El Kerimu – Bujari

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Emri që do të trajtojmë në këtë temë është El-Kerim. Ky emër përmban në vetvete një mesazh të rëndësishëm: Kurrë mos prano të nënshtrohesh dhe të përbuzesh. Kjo, pasi Allahu i Madhërishëm të ka nderuar dhe të ka bërë krijesën më të shtrenjtë në gjithësi.

Emri i Zotit El-Kerim, është përmendur në Kur’an dy herë: “O ti njeri, po ç’të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd që është Bujar. I Cili të krijoi, të përsosi dhe të drejtoi.Të formësoi në formën që Ai dëshiroi!”[1]  “Dhe kush mohon, Zoti im nuk ka nevojë për të dhe është Bujar.”[2]

Si emër dhe cilësi e Zotit të Madhërishëm, është përmendur edhe një herë tjetër në Kur’an, por në shkallën sipërore (Ekrem). Kjo ndodhet në suren Alak: ”Lexo! Se Zoti yt është më Bujari!”[3]

Bujarinë shumë njerëz e kufizojnë në dhënien e të mirave materiale. Ata e quajnë bujar këdo që jep të holla. Padyshim një njeri i tillë është bujar, por kuptimi i bujarisë është më gjithëpërfshirës. Shumë vajza, caktojnë si kriter të personit me të cilin do të martohen, që të jetë bujar. Me këtë, ato nënkuptojnë të mos jetë koprac dhe dorështrënguar.

Bujaria është një cilësi për çdo gjë të lavdërueshme. Çdo cilësi dhe atribut i mirë nga i cili përfitojnë të tjerët, në arabisht quhet bujari “Karam”.

Emri i Zotit El-Kerimu, nënkupton Atë që lavdërohet për gjithçka të mirë që vepron. Kështu emri El-Kerim përfshin të gjitha emrat dhe cilësitë e Allahut të Madhërishëm. Nga bujaria e Allahut të Madhërishëm është se Ai është Furnizues i të gjithë krijesave që ka krijuar. Nga bujaria e Tij është se Ai është Mëkatfalës, pasi fal gjynahet dhe të metat e robërve të tij. Nga bujaria e Tij është falja dhe mbulimi i të metave tona. Nga bujaria e Tij është se është Dhurues (El-Vehhab), pasi na dhuron të mira, edhe pa ia kërkuar. Nga bujaria e Tij është se është Pranues i lutjeve. Thotë profeti Muhammed (a.s): “Me të vërtetë që Zoti është Bujar dhe i vjen turp që, nëse njeriu i ngre duart dhe i lutet, t’ia kthejë duart bosh.”

Shkoi një beduin tek Profeti (a.s) dhe e pyeti: “O i Dërguari i All-llahut, kush do t’u kërkojë llogari njerëzve Ditën e Kijametit?” Profeti (a.s) ia ktheu: “Zoti!” – “Vetë Zoti?” – e pyeti përsëri beduini. – “Vetë Zoti!” – iu përgjigj Profeti (a.s) Beduini buzëqeshi kur e dëgjoi këtë. Profeti (a.s) e pyeti: “Përse buzëqesh, o vëlla?” Ai ia ktheu: “O i Dërguari i Allahut, Bujari kur ka në dorë diçka fal dhe kur kërkon llogari përsëri të fal.” Profeti (a.s) i tha: “Ashtu është, nuk ka kush të jetë më Bujar se Allahu.”

Çdo e mirë e ka burimin nga Allahu i Madhërishëm, i Cili është El-Kerimu. Allahu është Bujar në dhënien e Tij, në mëshirën, faljen, dhembshurinë, dashurinë… Bujaria absolute vjen dhe buron vetëm nga Allahu i Madhërishëm.

El-Kerim nuk të zhgënjen kurrë. Ti mund të shkosh tek një njeri dhe t’i kërkosh një nder duke i qarë hallin dhe duke e lutur. Në fund ai refuzon të ndihmojë. Kurse El-Kerimu është e pamundur të kthejë mbrapsht. Është e pamundur që të trokasësh në derën e Tij dhe mos të të hapet.

El-Kerimu të jep mirësi, edhe nëse nuk ia kërkon. Ne nuk i kemi kërkuar që ta bëjë të vlefshme Natën e Kadrit. Është Ai që e vlerësoi dhe e shenjtëroi këtë Natë të madhe. Ai nuk t’i kujton të mirat që të jep dhe të krenohet me to. Shkoi një i varfër tek Ali ibn Ebi Talibi (r.a) dhe i kërkoi t’i japë diçka. Aliu (r.a) urdhëroi shërbëtorin e tij që ta fikë llambën. Pasi u largua i varfëri, shërbëtori e pyeti mbi shkakun e fikjes së llambës. Aliu iu përgjigj: ”Nuk doja ta shoh në fytyrën, përuljen dhe nënshtrimin e lypjes.”

El-Kerimu nëse i kërkon falje, e pranon dhe të fal sido që të jenë arsyet.

El-Kerimu e ka bërë të bukur dhe tërheqëse natyrën që na rrethon. Nëse do të qëndronim para bukurive të natyrës, sikur na tërheq diçka për të vazhduar të vështrojmë dhe të meditojmë rreth bukurive të saj. Kështu, njeriu tërhiqet pas bukurive që El-Kerimu i ka dhënë natyrës. Ai do të tërhiqej edhe pas hijeshisë së Jusufit (a.s), i cili kishte gjysmën e bukurisë së gjithësisë. Si do të ndiheshe po të shihje bukurinë e Jusufit (a.s)? Si do të ndiheshe po të shohësh vetë profetin Muhammed (a.s)? Po sikur të hyje brenda Qabesë, Shtëpisë së Zotit,  çfarë do të ndieje? Unë kur hyra për herë të parë brenda ndërtesës së Qabesë, nuk dija ç’të them dhe si të lutem. Vetëm qëndroja i shtangur dhe i mahnitur nga madhështia e saj. Nëse kjo na ndodh me krijesat, si mund të ndihemi kur të shohim Krijuesin e gjithçkaje?!

Kudo që hedhim sytë në gjithësi, shohim bujarinë dhe mirësitë e El-Kerimit. Përveç kësaj bujarie të përgjithshme, Allahu i Madhërishëm ka edhe një bujari të veçantë vetëm për njeriun. Kjo, pasi ti, o njeri, je krijesa më e dashur dhe më e shtrenjtë tek Zoti: ”Ne vërtet i nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit)..”[4]

Nëse është vetë Alllahu i Madhërishëm Ai që të ka nderuar dhe vlerësuar, kurrë mos e prano përuljen dhe nënshtrimin. El-Kerimu të ka përzgjedhur dhe mes të gjitha krijesave të tjera, të nderoi ty: “Ne vërtet i nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), u mundësuam të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira, i vlerësuam ata (i lartësuam) ndaj shumicës së krijesave që Ne i krijuam.”  O ti njeri, po ç’të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd që është Bujar e i Urtë? I Cili të krijoi, të përsosi dhe të drejtoi. Të formësoi në formën që Ai dëshiroi!” 

Çdo lëvizje në namaz, besimtari e shoqëron me fjalët: “Allahu ekber!”, përveçse kur ngrihet nga rukuja. Kur ngrihet nga rukuja, besimtari thotë: ”SemiAllahu limen hamide!” dhe më pas e shoqëron me fjalët: ”Rabbena ve lekel hamd!” (O Zot, Ty të takon falënderimi!). Ne e falënderojmë Zotin për shkak se na ka dhënë formë të drejtë dhe jo si kafshët që janë të kërrusura. Nëse Allahu i Madhërishëm nuk do të na kishte dhënë fizik të drejtë, për të pirë ujë apo qumësht, do të na duhej ta pinim si macet. Nëse nuk do të ishin kyçet dhe forma aktuale e duarve, nuk do të mundeshim që të pinim ujë me gotë.

Kur Allahu i Madhërishëm u tregoi melekëve për atë që kishte vendosur: “(Përkujto Muhammed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj në tokë një zëvendës!” Melekët të çuditur pyetën: “A do të caktosh në tokë atë që bënë çrregullime dhe që derdh gjak, duke qenë se ne të madhërojmë me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë!” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini!”[5]

Po të mendojmë në fjalët e melekëve, do të gjejmë se ata kishin të drejtë për shqetësimin e tyre. Tashmë është evidente që njeriu ka shkaktuar çrregullime dhe ka derdhur shumë gjak mbi planetin tokë.

Përgjigjja e Allahut të Madhërishëm, ndaj shqetësimit të melekëve, ishte: “Unë di atë që ju nuk e dini!” Me këtë, sikur Zoti u thoshte: Është e vërtetë ajo që thoni, por të mirat që do të sjellë kjo krijesë, e bëjnë të meritueshme për rolin që do t’u caktoj mbi tokë. Nga këta njerëz, do të ketë të ndërgjegjshëm për rolin e tyre mbi tokë, do të ketë prej tyre profetë, besimtarë të mirë, dijetarë, reformatorë, adhurues të përkushtuar, njerëz që i duan të mirën planetit, gra që do të edukojnë fëmijët e tyre, njerëz gjenialë…

Diçka e tillë është si shembulli i një fermeri që merret me frutikulturë. Ai mbjell njëqind fidanë dhe prej tyre nuk mbijnë veçse njëzet të tilla. Fidanët e tjerë thahen të gjithë. Por këto njëzet fidanë që mbijnë, do të japin prodhim të bollshëm dhe cilësor. Kështu që, ajo që kërkohet është cilësia dhe jo sasia.

I tillë është edhe palloi, i cili vendos tetëdhjetë vezë, prej të cilave dalin vetëm 15 zogj.

Sado i vogël të jetë numri i njerëzve që do të adhurojnë Allahun e Madhërishëm, sado pak qofshin reformatorët e rrugës së Zotit, sado pak qofshin njerëzit e dashur të Tij, ata janë njerëzit më me vlerë. “Ndërsa, ata që besuan dhe bënë vepra të mira, të tillët janë krijesa më e dobishme.” [6]

Për shkak se ti, o njeri, je i shtrenjtë dhe i dashur tek Allahu i Madhërishëm, Ai i urdhëroi melekët që t’i përulen babait tënd, Ademit (a.s). Për shkak se ti je i shtrenjtë dhe i dashur tek Allahu i Madhërishëm, Ai e dëboi shejtanin nga Xheneti, kur refuzoi t’i përulej Ademit (a.s). Për shkak se je i dashur dhe i shtrenjtë tek Allahu i Madhërishëm, Ai të krijoi dhe të dha formë me duart e Tij fisnike: ”O Iblis, çfarë të pengoi të përulesh ndaj atij që e krijova me duart e mia?”[7]  Për shkak se je i dashur dhe i shtrenjtë tek Allahu i Madhërishëm, Ai të dha pjesë nga shpirti i Tij: ”Dhe nëse i jap formë dhe shpirt, ju i bini në sexhde.”[8] 

“Pasha fikun dhe ullirin! Dhe (kodrën) Turi Sina! Dhe këtë qytet të sigurisë! Vërtet, Ne e krijuam njerin në formën më të bukur.”[9] 

Fiku dhe ulliri në ajetet e mësipërme nuk simbolizojnë frutat, por vendin ku kultivohen këto fruta. Kështu, toka ku kultivohen këto dy fruta është Palestina. Allahu i Madhërishëm betohet në tre vendet më të shenjta mbi tokë. Ai betohet në Palestinën, në malin Turi Sina dhe në Meken e shenjtë, që njeriun e ka krijuar në formën më të mirë. Por kur njeriu e ndoti veten e tij dhe nuk e respektoi atë: “Pastaj e zbritëm atë në më të ultin e të ultëve. Përveç atyre që besuan dhe bënë vepra të mira; ata kanë shpërblim të pandërprerë.”[10]

Të njëjtin kuptim përçon dhe sureja Shems, ku Allahu i Madhërishëm thotë: “Pasha diellin dhe dritën e tij! Pasha hënën kur vjen pas tij! Pasha ditën kur ai (dielli) e shndrit! Pasha natën kur ajo e mbulon atë (dritën e diellit)! Pasha qiellin dhe Atë që e ndërtoi atë! Pasha tokën dhe Atë që e shtriu atë (e sheshoi)! Pasha njeriun dhe Atë që e krijoi! Dhe ia mësoi se cilat janë të këqijat dhe të mirat e tij. Pra, ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten. E ka dështuar ai që e poshtëroi vetveten.”[11]

E veçantë në këtë sure është se Allahu i Madhërishëm përmend kalimthi disa krijesa të Tij. Por kur vjen tek njeriu, Ai fillon të flasë mbi anën e tij shpirtërore. Padyshim se diçka e tillë tregon mbi vlerat dhe dashurinë e Allahut të Madhërishëm për njeriun.

Një tregues tjetër mbi dashurinë e Zotit për njeriun është se Ai na krijoi nga elementët më të pastër në univers, nga uji dhe dheu i tokës dhe nga shpirti me burim qiellin. Po përse vallë u krijuam nga dheu dhe uji? Përse të mos krijoheshim nga hekuri, me qëllim që të ishim rezistentë ndaj përplasjeve?! Përse të mos krijoheshim nga goma, me qëllim që të ishim rezistentë ndaj thyerjeve?!

Ne u krijuam nga uji dhe nga dheu, për shkak se këta dy elementë janë përbërësit më të pastër në univers. Me ujë lahemi dhe pastrojmë trupin dhe rrobat tona. Nëse na mungon uji, ne marrim tejemum dhe falemi mbi dhe, pasi është i pastër. Përfundimisht, ti, o njeri, je i pastër dhe je krijuar nga përbërësit më të pastër. Prandaj, ruhu se mos e ndot këtë pastërti dhe dëlirësi me të cilën të krijoi Allahu i Madhërishëm. Ajo që të ngriti dhe të lartësoi mbi krijesat e tjera, është shpirti me të cilin të pajisi Zoti i Madhërishëm.

Ti, o njeri, je krijesa e fundit që u krijua në tokë. Diçka e tillë i ngjan shtëpisë së re, e cila rregullohet për të pritur banorët e saj. E gjithë toka dhe gjithësia u përgatit për të pritur krijesën e fundit, njeriun.

Gjëja e parë që krijoi Allahu i Madhërishëm në gjithësi ishte penda, të cilën e urdhëroi të shkruajë gjithçka që do të ekzistojnë deri Ditën e Kijametit. Kurse njeriun, i cili do e përdorë këtë pendë për të vendosur rregullin mbi tokë, e krijoi të fundit. “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo! Se Zoti yt është më Bujari! Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.”[12]  Gjithësia i ngjan një peme të madhe, fruti i së cilës është njeriu. Ti je një nga krijesat më të vogla, por me mendjen, ndjenjat dhe shpirtin që ta dha Allahu i Madhërishëm, të është nënshtruar i gjithë universi.

Imagjinoni një mbret të fuqishëm, i cili preferon dhe mban pranë tij vetëm njërin nga robërit dhe shërbëtorët. Si nuk e kupton se pozitën që zë ti, o njeri, tek Allahu i Madhërishëm e kërkuan melekët dhe për të u bë xheloz shejtani? Si ka mundësi që ti tregohesh i shkujdesur ndaj këtij fakti? Si vallë nuk e beson Zotin? Si pranon ta ulësh veten me thyerje të urdhërave të Zotit, me mashtrim, vjedhje, hipokrizi, gjynahe… Ti, o njeri, je krijesa më e preferuar e Zotit në këtë botë. Allahu i Madhërishëm të ka nderuar dhe gjithçka tjetër e ka nënshtruar për të shërbyer ty. A nuk e shikon se si një fëmijë i vogël e çon një lopë nga të dojë ai?! Vetë peshku në det është i krijuar dhe i përshtatur me qëllim që ne ta gjuajmë dhe të ushqehemi me të. Çdo kafshë dhe çdo gjallesë është krijuar në atë formë që të na shërbejë ne njerërzve. Thotë Allahu i Madhërishëm në Kuran, mbi këtë fakt: “Dhe ua nënshtruam (kafshët) që t’u binden atyre…”[13] 

Allahu i Madhërishëm, ashtu siç ka përmbledhur të gjithë Kuranin tek sureja Fatiha, ka përmbledhur gjithësinë tek ti, o njeri.

Nga mirësitë dhe nderimet e Zotit për ty, o njeri, është se ka krijuar melekë të posaçëm që të ruajnë dhe të mbrojnë nga fatkeqësitë. Ka caktuar melekë të tjerë, të cilët do të shërbejnë në Xhenet. Kjo, pasi ti je krijesa më e nderuar dhe më e shtrenjtë tek Allahu i Madhërishëm. Nëse ti e kryen rolin dhe misionin për të cilin je krijuar, qëndron në shkallë më të lartë se melekët. E kundërta ndodh kur ti largohesh nga urdhërat dhe porositë e Zotit: kthehesh në krijesën më të ulët.

Nëse e do veten tënde, mos prano ta nënshtrosh dhe ta ndotësh me gjynahe. Me dashurinë për veten, nuk kemi si qëllim egoizmin. Ne e duam veten tonë, pasi është Allahu i Madhërishëm Ai që na krijoi dhe na nderoi. Ne e duam veten, pasi El-Kerimu së bashku me fizikun tonë, ka krijuar edhe një ndjenjë dhe instikt që është vetëvlerësimi. Secili prej nesh, kërkon ta shohë veten të respektuar, kërkon të ndihet krenar.

Psikologët pohojnë se njeriu udhëhiqet nga tre instikte kryesore:

Instikti i parë është ai i të ushqyerit. Instikti i dytë është ai i marrëdhënieve seksuale dhe i treti është dëshira për t’u ndierë i vlerësuar dhe i respektuar. Instikti i tretë është me qëllim që ta mbrojë njeriun nga veprat e këqia dhe nga gjynahet e mëdha, pasi janë këto ato që ia ulin vlerat. Secili prej nesh, krenohet me arritjet dhe sukseset e tij. Secili prej nesh, krenohet me historinë e të parëve të tij dhe të familjes së tij. Secili prej nesh, përpiqet t’i zvogëlojë dhe t’i fshehë dështimet, të metat dhe gabimet e veta. Secili prej nesh, e ka frikë skandalin dhe i ruhet emrit të keq. Kjo, për shkak se kërkon të vlerësohet dhe të ndihet i respektuar. Ti, o njeri, je përgjegjës për mbarëvajtjen e tokës dhe për këtë, All-llahu i Madhërishëm të ka pajisur me këtë instikt, i cili të mban larg veprave të ulëta. Për të kontrolluar instiktet e të ushqyerit dhe dëshirës për marrrëdhënie seksuale, Allahu i Madhërishëm e pajisi njeriun me instiktin e vetëvlerësimit dhe dëshirës për të qenë i respektuar.

Ajo që ndodh në çastet kur njeriu bën një vepër të ulët, është se i del vetja nga qejfi dhe nuk ndien respekt për të. Po të shohim, gjynahet ndahen në të vogla dhe në të mëdha. Quhen të mëdha, pasi janë vepra që e poshtërojnë më shumë personalitetin e njeriut. Të gjithë përdoruesit e drogës, ndihen të poshtëruar dhe të pavlerësuar.

Ditët e pushimit në vendet perëndimore, janë ditë ku konsumohet alkooli në masë. Vetëm një njeri që viziton një vend perëndimor dhe shikon gjendjen e njerëzve këto ditë, e kupton përse e ka ndaluar Allahu i Madhërishëm pirjen e alkoolit. Në këto ditë të zë syri njerëz që vjellin në mes të rrugës, mund të urinojnë në prani të njerëzve të tjerë…

Ai i martuar që e tradhëton gruan e tij me dikë tjetër, e ka ulur veten dhe e ka poshtëruar shumë. Ndjenja e krenarisë tek ky person nuk ekziston. Ai ka frikë nga gruaja se mos e merr vesh, hiqet sikur e dashuron atë dhe i plotëson çdo dëshirë të saj.

Ata djem të rinj që i ngacmojnë vajzat në rrugë, vajzat mund t’u thonë ndonjë fjalë ofenduese për fytyrën dhe dinjitetin e tyre, por djaloshi qesh. Qesh pasi u ofendua, u nënçmua, u përbuz… dhe për ta mbuluar këtë fyerje, ai qesh.

Ai që gënjën është njeriu më i ulët dhe më i poshtëruar, sidomos kur i zbulohet gënjeshtra. Atij që përgojon të tjerët, nëse i përgojuari i thotë se përse më ke përgojuar, do t’i bjerë qielli mbi kokë nga turpi dhe nga poshtërimi.

Hajduti që vjedh pasuritë e të tjerëve është njeriu më i ulët dhe më i nënçmuar, sidomos në momentin që zbulohet. Një tregtar kishte punësuar në magazinën e tij dikë për t’i shitur mallin. Në fund të çdo dite e pyeste se sa kishte shitur për atë ditë. Por shitësi nuk tregohej i sinqertë, duke i dhënë shifra më të ulëta shitjesh, ndërsa pjesën tjetër e merrte për vete, ngaqë edhe magazina ishte e madhe dhe nuk binte në sy. Një ditë tregtari merret vesh me një shok të tij që të shkojë tek shitësi dhe t’i kërkonte një sasi të madhe malli. Pasdite, kur të ishte edhe pronari në magazinë, të shkonte dhe t’ia kthente përsëri mallin me një pretekst çfarëdo. Dhe ashtu veproi, e bleu mallin. Pasdite shkon pronari si gjithmonë tek magazina dhe e pyet shitësin se sa kishte shitur për atë ditë. Shitësi ia fsheh mallin që bleu personi, me të cilin vetë tregtari ishte marrë vesh më parë, dhe i tregon mbi disa shitje të tjera të vogla. Në atë moment, futet blerësi në magazinë dhe i kërkon shitësit që t’ia kthejë mallin, pasi nuk i pëlqeu. Shitësi mashtrues u zbulua dhe doli i turpëruar dhe i nënçmuar me veprimin që kishte bërë. Shikoni se sa poshtë e ul vetën njeriu me veprat që vepron .

Mos e vër veten në pozita poshtëruese, o vëlla dhe o motër! Mos prano të poshtërohesh dhe të përbuzesh, për shkak të gjynaheve që vepron. Allahu i Madhërishëm të ka nderuar dhe të ka ngritur në gradë të lartë: “Ne vërtet i nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), u mundësuam të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira, i vlerësuam ata (i lartësuam) ndaj shumicës së krijesave që Ne i krijuam.”

Njoh një të ri që ngacmonte një vajzë, i qeshte dhe i fliste duke e ndjekur nga pas. Në ato çaste vjen vëllai i vajzës dhe e kap për krahu. Ai filloi t’i kërkojë të falur, duke e siguruar se diçka e tillë nuk do të ndodhte më. A ka poshtërisi dhe nënshtrim më të madh?

Një që tradhëton gruan, një që vjedh, një që gënjen, një vajzë që shoqërohet me djem, pa dijeninë e prindërve…, janë të poshtëruar dhe të nënshtruar.

Edhe sikur njerëzit të mos e dijnë atë që ke vepruar, vetë mendimi për atë që po vepron të bën të nënçmuar. A e dini se çfarë bën personi që kryen diçka të turpshme? Kërkon të rrijë vetëm, të ndryshojë ambient, të rrijë sa më larg njerëzve, të mos kontaktojë me asnjë…, pasi i vjen turp për atë që bëri. Psikologët, duke analizuar gjendjen e një njeriu që kryen vepra të ulëta (gjynahe), thonë se gjëja e parë që ndodh me të, është se i duket vetja e pavlerë. Nëse dikush mashtron një tjetër, mashtruesi është gjithmonë nën presinonin dhe ndjenjën e frikës se mos i mashtruari e kupton. Ai kontrollon çdo lëvizje të tij dhe i kushton vëmendje çdo fjale të tij, që të kuptojë nëse e ka kuptuar apo akoma jo. Çdo fjalë e tij e bën të dyshojë nëse ka kuptuar gjë apo jo. Mendoni se si mund të jetojë një njeri që jeton një jetë të tillë! Thotë Allahu i Madhërishëm në Kur’an, duke përshkruar gjendjen e hipokritëve: “…Çdo zë e mendojnë se është kundër tyre.”[14]

Gjynahet dhe veprat e ulëta që vepron njeriu, kanë ndikim edhe tek gjallesat e tjera. Thuhet në disa rrëfenja se kur nuk bie shi për një kohë të gjatë, kafshët thonë: ”O Zot, nuk po bie shi, për shkak të gjynaheve të njeriut.” Gjithashtu thuhet se kur vdes një njeri gjynahqar dhe i keq, kafshët thonë: ”Falënderojmë Allahun, i Cili na shpëtoi prej tij!”

Edhe nëse të ndodh ndonjë skandal dhe njerëzit e kuptojnë atë që ke vepruar, dije se është një mesazh nga Allahu i Madhërishëm, me qëllim që ta braktisësh rrugën e keqe. Fatkeqësitë që të bien, i ngjajnë dozave të ilaçit, të cilat vazhdojnë të shtohen, derisa i sëmuri të reagojë pozitivisht. Fatkeqësitë dhe sprovat, janë me qëllim që ti, o njeri, t’i kthehesh përsëri vlerësimit të vetes dhe krenarisë.

Ka njerëz që për shkak të gjynaheve të shumta dhe veprave të ulëta, nuk e ndiejnë më rëndësinë e krenarisë dhe të respektit të vetvetes. Kurse ka njerëz të tjerë që, edhe pse të varfër dhe të vobektë, nuk pranojnë që nderi dhe dinjiteti i tyre të cënohet.

Mos prano të vjedhësh dhe të shkatërrosh dinjitetin tënd! Mos prano të marrësh ryshfete dhe të marrësh nam të keq! Mos prano të gënjesh! Mos prano të ngacmosh vajzat! Mos prano të tradhëtosh bashkëshortin!

Shejtani në betejën e tij me njeriun, kërkon një gjë të vetme: Ta poshtërojë dhe ta ulë sa më poshtë njeriun. Kjo, pasi Allahu i Madhërishëm e nderoi njeriun, duke urdhëruar melekët t’i përulen atij dhe duke e mallkuar shejtanin për shkak të mosbindjes. Ai kërkon që t’i tregojë Allahut të Madhërishëm se është më i mirë se njeriu. Për këtë, ai i tha Zotit: “A e sheh këtë që e vlerësove mbi mua, nëse më le të jetoj deri në Ditën e Kijametit, unë do t’u vë fre atyre (dhe t’i çoj nga të dua), përveç një pakice prej tyre.”[15]

Ka shumë njerëz që shejtani u ka vënë frerin dhe i çon në çdo gjynah që dëshiron.

Çdo gjë që Allahu i Madhërishëm e ka ndaluar, e ka ndaluar për shkak se ajo cënon dinjitetin dhe personalitetin e njeriut.

Edhe që të përmendësh gjynahet dhe të metat e të tjerëve në publik, është mëkat. Për këtë, Profeti (a.s) thotë: “Kush e nënçmon një musliman për një gjynah që ka bërë, nuk do të vdesë, derisa të veprojë edhe ai atë gjynah.”

“Mos u gëzo me fatkeqësinë e vëllait tënd musliman, pasi Allahu i Madhërishëm mund ta falë dhe mund të sprovoj ty!”

Thotë Imam Ahmedi: ”Çdo gjynah me të cilin ke përbuzur vëllanë tënd, do e veprosh edhe ti.”

Ai që e poshtëron dhe e nënçmon veten e tij me gjynahe, do të ketë një fat të dhimbshëm Ditën e Kijametit. Thotë profeti Muhammed (a.s): ”Do të vijnë njerëzit Ditën e Kijametit duke ecur këmbadorazi, duke ecur në këmbë, ose duke ecur me fytyrë.” Shokët e pyetën të habitur: ”O i Dërguari i Zotit, po si ecin me fytyrë?!” Profeti (a.s) u përgjigj: ”Ai që i bëri të ecin me këmbë, do t’i bëjë të ecin edhe me fytyrë.”

Thotë Allahu i Madhërishëm në Kuran: “Ata që bënë krim do t’i godasë poshëtrimi dhe dënimi i fortë…”[16]

Ajetet e Kuranit që përshkruajnë ndëshkimin e zjarrit, herë e përshkruajnë si të fortë, herë si të dhimbshëm dhe herë si poshtërues. Kjo, sipas shkallës së gjynaheve që vepronin në dynja.

Autor: Amër Halidi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Infitar: 6 – 8.

[2] – Sure Neml: 40.

[3] – Sure Alak: 3.

[4] – Sure Isra: 70.

[5] – Sure Bekare: 30.

[6] – Sure Bejjine: 7.

[7] – Sure Sad: 75.

[8] – Sure Hixhr: 29.

[9] – Sure Tin: 1 – 4.

[10] – Sure Tin: 5 – 6.

[11] – Sure Shems: 1 – 10.

[12] – Sure Alak: 1 – 5.

[13] – Sure Jasin: 72.

[14] – Sure Munafikun: 4.

[15] – Sure Isra: 62.

[16] – Sure En’am: 124.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *