Nevoja urgjente dhe jo urgjente

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Më parë kemi përmendur se me fjalën “nevojë sheriatike” nënkuptohet “Nevoja për një gjë e cila krijon hapësira lehtësuese për të shmangur situatat e vështira e të mundishme, megjithëse ajo bie ndesh me dispozitat thelbësore të sheriatit, pasi ajo konfirmohet përmes dispozitave të veçanta përjashtuese (jo thelbësore).”  Nevoja nuk është në të njëjtin stad, por ndryshon në varësi të forcës së saj dhe kërkesës së njerëzve. Ajo mund të jetë e fortë ose më e lehtë se kaq. Prandaj, nga ky aspekt, nevoja ndahet në dy lloje: nevojë urgjente  dhe nevojë jo urgjente.

Me fjalën “urgjente” nënkuptohet këmbëngulja dhe vazhdimësia. Në këtë kuptim, “nevoja urgjente” është ajo nevojë e vazhdueshme, ndaj së cilës njerëzit kthehen dhe e ndjekin rregullisht për shkak të domosdoshmërisë së madhe që kanë për të. Ndërsa “nevoja jo urgjente” është thjesht një nevojë pa ndonjë veçori që ta ngrijë atë në një nivel më të lartë. Prandaj, heqja dorë prej saj është më e lehtë dhe më pak e rëndë sesa heqja dorë nga nevoja urgjente

Kjo lljo ndarje nuk është formuluar drejtpërdrejt nga dijetarët, por kuptohet nga përshkrimi i tyre kur për disa lloje të nevojave, ata janë shprehur me fjalët “urgjente”, që nënkupton se ka nevoja që janë të ngutshme dhe të tjera që nuk janë të tilla. Më së shumti, këtë termologji e përdorin juristët e medh’hebit Maliki.

Në lidhje me  këto lloj ndarjeje, ne vërejmë se juristët janë shprehur me shprehje të ndryshme, të cilat nuk e kundërshtojnë terminologjinë e përmendur më sipër. Sa më poshtë po i cekim disa prej tyre:

1 – Nevoja e madhe dhe nevoja jo e madhe. Ky term është përmendur në disa transmetime, siç është ajo që transmeton Ebu Daudi me zinxhirin e tij nga një burrë nga ensarët, i cili tha: “Dolëm me të Dërguarin e Allahut (a.s) në një udhëtim, dhe njerëzit i goditi një nevojë e madhe dhe vështirësi, derisa gjetën disa dele…” [1]

Kjo shprehje është e njohur në mesin e juristëve dhe përdoret gjerësisht prej tyre. Një shembull është ai që përmend Ibn Kudame në çështjen e atij personi i cili dëshiron ta shtyjë afatin e dhënies së zekatit, ku thotë: “Nëse e vonon atë (dhënien e zekatit) për t’ia dhënë dikujt që është më i denjë për të, si një të afërmi apo dikujt që ka një  nevojë të madhe, atëherë, nëse është vonesa është afatshkurtër, nuk ka problem.”[2]

Po ashtu, Hatabi transmeton nga Ibn Rushdi se ai ka thënë: “Fjala e tij: “Ata kërkojnë shiun”, nënkupton lutjen dhe jo daljen në shesh – sipas sunetit të istiska-së – , sepse kjo ndodh vetëm në raste të nevojës së madhe për shi, siç e bëri i Dërguari i Allahut.” Pastaj ai përcjell nga imami Maliku: “Dalja në sheh për istiska (namazi që falet për të zbritur shiu) nuk bëhet përveçse kur ka një nevojë të madhe.”[3]

Madje ne do të hasim në disa  rregulla juridike islame të cilat e  kanë përfshirë këtë shprehje, si p.sh.: “Sa më e madhe të jetë nevoja për diçka, aq më i gjerë është lehtësimi në të.”[4]

2 – Nevoja e thelbësore dhe jo thelbësore. Kjo shprehje është ndër më të përdorurat tek juristët. Imam Serkhasi në librin “El-Uekale” ka thënë: “Autorizimi është delegim i të drejtës për të vepruar te një person tjetër dhe dorëzimi i pasurisë atij në mënyrë që të veprojë në të. Njerëzit kanë nevojë thelbësore për këtë marrëveshje, sepse ndodh që njeriu të mos jetë në gjendje ta ruajë pasurinë e vet kur del për udhëtim, ose të mos jetë në gjendje të veprojë në pasurinë e tij për shkak të mungesës së dijes, angazhimeve të shumta ose për shkak të pasurisë së madhe, prandaj ka nevojë të delegojë dikë tjetër përmes përfaqësimit.”[5]

Kjo shprehje është përmendur edhe në rregullat juridike (kauaid fikhije), ndër to: “Çdo gjë që shërben për të përmbushur nevojën thelbësore të njerëzve, është e lejuar në sheriat” dhe “Përmbushja e nevojës thelbësore ka përparësi ndaj (nevojës) së rrallë”

3 – Nevoja e theskuar dhe jo e theksuar. Shembull për këtë është ajo që kanë përmendur juristë lidhur me lejimin e mallkimit të ndërsjellë (mula’ane) për mohimin e shtatzënisë. El-Baxhi ka thënë: “Nëse atij (njeriut) i është lejuar të kërkojë të bëj mallkimin e ndërsjellë për shkak të akuzës së kurvërisë për nevojën që ka për këtë, atëherë është edhe më e arsyeshme dhe më e përligjur që të kërkojë të bëjë mallkimin e ndërsjellë për mohimin e shtatzënisë, ngase nevoja në këtë rast është edhe më e theksuar.”[6]

Po ashtu, një shembull tjetër është edhe ajo që ka përmendur Izzuddin ibn Abdus-Selam në çështjen e shkeljes së rregullave sheriatike, ku ka thënë: “Nuk ka dyshim se dobitë (interesat) për të cilat janë shkelur rregullat (sheriatike), disa prej tyre janë të domosdoshme pa të cilat nuk mund të bëhet, e disa të tjera janë prej nevojave të theksuara.”[7]

Kështu pra shprehjet e lartpërmendura, megjithëse ndryshojnë në formulim, në të vërtetë ato i referohen të njëjtit kuptim. Siç është përmendur edhe në fillim të këtij studimi, nevoja nuk ka të njëjtin stat për nga forca dhe rëndësia, sepse nevoja në thelb nënkupton varësinë ndaj një gjëje. Kur njeriu ka nevojë për diçka, ai është i varur prej saj. Por kjo varësi është shkallë-shkallë:

Nëse varësia është e vazhdueshme dhe e përsëritur, atëherë kemi të bëjmë me nevojë të madhe, të urgjente, thelbësore dhe të theksuar. Ndërsa nëse varësia është vetëm e thjeshtë, atëherë ajo është nevojë e zakonshme.

Mund të thuhet gjithashtu se nevoja jo urgjente është ajo që ndodh rrallëherë. Një shprehje të tillë të cilën ne e hasim tek juristët, është shprehja “Plotësimi i nevojës thelbësore ka përparësi ndaj asaj të rrallë.” Gjithashtu, disa dijetarë kanë theksuar se nevoja e theksuar është ajo pa të cilën nuk mund të bëhet pa të, dhe kundruall asaj është nevoja e rrallë, që njeriu mund të bëjë pa të.

Për shembull: Njerëzit – të sëmurët –  në përgjithësi kanë nevojë për ilaç, por nevoja për përdorimin e ilaçit nuk është e njëllojtë tek të gjithë. Kush ka rrufë apo grip të lehtë ai ka nevojë për ilaç, por nevoja e tij nuk është e ngutshme, sepse kjo lloj sëmundjeje mund të përballohet me pak vështirësi. Ndërsa ai person që i dhemb dhëmbi ose ka një dhimbje të fortë koke, atëherë nevoja e tij për ilaç është urgjente, sepse megjithëse kjo sëmundje mund të përballohet, ajo shoqërohet me lodhje dhe mundim të madh. Si dëshmi për këtë, vërejmë se shumë njerëz durojnë sëmundjen e rrufës, por nuk durojnë dhimbjen e dhëmbit. Në lidhje me këtë, Imam Xhuvejni ka thënë: “Nëse përdorimi i  ilaçeve dhe barnave në rast nevoje urgjente ndalohet atëherë padyshim që kjo gjë do të shkaktojë dëm.”

Është e rëndësishme të theksohet se si nevojat urgjente, ashtu edhe ato jo urgjente, gjejnë mbështetje në veprim dhe merren në konsideratë në dritën e parimeve racionale dhe praktike. Megjithatë nevoja urgjente ka ndikim më të madh dhe efekt më të fuqishëm sesa ajo jo urgjente. Për këtë arsye, disa veprime të ndaluara nuk bëhen të lejueshme, veçse për shkak të një nevoje urgjente. Si për shembull: Në parim të shikosh një pjesë të turpshme të trupit është një veprim i ndaluar, por kjo dispozitë fetare (ndalimi i shikimit të pjesës së turpshme) mund të mos i nënshtrohet këtij parimi për shkak të një nevoje, ndonëse kjo ndryshon sipas natyrës së nevojës.

Izz ibn Abdu Selami ka thënë: “Lejimi për të parë pjesët më të neveritshme të trupit kërkon një arsye (nevojë) më të fortë se sa për pjesët e tjera të turpshme. Gjithashtu, për të lejuar shikimin e pjesëve të turpshme të grave, kërkohet një nevojë më e madhe dhe domosdoshmëri më e fortë sesa për ato të burrave, për shkak të rrezikut më të madh të tundimit. Po ashtu, shikimi i pjesëve pranë gjurit nuk është i njëjtë me shikimin e vitheve.”

Këtë kuptim e ka konfirmuar edhe Ibn el-Uekil kur ka folur rreth shikimit të grave të huaja duke thënë: “… Ndër to bën pjesë lejimi i shikimit dhe prekjes (së trupit) gjatë venopunkturës[8], hixhames ose trajtimit të ndonjë sëmundjeje, me kusht që të jetë e garantuar shmangia nga fitneja dhe që të mos gjendet ndonjë grua që mund ta kryejë këtë detyrë. Ndërsa në rastet kur nevoja është e zakonshme, është e mjaftueshme vetëm shikimi i fytyrës dhe i duarve; për pjesët e tjera kërkohet siguri e plotë (nga rreziku i fitnes).”Më tej, Ibn el-Uekil argumenton për dallimin mes pjesëve të trupit në aspektin juridik, duke theksuar: “Nuk ka dyshim se pjesët e trupit dallojnë në vlerësimin ligjor për sa i përket lejueshmërisë së shikimit. Disa prej tyre lejohen të shihen, ndërsa të tjerat janë të ndaluara. Kjo tregon se ndalesa mbi disa pjesë është më e rreptë sesa për ato që lejohen, ndaj çdo pjesë duhet të trajtohet sipas statusit të saj juridik.”[9]

Gjithashtu, ndër shembujt e tjerë, është ajo që ka përmendur Ibn Dekik el-Id, i cili në lidhje me rregullin për mbajtjen e fëmijës gjatë namazit, ka thënë: “Disa nga pasuesit e Imam Malikut kanë bërë dallim në varësi të madhësisë së nevojës. Nëse nevoja është e madhe, si për shembull kur nuk ka askënd tjetër që të kujdeset për fëmijën dhe ka frikë për sigurinë e tij, atëherë lejohet mbajtja e tij gjatë faljes, qoftë në namaz farz apo nafile. Por nëse mbajtja e fëmijës bëhet vetëm për t’i lehtësuar nënës një punë tjetër, atëherë kjo lejohet vetëm në namazin nafile.”[10]

Ndër çështjet që janë të ndaluara në origjinë, por mund të lejohen vetëm në rast nevoje urgjente, është edhe përgojimi. Përgojimi, në vetvete, është i ndaluar dhe disa dijetarë madje e kanë cilësuar si një nga mëkatet e mëdha. Megjithatë, në raste të caktuara dhe për shkak të nevojave të domosdoshme, ai mund të lejohet. Imam Karafi ka thënë: “Dijetarët kanë përjashtuar gjashtë raste kur përgojimi është i lejuar, ndër to: kur bëhet për këshillim…” Por ai thekson se një nga kushtet kryesore është që nevoja të jetë urgjente dhe e domosdoshme. Kjo, për të shmangur keqpërdorimin dhe për të mos e lejuar përgojimin pa arsye të fortë. Përndryshe, përgojimi mbetet i ndaluar dhe nuk lejohet përveçse kur ka një nevojë të urgjente dhe të justifikuar.”[11]

Meqenëse nevoja urgjente ka rëndësi më të madhe se ajo që nuk është urgjente, atëherë në rast përplasjeje mes tyre, përparësi i jepet gjithmonë nevojës urgjente. Izz ibn AbduSelami ka theksuar këtë parim kur ka trajtuar çështjen e përparësisë së të drejtave të njerëzve në raste konflikti apo kundërshtimi, duke thënë: “Gjithashtu, përparësi i jepet nevojës urgjente ndaj nevojave më të vogla.”[12]

Autor: Ahmet ibn Abdurrahman ibn Nasir Er Reshid

Përshtati: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Ebu Daudi (2705). Transmetuesit e këtij hadithi janë të besueshëm.

[2] – “El Mugni”: 4/147.

[3] – “Et taxh uel Iklil”: 2/594.

[4] – “Tebjinul Hakaiki”: 4/87.

[5] – “El Mebsut”: 19/2.

[6] – “El Munteka fi sherh el mu’ueta”: 4/74

[7] – “Kauaidul Ahkam”: 2/259.

[8] – shpini i venës për të marrë gjak. Sh. pk.

[9] – “El Eshbahu uen Nadhair”: 2/364.

[10] – “Ihkamul Ihkam”: 1/253 – 254.

[11] – “El Furuk”: 4/359 – 360.

[12] – “Kauaidul Ahkam”: 1/251

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *