Objektivat e dhjetëditëshit të Dhul Hixhes

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimi qofshin mbi zotërinë e të dërguarve, mbi familjen e tij, shokët e tij, pasuesit e tyre dhe mbi këdo që thërret me thirrjen e tij deri në Ditën e Gjykimit

Allahu i Lartësuar e krijoi kohën dhe i dha përparësi një pjese të saj mbi tjetrën. Disa muaj, ditë dhe net i veçoi me vlera e mirësi të posaçme, në të cilat shpërblimi shumëfishohet dhe mirësia shtohet, si mëshirë prej Tij për robërit, në mënyrë që kjo t’i ndihmojë ata të shtojnë veprat e mira, të dëshirojnë bindjen ndaj Allahut dhe të rinovojnë përkushtimin e tyre, që muslimani të fitojë një pjesë të madhe të shpërblimit, të përgatitet për vdekjen para se të vijë dhe të furnizohet për Ditën e Kthimit. Ndër dobitë e stinëve të adhurimit është se ato mbulojnë mangësitë, plotësojnë të metat dhe kompensojnë atë që ka kaluar.

Ndër këto stinë të ndritshme dhe frymëzime të bekuara janë dhjetë ditët e para të muajit të shenjtë Dhul-Hixhe. Allahu i zgjodhi ato mbi ditët e tjera, ua ngriti pozitën dhe i veçoi, duke e bërë shpërblimin e veprave në to ndryshe e më të madh sesa në ditët e tjera. Përveç kësaj, Allahu i dalloi ato edhe me adhurimet e haxhit, të cilat nuk kryhen në asnjë kohë tjetër.

Megjithëse këto dhjetë ditë kanë një pozitë kaq të lartë dhe një vend kaq të madh në Sheriatin e pastër, dhe megjithëse shpërblimi i veprave të mira në to është më i madh se në ditët e tjera, prapëseprapë shohim dobësi tek shumica e muslimanëve, përtaci në veprat e mira, largim nga serioziteti dhe përpjekja, si dhe ngadalësim në përkushtimin ndaj tyre. Madje, është për të ardhur keq që tek disa njerëz këto dhjetë ditë kalojnë pa u kushtuar fare vëmendje. Ky është një gabim i qartë, për shkak të vlerës së madhe që ato kanë tek Allahu i Lartësuar në krahasim me ditët e tjera.

Ditët dhe netët e dhjetëditëshit të Dhul-Hixhes janë ditë të nderuara dhe të zgjedhura. Veprat në to shumëfishohen dhe rekomandohet përkushtimi i madh në adhurim, shtimi i bamirësisë dhe i çdo lloj vepre të mirë. Për shkak të rëndësisë së tyre, Allahu i Madhëruar është betuar në to duke thënë: “Pasha agimin! Dhe pasha dhjetë netët! Dhe pasha çiftin dhe tekun!”[1] Profeti (a.s) ka thënë: “Nuk ka ditë në të cilat veprat e mira janë më të dashura tek Allahu sesanë këto dhjetë ditë.” Ata thanë: “As xhihadi në rrugën e Allahut?” Ai tha: “As xhihadi në rrugën e Allahut, përveç një njeriu që del me jetën dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asgjë prej tyre.”[2]

Sa madhështor është ky stil profetik plot urtësi, i cili i nxit shpirtrat drejt bindjes ndaj Allahut, i zgjon zemrat dhe i lidh ato me shfrytëzimin e këtyre kohëve të vlefshme dhe stinëve të begata: “Nuk ka ditë në të cilat veprat e mira janë më të dashura tek Allahu sesa këto dhjetë ditë.” Kjo është një formë e përgjithshme krahasimi që tregon madhështinë e tyre të madhe dhe dashurinë e lartë të Zotit Krijues dhe Sundues ndaj shtimit të adhurimit në këto ditë, si dhe ndaj përpjekjes së madhe për t’iu afruar Atij. Këto janë ditë prej ditëve të Allahut dhe një stinë prej stinëve të obligimeve të Tij, në një kohë dhe vend ku turma të mëdha nga umeti islam dëshmojnë kryerjen e riteve në vendet më të mira të tokës, në dy xhamitë e shenjta dhe në vendet e shenjta të haxhit. E gjithë kjo na shton bindjen, përmes ajeteve të Allahut dhe haditheve të të Dërguarit të Tij (a.s), për rëndësinë dhe vlerën e madhe të këtyre ditëve.

Profeti (a.s) ka thënë gjithashtu: “Nuk ka vepër më të pastër tek Allahu dhe as më të madhe në shpërblim sesa një e mirë që bëhet në dhjetëditëshin e Kurbanit.” I thanë: “As xhihadi në rrugën e Allahut?” Ai tha: “As xhihadi në rrugën e Allahut, përveç një njeriu që del me jetën dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asgjë prej tyre”, domethënë: nëse Allahu ia jep shehadetin, atëherë shehadeti e tejkalon veprën e mirë të këtyre ditëve.

Është transmetuar se Said ibn Xhubejri, kur hynin dhjetë ditët, përpiqej në adhurim me një përpjekje të jashtëzakonshme, aq sa mezi përballohej, dhe thoshte: “Mos i fikni kandilat tuaj në netët e dhjetëditëshit.”[3]

Sahabët u habitën nga ky shpërblim i madh që Allahu ua jep robërve besimtarë që bëjnë vepra të mira në këto dhjetë ditë të Dhul-Hixhes dhe thanë: “O i Dërguari i Allahut, as xhihadi në rrugën e Allahut?”

Sepse vlera e xhihadit ishte e njohur dhe e vendosur tek ata. Ata e kishin kuptuar pozitën e tij nga ajetet e Kuranit dhe nga hadithet e Profetit (a.s), sidomos në përgjigjen që ai i dha dikujt që e pyeti për një vepër që barazohej me xhihadin. Është transmetuar se një njeri i tha të Dërguarit të Allahut (a.s): “O i Dërguari i Allahut, më trego një vepër që është e barabartë me xhihadin.” Ai tha: “Nuk gjej të tillë.” Pastaj tha: “A mundesh ti, kur muxhahidi del në rrugën e Allahut, të hysh në xhaminë tënde dhe të falesh pa u lodhur, e të agjërosh pa e ndërprerë?” Ai tha: “Kush mund ta bëjë këtë?”[4]

Madhështia e këtyre ditëve qëndron edhe në faktin se ato janë vlerësuar mbi xhihadin, një vepër për të cilën të gjithë e dimë madhështinë e saj. Madje disa dijetarë e kanë konsideruar atë si shtyllën e gjashtë të Islamit, sepse me të ruhen pesë shtyllat e tjera, përhapet feja dhe mbrohet ajo. Siç ka thënë Ibn Rexhep el Hanbeli: “Vepra në ditët e dhjetëditëshit është më e dashur tek Allahu sesa vepra në ditët e tjera të dynjasë, pa përjashtim. Dhe kur është më e dashur tek Allahu, atëherë është më e vlefshme tek Ai. Nëse vepra në këto ditë është më e mirë dhe më e dashur tek Allahu sesa vepra në ditët e tjera të vitit, atëherë edhe një vepër më pak e vlefshme, kur kryhet në këto ditë, bëhet më e mirë sesa një vepër më e vlefshme që kryhet jashtë tyre.”

Kjo do të thotë se një vepër që në vetvete ka një gradë më të ulët mund të bëhet më e vlefshmja kur kryhet në këto ditë, për shkak të vlerës së përgjithshme dhe madhështisë së tyre, si dhe për shkak të krahasimit me xhihadin.

Pyetja e sahabëve tregon madhështinë e xhihadit dhe të shpërblimit të tij: “O i Dërguari i Allahut, as xhihadi?” Sepse për ta xhihadi ishte ndër veprat me shpërblimin më të madh, prandaj u habitën që vlera e këtyre ditëve mund të ishte edhe më e madhe.

Profeti (a.s) u pyet: “Cili xhihad është më i miri?” Ai tha: “Ai i atij që i theret kali dhe i derdhet gjaku.”[5] Gjithashtu, Profeti (a.s) dëgjoi një njeri duke u lutur: “O Allah, më jep më të mirën që ua jep robërve të Tu të mirë.” Atëherë ai tha: “Atëherë do të të theret kali dhe do të biesh shehid.”[6] Kjo është vepra që u përjashtua në mënyrë të posaçme.

Arritja e këtyre dhjetë ditëve është një mirësi e madhe nga Allahu për robin e Tij, sepse ai arrin një stinë prej stinëve të adhurimit që, me suksesin e Allahut, e ndihmon muslimanin të fitojë shpërblim dhe të përfitojë nga sevapet. Prandaj muslimani duhet ta ndiejë këtë mirësi, të kujtojë madhështinë e shpërblimit të veprave në këto ditë, të shfrytëzojë kohën dhe t’u japë këtyre ditëve një dallim të veçantë me më shumë adhurim. Ky ishte edhe qëndrimi i selefëve të këtij umeti. Ka thënë Ebu Uthman el-Nahdi: “Ata madhëronin tri dhjetëditëshe: dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes dhe dhjetë ditët e para të Muharremit.”

Këto dhjetë ditë përfshijnë dy ditët më të mira të vitit: Ditën e Arafatit dhe Ditën e Kurbanit.

Në Ditën e Arafatit, Allahu i Lartësuar afrohet dhe mburret para melaikeve me njerëzit që qëndrojnë në Arafat. Nga Aishe bintu Ebi Bekri transmetohet se Profeti (a.s) ka thënë: “Nuk ka ditë në të cilën Allahu liron më shumë robër nga zjarri sesa në Ditën e Arafatit. Ai afrohet dhe pastaj mburret me ta para melaikeve duke thënë: Çfarë duan këta?”[7]

Në një ditë madhështore për Islamin, derdhen lotët, zbresin mëshirat dhe i afërti e i largëti shpresojnë në mëshirën e Zotit Madhështor. Turmat e haxhinjve në vendet e shenjta ngrejnë duart drejt Zotit të tyre, me rroba që ngjasojnë me qefinin, të zhveshur nga stolitë e dynjasë, në një marshim madhështor drejt Mbretit të mbretërve, mes frikës dhe shpresës.

Ndërsa muslimanët në mbarë tokën jetojnë begatitë e kësaj dite të bekuar dhe shpresojnë atë që shpresojnë haxhinjtë. Nëse nuk arrini dot vendet e bekuara, koha e bekuar është para jush!

Allahu i Lartësuar u ka dhënë edhe atyre që nuk janë në haxh një pjesë nga kjo mirësi: agjërimi i Ditës së Arafatit shlyen gjynahet e dy viteve, të vitit të kaluar dhe të vitit që vjen. Kjo është dita në të cilën Allahu e përsosi fenë dhe e plotësoi mirësinë ndaj muslimanëve, kur zbriti fjala e Tij: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova ndaj jush mirësinë Time dhe zgjodha Islamin për ju si fe.”[8]

Disa dijetarë kanë thënë se shumica e muslimanëve ende nuk e kishin kryer haxhin e Islamit, sepse haxhi u bë obligim në vitin e gjashtë. Ebu Bekr al-Siddiku kreu haxhin me disa muslimanë në vitin e nëntë, ndërsa Profeti (a.s) kreu haxhin me shumicën e sahabëve në vitin e dhjetë. Kështu Islami i tyre u plotësua me kryerjen e shtyllës së pestë.

Hadithet tregojnë gjithashtu se lutja në Ditën e Arafatit zakonisht pranohet dhe se përmendja më e mirë është: “La ilahe il-lAllah”. Kjo do të thotë se forma më e mirë me të cilën njeriu e hap lutjen e tij është lavdërimi i Allahut dhe madhërimi i Tij para kërkesës.

Ndërsa Dita e Kurbanit është pjesë e këtyre dhjetë ditëve dhe është “Dita e Haxhit të Madh”. Profeti (a.s) ka thënë: “Dita e Haxhit të Madh është Dita e Kurbanit.”[9]

Ajo është dita e afrimit tek Allahu dhe e njëshmërisë së Tij përmes therjes së kurbanit, në pamjen më të madhe të teuhidit në këtë adhurim. Shumë njerëz kanë devijuar në këtë çështje duke ua kushtuar kurbanet idhujve, varreve dhe të tjerëve përveç Allahut. Prandaj Allahu e theksoi teuhidin në shumë ajete, si në fjalën e Tij: “Andaj falu për Zotin tënd dhe prej kurban!” [10] D.m.th.: Therr kurbanin vetëm për Zotin tënd dhe vetëm në emrin e Tij.

Allahu gjithashtu urdhëroi që mbi kurbanet dhe dhuratat të përmendet vetëm emri i Tij, pa ortak, duke thënë: “Që të dëshmojnë dobitë për veten e tyre dhe të përmendin emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët e bagëtive që Ai ua ka dhënë. Hani prej tyre dhe ushqeni nevojtarin e varfër.”[11] Ibn Abasi ka thënë: “Ditët e caktuara janë ditët e dhjetëditëshit”, d.m.th. dhjetë ditët e Dhul-Hixhes.

Veprat që duhen bërë në dhjetëditëshin e Dhul-Hixhes

Jeta jonë ka nevojë herë pas here për një ripërtëritje që t’ia rikthejë forcën e besimit, ta gjallërojë në të pulsin e akides dhe ta zhvillojë ndjenjën e robërisë ndaj Allahut të Lartësuar; një ripërtëritje që e shtyn njeriun drejt Zotit të tij, duke u penduar për mëkatet dhe duke u përpjekur në bindje ndaj Tij.

Një ripërtëritje që ia rikthen zemrës butësinë, që ajo të përkulet para ajeteve të Kuranit Famëlartë, të meditojë mbi kuptimet e tyre, t’i bindet haditheve të të Dërguarit (a.s) dhe të udhëzohet me sunetin e tij. Një ripërtëritje që e nxjerr shpirtin nga rutina e adhurimit drejt pranisë së zemrës në të, drejt ndjenjës së bukurisë së adhurimit dhe kuptimeve të tij; që e ndal nga mëkatet dhe të ndaluarat, dhe që ringjall shpresën në gjerësinë e mëshirës së Allahut, pranimin e pendimit, faljen e gjynaheve dhe fshirjen e të këqijave. Një ripërtëritje që e bën jetën tonë më pranë Allahut të Lartësuar, në mendimet tona, veprat tona, marrëdhëniet tona dhe sjelljet tona.

Nuk ka dyshim se adhurimi i Allahut dhe afrimi tek Ai me bindje, qofshin ato me fjalë apo me vepra, janë detyrë dhe kërkesë për muslimanin në çdo kohë. Megjithatë, kjo theksohet më shumë në disa kohë dhe raste të veçanta, ndër to këto dhjetë ditë të muajit Dhul-Hixhe, ku disa ajete kuranore dhe hadithe profetike kanë treguar për disa adhurime të rekomanduara. Ndër veprat e mira që muslimani duhet të kujdeset t’i bëjë në dhjetëditëshin e Dhul-Hixhes janë:

1 – Namazi i natës

Namazi i natës është një adhurim për të cilin i Dërguari i Allahut (a.s) ka nxitur dhe Allahu i Lartësuar i ka lavdëruar ata që e falin, duke u premtuar shpërblim të madh. Ai është namazi më i mirë pas farzeve.

Ibn Rexheb el-Hanbeli ka thënë: “Falja e netëve të dhjetëditëshit është e pëlqyeshme. Është transmetuar se lutja në to pranohet. Këtë e kanë preferuar imam Shafi’i dhe dijetarë të tjerë. Ndërsa Said ibn Xhubejri, kur hynin këto ditë, thoshte: “Mos i fikni kandilat tuaj në netët e dhjetëditëshit”, për shkak të dashurisë së tij për adhurimin.”

2 – Agjërimi

Rekomandohet agjërimi në nëntë ditët e para të Dhul-Hixhes, përveç ditës së dhjetë, e cila është Dita e Kurban Bajramit dhe në të cilën agjërimi është i ndaluar me konsensus.

Prandaj është sunet që muslimani të agjërojë nëntë ditët e Dhul-Hixhes, sepse Profeti (a.s) i agjëronte këto ditë dhe nxiti për vepra të mira në to, ndërsa agjërimi është ndër veprat më të mira.

Është transmetuar nga Hunajdah ibn Kalid, nga gruaja e tij, nga njëra prej grave të Profetit (a.s), se ajo ka thënë: “Profeti (a.s) agjëronte nëntë ditët e Dhul-Hixhes, Ditën e Ashuras dhe tri ditë nga çdo muaj: të hënën e parë të muajit dhe dy të enjte.”[12]

Kjo tregon vlerën e agjërimit në këto ditë dhe se ai është ndër mënyrat më madhështore me të cilat muslimani afrohet tek Zoti i tij. Ndërsa dita e dhjetë — dita e Bajramit — është e ndaluar të agjërohet pa asnjë dyshim.

Imam Neveviu ka thënë: “Agjërimi i këtyre ditëve është shumë i rekomanduar.”

Agjërimi më i theksuar dhe më i vlefshëm në këto ditë është agjërimi i ditës së nëntë, Ditës së Arafatit, dita në të cilën haxhinjtë qëndrojnë me rrobat e ihramit, të ngjashme me qefinët, të përkushtuar ndaj Allahut, duke e lutur dhe madhëruar Atë. Haxhinjtë afrohen tek Allahu me ihram, telbije dhe lutje, ndërsa muslimanët në vendet e tyre afrohen tek Zoti me agjërim. Kështu, motoja e kësaj dite në shtëpitë e umetit është agjërimi, për t’iu afruar Allahut dhe për të shpresuar shpërblimin e madh me besim dhe sinqeritet.

Profeti (a.s) u pyet për agjërimin e Ditës së Arafatit dhe tha: “Ai shlyen gjynahet e vitit të kaluar dhe të vitit që vjen.”[13]

3 – Përmendja e Allahut

Në këto ditë rekomandohet tekbiri, tahmidi, tehlili dhe tesbihu. Këto duhen thënë me zë në xhami, në shtëpi, në rrugë dhe në çdo vend ku lejohet përmendja e Allahut, për të shfaqur adhurimin dhe për të madhëruar Allahun e Lartësuar. Burrat i thonë me zë, ndërsa gratë i thonë pa zë. Allahu i Lartësuar thotë: “Që të dëshmojnë dobitë për veten e tyre dhe të përmendin emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët e bagëtive që Ai ua ka dhënë.”[14]

Shumica e dijetarëve janë të mendimit se “ditët e caktuara” janë ditët e dhjetëditëshit, bazuar në fjalën e Ibn Abasit: “Ditët e dhjetë janë ditët e caktuara, ndërsa ditët e teshrikut janë ditët e numëruara.”[15]

Profeti (a.s) ka nxitur në këto ditë shtimin e tesbihut, tahmidit dhe tekbirit. Nga Abdullah ibn Umer transmetohet se Profeti (a.s) ka thënë: “Nuk ka ditë më madhështore tek Allahu dhe në të cilat veprat janë më të dashura tek Ai sesa këto dhjetë ditë, prandaj shtoni në to tehlilin, tekbirin dhe tahmidin.”[16]

Ndër përmendjet që nuk duhen neglizhuar është edhe leximi i Librit të Allahut. Duhet t’i kushtosh vëmendje të shtuar leximit të Kuranit në këto ditë, sepse leximi i tij i gjallëron shtëpitë, ndërsa lënia e tij i shkreton ato.

4 – Kurbani

Ndër veprat e mira të këtij dhjetëditëshi është afrimi tek Allahu me therjen e kurbanit, zgjedhjen e tij të mirë dhe shpenzimin e pasurisë në rrugën e Allahut. Kjo është një prej adhurimeve të ligjësuara, me të cilat muslimani afrohet tek Allahu në Ditën e Kurbanit ose gjatë ditëve të teshrikut, duke therrur dele, lopë apo deve, pastaj duke ngrënë prej saj, duke dhuruar dhe duke dhënë sadaka. Në këtë ka kuptime të mëdha të sakrificës, dhurimit dhe pasimit të udhëzimit profetik. Allahu i Lartësuar thotë: “Andaj falu për Zotin tënd dhe prej kurban!”[17]

Janë transmetuar shumë hadithe që nxisin për kurbanin dhe qortojnë atë që ka mundësi, por nuk ther kurban. Profeti (a.s) ka thënë: “Kush ka mundësi të therë kurban dhe nuk e bën, të mos i afrohet faltores sonë.”[18] Gjithashtu ai (a.s) ka thënë: “Njeriu nuk bën asnjë vepër në Ditën e Kurbanit më të dashur tek Allahu sesa derdhja e gjakut. Ajo do të vijë në Ditën e Gjykimit me brirët, qimet dhe thundrat e saj, dhe gjaku arrin tek Allahu para se të bjerë në tokë, prandaj bëjeni me zemër të kënaqur.”[19]

Në ringjalljen e këtij suneti ka kujtim dhe mësim nga sprova e madhe e babait tonë Ibrahimit (a.s), kur Allahu e urdhëroi të therte djalin e tij Ismailin (a.s). Kur Allahu pa sinqeritetin dhe bindjen e tij, e shpërbleu me një kurban të madh. Kjo mbeti sunet për pasuesit e tij të devotshëm dhe ka në të shpërblim të madh, si dhe zgjerim për familjen, ushqim për të varfrit dhe nderim për fqinjët e miqtë.

Suneti është që kurbani të ndahet në tri pjesë: një pjesë për familjen, një pjesë për dhuratë dhe një pjesë për të varfrit dhe nevojtarët. Në këtë ka dobi të madhe për individët dhe shoqërinë muslimane, përveç faktit se është një prej simboleve të këtij feje madhështore.

5 – Falja e namazit të Bajramit

Profeti (a.s) ka thënë: “Ditët më madhështore tek Allahu janë Dita e Kurbanit dhe pastaj dita e qëndrimit (dita pas saj).”[20]  Po ashtu ai (a.s) ka thënë: “Dita e Arafatit, Dita e Kurbanit dhe ditët e teshrikut janë festa jonë, o muslimanë…”[21]

Bajrami i Kurbanit është më i vlefshëm se Bajrami i Fitrit, sepse në të bashkohen namazi dhe therja e kurbanit, ndërsa në Fitër Bajram bashkohen namazi dhe sadakaja. Therja e kurbanit është më e vlefshme se sadakaja, ashtu siç Dita e Kurbanit bashkon për haxhinjtë nderin e kohës dhe të vendit njëkohësisht.

Bajrami, në këndvështrimin e Islamit, është një kohë që lidh të tashmen e muslimanëve me të kaluarën e tyre madhështore, duke kërkuar kthimin e vëmendjes drejt asaj lavdie që zgjon vetëdijen në personalitetin islam, për të kuptuar ligjet hyjnore që çuan në arritjen e asaj madhështie të madhe.

Kurban Bajrami na kujton sakrificat e të parëve për triumfin e Islamit — Islamit që është feja e vërtetë — dhe meqë ai është e vërteta, atëherë ia vlen që njeriu të jetojë me të dhe për të.

6 – Shtimi i veprave të mira në përgjithësi

Vepra e mirë është e dashur tek Allahu i Lartësuar në çdo kohë dhe vend, por ajo theksohet edhe më shumë në këto ditë të bekuara. Nga Profeti (a.s) transmetohet: “Nuk ka ditë në të cilat veprat e mira janë më të dashura tek Allahu sesa në këto dhjetë ditë.”

Kjo është një thirrje për çdo vepër të bukur. E çfarë vepre më të bukur ka sesa vepra e mirë?

Vepra e mirë përfshin çdo mirësi, bamirësi, sjellje të mirë dhe përkushtim, qoftë me fjalë, vepra apo sjellje. Ndër më të rëndësishmet është kujdesi për gjendjen e muslimanëve kudo që ndodhen, interesimi për çështjet e tyre, lehtësimi i vështirësive të tyre, plotësimi i nevojave të tyre dhe lutja e sinqertë për përmirësimin e gjendjes së tyre, largimin e fatkeqësive dhe fitoren ndaj armiqve.

Po ashtu, vepra e mirë përfshin zbatimin e urdhrave të Allahut, largimin nga ndalesat, leximin e Kuranit, përmendjen e Allahut, lutjen, sadakanë, respektimin e prindërve, mbajtjen e lidhjeve farefisnore, vizitën e vëllezërve në fe, thirrjen drejt Allahut, këshillimin e krijesave të Tij, nxitjen për të mirë, përhapjen e virtytit, mësimin e njerëzve të fesë dhe moralit, bashkëpunimin në mirësi dhe devotshmëri, urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja, pajtimin mes njerëzve në konflikt, bashkimin e muslimanëve, unifikimin e fjalës së tyre dhe përhapjen e vëllazërisë, dashurisë dhe afërsisë mes tyre… si dhe çdo rrugë tjetër të mirësisë dhe bindjes ndaj Allahut.

Të parët tanë të mirë i madhëronin tri dhjetëditëshe të vitit: dhjetë ditët e Dhul-Hixhes, dhjetë netët e fundit të Ramazanit dhe dhjetë ditët e para të Muharremit. Në këtë ka dëshmi se një vepër që në vetvete mund të jetë më pak e vlefshme, kur kryhet në një kohë të bekuar, mund të bëhet më e mirë tek Allahu sesa një vepër më e vlefshme në një kohë të zakonshme.

Prandaj, këto vepra që bëhen në dhjetëditëshin e Dhul-Hixhes janë më të vlefshme edhe se xhihadi në rrugën e Allahut, për shkak të veçantisë së këtyre kohëve dhe ditëve. Kjo është mirësi dhe dhuratë nga Allahu, sepse shumë muslimanë në mbarë botën nuk kanë mundësi të kryejnë haxhin në Shtëpinë e Shenjtë të Allahut. Allahu ua ka dhënë këto ditë që të kryejnë në to veprat e zakonshme të mira dhe të fitojnë shpërblim të madh.

Prandaj njeriu duhet të shtojë sa më shumë veprat e mira në përgjithësi, sepse vepra e mirë është e dashur tek Allahu i Lartësuar, dhe kjo nënkupton madhështinë e shpërblimit të saj tek Ai, përmes bindjes ndaj Allahut në këto ditë të vlefshme me lloje të shumta të mirësisë dhe bamirësisë.

Ligjërues: Diham Ibrahimi

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Fexhr: 1 – 3.

[2] – Buhariu dhe Muslimi.

[3] – Tabaraniu në “El Kebir”.

[4] – Buhariu dhe Muslimi.

[5] – Ahmedi dhe Hakimi.

[6] – Ahmedi dhe Hakimi.

[7] – Muslimi.

[8] – Sure Maide: 3.

[9] – Buhariu.

[10] – Sure Keuther: 2.

[11] – Sure Haxh: 28.

[12] – Ebu Daudi dhe Nesai.

[13] – Muslimi.

[14] – Sure Haxh: 28.

[15] – Buhariu.

[16] – Ahmedi dhe Bejhakiu.

[17] – Sure Keuther: 2.

[18] – Bejhakiu dhe Hakimi.

[19] – Tirmidhiu.

[20] – Ebud Daudi dhe Ahmedi.

[21] – Ebu Daudi.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *