Në botë nuk ka asnjë shkollë apo universitet që t’i japë të diplomuarit një dëshmi ku të përcaktohet se ai është “dijetar”. Kjo sepse vitet e studimit në çfarëdo institucioni arsimor nuk janë të mjaftueshme për të formuar një “dijetar” në kuptimin e thellë të fjalës. Formimi i një dijetari kërkon një njohje të mirë të historisë së dijes ose të fushës në të cilën ai dëshiron të shquhet; kërkon të kuptuarit e themeleve dhe parimeve të saj të përgjithshme, si dhe një vështrim të thellë mbi kthesat dhe shndërrimet e mëdha nëpër të cilat ka kaluar ajo fushë, krahas një vetëdijeje të qartë për horizontet drejt të cilave ajo mund të zhvillohet në të ardhmen. Dhe pikërisht në këtë drejtim synojnë universitetet më prestigjioze.
Ajo që universitetet mund të ofrojnë gjatë katër apo edhe dhjetë viteve, në lidhje me të gjitha këto, nuk është veçse një përgatitje fillestare dhe një themel mbi të cilin duhet të nisë më pas ndërtimi i vërtetë.
Po, universitetet e nivelit të lartë i vendosin të diplomuarit në fillim të rrugës së specializimit, u japin çelësat e të kuptuarit të thellë dhe i pajisin me mjetet e të menduarit shkencor. Por zhvillimi i mëtejshëm i gjithë kësaj dhe kalimi nga faza e marrjes së dijes dhe e formimit bazë drejt krijimtarisë, dhënies së një kontributi të ri në fushën e specializimit dhe pasurimit të hipotezave e teorive të saj, mbeten përgjegjësi e vetë individit: e përpjekjes së tij, e kërkimit të tij të pandërprerë dhe e përvojës së gjatë intelektuale e shkencore që fiton përtej mureve të universitetit. Universiteti e ndriçon rrugën dhe e shtron atë, por nuk mund ta përshkojë në vend të askujt.
Përvoja historike dëshmon qartë se shumë prej dijetarëve të mëdhenj, të cilët kanë lënë gjurmët më të thella në jetën shkencore dhe në proceset e rilindjes, nuk janë diplomuar në universitete prestigjioze. Madje, disa prej tyre nuk kanë studiuar në asnjë universitet. Në anën tjetër, shohim se nga universitetet më të njohura diplomohen çdo vit dhjetëra mijëra studentë, por vetëm një numër i vogël prej tyre arrijnë të shquhen në jetën profesionale, ndërsa shumica integrohen në jetën e punës si çdo njeri tjetër.
Më e mira që mund të ofrojë një universitet është të ngjallë pasionin për leximin, dashurinë për librin dhe prirjen për një mendim të thellë e metodik, krahas një kuptimi të mirë të fushës së specializimit. Sepse madhështia shkencore nuk formohet brenda sallave të leksioneve, por në mendje të ndriçuara dhe në shpirtra të etur për dije.
Auotor: Abdulkerim Bekkar
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















