Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:
“Nuk ka asnjë gjallesë në Tokë, që Allahu të mos ia ketë garantuar furnizimin e saj. Ai e di vendbanimin dhe vendstrehimin e saj. Të gjitha këto janë në Librin e Qartë.”
Të dashur fëmijë!
Allahu është Furnizuesi (Er Rezzaku)
Allahu i furnizon të gjithë gjallesat me ushqim dhe pije.
Allahu i furnizon kafshët me ushqim dhe pije.
Allahu i furnizon shpendët me ushqim dhe pije.
Allahu i furnizon peshqit me ushqim dhe pije.
Allahu i furnizon zvarranikët me ushqim dhe pije.
Allahu i furnizon insektet me ushqim dhe pije.
Allahu i furnizon njerëzit me ushqim dhe pije.
I Lartmadhëruar qoftë Allahu që i furnizon të gjithë gjallesat!
Le të mendojmë së bashku!
Baza e jetës në Tokë është uji. Uji të cilin ne e pijmë e sigurojmë nga shiu që zbret nga qielli, ujrat e oqeaneve, detrave, liqeneve, lumenjve, puseve dhe burimeve.
Imagjinoni sikur nga qielli mos të zbriste as edhe një pikë uji. Atëherë do të ishte e pamundur jetesa në Tokë, sepse gjallesat kanë nevojë për ujë.
Imagjinoni sikur nga qielli do të zbriste shi pa pushim, atëherë i gjithë planeti i Tokës do të mbulohej nga uji dhe jeta do të ishte e papërshtatshme.
Imagjinoni sikur në vend të shiut nga qielli të zbriste gurë apo diçka tjetër. Për çfarë do të na duhej ajo që do të zbriste nga qielli.
Imagjinoni sikur shiu që të zbriste nga qielli, toka nuk do ta mbante, atëherë për çfarë do të vlente e gjitha kjo?
Imagjinoni sikur shiu që do të zbriste nga qielli do të ishte i kripur apo hidhur. A do ta kishim pirë këtë lloj uji.
Imagjinoni sikur shiu që zbret nga qielli do të depërtonte thellë në tokë dhe nuk do të dilte nga toka nëpërmjet puseve dhe burimeve, a do ta kishim të mundur që ta nxirrnim atë nga thellësitë e tokës?!
Imagjinoni sikur uji i oqeaneve, detrave, liqeneve dhe lumenjve do të thahej e të shteronte, a do të mundnim që ta depozitonim ujin përpara se ai të thahej apo shteronte?!
Imagjinoni sikur uji që gjallesat pijnë do të ishte në gjendje të ngurtë apo të gaztë, a do të përfitonin gjallesat nga ky ujë?!
Fëmijë të dashur!
Çfarë thamë më lart është thjesht një imagjinatë sepse:
Uji që zbret nga qielli, zbret me një masë të caktuar, është i përshtatshëm për t’u pirë, nuk është i kripur, as i hidhur e as i ëmbël, i lehtë për t’u përftuar dhe as nuk thahet e as nuk shteron kurrë. Uji që zbret nga qielli, zbret me mëshirën dhe bujarinë e Allahut për të furnizuar të gjithë gjallesat.
Ditën e Xhuma, Abdullahu shkoi në xhami për të dëgjuar hytben dhe për të falur xhumanë. Gjatë hytbes, hoxha tha se:
Shkaqet e shtimit të riskut janë:
Istigfari dhe Dhikri.
Mbështetja tek Zoti.
Mbajtja e lidhjeve farefisnore.
Dhënia e sadakasë.
Sjellja e mirë me njerëzit.
Tregim:
Njëherë një njeri shkoi tek një hoxhë dhe i tha:
Hoxhë i nderuar! Ka ditë të tëra që në vendin tonë nuk bie shi. Çfarë këshille na jep?
Bëj istigfar – tha hoxha.
Pas njëfarë kohe, tek hoxha shkon një njeri tjetër dhe i thotë:
Hoxhë i nderuar! Nuk ka para me se të ushqej fëmijët. Çfarë më këshillon që të bëj?
Bëj istigfar – i tha hoxha.
Dhe pas njëfarë kohe, tek hoxha erdhi një njeri i tretë, i cili i tha hoxhës?
Hoxhë i nderuar! Nuk kam fëmijë. Çfarë më këshillon që të bëj?
Bëj istigfar – i tha hoxha.
Të tre këta njerëz vepruan ashtu siç u tha hoxha. Të parin Allahu e furnizoi duke zbritur shi në vendin e tij. Të dytin Allahu e furnizoi me para dhe të tretin e furnizoi duke i dhuruar fëmijë.
Të habitur nga kjo që kishte ndodhur, disa nxënës e pyetën hoxhën:
Hoxhë i nderuar! Si është e mundur që tek ty u paraqitën tre persona me probleme të ndryshme, e ti u dhe të njëjtën përgjigje dhe Allahu i Madhëruar i furnizoi me atë ç’ka ata kërkuan.
Hoxha buzëqeshi dhe tha: A nuk e keni dëgjuar thënien e Allahut të Madhëruar në Kuran: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, I Cili është Falës i Madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj.”
Sofra me ushqime:
Hauarijinët ishin shokët e Profetit Isa (a.s) të cilët besuan në profetësinë e tij dhe e shoqëronin atë kudo që ai shkonte. Ata ishin besimtarë të mirë dhe kishin dëshmuar një sërë mrekullish që Allahu ia kishte dhënë Profetit Isa (a.s). Duke qenë se ata kishin parë shumë mrekulli, njëherë ata kërkuan prej tij një mrekulli.
Ata thanë: O Isa, biri i Merjemes! A mund të na zbresë Zoti një sofër me ushqime nga qielli?
Isai (a.s) tha: Kini frikë Allahun! Allahu e zbret sofrën, por kam frikë se zbritja e saj mund të jetë sprovë për ju.
Ata thanë: Ne kemi dëshirë që të hamë nga ajo, zemrat të na qetësohen kur të shohim këtë mrekulli, besimi na forcohet në profetësinë tënde dhe të jemi dëshmitarë të kësaj mrekullie.
Pas kësaj, Isai (a.s) iu drejtua Allahut me lutje e përgjërim: O Allah, Zoti ynë, Zbritna një sofër nga qielli, që të jetë festë për ne, për të parin dhe të fundmin tonë. Zbritja e kësaj sofre le të jetë një mrekulli prej teje. Na jep mirësi, sepse Ti je Dhuruesi më i mirë.”
Më pas, Allahu e zbriti sofrën nga qielli, por ne nuk e dimë me saktësi se si zbriti, çfarë ushqimesh kishte dhe sa qëndroi ajo në mesin e tyre. Ajo që ne duhet të dimë është se Allahu e ka përmendur këtë ngjarje në Kuran dhe ne duhet ta besojmë.
Fëmijë të dashur!
Rizk nuk është vetëm pasuria, por
Rizk është edhe shëndeti
Rizk është edhe besimi
Rizk është edhe të adhurosh Allahun e Madhëruar
Rizk është edhe të kesh moral të mirë
Rizk është edhe të kesh sjellje të mirë
Padyshim që rizku më i mirë që Allahu i Madhëruar i jep besimtarit është Xheneti.
Ja se si i drejtohet besimtari dhe besimtarja Allahut të Madhëruar me lutje:
O Allah, Zoti im, nëpërmjet emrit tënd të bukur Er Rezak të lutem që të na furnizosh me të mira në Dynja dhe Ahiret, sepse Ti je më i miri Furnizues.
O Allah na i çel dyert e rizkut, bujarisë dhe mirësisë Tënde.
O Allah na e bëj rizk leximin e Kuranit vazhdimisht.
O Allah na e bëj rizk që të jemi besimtarë të mirë e të devotshëm.
O Allah na furnizo me të mirat dhe e begatitë e Xhenetit.
Përgatiti: Elton Harxhi