Celularët janë bërë pjesë thelbësore e jetës sonë – na zgjojnë nga gjumi, na shoqërojnë gjatë gjithë ditës dhe janë gjëja e fundit që prekim para se të flemë. Ata janë magazina e sekreteve tona, arkiva e problemeve tona, vendi ku ruajmë marrëdhëniet tona, planet tona, idetë tona dhe madje edhe menaxhojmë bizneset tona. Në to mbajmë kujtimet më të bukura përmes fotove dhe videove, dokumentet personale dhe letrat zyrtare.
Sot, celulari është bërë shtëpia jonë, makina jonë, zyra dhe puna jonë. Përveç kësaj, ai është edhe burimi ynë i argëtimit dhe relaksimit, njëkohësisht edhe vendi ku lexojmë Kuranin, marrim drejtimin e kiblës dhe kujtohemi për kohën e namazit. Arritëm në një pikë ku dikush që nuk përdor celularin duket sikur jeton jashtë kohës. Disa përdorues janë aq të zhytur në ekran, saqë ecin me kokën ulur gjatë gjithë ditës dhe shpesh arrijnë në destinacione pa qenë të vetëdijshëm, ose planifikojnë të shkojnë diku dhe e gjejnë veten diku tjetër.
Kështu, telefoni ka filluar të na kontrollojë neve, jetën tonë, gjendjen tonë shpirtërore dhe mënyrën tonë të të menduarit, deri në atë pikë sa shumë njerëz vuajnë nga ajo që quhet “fiksimi pas celularëve”. Disa madje ecin me më shumë se një telefon në dorë.
Çfarë është agjërimi dixhital?
Agjërimi dixhital nënkupton që përdoruesi i telefonit të largohet përkohësisht nga përdorimi i tij dhe nga rrjetet sociale, ashtu siç agjëron duke u larguar nga ushqimi, pija dhe veprat e ndaluara. Një nga parimet e agjërimit është të shmangësh humbjen e kohës, të mos i anashkalosh adhurimet dhe të mos shtysh veprat e mira që Allahu dëshiron të shohë nga ne gjatë muajit të bekuar të Ramazanit.
Për këtë arsye, propozoj që secili prej nesh të ketë një politikë të veçantë për mënyrën e përdorimit të celularit gjatë Ramazanit, në mënyrë që të mos humbasim shpërblimin e këtij muaji të madhërishëm. Duhet të shfrytëzojmë kohën për leximin e Kuranit, reflektimin në adhurim dhe forcimin e lidhjeve familjare, në vend që të humbasim orë të tëra në rrjetet sociale duke u angazhuar në çështje të kota.
Më pëlqen shumë kur njerëzit i përdorin celularët në mënyrë të dobishme gjatë Ramazanit, si për leximin e Kuranit, për të komunikuar me të afërmit, për kujtimin e kohëve të namazit dhe për leximin e haditheve dhe historisë së Profetit. Gjithashtu, më ka bërë përshtypje përdorimi i celularëve nga organizatat bamirëse për të mbledhur donacione, duke prezantuar projekte që ndihmojnë të varfrit dhe nevojtarët përmes garës për bamirësi.
Por, mbetet pyetja më e rëndësishme që duhet të shtrohet: Si të përballem me fiksimin ndaj celularëve gjatë Ramazanit, në mënyrë që të arrij një “agjërim dixhital”?
Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje qëndron në vendosjen e disa rregullave dhe vendimeve personale, si:
Caktimi i një kohe të kufizuar për përdorimin e telefonit.
Përcaktimi i momenteve specifike gjatë ditës për të hapur telefonin.
Çaktivizimi i njoftimeve, në mënyrë që përdoruesi të mos shpërqendrohet nga qëllimi kryesor i Ramazanit.
Komunikimi dhe lidhja e vazhdueshme me njerëzit nëpërmjet rrjeteve sociale mund të shkaktojë stres dhe të çojë në humbje kohe. Shumë njerëz nuk kanë një qëllim të qartë në jetë dhe duan të harxhojnë kohën e të tjerëve, sepse nuk e shfrytëzojnë siç duhet kohën e tyre. Ata janë “vjedhës të kohës” dhe “hajdutë të së mirës”, prandaj mos lejo që në Ramazan të të prishin planin tënd për agjërimin dixhital.
Gjithashtu, mos lejo që celulari të të izolojë nga njerëzit pikërisht në kohën kur duhet të qëndrosh më afër me ta. Para disa ditësh, isha në një vizitë tek të afërmit dhe pashë se shumica e të pranishmëve ishin të lidhur më shumë me telefonin e tyre sesa me personat që kishin përballë. Atëherë, cila është vlera e vizitës nëse nuk komunikojmë realisht me njëri-tjetrin?
Ashtu siç ka momente dhe minuta të çmuara në Ramazan—si koha e iftarit apo pak para tij, koha e syfyrit gjatë natës dhe koha e agimit—këto janë çaste të pranimit të lutjeve, të përmendjes së Allahut dhe të përkushtimit në adhurim. Agjërimi dixhital në këto momente është shumë i dobishëm, sepse na ndihmon të shfrytëzojmë sa më mirë këto kohë të vlefshme.
Një telefon që nuk e ndihmon përdoruesin e tij për të mirën në këtë botë dhe në botën tjetër nuk ka asnjë dobi. Nëse celulari na ndihmon vetëm për çështjet e kësaj bote, por nuk na afron me Allahun, atëherë ai nuk ka vlerë të vërtetë për ne. Prandaj, është e rëndësishme të caktojmë një kohë për përdorimin e telefonit për çështjet e kësaj bote dhe një kohë tjetër për përkushtimin ndaj botës tjetër. Vetëm atëherë përdorimi ynë i celularëve do të jetë i drejtë, në mënyrë që ata të jenë dëshmi për ne, dhe jo kundër nesh në Ditën e Gjykimit.
Në atë ditë, toka do të tregojë gjithçka që është bërë mbi të, ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar: “Atë ditë ajo do të tregojë lajmet e saj”[1]. Po ashtu, gjuha, duart dhe këmbët do të dëshmojnë për veprat e njeriut: “Atë ditë, gjuhët, duart dhe këmbët e tyre do të dëshmojnë kundër tyre për atë që bënin”[2].
Kjo është një ditë e madhe dhe e rëndësishme, për të cilën duhet të përgatitemi edhe në mënyrën se si përdorim celularët. Prandaj, agjërimi dixhital në këtë kohë është shumë i rëndësishëm për të ruajtur kohën dhe për ta përdorur atë në atë që është më e dobishme.
Autor: Xhasim Mutaua
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Zelzele: 4.
[2] – Sure Nur: 24.