Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Allahu i Lartësuar thotë: “Të gjithë (ju o besimtarë) kapuni fort pas litarit të Allahut dhe mos u përçani!”[1] Gjithashtu, Ai thotë: “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër.”[2]
Nisur nga mesazhi madhështor i Islamit për bashkimin e fjalës së umetit islam, forcimin e unitetit të tij dhe konsolidimin e lidhjeve të bashkëpunimit ndërmjet shteteve dhe popujve të tij, Unioni Botëror i Dijetarëve Myslimanë mirëpret dhe përshëndet “Marrëveshjen e Mekës për mbrojtjen e përbashkët”, të nënshkruar ndërmjet Mbretërisë së Arabisë Saudite, Republikës së Turqisë dhe Republikës Islamike të Pakistanit, dhe e konsideron atë një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet shteteve të umetit, si dhe drejt fuqizimit të aftësisë së tyre për t’u përballur me sfidat e përbashkëta.
Së pari: Uniteti i umetit
Bashkimi thekson se uniteti i umetit nuk është një slogan kalimtar, por një parim dhe detyrim sheriatik, një domosdoshmëri qytetëruese dhe një interes i përbashkët. Allahu i Lartësuar thotë: “Mos u grindni ndërmjet jush, se do të humbisni guximin e do t’ju lërë fuqia.”[3]
Nisur nga kjo, Unioni shpreson që “Marrëveshja e Mekës” të jetë një hap në rrugën e kalimit nga afrimi drejt bashkëpunimit institucional dhe integrimit praktik, si dhe që perspektivat e saj të zhvillohen për të përfshirë fushat politike, ekonomike, shoqërore, shkencore dhe zhvillimore, krahas bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Së dyti: Pesha e tre shteteve
Unioni vlerëson se uniteti i Mbretërisë së Arabisë Saudite, Turqisë dhe Pakistanit në kuadër të kësaj marrëveshjeje mbart një domethënie të rëndësishme strategjike, për shkak të peshës së larmishme dhe të ndërthurur që përfaqësojnë këto tri shtete në botën islame.
Mbretëria e Arabisë Saudite gëzon një peshë fetare, historike, politike, ekonomike dhe financiare, si dhe është vendi ku ndodhen Dy Xhamitë e Shenjta, drejt të cilave drejtohen zemrat e myslimanëve nga lindja dhe perëndimi i botës.
Ndërsa Turqia gëzon një peshë politike, ushtarake, industriale, ekonomike dhe financiare, krahas trashëgimisë së saj historike dhe qytetëruese.
Kurse Pakistani përfaqëson një peshë të spikatur politike, ushtarake dhe strategjike, përfshirë edhe kapacitetin e tij bërthamor.
Për rrjedhojë, bashkimi i këtyre elementeve mund të përbëjë, me lejen e Allahut të Lartësuar, një bërthamë me peshë për bashkimin e fjalës së umetit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet shteteve të tij.
Së treti: Domethëniet e Mekës së Shenjtë
[Emërtimi dhe vendi i marrëveshjes]
Marrëveshja merr një domethënie të veçantë simbolike dhe shpirtërore, për faktin se u nënshkrua në Mekën e Shenjtë, ditën e xhuma në hapësirën e Tokës së Shenjtë dhe në një ditë kur udhëheqësit e tri shteteve u mblodhën për të falur namazin e xhumasë në Xhaminë e Shenjtë. Kjo sjell në kujtesë kuptimet unifikuese të umetit dhe i jep këtij hapi një dimension simbolik që tejkalon përmasat e tij politike, të sigurisë dhe ekonomike.
Unioni vlerëson Mbretërinë e Arabisë Saudite për pritjen e këtij hapi në hapësirën e Mekës, duke pasur parasysh pozitën e saj të veçantë në ndërgjegjen e umetit dhe atë që përfaqëson toka e Dy Xhamive të Shenjta si një pikë bashkuese fetare dhe shpirtërore për myslimanët. Kjo e bën atë një vend ku mishërohen qartësisht kuptimet e vëllazërisë, unitetit dhe bashkëpunimit.
Së katërti: Një horizont më i gjerë
Bashkimi shpreson që ky hap të mos mbetet i kufizuar vetëm te tri shtetet, por të jetë fillimi i një procesi më të gjerë islam, të cilit t’i bashkohen shtetet e ndryshme të umetit që besojnë në unitetin islam dhe në çështjet e tij madhore, në krye të të cilave çështja palestineze dhe Mesxhidi Aksa.
Allahu i Lartësuar thotë: “Ndihmojeni njëri-tjetrin në mirësi dhe devotshmëri.”[4]
I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Besimtari për besimtarin është si një ndërtesë, pjesët e së cilës e forcojnë njëra-tjetrën.”
Unioni i bën thirrje udhëheqësve të shteteve islame, dijetarëve dhe institucioneve të tyre që të punojnë për unitetin e gjithanshëm islam, të ndërtojnë mbi këtë hap dhe të shfrytëzojnë çdo mundësi që çon drejt bashkimit të fjalës, integrimit të kapaciteteve, shkëmbimit të interesave dhe forcimit të vëllazërisë islame, në mënyrë që umeti të arrijë sigurinë, stabilitetin, fuqinë, dinjitetin dhe nderin e tij, si dhe mirëqenien e tij materiale dhe shpirtërore.
Përmbyllje
Unioni Botëror i Dijetarëve Myslimanë, ndërsa përshëndet “Marrëveshjen e Mekës për mbrojtjen e përbashkët”, thekson se uniteti i umetit, bashkimi i fjalës së tij dhe bashkëpunimi ndërmjet shteteve dhe popujve të tij janë një objektiv sheriatik dhe një domosdoshmëri reale, dhe se ajo që i bashkon myslimanët — besimi, vëllazëria, interesat dhe fati i përbashkët — është shumë më e madhe sesa të ndahet nga kufijtë dhe mosmarrëveshjet.
I lutet Allahut të Lartësuar që ta bekojë këtë hap, ta bëjë atë një fillim të mbarë për umetin islam, një bërthamë për një bashkëpunim më të gjerë dhe një integrim më gjithëpërfshirës, t’i bashkojë zemrat e myslimanëve, ta bashkojë fjalën e tyre rreth së vërtetës dhe së mirës dhe t’u mundësojë siguri, stabilitet dhe dinjitet.
Allahu i Lartësuar thotë: “Mos u grindni ndërmjet jush, se do të humbisni guximin e do t’ju lërë fuqia.”[5]
Allahu është mbi qëllimin dhe synimin, dhe Ai është Udhëzuesi në rrugën e drejtë.
Autorësia: Unioni Botëror i Dijetarëve Myslimanë
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Ali Imran: 103.
[2] – Sure Huxhurat: 10.
[3] – Sure Enfal: 46.
[4] – Sure Maide: 2.
[5] – Sure Enfal: 46.



















