Një nga gabimet e ixhtihadit bashkëkohor është: analogjia e prishur, si p.sh. kur një tekst kategorik krahasohet me një tekst hipotetik për të lejuar ixhtihadin në të; ose kur çështjet thjesht adhurimore krahasohen me çështjet e zakoneve dhe transaksionet në shqyrtimin e dispozitës dhe objektivave të tyre, duke u nxjerrë për to shkaqe dispozitive me anë të arsyes, mbi të cilat më pas ndërtohen dispozitat.
Gabimi në analogji ka qenë gjithmonë një derë prej dyerve të së keqes. Madje është thënë se devijimi i Iblisit, mosbindja e tij ndaj Allahut dhe mendjemadhësia e tij për të zbatuar urdhrin, ndodhën pikërisht për shkak të një analogjie të prishur, kur ai tha për Ademin: “Unë jam më i mirë se ai; Ti më krijove nga zjarri, ndërsa atë e krijove nga balta”[1]. Po ashtu, ata hebrenj që hanin kamatë, dhe të ngjashmit me ta, deshën të argumentojnë lejimin e kamatës duke e krahasuar atë me shitblerjen, ashtu siç e rrëfen Allahu për ta: “Kjo, sepse ata thanë: “Shitblerja është njësoj si kamata”, ndërsa Allahu e ka lejuar shitblerjen dhe e ka ndaluar kamatën”.[2]
Ne nuk e mohojmë analogjinë, siç bëri shkolla e “Dhahirinjve”; përkundrazi, me shumica dërrmuese e umetit, nga të parët dhe të mëvonshmit, mendojmë se ajo është një burim nga burimet e dispozitave dhe një dëshmi e pasurisë së sheriatit, e përhershmërisë së tij dhe e aftësisë së tij për t’u përballur me zhvillimet në çdo kohë, vend dhe rrethanë.
Ajo që është thelbësore në analogji është që ajo të mbështetet në një tekst të vërtetuar nga Kurani ose Suneti, t’i jetë sqaruar shkaku dispozitiv dhe të mos ekzistojë ndonjë dallim thelbësor midis bazës mbi të cilën bëhet analogjia dhe rastit të krahasuar.
Prandaj, nuk ka vlerë analogjia:
mbi diçka që nuk ka bazë të shprehur në tekst;
mbi një tekst të pavërtetuar;
mbi një tekst të vërtetuar, por pa shkak dispozitiv të qartë;
ose kur shkaku është i qartë, por ekziston një dallim i konsiderueshëm midis bazës dhe degës së krahasuar.
Kështu, ata që bëjnë analogji mbi një hadith të dobët, ose mbi një hadith të saktë, por pa u qartësuar shkaku i tij dispozitiv, ose që bëjnë analogji pavarësisht ekzistencës së dallimit, ose që bëjnë analogji mbi mendimet e juristëve, në të gjitha këto raste, analogjia e tyre nuk pranohet.
Ne kemi parë madje nga ata që e lejojnë qeverinë të marrë hua nga populli me interesa kamatore, duke u mbështetur në analogjinë se “nuk ka kamatë mes prindit dhe fëmijës”, prandaj – sipas tyre – nuk paska kamatë as mes pushtetit dhe popullit!
E vërteta – siç kemi thënë edhe diku tjetër – është se ky pretendim: “nuk ka kamatë mes prindit dhe fëmijës”, nuk është vërtetuar as me tekst, as me konsensus; por është një mendim i disa juristëve, të cilin shumica e kanë kundërshtuar. Atëherë, si mund të bëhet analogji mbi diçka që vetë nuk ka bazë?
Madje, edhe po ta pranonim vërtetimin e këtij mendimi – gjë që nuk e pranojmë – prapëseprapë analogjia nuk do të qëndronte, për shkak të dallimit të qartë midis marrëdhënies prind-fëmijë nga njëra anë, dhe marrëdhënies qeveri-popull nga ana tjetër. Kjo sepse ekziston një tekst i vërtetuar për prindin dhe fëmijën që thotë: “Ti dhe pasuria jote i përkisni babait tënd”, ndërsa nuk ekziston asgjë e tillë në anën tjetër; nuk ka ardhur ndonjë tekst që të thotë: “Ti dhe pasuria jote i përkisni qeverisë”!
Hapja e derës së analogjive të këtij lloji është në të vërtetë hapje e derës së kaosit; si në rastin kur një sundimtar dëshironte të barazonte djalin dhe vajzën në trashëgimi, duke u mbështetur në analogjinë me ixhtihadin e tij për ndalimin e poligamisë. Pra, ai e bëri ixhtihadin e tij – të papranueshëm – bazë mbi të cilën bëhet analogji për çështje që nuk lejohen as të hyjnë në fushën e analogjisë, e as në fushën e ixhtihadit, sepse ato janë nga çështjet e njohura domosdoshmërisht në fe.
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure A’raf: 12.
[2] – Sure Bekare: 275.



















