kërcitjen e këpucëve të tua në Xhenet. Çfarë bën që ke fituar një gradë të tillë?” Bilali iu përgjigj: O i dërguar i Zotit! Sa herë më prishet abdesi, unë shpejtoj dhe marr abdes sërish. Me të marrë abdes, fal dy rekate nafile për çdo abdes që marr.  Pas pak çastesh, Profeti (a.s) pyeti sërish:Po Abdurrahman ibn  Aufi ku ndodhet? Pasi erdhi Abdurrahmani, Profeti (a.s) e pyeti: Ku ishe o Abdurrahman?” Ai i tha: O i Dërguar i Zotit! Isha duke numëruar paratë. Profeti (a.s) i tha: O Abdurrahman! Ti do të jesh nga banorët e Xhenetit, por në Xhenet do të hysh këmbadorazi. Më pas, Profeti (a.s)  i tregoi se si mund të hynte në Xhenet  duke ecur në këmbë. Ai i tha: Duke i dhënë Allahut hua të bukur.” Abdurrahmani filloi të japë pasuri duke ndimuar të varfërit, me qëllim që të hyjë në këmbë në Xhenet.

Një ditë, në Medine arriti një karvan prej shtatëqind devesh të ngarkuara me mallra të ndryshme dhe ushqime. Kur karvani hyri në Medine, të gjithë banorët dolën jashtë për të parë. Mes njerëzve ishte dhe Aisheja, gruaja e Profetit (a.s), e cila vajti tek Abdurrahmani, pronari i këtij karvani dhe i kujtoi hadithin e Profetit (a.s): “Duke i dhënë Allahut hua të bukur.”

A e dini si veproi Abdurrahmani? Me këtë, ai u bë shembull dhe model për të gjithë biznesmenët në botën arabe dhe islame, numri i të cilëve arrin 35 milionë biznesmenë. Kurse numri i dhomave të tregtisë në vendet arabe dhe muslimane arrin në shtatëqind. Të gjithë biznesmenët dhe dhomat e tregëtisë islame, unë i këshilloj që ta studiojnë jetëshkrimin e Abdurrahman ibn Aufit.

Me të dëgjuar fjalët e Aishes, e cila i kujtoi thënien e Profetit (a.s), Abdurrahmani u kujtua dhe i tha: Oj Aishe! Ji dëshmitare që ky karvan me gjithë mallin, është dhuratë për t’u shpenzuar në rrugë të Zotit.

Abdurrahman ibn Aufi filloi të shquhej për shpenzimin e pasurisë në rrugë të Zotit dhe në ndihmë të vobektëve, saqë shumë munafikë filluan ta akuzojnë se diçka të tillë e bën sa për sy e faqe dhe që të lëvdohet nga njerëzit.

Po ta studiojmë jetën e tij nga aspekti shoqëror, ai është simbol i punës, përpjekjeve dhe dhënies së pasurisë në rrugë të Zotit.

Thotë Zoti në Kuran: “Allahu është i kënaqur me ata besimtarë, kur t’u betuan për besnikëri nën hijen e pemës.”[1] E Abdurrahman ibn Aufi ishte nga ata që i dhanë besën Profetit (a.s) nën hijen e pemës dhe sinqertitetin dhe besnikërinë e tij e dëshmoi vetë Zoti në ajetin e mësipërm.  A ka nder dhe privilegj më të madh se të dish që Zoti është i kënaqur me ty?

Të gjithë ne e adhurojmë Zotin me qëllim që të fitojmë kënaqësinë e Tij

Në betejën e Tebukut që u zhvillua pranë kufijve të Shamit, merrte pjesë dhe vetë Abdurrahman ibn Aufi. Një ditë në mëngjes, Profeti (a.s) bashkë me Muadh ibn Xhebelin dolën për të marrë abdes që të faleshin. Ata të dy u vonuan, saqë muslimanët e tjerë u frikësuan se mos lind dielli pa u falur. Ata filluan të diskutojnë mbi mundësinë e faljes së namazit, pa ardhur Profeti (a.s). Por kush mund të dilte të falej si imam, në vend të Profetit (a.s)? Ishte Abdurrahman ibn Aufi ai që guxoi dhe doli imam. Pasi falën rekatin e parë, Profeti (a.s) u kthye dhe i gjeti shokët e tij duke u falur. Ai u bashkua me ta dhe kur Abdurrahmani dha selam, Profeti (a.s) u ngrit dhe plotësoi rekatin e humbur. Pasi e përfundoi Profeti (a.s) namazin e tij, Abdurrahmani iu afrua dhe i kërkoi falje për atë që kishte ndodhur. Ai kishte frikë se mos kishte vepruar diçka që e kishte zemëruar Profetin (a.s), por Profeti (a.s) i tha: “Ke bërë mirë o Abdurrahaman.”

Mes tregtisë dhe familjes

Edhe pse ishte i zënë dhe i angazhuar me tregëtinë dhe udhëtimet e shumta, po ta studiojmë jetëshkrimin e tij do të shohim që ai nuk kishte konflikte dhe probleme familjare me gruan dhe fëmijët. Përkundrazi, jetëshkrimi i tij zbulon marrëdhëniet e shkëlqyera mes tij, gruas dhe fëmijëve.

Të tillë ishin shokët e Profetit (a.s). Ata dinin si t’i ruanin ekuilibrat mes detyrave familjare dhe aktivititetit të tyre të përditshëm tregtar.

Mënyrën e ekuilibrave mes kësaj bote dhe botës tjetër, ne e mësojmë më së miri nga shokët e Profetit (a.s) dhe muslimanët e parë.

Për këtë, orientalistët mbeten gojëhapur dhe të mahnitur kur studiojnë jetëshkrimet dhe marrëdhëniet e shokëve të Proetit (a.s) me familjet e tyre, pasi kishin studiuar gjithë civilizimet dhe historitë e popujve të mëparshëm.

Ata hasnin në dallimet e thella mes romakëve që kishin udhëhequr botën dhe shokëve të Profetit (a.s), të cilët sundonin vetëm rajonin përreth. Madje një nga mendimtarët dhe studiuesit perëndimorë në librin e tij  “Vlerat e përjetshme të Islamit” thotë: “Civilizimi islam bazohet në mesazhin hyjnor, ku sistemi shoqëror bazohet në një familje të fortë dhe të qëndrueshme. Ndërkohë që sistemi ekonomik konsiderohet mjet dhe jo qëllim.”

Kështu, Abdurrahman ibn Aufi nuk i neglizhonte detyrat që kishte ndaj familjes, edhe pse ishte i angazhuar me tregëti dhe shit-blerje.

Doktor Gustav Libon, në librin “Qytetërimi arab” thotë: “Filozofët arabë dhe muslimanë, janë të parët ata që i mësuan botës pajtueshmërinë mes lirisë së mendimit dhe praktikimit të fesë.”

Padyshim që vlerat tona të rralla, civilizimi ynë islam, trashëgimia jonë e lavdishme, biografia e të parëve tanë të ndershëm, jetëshkrimi i Profetit tonë, janë ato që na orientojnë dhe udhëzojnë mbi mënyrën e ndërtimit të marrëdhënieve tona me njerëzit, shoqërinë që na rrethon dhe Krijuesin e Madhëruar. Janë pikërisht këto që e bëjnë muslimanin të ndihet i lumtur dhe i qetë gjatë jetës dhe në familje.

Është jetëshkrimi i Abdurrahman ibn Aufit që na mëson ekulibrin mes detyrave të familjes dhe angazhimeve të aktiviteteve të përditshme. Me moton e tij “Më trego tregun” ai u bë modeli dhe shembulli më i mirë për këdo që kërkon të jetë i suksesshëm. Ai është modeli më i mirë për biznesmenët, mbi mënyrën si fitohet dhe shpenzohet pasuria në udhën e Zotit. Ai ishte model jete në çdo vepër bamirësie.

Paqja e Zotit qoftë mbi ju!

Autor:  Xhasim El-Mutava

[1] – Sure Fet’h: 18.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.