Mendubet (të preferuarat) e namazit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

1 – Ngrënia para namazit, nëse është vakt ushqimi: Enes Ibn Malik (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Nëse afrohet koha e ngrënies dhe hyn koha e namazit, filloni me ushqimin para namazit dhe mos i vononi darkat tuaja”[1]

2 – Dhënia përparësi kryerjes së nevojës para faljes: Aishja (r.a) tregon, se I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Nuk falet namazi, kur është shtruar vakti dhe nuk falet namazi, kur personit i duhet të kryejë nevojat personale”[2]

Abdullah ibn Erkam (r.a), tregon se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Nëse ka hyrë koha e namazit dhe njeriu e ka të ngutshme që të kryejë nevojat personale, le të kryejë nevojat personale, para se të falë namazin”[3]

3 – Falja e namazit sikur të jetë namazi i fundit që po fal: Umu Seleme (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kur të faleni, faluni sikur të jetë namazi juaj i fundit. Namazliu duhet të mendojë, se nuk do të ketë mundësi, që ta falë më këtë namaz”[4]

4 – Përsosja e namazit: Ebu Hurejra (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) u fal një ditë me ne dhe pasi mbaroi namazin, i tha dikujt: “O filan! Përse nuk e përsos namazin tënd? Përse ai që falet nuk mendon se si falet? Vërtet njeriu falet për veten e tij”[5]

5 – Plotësimi i rukusë dhe sexhdes: Abdullah El Eshari (r.a) tregon, se I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) pa një person, që nuk e plotësonte rukunë, kurse në sexhde çukiste (siç çukit gjeli ushqimin, pra falej shpejt e shpejt). I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) tha: “Nëse ky person do të vdiste në këtë gjendje, nuk do të vdiste në fenë e Muhamedit. Shembulli i atij që nuk plotëson rukunë dhe sexhden, është si shembulli i të uriturit, që ha dy kokrra hurma, mirëpo ato nuk i bëjnë dobi”[6]

Ebu Hurejrah (r.a) ka thënë: “Miku im i dashur (Paqja qoftë mbi të) më ndaloi që të çukis si gjel në namaz, të shikoj rreth e rrotull si dhelpër dhe të rri i mbledhur si majmun”[7]

6 – Qetësimi në namaz dhe mos lëvizja gjatë faljes: Ebu Dherri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Allahu i Lartësuar është me robin e Tij në namaz, derisa ai (robi) të mos lëvizë (kthejë kokën). Nëse robi e largon fytyrën e tij nga Krijuesi, atëherë Allahu i Lartësuar e braktis atë”[8]

Abdullah Ibn Kutejbe (r.a) tregon, se Xhabir Ibn Samrete (r.a) ka thënë: “Një ditë i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) erdhi në mesin tonë dhe na tha: “Çfarë keni që ju shoh duke i lëvizur krahët në namaz, sikur duart tuaja të ishin bishta kuajsh kryeneçë. Qetësohuni në namaz”[9]

I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Bëje sexhden dhe qetësohu në të, pastaj ngrihu nga ajo dhe qetësohu”[10]

7 – Frikë-respekti në namaz: Allahu i Lartësuar thotë: “Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët. Ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit”[11]

I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Namazi (sunet) falet me nga dy rekate. Në çdo 2 rekate ka nga një Teshehud, mirëpo gjatë namazit kërkohet frikë-respekt, përulje dhe vetëpërmbajtje. Ngriji duart me shuplaka nga fytyra dhe thuaj: “O Zoti im, o Zoti im (pra ngriji duart pas namazit dhe lutu)”[12]

8 – Thjeshtësia në namaz: Ibn Abasi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka përcjellë fjalën e Allahut, ku thotë: “Unë e pranoj namazin nga ai, i cili është i thjeshtë ndaj Madhështisë Time, e pranoj nga ai që nuk është mendjemadh para krijesave të Mia. E pranoj nga ai që nuk këmbëngul në mëkate ndaj Meje. E pranoj nga ai që e kalon ditën në përmendjen Time, që është i mëshirshëm me nevojtarët, udhëtarët, vejushat dhe me atë që ka fatkeqësi. Drita e këtij besimtari është si drita e diellit. E përkrah me madhështinë Time, e mbroj me engjëjt e Mi, errësirën ia kthej në dritë dhe paditurinë në butësi. Shembulli i tij në krahasim me krijesat e tjera të Mia, është si shembulli i Firdeusit në Xhenet”[13]

I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Allahu i Lartësuar thotë: “Jo çdo njeri që falet është falur me të vërtetë. Unë e pranoj namazin nga ai që është i përulur para Madhështië Time dhe që i përmban epshet nga ato që kam ndaluar, nuk këmbëngul në kryerjen e mëkateve, ushqen të varfrin dhe e vesh të zhveshurin”[14]

9 – Largimi nga gjërat që i tërheqin vëmendjen namazliut:Aishja (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut(Paqja qoftë mbi të) po falej mbi një rrobë të zezë me kuadrate dhe gjatë faljes shikonte rrobën. Kur mbaroi namazin, tha: “Merreni këtë rrobë dhe më sillni një tjetër, pasi më tërhoqi vëmendjen në namaz”[15]

10 – Larja e duarve nga ushqimet që mbajnë erë: Abdullah Ibn Xhafer (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kur dikush prej jush të bëhet gati për të falur namazin, le t`i lajë duart nga yndyra, sepse nuk ka erë më të rëndë për engjëjt, sesa era e yndyrës. Me të vërtetë kur njeriu falet, engjëlli vendos gojën e tij tek goja e falësit, prandaj çdo ajet që del nga goja e falësit, shkon në gojën e engjëllit”[16]

11 – Qëndrimi i gjatë (në këmbë) në namaz: I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Namazi më i mirë është ai që ka qëndrimin më të gjatë (në këmbë)”[17]

Abdullah ibn Hubshi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) u pyet, se cili namaz është më i mirë. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) tha: “Namazi me lexim (qëndrim) të gjatë”[18]

12 – Bashkimi i shpatullave dhe këmbëve me njëra- tjetrën: Enesi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Drejtoni rreshtat, pasi unë shikoj edhe atë që nuk e kam përpara”. Enesi (r.a) thotë: “Çdonjëri nga ne bashkonte shpatullat dhe këmbët e veta me të tjetrit”[19] Enesi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Drejtoni rreshtat dhe bashkoni qafat”[20]

Qëllimi i këtyre fjalëve është, që rreshti të mbahet i lidhur dhe të mos ndërpritet.

13 – Mos shtrëngmi i shpatullave gjatë faljes: Ibn Abasi (r.a) tregon, se I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Më i miri prej jush është ai, që nuk i shtrëngon fort shpatullat në namaz”[21]

Pra, gjatë rreshtimit në safe namazlinjtë nuk duhet të ngjeshen me njëri – tjetrin me ashpërsi, pasi në çdo gjë preferohet mesatarja dhe butësia.

14 – Qëndrimi në vend pa lëvizur pas faljes sa namazit të Sabahut: Xhabir Ibn Samrete (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) nuk lëvizte nga vendi ku falej, derisa të lindte dielli. Ai ngrihej vetëm pasi dielli të kishte lindur”[22]

Është nga Suneti, që falësi ta kalojë këtë kohë duke bërë dhikër, duke lexuar çfarë është transmetuar nga duatë e mëngjesit. Nëse pas lindjes së diellit, personi fal dy rekate, merr shpërblimin e atij që kryen Haxhin dhe Umren.

Enesi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kush e fal namazin e Sabahut me Xhemat dhe më pas ulet duke përmendur Allahun, derisa të lindë dielli dhe fal dy rekate, do të ketë shpërblimin e një Haxhi dhe Umra”. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) tha: “Shpërblim të plotë, të plotë, të plotë”[23]

15 – Pengimi i atij që kërkon të kalojë para namazliut: Ebu Said Khuderiu (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush falet, duke pasur përpara një sutre dhe dikush dëshiron të kalojë para tij, le ta pengojë duke e shtyrë. Nëse ai refuzon dhe kërkon të kalojë, le ta godasë, sepse ky person është shejtan”[24]

Nuk bëhet fjalë për goditje të fortë, pasi shejtani nuk goditet fizikisht, por ai shporret me anë të lutjeve. Në këtë rast mjafton ta shtysh atë që kalon, apo t`i nxjerrësh dorën përpara atij.

16 – Veshja bukur për faljen e namazit: Ibn Umeri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kur të faleni, vishni dy rroba, sepse Allahu i Madhëruar është Ai, që e meriton më shumë të zbukuroheni për Të”[25]

Autor: Rushit Musallari

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Buhariu, Muslimi dhe të tjerë

[2] – Muslimi.

[3] – Ebu Daudi. Hadithi është Sahih.

[4] – Ibn Maxheh. Hadith Sahih për shkak të dëshmive përforcuese.

[5] – Muslimi.

[6] – Ibn Huzejme. Hadithi është Sahih për shkak të dëshmive përforcuese.

[7] – Ahmedi.  Hadith Sahih.

[8] – Ebu Daudi. Hadithi është Sahih për shkak të dëshmive përforcuese.

[9] – Muslimi.

[10] – Ebu Daudi. Hadithi është Sahih.

[11] – Sure Mu’minun; 1 – 2.

[12] – Ebu Daudi. Hadithi është Sahih.

[13] – Bezari. Hadithi është Daif.

[14] – Dejlemiu. Hadithi është Daif.

[15] – Buhariu dhe Muslimi.

[16] – Hadithi është Daif.

[17] – Muslimi.

[18] –

[19] – Buhariu

[20] – Ebu Daudi. Hadithi është Sahih.

[21] – Ebu Daudi. Hadithi është Sahih për shkak të dëshmive përforcuese.

[22] – Muslimi.

[23] – Tirmidhiu. Hadithi është Sahih për shkak të dëshmive përforcuese.

[24] – Buhariu dhe Muslimi.

[25] – Tabaraniu në Eusat. Hadithi është Sahih për shkak të dëshmive përforcuese.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.