Dihet se në fillimet e shpalljes Kurani i ka kushtuar rëndësi thelbësore çështjeve të besimit, mirëpo kjo nuk do të thotë se ai ka neglizhuar ligjësimin e dispozitave. Duke studiuar fjalët e sahabëve për këtë çështje, dijetarët kanë dale në konkluzionin, se ajetet e para të shpallura – që kanë të bëjnë me dispozitat sheriatike -, janë:
a) Ajetet për ushqimet:
– “Thuaj: “Unë nuk gjej në atë që më është shpallur mua, asgjë që e ndalon njeriun të hajë çfarë të dojë, përveç kafshëve të ngordhura, gjakut të derdhur, mishit të derrit – se këto janë të ndyta – dhe mishit që është therur në emër të dikujt tjetër në vend të Allahut. Por kushdo që detyrohet nga nevoja të hajë ndonjë gjë prej këtyre, pa dashur të bëjë gjynah dhe pa e kaluar kufirin, nuk do të fajësohet. Vërtet, Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë”[1]
– “Ushqehuni me gjërat e lejuara dhe të mira që jua ka dhënë Allahu dhe falënderoni për mirësitë e Allahut, nëse vërtet e adhuroni Atë. Ai ju ka ndaluar vetëm të ngordhurën, gjakun, mishin e derrit dhe atë që është therur në emër tjetër e jo në emër të Allahut. Por ata që shtrëngohen nga uria e madhe, mund t’i hanë ato, sa ta shuajnë urinë e jo të kalojnë kufirin; në të vërtetë, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë”[2]
Më pas në Medine u shpallën:
– “Me të vërtetë, Allahu ju ka ndaluar të hani kafshën e ngordhur, gjakun e derdhur, mishin e derrit dhe mishin që nuk është therur në emër të Allahut. Por kushdo që detyrohet nga nevoja të hajë ndonjë gjë prej këtyre, pa dashur të bëjë gjynah dhe pa e kaluar kufirin, nuk do të fajësohet. Vërtet, Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë”[3]
– “Është e ndaluar për ju ngrënia e coftinës, e gjakut, e mishit të derrit, e mishit të kafshës që është therur jo në emër të Allahut, e mishit të kafshës së mbytur lidhur në fyt, e mishit të kafshës që është rrahur dhe ka ngordhur, e mishit të kafshës që është vrarë nga rrëzimi apo nga brirët e kafshëve të tjera, e mishit të asaj që është kafshuar nga egërsirat – përveç atyre që i therni ju para se të ngordhin. Gjithashtu, është e ndaluar për ju edhe ngrënia e mishit të kafshëve që janë therur për nder të idhujve apo për të kërkuar fatin në fall. Të gjitha këto që u përmendën, janë gjynah. Sot, dëshpërohen ata që nuk besojnë dhe kanë humbur çdo shpresë, që t’ju largojnë prej fesë suaj. Mos u frikësoni prej tyre, por kini frikë prej Meje! Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj. Por kushdo që është i shtrënguar nga uria (dhe ha çfarë është e ndaluar), pa pasur qëllim të bëjë gjynah, do ta shohë se Allahu është Falës e Mëshirëplotë”[4]
b) Ajetet për pijet:
– “Të pyesin ty për verën dhe kumarin. Thuaju: “Ato sjellin dëme të mëdha(gjynahe), por ka edhe dobi për njerëzit në to. Megjithatë, dëmi i tyre është më i madh se dobia”[5]
– “O besimtarë! Mos u falni kur jeni të dehur, prisni të kthjelloheni e të dini se ç’flisni”[6].(59) Më pas u shpall:
– “O besimtarë! Me të vërtetë, pijet alkolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e djallit. Prandaj, largohuni nga këto, me qëllim që të shpëtoni!Vërtet, djalli me pije alkoolike dhe me bixhoz kërkon që të fusë midis jush armiqësi e urrejtje dhe t’ju shmangë nga të kujtuarit e Allahut dhe kryerja e namazit. Prandaj, a po hiqni dorë”[7]
c) Ajetet për Xhihadin:
– “Atyre që janë sulmuar, u lejohet (që të mbrohen), sepse u është bërë padrejtësi dhe, në të vërtetë, Allahu është i Fuqishëm, që t’i ndihmojë”. Ibn Abasi (r.a) thotë: “Ky është ajeti i parë i shpallur për luftën”Më pas u shpall ajeti tjetër në Medine:
– “Luftoni në rrugën e Allahut ndaj atyre që luftojnë kundër jush, por mos e kaloni kufirin, se Allahu nuk i do ata që e kalojnë kufirin”
Imam Sujuti përmend në “El-Itkan” shumë detaje të tjera në lidhje me ajetet që përmbajnë dispozita, si p.sh: surja e parë e shpallur me ajete që ka sexhde, ajeti i parë i një sureje të caktuar etj.
Autor: Rushit Musallari
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure En’am: 145.
[2] – Sure Nahl: 114 – 115.
[3] – Sure Bekare: 173.
[4] – Sure Maide: 3.
[5] – Sure Bekare: 219.
[6] – Sure Nisa: 43.
[7] – Sure Maide: 90.



















