Dijetarët i kanë kushtuar rëndësi të madhe kësaj disipline. Ata kanë përcaktuar qartë kohën, vendin, madje edhe gjendjen e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të) kur i shpallej një ajet/sure. Ebu Kasim Hasen ibn Muhamed ibn Habib Nejsaburi ka thënë: “Disiplinat më fisnike të Kuranit janë: shpallja dhe llojet e saj, renditja e sureve sipas vendit ku janë shpallur (në Meke apo në Medine), surja apo ajeti që ka zbritur në Meke, por që cilësohet si sure apo ajet medinas dhe anasjelltas, surja apo ajeti që ka zbritur në Meke për banorët e Medines dhe surja apo ajeti që ka zbritur në Medine për banorët e Mekes. Cilat janë të përbashkëtat mes pjesëve të shpallura në Meke, pjesëve të shpallura në Medine dhe anasjelltas. Cilat sure apo ajete janë shpallur në Xhuhfe, cilat sure apo ajete janë shpallur në Kuds (gjatë Israsë dhe Miraxhit), cilat janë shpallur në Taif, cilat janë shpallur në Hudejbije, cilat janë shpallur natën, cilat janë shpallur ditën, cilat janë shpallur të shoqëruara me një grup engjëjsh, cilat janë shpallur të pashoqëruara nga engjëjt, cilat janë ajetet medinase në suret mekase (të shpallura në Meke), cilat janë ajetet mekase në suret medinase (të shpallura në Medine), cilat ajete janë “dërguar” nga Meka në Medine dhe cilat ajete janë “dërguar” nga Medina në Meke, cilat ajete janë “dërguar” nga Medina për në Abisini, cilat ajete janë shpallur të përgjithshme dhe cilat ajete janë shpallur të shtjelluara; cilat janë suret për të cilat ka mospajtime mes dijetarëve nëse janë mekase apo medinase. Të gjitha këto përbëjnë 25 disiplina, prandaj kush nuk i njeh dhe nuk bën dallimin mes tyre, nuk i lejohet që të flasë për Librin e Allahut të Madhëruar” Ibnu`l-Arabiu ka thënë: “Ne kemi mësuar se Kurani përbëhet nga sure mekase dhe medinase, të shpallura në udhëtim dhe në vendbanim, të shpallura natën dhe ditën, të shpallura në qiell dhe në tokë, të shpallura në mes të qiellit dhe tokës, madje të shpallura edhe në brendësi të tokës”
Bazat e përcaktimit të sureve të shpallura në Meke dhe sureve të shpallura në Medine
Dijetarët kanë dhënë tre mendime në lidhje me bazën e përcaktimit të sureve dhe ajeteve, që janë shpallur në Meke dhe të atyre që janë shpallur në Medine:
1 – Përcaktimi në bazë të kohës së shpalljes: Quhen sure mekase ato sure që janë shpallur para emigrimit në Medine (para Hixhretit). Quhen sure medinase ato sure që janë shpallur pas kësaj kohe.
2 – Përcaktimi në bazë të vendit të shpalljes: Quhen sure mekase ato sure që janë shpallur në Meke, pa marrë parasysh kohën para apo pas emigrimit në Medine. Quhen sure medinase ato sure që janë shpallur në Medine, pa marrë parasysh kohën para apo pas emigrimit nga Meka (Hixhretit).
3 – Përcaktimi në bazë të atyre që u drejtohet mesazhi: Quhen sure mekase ato sure që u janë drejtuar banorëve të Mekes. Quhen sure medinase ato sure që u janë drejtuar banorëve të Medines.
Mendimi i parë është mendimi më i drejtë dhe më gjithëpërfshirës, pasi përfshin të gjithë kohën e shpalljes (23 vitet).
Metodat për dallimin mes sureve të shpallura në Mekë dhe atyre të shpallura në Medine, si dhe specifikat e secilës prej tyre
Në lidhje me përcaktimin e sureve si mekase apo medinase, burimi i vetëm i sigurtë është kujtesa e sahabëve, të cilët kanë mbajtur mend ato sure që janë shpallur në Meke dhe ato që janë shpallur në Medine, prandaj këtu nuk ka vend për deduksione logjike. Ibn Mesudi (r.a) ka thënë: “Betohem në Atë, që nuk ka të adhuruar tjetër përveç Tij, se unë di për kë është shpallur dhe se ku është shpallur (në ç`vend) çdo ajet i Librit të Allahut”[1]
Kriteret e sureve mekase
1 – Çdo sure – në të cilën ka ajet sexhdeje – është mekase.
2 – Çdo sure që ka fjalën “ كَلَّ – Kel`la” është mekase. Kjo fjalë gjendet në Kuran, pasi kalon gjysmën e tij.
3 – Të gjitha suret, që kanë thirrjen “ ياَ أيُّهَا النَّاسُ – Ja ej`juhen`nas – O ju njerëz”, janë mekase, përveç sures Haxh, ku ka debate për ajetin 77 të saj, nëse është mekas apo medinas, pasi ky ajet fillon me fjalët: – Ja ej`juhel`ledhin amenu – O ju që keni besuar”.
4 – Çdo sure që përmban tregime të profetëve dhe popujve të mëparshëm, është mekase, përveç sures Bekare dhe Ali Imran, të cilat – megjithëse përmbajnë tregime të profetëve – janë medinase.
5 – Çdo sure që përmban tregimin e Ademit (Paqja qoftë mbi të) me shejtanin, është mekase, përveç sures Bekare.
6 – Çdo sure që fillon me shkronjat e alfabetit arab, është mekase, përveç sures Bekare dhe Ali Imran, të cilat janë medinase. Në lidhje me suren Rrad, dijetarët kanë debate, nëse ajo është mekase apo medinase.
Kriteret e sureve medinase
1- Çdo sure që përmban farzet apo dispozita penale, është medinase.
2 – Çdo sure, në të cilën përmenden hipokritët, është medinase, përveç sures Ankebut, e cila është mekase, megjithëse në të përmenden hipokritët.
3 – Çdo sure që fton ithtarët e librit në besim, apo që debaton me ta, është medinase.
Numri i sureve të shpallura në Meke
Në Meke janë shpallur 80 sure, të cilat do të përmenden sipas renditjes së tyre në Kuran. Ato janë: 6: Enam, 7: Araf, 10: Junus, 11: Hud, 12: Jusuf, 14: Ibrahim, 15: Hixhr, 16: Nahl, 17: Isra, 18: Kehf, 19: Merjem, 20: Taha, 21: Enbija, 23: Mu`minun, 25: Furkan, 26: Shuara, 27: Neml, 28: Kasas, 29: Ankebut, 30: Rrum, 31: Lukman, 32: Sexhde, 34: Seb`e, 35: Fatir, 36: Jasin, 37: Safat, 38: Sad, 39: Zumer, 40: Gafir, 41: Fusilet, 42: Shura, 43: Zukhruf, 44: Dukhan, 45: Xhathije, 46: Ahkaf, 50: Kaf, 51: Dharijat, 52: Tur, 53: Nexhm, 54: Kamer, 56: Uakia, 67: Mulk, 68: Kalem, 69: Haka, 70: Mearixh, 71: Nuh, 72: Xhin, 73: Muzemil, 74: Mudethir, 75: Kijame, 77: Murselat, 78: Nebe`e, 79: Naziat, 80: Abese, 81: Tekuir, 82: Infitar, 84: Inshikak, 85: Buruxh, 86: Tarik, 87: Eala, 88: Gashije, 89: Fexhr, 90: Beled, 91: Shems, 92: Lejl, 93: Duha, 94: Inshirah, 95: Tin, 96: Alak, 100: Adijat, 101: Karia, 102: Tekathur, 103: Asr, 104: Humeze, 105: Fil, 106:
Kur themi se një sure është mekase, nuk do të thotë se të gjitha ajetet e saj janë mekase, por pjesa më e madhe e ajeteve të saj janë shpallur në Meke. E njëjta gjë thuhet edhe për suret medinase. Dijetarët kanë shkruar libra dhe punime shkencore për ajetet mekase në suret medinase dhe për ajetet medinase në suret mekase.
Sa për të dhënë një ilustrim të ajeteve mekase në suret medinase, përmendim suren Enfal. Ajo është shpallur në Medine, mirëpo ajetet 30 dhe 64 të saj janë mekase. Nga ana tjetër, surja Enam është shpallur në Meke, por ajetet 151-153 të saj janë medinase.
Disa sure janë shpallur në Meke, por janë lexuar edhe në Medine para Hixhretit. Ato janë suret: Eala, Jusuf, Ikhlas dhe ajeti 158 i sures Araf. Disa sure janë shpallur në Medine, por janë lexuar publikisht në Meke, siç është surja Teube dhe ajeti 97 i sures Nisa. Surja Merjem dhe 5 ajete të sures Ali Imran janë lexuar për herë të parë publikisht në Abisini.
Numri i sureve të shpallura në Medine
Dijetarët janë të një mendimi, se në Medine janë shpallur 22 sure. Sipas renditjes së tyre në Kuran, këto sure janë: 2: Bekare, 3: Ali Imran, 4: Nisa, 5: Maide, 8: Enfal, 9: Teube, 22: Haxh, 24: Nur, 33: Ahzab, 47: Muhamed, 48: Fet`h, 49: Huxhurat, 57: Hadid, 58: Muxhadele, 59: Hashr, 60: Mumtehine, 62: Xhuma, 63: Munafikun, 65: Talak, 66: Tahrim, 76: Insan dhe 110: Nasr.
Dijetarët kanë mospajtime mes tyre për 12 sure, nëse ato janë shpallur në Meke apo në Medine. Ato janë suret: 1: Fatiha, 13: Rrad, 55: Rrahman, 61: Saf, 64: Tegabun, 83: Mutafifin, 97: Kadr, 98: Bejine, 99: Zelzele, 112: Ikhlas, 113: Felek, 114: Nas.
Nga ajetet që janë shpallur në verë, janë ajeti 81 i sures Teube dhe ajeti 176 i sures Nisa. Nga ajetet që janë shpallur në dimër, janë ajetet e sures Nur që flasin për shpifjen ndaj nënës së besimtarëve, Aishes (r.a), si dhe ajetet e sures Ahzab, që flasin për luftën e Hendekut.
Nga ajetet e shpallura natën, përmendim ajetin 90 të sures Ali Imran. Nga suret e shpallura në udhëtim, përmendim suret Enfal, Fet`h dhe Haxh.
Ajeti 67 i sures Maide është shpallur gjithashtu gjatë një udhëtimi.
Ajeti 45 i sures Furkan është shpallur në Taif, ajeti 55 i sures Kasas është shpallur në Xhuhfe, ajeti 45 i sures Isra është shpallur në Kuds dhe ajeti 30 i sures Rrad është shpallur në Hudejbije.
Në lidhje me mospajtimet e dijetarëve për disa sure – nëse ato janë mekase apo medinase – ato vijnë si rezultat i përcaktimit të kritereve të ndryshme për klasifikimin e tyre.
Specifikat e sureve mekase dhe medinase
Tematikat e sureve mekase ndryshojnë nga ato të sureve medinase. Tematika e sureve mekase në përgjithësi është ideore dhe doktrinare, ndërsa tematika e sureve medinase është më së shumti juridike dhe praktike.
a) Karakteristikat kryesore të sureve të shpallura në Meke:
1 – Thirrja në çështjet thelbësore të besimit: besimi në Allahun Një dhe të Vetëm, besimi në botën tjetër, vërtetësia e profetësisë, adhurimi vetëm për Allahun, Xheneti, Xhehenemi etj.
2 – Debati me idhujtarët: argumentet dhe kundërargumentet për shkatërrimin e idhujtarisë, tërheqja e vëmendjes që ata (idhujtarët) t`i kthehen natyrës së pastër njerëzore, çlirimi i mendjes nga prangat e injorancës etj.
3 – Sfida nëpërmjet Kuranit: Kurani sfidon të gjithë njerëzit, që të sjellin një libër si ai dhe këtë sfidë e bën nëpërmjet tre sureve mekase (Junus: 38, Hud: 13, Isra: 88) dhe një sure medinase (Bekare: 23-24).
4 – Ftesa në parimet bazë të Sheriatit dhe në parimet morale të tij: Këto parime nuk ndryshojnë me kalimin e kohëve dhe vendeve. Disa prej tyre janë: namazi, sadakaja, vërtetësia, ndershmëria, sjellja korrekte me prindërit, lidhja farefisnore, falja, drejtësia, bamirësia, dashamirësia, durimi, ndalimi nga vrasja, ndalimi nga varrosja e fëmijëve të gjallë, ndalimi nga padrejtësia, ndalimi nga imoraliteti, ndalimi nga korrupsioni, etj. Të gjitha këto hasen në suret e shpallura në Meke, prej të cilave përmendim suret: Enam, Araf, Nahl, Nuh etj.
5 – Rrëfimet për profetët dhe popujt e mëparshëm: qëllimi i këtyre rrëfimeve është që njerëzit të përfitojnë dhe të marrin mësim. Nëpërmjet këtyre tregimeve u bëhet e ditur njerëzve se thirrja e profetëve ka qenë një: adhurimi i Allahut dhe shmangia e çdo të adhuruari tjetër.
6 – Ajetet mekase janë të shkurtra dhe me rimë: duke qenë se banorët e Mekës shquheshin për oratori, ligjërimi kuranor i sureve mekase e sfidoi oratorinë e tyre, jo me vargje të gjata, por me vargje shumë të shkurtra.
b) Karakteristikat kryesore të sureve të shpallura në Medine:
1 – Sqarimi i hollësishëm i dispozitave sheriatike: këtu bëjnë pjesë dispozitat për: namazin, agjërimin, zekatin, kisasin (shpagimi për vrasje), martesën, divorcin, shitblerjen, kamatën, ndëshkimet penale etj.
2 – Polemikat me ithtarët e librit: këtu sqarohet realiteti i besimeve të gabuara të tyre, siç është teoria e trinitetit apo nxjerrja në pah e cilësive negative të çifutëve.
3 – Sqarimi i cilësive dhe veseve të hipokritëve: këtu bëhet demaskimi i tyre dhe tërhiqet vëmendja për t`u ruajtur nga rreziku i kobshëm i tyre.
4 – Ajetet medinase janë të gjata dhe jo shumë ritmike: ato shquhen për forcën debatuese, për fuqinë argumentuese dhe kundërargumentuese.
Rëndësia që ka studimi i kësaj disipline
Njohja e sureve mekase dhe medinase nuk është dituri që mësohet sa për të kaluar kohën, as si informacion për një disiplinë që i ka kaluar koha. Ka disa shkaqe, të cilat e bëjnë të domosdoshme studimin e kësaj disipline, ku më kryesoret janë:
1 – Dallimi mes ajeteve anuluese dhe ajeteve të anuluara.
2 – Njohja e kohës së fillimit të shpalljes së ligjeve të Sheriatit dhe ligjësimit gradual të tyre.
3 – Kuptimi i drejtë i Kuranit.
4 – Përfitimi i aktivistëve të thirrjes islame nga kjo disiplinë. Aktivistët muslimanë duhet të ndjekin modelin e ligjërimit kuranor në parashtrimin e Islamit tek të tjerët.
5 – Studimi i jetës së të Dërguarit të Allahut (a.s) nën dritën e ajeteve kuranore dhe metodologjisë së tij (a.s) në mënyrën e përçimit të mesazhit hyjnor.
Autor: Rushit Musallari
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Buhariu.



















