Suneti në lëminë e së drejtës islame

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Suneti është burimi i dytë i së drejtës islame, pas Librit të Allahut të Lartësuar.

Duke u nisur nga kjo vërejmë se tematika e Sunetit – si burim dhe argument për të drejtën islame dhe ligjin – është trajtuar gjërë e gjatë në të gjithë librat e “Usul Fikhut” tek të gjitha medh’hebet.

Imam Euzai në lidhje me rëndësinë e Sunetit është shprehur qartazi duke thënë: [Libri (Kurani) ka më shumë nevojë për Sunetin, sesa ka nevojë Suneti për Librin.][1]

Kjo thënie e imam Euzait është e saktë, sepse Suneti është sqarues i Librit; sqaron me detaje atë që është e përmbledhur, përcakton atë që është e papërcaktuar dhe specifikon atë që është e përgjithshme.

Madje kjo i ka shtyrë disa dijetarë të thonë se Suneti është vendimtar për Kuranin,[2] që nënkupton se ai sqaron qëllimet e tij.

Mirëpo imam Ahmedi nuk është dakord me këtë shprehje: Unë nuk guxoj ta them një gjë të tillë. Ajo që guxoj të them është se: [Suneti është sqarues i Kuranit.][3] Kjo dëshmon për perceptimin dhe vetëpërmbajtjen e imam Ahmedit.

Në fakt ky është objektivitet, sepse Suneti nga një pikpamje sqaron Kuranin dhe në pikpamje të tjera vërtitet rreth tij dhe asnjëherë nuk del jashtë kontureve të Tij.

Ajo gjë për të cilën nuk ka kontestim është fakti se Suneti është burim i legjislacionit islam në çështjet e adhurimeve dhe marrëdhënieve ndërnjerëzore për individin, familjen, shoqërinë, marrëdhëniet kombëtare dhe ndërkombtare.

Imam Sheukani ka thënë: [Si përfundim themi se konsolidimi i Sunetit si argument bazë dhe autonomia e vendosjes së dispozitave fetare të tij është domosdoshmëri fetare. Këtë gjë askush nuk e kundërshton përveç atij që qëllimisht flet kundra fesë islame.][4]

Kushdo që i lexon librat e të Drejtës Islame të secilit prej medh’hebeve do t’i gjejë ato të mbushura plot e për plot me argumente nga Suneti i shprehur me fjalë, vepra apo veprime të miratuara.

Në këtë pikë, skolastika e hadithit është e njëllojtë me skolastikën e racionalistëve, ashtu siç emërtohen këto dy skolastika në historinë e së drejtës islame.

Të dyja këto skolastika pajtohen në parim. Kurse divergjencat midis tyre janë në detaje dhe praktikë, për shkak të kushteve që kanë vendosur për pranimin e hadithit dhe vënies në zbatim të tij.

Ai i cili i lexon librat e medh’hebit Hanefij – që përfaqëson skolastikën racionaliste – do të vërejë se ajo është e mbushur plot e për plot me hadithe të cilat dijetarët e këtij medh’hebi i kanë marrë si argumente.

Duke parë me vëmendje hadithet, të cilat janë përmendur në librin “El Ikhtijar Sherhul Mukhtar” i Ibn Meudud El Hanefij El Mesulij, libër i cili ka qenë pjesë e programit mësimor në shkollë të mesme në Ez’her, apo hadithet që janë përmendur në librin “El Hidaje” i Merginanit, i cili ka qenë pjesë e planit mësimor të studentëve të medh’hebit Hanefij në fakultetin e sheriatit në Ez’her, apo shpjegimi i tij “Fet’hul Kadiri” i studjesit të medh’hebit Hanefij, Kemaludin ibnul Hemam, të gjitha këto do të mjaftonin si pohim i kësaj të vërtete, se pasuesit e skolastikës së mendimit janë bazuar tek Suneti, sikurse janë bazuar edhe pasuesit e skolastikës së hadithit.

Në ditët e sotme, disa njerëz kanë thënë se Ebu Hanifja është bazuar vetëm tek shtatëmbëdhjetë hadithe gjithsej.

Në fakt këto fjalë nuk mund t’i paramendojë askush që e njeh natyrën e skolastikave shkencore  dhe formimin e dijetarëve të asaj kohe. Ebu Hanifja është diplomuar tek skolastika shkencore e qytetit të Kufes, skolastikë që janë bashkuar shkenca e jurisprudencës dhe hadithit, qysh kur e ka themeluar sahabiju i nderuar Abdullah ibn Mes’udi (r.a).  Vlera dhe dija e saj u shtua akoma më tepër kur atje mbërriti prijësi i besimtarëve Ali ibn Ebu Talib (r.a), i cili ka thënë: “Allahu e mëshiroftë Ibn Mes’udin i cili ka përhapur dijen në këtë qytet.”

Është i habitshëm fakti se disa njerëz janë mbështetur tek fjala e Ibn Haldunit në lidhje me imam Ebu Hanifen. Mirëpo në këtë rast kemi të bëjmë me shkëputjen e disa fjalëve nga i gjithë konteksti, sprovë me të cilën jemi sprovuar nga shumë njerëz, të cilët nuk kanë arritur ta kuptojnë plotësisht atë ç’ka është thënë për një tematikë, madje as në të njëjtin konteks.

Nëse do të kthehemi tek ajo çfarë ka thënë Ibn Halduni do të konstatojmë se ai thjesht i ka cituar këto fjalë që janë thënë për Ebu Hanifen, por nuk e ka përqafuar si mendim. Jo vetëm kaq, por pasi e ka përmendur atë ç’ka është thënë për imam Ebu Hanifen, e ka kundërshtuar atë ç’ka është thënë. Në “Mukaddimen” e librit të tij në kapitullin “Shkencat e Hadithit” ka thënë sa më poshtë:

[Dije gjithashtu se imamllarët, komptentët juridiko – fetar kush më pak e kush më shumë e kanë përdorur këtë plaçkë.[5] Është thënë se Ebu Hanifja ka transmetuar shtatëmbëdhjetë hadithe deri në pesëdhejtë hadithe gjithsej. Kurse imam Maliku, hadithet e sakta që i ka përmendur në librin “Muueta” arrijnë në treqind apo pothuasje në këtë shifër. Kurse imam Ahmedi në “Musnedin” e tij ka përmendur tridhjetë mijë hadithe.  Ky numër transmetimesh i haditheve nga ana e tyre është si pasojë e përpjekjes së tyre juridiko-fetare.

Disa fanatikë e abuzues mund të thonë se: Disa prej imamllarët – njohin pak hadithe, prandaj edhe kanë transmetuar pak hadithe. Mirëpo ky opinion është i papranueshëm për imamllarët e mëdhenj, sepse ligjet e sheriatit nxirren nga Kurani dhe Suneti. Ai i cili ka njohuri të pakët të haditheve e ka për detyrë të kërkojë e të transmetojë sa më shumë hadithe, të punojë sistematikisht e të përveshë mëngët me qëllim që ta marrë fenë nga burimet e sakta dhe ligjet nga Profeti (a.s) që i përcjell ato prej Allahut. Imamllarët që kanë përmendur një numër të vogël hadithesh e kanë bërë një gjë të tillë për shkak të krtikave dhe shkaqeve të dobëta që kanë hasur me hadithet. Tek shumica e tyre, zhvlerësimi i haditheve është primar. Si rrjedhojë e kësaj, përpjekja e tyre juridiko-fetare i shtyn ata që mos t’i marrin për bazë këto hadithe dhe vargun e transmetuesve të tyre. Një gjë e tillë ndodh shpesh, prandaj edhe ata transmetojnë një numër të vogël hadithesh për shkak të dobësisë së tyre. Kjo është e vërteta, e dijetarët e Hixhazit kanë transmetuar më tepër hadithe se dijetarët e Irakut. Arsyeja e kësaj është se Medina është vendi i hixhretit dhe vendstrehimi i sahabëve, kurse ai i cili prej sahabëve shkonte në Irak preokupohej më shumë me xhihadin. Prandaj shkaku se përse imam Ebu Hanifja ka transmetuar pak hadithe  janë se ai ka qenë më rigoroz në kushtet që ka vendosur për pranimin e haditheve. Nëse një hadith me kushte të dobëta bie ndesh me aksiomën logjistike, atëherë në këtë rast është e vështirë që ai të pranohet, prandaj edhe ai ka trasnmetuar pak hadithe. Por kjo nuk do të thotë se ai i ka lënë qëllimisht hadithet, mazallah, një gjë e tillë as që mund të mendohet që ai ta ketë bërë. Ajo ç’ka tregon se ai është prej imamllarëve kompetentë në shkencën e hadithit është akreditimi, aprovimi  i medh’hebit të tij në mesin e tyre dhe marrja në konsideratë e tij në çështjet e pranimit apo jo të hadithit. Kurse dijetarët e tjerë të hadithit, që janë pjesa dërmuese e tyre, kanë vendosur kushte më të lehta për pranimin e hadithit, prandaj edhe kanë transmetuar më shumë hadithe dhe kanë patur më pak përpjekje juridiko-fetare. Më vonë, dijetarët e medh’hebit Hanefij, i kanë lehtësuar kushtet e pranimit të haditheve dhe si rrjedhojë kanë transmetuar shumë hadithe. Imam Tahauiju ka transmetuar shumë hadithe dhe ka shkruajtur musnedin e tij, një libër me shumë vlera, por jo në gradën e dy librave të hadithit, Buhariut dhe Muslimit. Sepse kushtet, të cilat Buhariu dhe Muslimi i kanë vendosur në librat e tyre janë të pranura unanimisht prej Umetit, ndryshe nga kushtet që ka vendosur imam Tahauiju, dijetarët nuk janë unanim për çdo transmetim të transmetuar prej tij, si për shembull rasti i atyre transmetuesve që janë të fshehtë, e raste të tjera.][6]

Këto janë fjalët të cilat dijetari i shquar Ibn Halduni ka thënë për imam Ebu Hanifen dhe medh’hebin e tij. Këto janë fjalët e një dijetari, historian, ekspert dhe objektiv.

Autor: Jusuf Kardavi

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – “Irashdul Fuhul” i imam Sheukanit, fq: 33. Shtëpia botuese:  Mustafa Halebij.

[2] -“Irshadul Fuhul” i imam Sheukanit. Këtë shprehje  e ka thënë Jahja ibn Ebu Kethir. Ibn Abdul Ber e ka përmendur këtë gjë në “Xhami’I” fq: 2/192.

[3] – “Xhamiu Bejanil Ilmi ue fadlihi” i Abdul Berit, fq: 2/191-192. Shtëpia botuese: “Bejrut Musauire”

[4] – “Irshadul Fuhul” i imam Sheukanit, fq: 33. Shtëpia botuese: Mustafa Halebij.

[5] – Ka për qëllim përdorimin e haditheve profetike.

[6] – “Mukaddimetu ibn Haldun” vëllimi i tretë, fq: 1143-1145. Shtëpia botuese: Lexhnetul Bejanil Arabij. Botimi i dytë. Recensues: Ali Abduluahid Uafi.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *