Shafi’iu dhe akuzimi i tij për shi’izëm:
Në kohën e Shafi’i-t (r.h), disa nxënës të dijes të cilët ishin shmangur prej tij për një shkak apo një tjetër, e akuzuan atë se ai ishte prej shiave, ndërsa ai nuk kishte të bënte fare me këtë gjë. Shafi’iu kurrsesi nuk ishte i tillë, ama ai e donte shumë Ehlu Bejtin (familjarët e Profetit [a.s.]). Ne të gjithë e duam Ehlu Bejtin (familjarët e Profetit [a.s.])…
Imam Ahmedit (r.h) i kanë thënë: “Ka disa që e akuzojnë imam Shafi’i-un me shi’izëm, prej të cilëve është filani dhe filani”. Imam Ahmedi (r.h) tha: “Unë nuk e di se çfarë thonë, por betohem në Allahun, se prej këtij burri nuk kam parë gjë tjetër përveçse të mira. Ky burrë është prej të kualifikuarve në dituri. Homologët e tij e akuzojnë atë me akuza të paqena, për shkak se Allahu i Lartësuar i ka dhënë atij dhunti, që nuk i kanë homologët e tij.
Kjo është një dëshmi madhështore në favor të imam Shafi’i-ut, e dhënë nga gjuha e imam Ahmedit dhe njerëzit më të dashur për imam Ahmedin do ta dëshironin shumë (që ai ta thoshte këtë për çdonjërin prej tyre). Përmes kësaj dëshmie, Imam Ahmedi etiketon disa nga nxënësit e hadithit, që e kishin smirë imam Shafi’i-un.
Shafi’iu dhe akuzimi i tij për mu’tezil:
Shafi’iu (r.h) është akuzuar gjithashtu për mu’tezili. Shkaku i kësaj akuze është fakti, se imam Shafi`iu, kur ishte ende në moshë të njomë, pati nxënë dituri nga një burrë prej banorëve të Medines që quhej Ibrahim… Shafi’iu, në fundin e jetës së tij, kur ishte në Egjipt, i përdori për argument transmetimet e Ibrahimit ibn Ebi Jahja-së, duke transmetuar në adresë të tij dhe duke thënë: “Më ka treguar Ibrahimi ose më ka treguar një i besueshëm”. Ibrahimi në fjalë konsiderohej si një transmetues i braktisur nga të kualifikuarit e hadithit, ndërsa sa i përket Shafi’i-ut, ai kishte një opinion tjetër për të, prandaj transmetonte në adresë të tij. Kësisoj, nisur nga fakti se ky person dispononte prej bindjes mu’tezile, disa prej këtyre akuzave iu ngjitën edhe Shafi’i-ut.
Për t’iu përgjigjur kësaj akuze dhe për ta përgënjeshtruar atë, mjafton fakti se Shafi’iu (r.h) ishte prej dijetarëve, që e kritikonte më ashpër se kushdo tjetër filozofinë skolastike (të arsyetimeve abstrakte dhe sipërfaqësore). Kumtimet e tij mbi këtë janë të shumta, aq sa ai iu hakërrye atyre duke thënë: “Gjykimi im për skolastikët është të goditen me fletushka, të vihen mbi deve dhe të vërtiten në lagje dhe fise për t’u bërë sehir. Dikush të thërrasë nga sipër tyre: “Ky është shpërblimi për atë që ka braktisur Librin (Kuranin), Sunetin (Traditën Profetike) dhe është dhënë pas skolastikës (filozofisë së arsyetimit abstrakt sipërfaqësor)” Imam Shafi’iu kthjelltësisht dhe publikisht i pranonte dhe theksonte emrat dhe atributet e Allahut të Lartësuar në pajtim me atë që ka thënë në këtë kontekst Vetë Allahu i Lartësuar dhe i Dërguari i Tij, si dhe në pajtim me programin e sahabeve (shokëve) të Muhamedit [a.s] dhe tabi’inëve të denjë (gjeneratës pasuese të shokëve të Profetit [a.s].
Ky burrë (imam Shafi’iu) e kishte të shëndetshëm unin e tij, bindja e tij ishte e rregullt dhe sjelljet e tij të pacenuara, ndërsa ata që e akuzuan ishin një grup njerëzish ziliqarë dhe siç thuhet:
Ia kanë zilinë të riut se hapin dot s’ia arrijnë,
Si ata që kur fytyrën të bukurës ia panë,
Nga zilia, hasmëria dhe rrejshëm,
S’është veçse një shëmtirë thanë.
Një sensibilizim të keq për Shafi’i-un bënë edhe disa autoritete të medhhebit maliki (akademisë juridike islame me lider imam Malikun). Ata e bënë këtë, sepse menduan, se me ardhjen e imam Shafi’i-ut në Egjipt, ai do shpërndante medhhebin maliki (akademinë juridike islame me lider imam Malikun), mirëpo panë se Shafi’iu nuk po e bënte diçka të tillë, por ai po përpilonte një libër, në të cilin mbante qëndrim kritik ndaj Malikut në disa çështje, prej të cilave përmendim:
– Fjalën e Malikut lidhur me konsensusin e të kualifikuarve të Medines, duke qenë se Maliku e konsideronte këtë konsensus unanimitet dhe bazohej tek ai. Shafi’iu e kundërshtoi Malikun në këtë çështje, duke thënë: “Ajo çfarë kanë transmetuar banorët e Medines nga i Dërguari i Allahut është hadith (traditë profetike), që transmetohet njëjtë siç transmetohet edhe nga të tjerët veç tyre. Ndërsa ajo që ata (banorët e Medines) thonë nga ana e tyre personale, është ixhtihad (lëvrim personal mendimi), në të cilin ata mund të gabojnë dhe mund t’ia qëllojnë”.
– Gjithashtu Shafi’iu ka pasur opinion të ndryshëm me imam Malikun në disa çështje mbi të cilat Shafi’iu kishte këndvështrimin, se hadithi (kumtimi profetik) i ardhur në kontekstin e tyre, ishte autentik, ndryshe nga prononcimi i Malikut (r.h).
Ndoshta Shafi’i-u u shpreh në këtë mënyrë, sepse ai pa, që Maliku madhërohej më shumë se ç’duhej, sidomos në viset e Egjiptit. Ndoshta ai kishte dëgjuar diçka në lidhje me këtë dhe kishte konstatuar një lloj teprie në dashurinë ndaj Malikut dhe madhërimin e tij. Shumë prej masës popullore janë sprovuar me diçka të tillë, pasi ky terren (terreni i teprimit me dijetarët) është një terren ku shumë mendje tregohen të dobëta për të bërë kritikë dhe korrektim. Kësisoj Shafi’iu deshi që ta vendosë peshoren në balancë, ndaj dhe përpiloi një libër, ku i bënte opozitë Malikut dhe ku ai mbajti qëndrim kritik ndaj tij në disa çështje, në të cilat mendonte ndryshe nga ai, por pa dyshim duke e ruajtur vlerën dhe pozitën e imam Malikut.
Dihet pa pikë dyshimi, se Shafi’iu (r.h) vdiq duke e konsideruar veten e tij një prej nxënësve besnik të imam Malikut, këtij imami madhështor prej të cilit Shafi’iu kishte nxënë dhe memorizuar shumë, siç dihet se libri i Malikut “El Mueta’e” ishte e para gjë, me të cilën mendja dhe zemra e Shafi’i-ut e startuan diturinë.
Autor: Selman Aude
By: ardhmëriaonline.com



















