Historia e Musait (02)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Vlera e drejtësisë

Vlera e dytë, të cilën e hasim në historinë e Musait (a.s.) është drejtësia dhe distancimi nga çdo zullum karshi njerëzve të tjerë. Mos ia lejo vetes të bësh padrejtësi dhe të vdesësh në atë gjendje! Mos ia lejo vetes t’i bëhesh krah një zullumqari dhe të padrejti, qoftë edhe të heshtësh ndaj një padrejtësie! Mos ia lejo vetes t’i bësh padrejtësi një nëne dhe ta privosh atë nga fëmijët e saj! Mos ia lejo vetes t’u bësh padrejtësi shërbëtorëve të tu! Mos ia lejo vetes t’u bësh padrejtësi punonjësve dhe vartësve të tu! Mos ia lejo vetes t’i bësh padrejtësi një gruaje të ve! Mos ia lejo vetes t’i bësh padrejtësi një jetimi! Mos ia lejo vetes t’u bësh padrejtësi të vobektëve dhe njerëzve në nevojë! Mos ia lejo vetes t’u bësh padrejtësi grave! Mos ia lejo vetes t’i bësh padrejtësi çirakut, ose t’ia vonosh rrogën! Ruaje veten nga mallkimi dhe lutja kundër teje e dikujt, që i ke bërë padrejtësi! Mos prano të shoqërohesh me zullumqarë, se mund të të përfshijë mallkimi i personave, të cilëve u ka bërë zullum! Mos prano të ecësh mbi tokën e Zotit dhe nën qiellin e Tij, ndërkohë që i ke hyrë dikujt në hak! Zoti thotë në Kuran: “Atëherë, një lajmëtar midis tyre do të thërrasë: “Mallkimi i Allahut është mbi keqbërësit.”[1]

Njeriu i padrejtë dhe zullumqar është i mallkuar dhe kurrë nuk do i shpëtojë dorës së drejtësisë. “Zullumqarët nuk do të kenë askënd që t’i ndihmojë.”[2]

Mos ji nga ajo kategori njerëzish, që me të tjerët sillet mirë, kurse familjarët e tij i trajton keq! Mos ji nga ata njerëz, të cilët u bëjnë padrejtësi grave! Mos ia lejo vetes të vësh dorë mbi gruan tënde! Mos ia lejo vetes ta ofendosh, ta nënshtrosh dhe ta nëpërkëmbësh! Mos ia moho dhe mos e privo nga të drejtat e saj! Mos u bëj padrejtësi fëmijëve të tu, duke i trajtuar keq! Mos u bëj padrejtësi prindërve të tu, duke u sjellë keq me ta! Mos prano t’i bësh padrejtësi qoftë dhe vetes tënde dhe kjo duke heshtur kur të tjerët të ofendojnë dhe të nëpërkëmbin! Mos prano të fillosh agjërimin e Ramazanit me padrejtësi mbi supe! Mos prit të të vijë vdekja dhe të ndahesh nga kjo botë, me zullume në kurriz. Zoti thotë në Kuran lidhur me ndëshkimin e zullumqarëve Ditën e Kiametit: “Ne kemi përgatitur për mohuesit keqbërës një zjarr, që do t’i rrethojë nga të gjitha anët (si çadra). Nëse do të kërkojnë ndihmë, do t’u jepet një ujë si xehja e shkrirë, që do t’ua përcëllojë fytyrat. Sa pije e tmerrshme është ajo e sa strehim i keq është ai (zjarri)!”[3]

Nëse të mashtron forca dhe pushteti, që të sillesh padrejtësisht me njerëzit, kujto forcën dhe pushtetin e Allahut të madhëruar. Zoti thotë në Kuran: “Sikur keqbërësit të shihnin që tani çastin kur të përballen me ndëshkimin, do ta kuptonin se e tërë fuqia i përket Allahut dhe se dënimi i Tij është fort i ashpër.”[4]

Një ndër ligjet e Zotit në këtë botë, është se kushdo që bën padrejtësi mbi njerëzit e tjerë, do e shijojë padrejtësinë në kurrizin e tij, herët a vonë.

Ushtarët e faraonit therrin vetëm foshnjat meshkuj

Siç e përmendëm më lart, ushtarët e faraonit thernin vetëm foshnjat e seksit mashkull të Benu Israilëve, të cilët më pas i hidhnin në lumin Nil. Benu Israilët ishin të topitur nga kjo vepër e shëmtuar dhe mizore, por nuk dinin ku të ankoheshin. Mos duhej që shqetësimin dhe hallin e tyre t’ia paraqisnin faraonit?! Diçka e tillë u vajti në mendje, por kishin dyshime se zëri i tyre nuk do të dëgjohej. Gjëja më e vështirë është kur të bëhet padrejtësi dhe nuk ke ku të ankohesh.

Por, ajo që i la pa fjalë dhe i hutoi ishte kur zbuluan se vetë faraoni kishte dhënë urdhër të vriteshin djemtë e tyre të sapolindur. Kishte vetëm një muaj që faraoni kishte nxjerrë një dekret, sipas të cilit, duheshin vrarë të gjithë foshnjat meshkuj, që lindnin tek Benu Israilët. Brenda një kohe të shkurtër, numri i foshnjave të vrara arriti në njëmijë.

Të gjithë këto ngjarje të frikshme dëgjoheshin nga një familje, e cila përbëhej nga prindërit dhe dy fëmijë. Nëna quhej Jukabid dhe ishte një nënë besimtare e sinqertë. Jukabid në gjuhën e vjetër hebraike do të thotë “e fisshme dhe dinjitoze”. Mesa duket prindërit e saj e ndjenin poshtërimin dhe nënshtrimin nga egjiptianët dhe i vunë këtë emër, me qëllim që ajo të jetonte e fisshme dhe krenare. Babai i familjes quhej Imran dhe gjyshi i tij ishte profeti Jakub (a.s.). Ky çift ishin prindërit e profetit të ardhshëm, Musait (a.s.).

Gjenealogjia e familjes së profetit Musa (a.s.)

Profeti Jakub (a.s.) është nga paraardhësit e profetit Musa (a.s.). Ai bashkë me dymbëdhjetë fëmijët e tij u vendosën në Egjipt. Një nga vëllezërit e Jusufit (a.s.) quhej Lahi. Ai pati një djalë me emrin Azir dhe ky i fundit një djalë me emrin Fahith. Prej Fahith lind Imrani, babai i Musait (a.s.), i cili kishte tre fëmijë: Merjem, Harun dhe Musai (a.s.). Mes profetit Musa (a.s.) dhe profetit Jusuf (a.s.) janë katërqind vjet.

Çfarë u ndodhi Benu Israilëve pas vdekjes së Jusufit (a.s.)? Përse u ushtruan mbi ta gjithë ato padrejtësi dhe zullume? Si ka mundësi që faraoni i ndëshkoi kaq mizorisht, duke u therur djemtë dhe duke ua hedhur në lumë dhe e gjitha kjo pa asnjë arsye të fortë?! Vallë, çfarë kishin bërë Benu Israilët, që të meritonin një trajtim të tillë?

Që t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, duhet të kthehemi katërqind vjet më herët, në kohën e profetit Jusuf (a.s.). Ne duhet t’i referohemi fillimisht shkakut, që i solli Benu Israilët në Egjipt dhe si u sollën ata me banorët vendas gjatë katërqind viteve. Duke iu referuar historisë së tyre të mëparshme, ne zbulojmë një vlerë tjetër të rëndësishme, atë të drejtësisë dhe të distancimit nga zullumi. Kështu, shohim që Benu Israilët, gjatë qëndrimit të tyre në Egjipt bënë disa padrejtësi, gjë të cilën e provuan mbi kurriz më vonë. Historia e Musait (a.s.) dhe ajo e Benu Israilëve në Egjipt, flet mbi rrezikun dhe pasojat e padrejtësisë.

 Si hynë Benu Israilët në Egjipt?

Zanafilla e Benu Israilëve në Egjipt është një fëmijë i vogël me emrin Jusuf. Ai u hodh dhe u braktis në një pus nga vëllezërit e tij. Nga pusi e nxori një karvan tregtarësh dhe e shitën në Egjipt. Atje e bleu ministri i financave të Egjiptit, në shtëpinë e të cilit iu bënë të gjithë nderet dhe u trajtua si të ishte fëmija i tij. Gjatë qëndrimit në shtëpinë e ministrit u josh nga e shoqja e tij dhe kështu përfundoi në burg. Mbreti egjiptian pa një ëndërr, të cilën e komentoi vetëm Jusufi (a.s.). Kjo u bë shkas që të shpëtonte Egjipti dhe gjithë Lindja e Mesme nga zia. Më vonë, si shpërblim, Jusufit iu dorëzuan thesaret e Egjiptit. Gjatë këtyre viteve, ai u takua me familjarët e tij, të cilët i mori në Egjipt dhe aty e ndërtuan jetën. Kështu, i pari që shkeli Egjiptin nga Benu Israilët ishte Jusufi i vogël. Është e çuditshme se si e menaxhon Zoti gjithësinë. Hedhja në pus e një djali të vogël, bëhet shkak për ndryshimin e rrjedhës së historisë së Egjiptit dhe të shumë popujve të tjerë.

Profeti Jusuf (a.s.) e filloi jetën e tij me të gjithë nderet në Egjipt. Edhe pse u burgos, ai doli nga burgu kryelartë dhe krenar, saqë vetë mbreti deklaroi: “Mbreti tha: “Ma sillni atë, do ta marr pranë vetes.” Pasi bisedoi me të, i tha: “Qysh sot, ti ke pozitë të lartë dhe je i besuar.” (Jusufi) i tha: “Më cakto përgjegjës të depove të vendit, sepse unë jam ruajtës dhe njohës (i mirë i këtyre punëve)”. Dhe kështu, Ne i dhamë Jusufit pozitë në atë vend dhe ai kishte çfarë të dëshironte.[5]

Jusufi (a.s.) ishte ministri më i famshëm dhe më i rëndësishëm i gjithë Egjiptit asokohe. Ai ishte përgjegjës për gjithë thesarin dhe magazinat e ushqimit të vendit.

Kush ishte mbreti i Egjiptit asokohe?

Egjipti në atë kohë, udhëhiqej nga dinastia Heksos. Shtresa udhëheqëse nuk ishin egjiptianë dhe ishte hera e parë që Egjipti udhëhiqej nga individë, të cilët nuk ishin egjiptianë. Një fakt i tillë e shqetësonte popullatën egjiptiane. Dinastia Heksos, ishin fise që kishin ardhur nga disa krahina të Kinës së sotme. Kushtet ekonomike i kishin detyruar të sulmonin shtet pas shteti, gjersa u stabilizuan në Egjipt. Pasi e morën dhe Egjiptin, ata qëndruan në këtë vend për dyqind vjet. Gjatë kësaj kohe, ata e keqtrajtonin në masë popullatën vendase të Egjiptit. Një trajtim i tillë, përveç faktit që ishin pushtues, e shtoi urrejtjen e egjiptianëve.

Politikat ekonomike të profetit Jusuf (a.s.)

Duke e ditur urrejtjen e egjiptianëve, Heksosët kërkuan ndihmën e kombeve të tjera që banonin në Egjipt, që ta ruanin pushtetin e tyre politik dhe ekonomik. Kështu, ata gjetën një person, i cili quhej Jusuf (a.s.) dhe i dorëzuan ministrinë e ekonomisë, në një kohë krize dhe zie. Jusufi (a.s.) ishte besimtari i parë, i cili e administroi vendin gjatë një krize ekonomike rajonale.

Profeti Jusuf (a.s.) e mori postin e ministrit dhe e menaxhoi me sukses krizën, që kishte përfshirë rajonin e Lindjes së Mesme. Ai e njihte edhe situatën politike e shoqërore, si edhe marrëdhëniet e shtresës qeverisëse të Heksosëve me popullatën egjiptiane. Vallë, si do të sillej ai në këtë post? A do të bëhej krah me zullumqarin? E si mund ta bënte këtë një profet i Zotit? Profeti Jusuf (a.s.) zgjodhi parimin e drejtësisë. Duke qenë se kishte në dorë thesaret dhe magazinat e ushqimit, ai mund të furnizonte me ushqim kë të donte gjatë krizës. Ai e deklaroi politikën e tij ekonomike gjatë krizës dhe vendosi barazinë për të gjithë nevojtarët. Kështu, ai shpalli se kushdo prej banorëve të Egjiptit, Heksos qoftë apo çfarëdo tjetër, i cili shkon të furnizohet me ushqim, nuk mund të marrë më shumë se një deve drithë. Të njëjtën sasi ushqimi dhe drithi ai ua dha edhe vëllezërve të tij, pa u dhënë asnjë kokërr më shumë.

Për shkak të kësaj drejtësie dhe barazie me të gjithë, Jusufi (a.s.) fitoi simpatinë e Heksosëve, por edhe të popullatës egjiptiane. Jusufi (a.s.) vazhdoi të ishte i respektuar nga të gjitha shtresat e popullatës, sepse ishte i drejtë dhe i trajtonte të gjithë njëlloj. Frenoje veten o vëlla dhe oj motër nga padrejtësia! Kurrë mos u sill padrejtësisht me një grua, me një jetim dhe kurrë mos i hyr në hak njeriu!

Jusufi (a.s.) ishte simbol i drejtësisë në Egjipt dhe për këtë fitoi zemrat dhe simpatinë e të gjithëve. Dikush me të drejtë mund të pyesë: “Përderisa paska qenë kaq i shtrenjtë, përse egjiptianët e vjetër nuk ruajtën asnjë shenjë të profetit Jusuf (a.s.)?”

Kjo ndodhi sepse kur Heksosët e humbën pushtetin dhe u dëbuan nga Egjipti, egjiptianët e vjetër shkatërruan gjithçka, që kishte të bënte me ta. Ndër to edhe ndonjë shenjë dhe mbetje të Jusufit (a.s.).

Pasi u vendos vetë profeti Jusuf (a.s.) në Egjipt, i kërkoi mbretit Heksos që të sillte edhe familjen e tij dhe ai pranoi. Kjo ngjarje shënon edhe shkeljen e Benu Israilëve për herë të parë në tokën e Egjiptit. Babai i Jusufit (a.s.), Jakubi (a.s.), u vendos në Egjipt bashkë me fëmijët e tjerë, fëmijët dhe nipërit e tyre. Numri i tyre ishte gjashtëdhjetë vetë kur hynë në Egjipt. Kurse kur u larguan nga Egjipti, numri i tyre ishte gjashtëqind mijë.

Sot, hebrenjtë pretendojnë se i kanë ndërtuar ata piramidat e Egjiptit. Por kjo është një gafë historike, e cila hidhet poshtë krejt kollaj. Në fakt, piramidat janë ndërtuar mijëra vjet para se hebrenjtë të hyjnë në Egjipt, gjatë sundimit të familjeve Hofo dhe Hafra. Egjipti asokohe ishte i ndarë në familje dhe piramidat u ndërtuan në familjen e tretë. Ndërkohë Heksosët hynë në Egjipt në familjen e gjashtëmbëdhjetë, gjë e cila i rrëzon pretendimet e çifutëve, se janë ata që i ndërtuan piramidat.

Toka ku u vendosën Benu Israilët

Mbreti Heksos, duke dashur ta nderojë dhe shpërblejë familjen e Jusufit (a.s.), u ofroi tokën më të mirë në Egjipt. Kjo tokë ishte e mirë dhe pjellore, pasi banorët egjiptianë e kishin bërë të tillë. Por Jusufi (a.s.) e refuzoi këtë ofertë me mirësjellje dhe pa shkaktuar zemëratë tek mbreti. Ai i tha: “Ne jemi popull që nuk e njohim bujqësinë. Gjatë gjithë jetës jemi marrë me bagëti, prandaj, nëse dëshiron të na nderosh, na jep vend në shkretëtirë dhe larg qytetit, që të kullosim bagëtitë”.

Këtë e bënte me qëllim që të shmangte çdo fërkim dhe pakënaqësi tek egjiptianët vendas.

Mbreti Heksos i tha: “Merrni fushat në Gasan atëherë.”

Ajo ishte një tokë që nuk i interesonte askujt prej egjiptianëve, pasi nuk shërbente për mbjellje dhe kultivim. Kështu, Jusufi (a.s.) e solli familjen e tij në Egjipt dhe u tha: “Hyni në Egjipt! Me lejen e Allahut, ju do të jeni të sigurt prej çdo të keqeje.”[6]

Prindërit dhe vëllezërit e Jusufit (a.s.) u vendosën në Egjipt si miq dhe një miku nuk i takon të pretendojë pronësinë e mikpritësit. Kështu duhet të jetë, edhe nëse miku qëndron në shtëpinë e mikpritësit me vite të tëra. Këtë fakt e konfirmon edhe profeti Musa (a.s.) kur i kërkoi faraonit t’i lejonte çifutët të largoheshin nga Egjipti. Ata kishin ardhur si miq dhe mund të largoheshin tashmë. A e shihni sa mesazhe dhe koncepte përcjell historia e Musait (a.s.)?

Vdekja e profetit Jusuf (a.s.)

Jusufi (a.s.), prindërit dhe vëllezërit e tij jetuan në paqe mes egjiptianëve në tokën e Gasanit. Me drejtësinë e Jusufit (a.s.), ata kishin fituar simpatinë e të gjithë banorëve. Babai i Jusufit (a.s.), Jakubi (a.s.) dhe më pas Jusufi (a.s.) ndërruan jetë, pasi e kishin përfunduar misionin e tyre. Ata vdiqën dhe u varrosën në tokën e Egjiptit.

Jusufi (a.s.) e ndjeu që para se të vdesë se vëllezërit e tij nuk do të mund ta ruanin ekuilibrin e raporteve si miq në tokën e Egjiptit. Ai profetizoi se një pjesëtar i Benu Israilëve do nxjerrët nxirrte popullin e tij të poshtëruar dhe të nëpërkëmbur nga toka e Egjiptit, duke u kthyer krenarinë dhe fisnikërinë.

Me vdekjen e Jusufit (a.s.), Benu Israilët i ndryshuan raportet me vendasit. Nuk është se filluan të silleshin padrejtësisht me vendasit, por filluan të krijojnë marrëdhënie më të ngushta me Heksosët, në kurriz të egjiptianëve. Ata i shihnin padrejtësitë dhe zullumet, që dinastia e Heksosëve ushtronte mbi egjiptianët, por nuk reagonin. Kështu, motoja e tyre ishte: “S’ka ç’më duhet mua”. Besoj se kjo moto është shumë e njohur dhe e pranishme edhe sot e kësaj dite.

Vëllezërit dhe populli i Jusufit (a.s.), jo vetëm që nuk flisnin kur shihnin padrejtësitë e Heksosëve, por fajësonin edhe egjiptianët. Ata u bënin komplimente dhe u serviloseshin Heksosëve, duke u thënë: “Në fund të fundit, ju jeni qeveria! Përse të mos durojnë dhe të ulin kokën?!”

Kur e shihnin një ushtar Heksos duke rrahur një egjiptian të thjeshtë thoshin: “E meriton të rrihet! Ai e ka fajin për gjithçka!” Këtë e bënin me qëllim që të fitonin simpatinë e Heksosëve.

Egjiptianët filluan t’i konsideronin Benu Israilët si të të njëjtit nivel me zullumqarët dhe keqbërësit e tjerë nga Heksosët. Kjo ua shtoi urrejtjen për çifutët dhe filluan të bëjnë diferencime mes tyre dhe Jusufit (a.s.), i cili kishte vendosur drejtësinë dhe barazinë mes tyre. Ndjenja që Benu Israilët janë njëlloj me Heksosët vazhdoi të thellohej dhe të rrënjosej tek egjiptianët.

Me kalimin e kohës, vjen një person, i cili quhej Uhmus dhe arriti t’i dëbonte Heksosët nga Egjipti. Tashmë kishte ardhur koha, që zullumqarët të ndëshkoheshin dhe të nëpërkëmburit, të hakmerreshin. Të gjithë ata që i kishin përkrahur Heksosët u distancuan prej tyre. Zoti thotë në Kuran: “Zullumqarët nuk do të kenë askënd që t’i ndihmojë.”[7]

Është një ndër ligjet më statike të kësaj bote, që kushdo që ushtron dhunë ndaj të tjerëve, do të vijë dikush tjetër që të ushtrojë dhunë mbi të.

Uhmus i dëboi Heksosët nga Egjipti dhe i përndoqi deri në Siri, duke i vrarë e prerë pa mëshirë, derisa i zhduku të gjithë. Që prej asaj kohe, nuk u dëgjua më emri Heksos. Ky ishte ndëshkimi i atyre që u sollën padrejtësisht me njerëzit dhe të pambrojturit. Prandaj ruaje veten nga padrejtësia vëlla dhe motër e nderuar! Mos mendo se gjithçka harrohet.

Nëse ty vëlla dhe motër të është bërë padrejtësi, ke armën më të fuqishme, që është lutja kundër zullumqarëve. Mos mendo se Zoti është i pavëmendshëm për vuajtjet e tua!

Me të larë hesapet me Heksosët, Uhmusi iu kthye Benu Israilëve, atyre që ishin bërë palë me zullumqarin. Benu Israilët u ndëshkuan rëndë nga Uhmusi, pasi të gjithë i kishin fiksuar në një kornizë me zullumqarët Heksosë.

Nëse vetë nuk sillesh padrejtësisht me njerëzit, atëherë distancohu edhe nga zullumqarët, mos qëndro me ta dhe mos u bëj vegël e tyre. Zoti thotë në Kuranin famëlartë: “Dhe mos anoni nga ata që bëjnë padrejtësi, përndryshe do t’ju përcëllojë Zjarri. Ju nuk do të keni mbrojtës tjetër, përveç Allahut dhe nuk do të ndihmoheni.”[8]

Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur umeti im të frikësohet nga përballja me zullumqarin dhe të ketë frikë t’i thotë ‘Ti je zullumqar!’ laji duart prej tyre.” Nuk ka më dobi tek njerëz të tillë. Në një hadith tjetër, Profeti (a.s.) thotë: “Duhet të urdhëroni për mirë dhe të ndaloni nga e keqja. Përndryshe Zoti mund t’ju sjellë ndëshkimin e Tij, ku do i luteni dhe Ai nuk do t’ju përgjigjet.”

 Çfarë u ndodhi Benu Israilëve?

Përderisa Benu Israilët nuk ecën në rrugën e Jusufit (a.s.), heshtën para zullumeve të Heksosëve dhe shoqëroheshin me ta, i përfshiu hakmarrja e të dhunuarve dhe e të nëpërkëmburve. Atyre u ndodhën gjashtë gjëra të rënda, të cilat e ndryshuan të gjithë hartën e Egjiptit asokohe:

1 – Menjëherë u nxor një dekret, i cili i shndërronte të gjithë Benu Israilët nga njerëz të lirë në robër dhe skllevër. Prandaj, kur vajti Musai (a.s.) dhe i foli faraonit mbi Zotin, paria e tij tha: “Vallë a t’u besojmë dy njerëzve që janë si ne, ndërkohë që populli i tyre janë robërit tanë?!”[9]

2 – U dëbuan nga toka ku jetonin, në Gasan dhe u konfiskuan të gjithë pronat dhe pasuritë e tyre. Kështu, nga të pasur, u shndërruan në të varfër.

3 – Pasi u dëbuan nga Gasani, u vendosën pranë brigjeve të lumit Nil, në shtëpi prej balte dhe kasolle kashte. Kjo pasi kishin banuar në pallate luksoze pranë Heksosëve.

4 – I ndanë në dy lagje në dy anët e Nilit, ajo veriore dhe jugore. Këtë e bënë me qëllim që të mos i lejonin të organizoheshin dhe të bashkoheshin.

5 – I privuan nga arsimi, me qëllim që të jetonin në injorancë dhe padije.

6 – I angazhuan në punë të rënda dhe të vështira, por pa shpërblim.

Edhe pse të nënshtruar dhe nuk shpërbleheshin për punën, Benu Israilët në këtë gjendje ishin më të mirë se shumë të rinj sot, të cilët qëndrojnë të papunë. Kjo ndodh, sepse ai që punon pa shpërblim, të paktën i gëzohet prodhimit që bën.

Përshkrimi i qytetit ku jetonin Benu Israilët dhe ku lindi Musai (a.s.)

Kryeqyteti i Egjiptit asokohe ishte Beramesisi dhe ndodhej në provincën lindore. Ai është vendi ku u zhvilluan ngjarjet më të rëndësishme në kohën e Musait (a.s.).

Bramasis është një fjalë e vjetër egjiptiane, që do të thotë “shtëpia e perëndisë Ra”, që është personifikuar tek faraoni Ramsis. Aty jetonin Benu Israilët të nënshtruar dhe të poshtëruar dhe po aty do lindi profeti Musa (a.s.). Lumi Nil asokohe kishte shumë degë dhe një nga këto degë, arrinte gjer tek kryeqyteti Bramasis. Lagjja ku lindi Musai (a.s.) është në jug, qyteti i faraonit dhe shtresës së tij në mes dhe lagja tjetër e çifutëve në veri. Kur nëna e Musait (a.s.) e hodhi djalin e saj në Nil, lumi e mori dhe e shpuri mu para pallatit mbretëror të faraonit.

Të shoqëruarit me zullumqarët dhe dëshira për të fituar simpatinë e tyre, i shndërroi Benu Israilët në shtresën më të ulët të shoqërisë egjiptiane. Faraoni dhe shtresa qeveritare ushtruan mbi çifutët të gjithë llojet e nënshtrimit, të poshtërimit dhe të nëpërkëmbjes. Benu Israilët filluan të mësoheshin me këtë situatë dhe as nuk u shkonte në mendje ta kundërshtonin dhe ta refuzonin këtë trajtim. Aq të nënshtruar ishin, saqë i shihnin foshnjat e tyre meshkuj të thereshin para syve të tyre dhe nuk ishin në gjendje ta refuzonin këtë akt të shëmtuar, apo të ankoheshin.

“Kujtoni kur Ne ju shpëtuam nga populli i Faraonit, i cili ju mundonte pa masë: fëmijët meshkuj jua vriste, kurse femrat tuaja jua linin gjallë.”[10]

Përse vriteshin vetëm meshkujt dhe jo edhe femrat?

Me një vepër të tillë, faraoni synonte të shkatërronte ekuilibrin mes përqindjes së meshkujve dhe të femrave tek çifutët. Duke pasur femra, të cilat nuk do të gjenin dot një burrë, me të cilin të martoheshin dhe vëllezër, të cilët t’i mbronin, faraoni e kishte më të kollajtë që t’i çonte drejt degjenerimit. Edhe këtë Benu Israilët e pranuan dhe nuk ngritën krye.

Unë i bëj thirrje çdo prindi që të mos e poshtërojë fëmijën e tij. Unë u bëj thirrje që të mos i rrihni fëmijët, sidomos para shokëve të tyre. Mos e nënshtro dhe poshtëro veten me gjynahe, o vëlla!

Aq shumë ishin nënshtruar dhe poshtëruar çifutët, saqë u thereshin djemtë para syve dhe heshtnin. Vajzat e tyre degjeneroheshin dhe vepronin vepra të ulëta dhe ata sërish heshtnin. Poshtërimi dhe nëpërkëmbja shkakton dëmtime më të rënda në psikologjinë e njeriut se çfarë mund të shkaktojë flaka në fytyrë.

Një realitet i tillë, e bënte mesazhin e profetit Musa (a.s.) shumë të vështirë. Ai e filloi mesazhin dhe misionin e tij me fjalën më të vyeshme në univers La ilahe il-l Allah (Askush tjetër përveç Allahut nuk meriton t’i nënshtrohemi dhe t’i përulemi me përkushtim). A e kupton tani përse përsëritet kaq shpesh historia e Musait (a.s.) në Kuranin fisnik? Pesëdhjetë sure të tij flasin mbi detaje të historisë së Musait (a.s.).

Ne sot përballemi ose me njerëz, të cilëve u është bërë padrejtësi, janë nëpërkëmbur dhe poshtëruar, ose me njerëz zullumqarë, të cilët shfrytëzojnë kompetencat dhe aftësitë që u ka dhënë Zoti, për të poshtëruar dhe dhunuar të tjerët.

Unë i bëj thirrje çdo myslimani, zullumqar qoftë apo i nëpërkëmbur, që të reflektojë dhe t’i thotë “ndal” kësaj gjendjeje. Nëse je i nëpërkëmbur, i dhunuar dhe i poshtëruar dhe nuk ke çfarë të bësh, të paktën ngriji duart drejt Atij, i Cili dëgjon çdo pëshpërimë dhe thuaji: “O Zot! Unë nuk kam tjetër veç Teje, prandaj më ndihmo dhe më nxirr nga kjo gjendje!”. Kërko ndihmën e Atij, i Cili ka në dorë gjithçka dhe është i Gjithëfuqishëm e i Pushtetshëm mbi këdo tjetër. Gjëja më e keqe është që të durosh padrejtësinë dhe të mos kesh mundësi t’i ngresh qoftë dhe duart të kërkosh ndihmën e Zotit.

Zanafilla e triumfit të Benu Israilëve ishin pikërisht lutjet e nënave që u thereshin foshnjat para syve.

Thotë profeti Muhamed (a.s.): “Druhuni nga lutja e atij, të cilit i është bërë padrejtësi, pasi mes saj dhe Zotit nuk ka asnjë perde. Vetë Zoti thotë kur e dëgjon: “Betohem në fisnikërinë dhe krenarinë Time se do të ndihmoj qoftë dhe pas njëfarë kohe.”

Nëse je zullumqar dhe i padrejtë, mos harro se forca dhe kompetencat e tua nuk mund të krahasohen me forcën dhe pushtetin e Allahut të madhëruar. Kurrë mos e neglizho tjetrin, sado i dobët dhe i vobektë qoftë.

Ka njerëz, të cilëve u bëhet padrejtësi, por nga frika as nuk e lusin Zotin që të hakmerret. Por mos u mashtro se mund të flasë zemra e tyre më mirë se gjuha. Zemra e tij mund të thotë qoftë dhe një herë: “O Zot! Pres ndihmën Tënde”, dhe ndihma e Zotit nuk vonon.

Nëse të është bërë padrejtësi o vëlla dhe nuk ke gjetur rrugëdalje, bëj durim dhe mos u mërzit. Zoti thotë në Kuran: “Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë.”[11]  Ditën e Kiametit, ndërkohë që të gjithë do të japin llogari para Zotit për gjynahet që kanë bërë, ty mund të të thuhet: “Shko në Xhenet pa dhënë llogari, pasi të është bërë padrejtësi në dynja dhe ke duruar.”

Nëse je zullumqar dhe keqbërës, ruhu nga ndëshkimi i Zotit në këtë botë, para botës tjetër. Më ka treguar dijetari i mirënjohur nga Siria, Ratib En-nabulsi mbi një të ri zullumqar, rrugaç dhe keqbërës. Një ditë, ai po demonstronte aftësitë e tij në drejtimin e makinës. Atë ditë ishte ditë e ftohtë dimri dhe një qen kishte shtrirë këmbët mbi asfalt, pasi ishte më i ngrohtë. Në një çast, i riu u tha shokëve: “Tani më shihni se çfarë do të bëj!” dhe me makinën e tij kaloi mbi këmbët e qenit, duke ia prerë të dyja, por duke mos e shkelur vetë qenin, i cili shpërtheu në klithma dhe ulërima. Por Zoti nuk e pranon padrejtësinë dhe zullumin, qoftë dhe ndaj një qeni. Një javë më vonë, i riu ishte duke udhëtuar me makinë dhe papritur njëra nga gomat i shfryhet. Ai zbret dhe ulet në gjunjë, duke shtrirë këmbët pas. Në çast, vjen një makinë me shpejtësi dhe ia pret të dyja këmbët, ashtu siç ia kishte prerë ai vetë qenit.

Ti, o zullumqar, ruhu nga ndëshkimi i Zotit! Ti, o vëlla, që të është bërë padrejtësi, ngriji duart dhe lute Zotin të të vijë në ndihmë!

Një herë, teksa po flisja mbi padrejtësitë, që u ishin bërë Benu Israilëve në Egjipt, një nga të pranishmit më tha: “Ato që thatë më prekën shumë dhe për herë të parë u solidarizova me hebrenjtë. Por nga ana tjetër nuk më erdhi mirë për këtë solidarizim, sidomos kur më shkoi mendja mbi dhunën dhe padrejtësitë që çifutët ushtrojnë ndaj vëllezërve tanë palestinezë.”

Këtij të riu unë i thashë se parimi i drejtësisë dhe solidariteti me të vuajturin dhe me atë mbi të cilin ushtrohet dhunë, është diçka e kërkuar në Islam, pavarësisht se cilës fe apo etni i përket ai. Motoja e myslimanëve kudo që janë është: “Jo padrejtësisë!” Prej myslimanit kërkohet të jetë i qëndrueshëm në parime dhe vlera.

E gjithë historia e Musait (a.s.) është e mbushur me shembuj konkretë mbi pasojat e padrejtësisë. Heksosët u sollën padrejtësisht me egjiptianët, por në fund u ndëshkuan. Benu Israilët u bënë palë me zullumqarët dhe u ndëshkuan. Vetë faraoni u soll padrejtësisht me Benu Israilët dhe më vonë u ndëshkua. Është Zoti Ai, i cili hakmerret për shtresat pa përkrahje dhe që u është bërë padrejtësi. Vepro çfarë të duash, pasi çfarë të mbjellësh do të korrësh.

Autor: Amër Halid

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure A’raf: 44.

[2] – Sure Bekare; 270.

[3] – Sure Kehf: 21.

[4] – Sure Bekare: 165.

[5] – Sure Jusuf: 54 – 56.

[6] – Sure Jusuf: 99.

[7] – Sure Bekare: 270.

[8] – Sure Hud: 113.

[9] – Sure Mu’minun: 47.

[10] – Sure A’raf: 141.

[11] – Sure Zumer: 10.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *