Manifestimi i ekuilibrit në ekonominë islame

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Ekuilibri në të gjitha veprimtaritë ekonomike islame përfshin gjashtë lloje:

1 – Ekuilibri në pronësi, përmes çështjeve të mëposhtme:

Prona nuk është vetëm individuale, siç ndodh në sistemin kapitalist liberal, dhe as nuk është vetëm kolektive – shtetërore – , siç ndodh në sistemin komunist; përkundrazi, ajo përfaqëson një harmonizim të saktë ndërmjet të dyjave. Kjo, sepse në Sheriatin islam prona individuale është e mbrojtur dhe nuk lejohet cenimi i saj, por njëkohësisht ajo i nënshtrohet disa kufizimeve në dobi të interesave të përgjithshme shoqërore në fushat e fitimit të pasurisë, prodhimit, konsumit, shkëmbimit dhe shpërndarjes. Gjithashtu, rishpërndarja e pasurisë i nënshtrohet plotësisht realizimit të interesit publik dhe parimit të solidaritetit shoqëror. Megjithatë, shteti ka të drejtën të mbikëqyrë këto kufizime, të japë orientime ekonomike, të përcaktojë përparësitë dhe të ndërmarrë masa të ngjashme me to.[1]

Po ashtu, liria e pronësimit është e lejuar brenda kufijve dhe rregullave të saj, ndërsa parimi bazë,  në kontrata dhe kushteve kontraktore është lejueshmëria, gjë e cila krijon një hapësirë të gjerë për veprimtarinë ekonomike.[2]

Islami ka vendosur kushte për pronësimin, duke e lidhur atë me shkaqe të ligjshme të fitimit të pasurisë, si dhe ka vendosur kufizime mbi pronën për të parandaluar lakminë, monopolin dhe pasojat e filozofisë materialiste. Në të njëjtën kohë, ai ka nxitur fuqishëm kërkimin e pasurisë dhe fitimin e saj, duke sqaruar rëndësinë dhe rolin e saj në ngritjen e umetit, me qëllim eliminimin e ndikimeve të asketizmit ekstrem dhe izolimit nga jeta shoqërore.

Gjithashtu, Sheriati ka vendosur shumë të drejta që lidhen me pasurinë, si zekati, shpenzimet e detyrueshme dhe të tjera, që pasuria të mos mbetet e përqendruar vetëm në një rreth të caktuar njerëzish, ashtu sikur Allahu thotë: “që ajo të mos qarkullojë vetëm ndërmjet të pasurve prej jush”[3] Megjithatë, Islami nuk e ka kufizuar pronësinë dhe pasurinë me një kufi maksimal të caktuar; përkundrazi, ai ka lënë një liri të rregulluar dhe të përgjegjshme, ku myslimani mund të fitojë miliona apo edhe miliarda, pa pasur asnjë pengesë, përderisa i përmbahet kushteve, kufizimeve dhe të drejtave të përcaktuara më sipër.

2 – Ekuilibri në prodhim

Ky ekuilibër realizohet përmes orientimit të prodhimit nga Islami drejt prodhimit të dobishëm, si dhe përmes ndalimit të prodhimit që i shkakton dëm njeriut, kafshës ose mjedisit.

Islami ka vendosur kufizime dhe rregulla mbi prodhimin, por njëkohësisht e ka konsideruar atë adhurim, duke i dhënë atij shpërblim dhe sevap të madh. Kjo, sepse kur një person prodhon diçka të dobishme, çdo njeri ose kafshë që përfiton prej saj, bëhet shkak që prodhuesi të fitojë shpërblim dhe sevap të vazhdueshëm. E njëjta gjë vlen edhe për forma të tjera të dobisë që burojnë nga ai prodhim.

3 – Konsumi

Konsumi duhet të mbështetet mbi masën e drejtë dhe ekuilibrin, bazuar në ajetin kuranor ku Allahu i Madhëruar përshkruan robërit e Tij të devotshëm: “Dhe ata që, kur shpenzojnë, nuk e teprojnë dhe as nuk janë dorështrënguar, por mbajnë një masë të mesme ndërmjet këtyre dyjave.”[4] Po ashtu, Allahu i Madhëruar thotë: “Mos e mbaj dorën tënde të lidhur për qafën tënde (duke mos dhënë asgjë), por as mos e shtrij atë krejtësisht (duke shpenzuar pa masë), që pastaj të mbetesh i qortuar dhe i varfëruar.”[5]

4 – Shkëmbimi përmes kontratave

Shkëmbimi ekonomik përmes kontratave, sipas teksteve të Sheriatit, duhet të bazohet në drejtësi dhe në barazinë e të drejtave ndërmjet palëve kontraktuese. Sheriati ka shpërndarë të drejtat dhe detyrimet ndërmjet dy palëve të kontratës, në mënyrë që të ruhet ekuilibri ndërmjet tyre. Nëse në këtë ekuilibër shfaqet ndonjë cenim ose çekuilibër, atëherë kontrata bëhet e palejueshme nga pikëpamja e Sheriatit. Për shembull, kontrata e huasë në Islam qëndron mbi një peshore me dy anë të baraspeshuara, në secilën prej të cilave janë vendosur të drejta dhe detyrime, ose anë pozitive dhe negative, në një ekuilibër të përpiktë. Në njërën anë qëndron huadhënësi (kreditori). Ana pozitive e tij është garantimi i kthimit të huasë sapo ajo t’i dorëzohet huamarrësit. Ndërsa në ana negative qëndron fakti se ai nuk ka të drejtë të marrë asnjë përfitim shtesë nga kjo hua. Në anën tjetër qëndron huamarrësi (debitori). Ana pozitive e tij është se ai përfiton nga përdorimi i plotë i pasurisë së marrë hua dhe nga çdo rezultat që ajo prodhon, pa pasur kreditori të drejtë në atë përfitim. Ndërsa ana negative qëndron tek përgjegjësia e tij për garantimin e kthimit të pasurisë së marrë hua në mënyrë absolute dhe në çdo rrethanë, madje edhe në raste të rrethanave të jashtëzakonshme.

Po ashtu, kontrata e mudarabesë sheriatike (el-kirad)[6] ka një ekuilibër të përbërë nga dy anë të peshores. Në njërën anë të peshores vendoset investitori ose menaxheri i kapitalit. Ana pozitive e tij është fakti se kapitali nuk është i garantuar prej tij, përveç rasteve kur ka ndodhur tejkalim i kufijve të lejuar ose neglizhencë dhe pakujdesi. Ndërsa ana negative qëndron tek pjesëmarrja e pronarit të kapitalit në rezultatin e punës së tij, sipas përqindjes së dakordësuar ndërmjet palëve (50% ose një përqindje tjetër).

Ndërsa në anën tjetër të peshores qëndron pronari i kapitalit. Ana pozitive e tij është pjesëmarrja në fitimin e realizuar nga investimi, ndërsa ana negative është fakti se kapitali i tij nuk është i garantuar nga mudaribi, përveç dy rasteve të përmendura më sipër: tejkalimit të kufijve dhe neglizhencës.

Kështu është edhe në të gjitha kontratat e tjera.

Ekziston edhe një çështje tjetër me rëndësi të jashtëzakonshme që është : domosdoshmëria e përdorimit të çdo kontrate sipas natyrës dhe objektivit të saj sheriatik, pa e ndryshuar karakterin e saj dhe pa e përdorur për qëllime të tjera nga ato për të cilat është vendosur.

5 – Shpërndarja

Mendimi ekonomik kapitalist ka vendosur përballë kapitalit – parave – një përfitim të garantuar, i cili është interesi, kamata. Ndërsa Islami e ka ndaluar kamatën, sepse ajo përbën një padrejtësi në peshoren e drejtësisë. Kjo ndodh, sepse të gjitha anët pozitive përqendrohen në njërën anë të peshores, atë të marrësit të kamatës (kreditorit me kamatë), ndërsa anët negative vendosen në anën e huamarrësit.

Kështu që ana e peshores së kreditorit me kamatë përfshin: garantimin e kthimit të kapitalit të tij; marrjen e një pjese shtesë nga pasuria – qoftë një përqindje e ndryshueshme apo fikse mbi kapitalin – në çdo rast dhe në të gjitha rrethanat.

Ndërsa ana e peshores së huamarrësit përfshin: barrën e garantimit të kthimit të kapitalit; si dhe detyrimin për të paguar një shtesë mbi kapitalin e marrë, e cila është interes e kamatë.

Për këtë arsye, Sheriati ka vendosur si alternativë të kamatës kontratat e ligjshme sheriatike, si: shitblerja, selem-i (parapagimi)[7], mushareke (ortakëria)[8], mudarabaja (investim), musakat (ujitje)[9], muzara’a (kultivim)[10] dhe kontrata të tjera të ngjashme, të cilat janë kontrata të drejta dhe të balancuara, të ndërtuara mbi shpërndarjen e të drejtave dhe detyrimeve ndërmjet të dyja palëve, si dhe mbi parimin: “Fitimi vjen përballë përgjegjësisë për humbjen” pra përfitimi është i lidhur me marrjen përsipër të rrezikut dhe përgjegjësisë, në të gjitha format e ortakërisë.

Nga një këndvështrim tjetër, kamata është padrejtësi ndaj shoqërisë, sepse ajo përbën një barrë mbi prodhuesin dhe konsumatorin. Ndërsa fitimi që rezulton nga kontratat sheriatike – veçanërisht kontratat e ortakërisë – është një fitim real, i bazuar mbi aktivitetin ekonomik të vërtetë. Sepse nëse nuk ekzistojnë këto kontrata sheriatike nuk ekziston as ndonjë pasuri apo rezultat që të meritojë fitim.

6 – Rishpërndarja

Sistemi islam në këtë fushë ka një rëndësi të jashtëzakonshme në realizimin e ekuilibrit ndërmjet të pasurve dhe të varfërve, si dhe ndërmjet të gjitha shtresave të shoqërisë.

Islami i ka lejuar njerëzve pronësinë, fitimin e pasurisë, prodhimin dhe lidhjen e kontratave, me qëllim arritjen e fitimit dhe sigurimin e pasurisë së dobishme. Por, në anën tjetër, ai ka vendosur mbi të pasurit disa detyrime të kufizuara në sasi, por me ndikim të madh në realizimin e solidaritetit dhe plotësimit shoqëror. Këto detyrime përfshijnë: të drejtën e dhënies së zekatit, të drejtën e shpenzimit të detyrueshëm.  Ky solidaritet fillon brenda familjes së ngushtë dhe më pas shtrihet për të përfshirë të gjithë shoqërinë. Përveç këtyre, ekzistojnë edhe forma të tjera të mbështetjes shoqërore, si: sadakatë, vakëfet, shpagimet dhe dëmshpërblimet financiare. Më pas, shteti ndërhyn përmes pasurive të fej’it[11] dhe burimeve të tjera financiare, me qëllim realizimin e solidaritetit shoqëror.

Pra, Islami nuk i ka lënë të pasurit pa u ngarkuar me të drejta dhe detyrime ndaj shoqërisë, por njëkohësisht as nuk i ka dëmtuar ata përmes konfiskimit të pronësisë apo vendosjes së kufizimeve të dëmshme mbi pasurinë e tyre. Në të njëjtën kohë, ai ka garantuar të drejtat e të varfërve përmes një ekuilibri të mrekullueshëm.

Autor: Ali Karadagi

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Për më tepër shih librin tonë të doktoraturës “Mebdeu er Rida fil Ukudi” studim krahasues, botimi i parë, shtëpia botuese “El Beshaiuru el Islamijetu”, Bejrut 1985, (2/1140 – 1218)  së bashku me burimet përkatëse.

[2] – I njëjti burim.

[3] – Sure Hashr: 7.

[4] – Sure Furkan: 67.

[5] – Sure Isra: 29.

[6] – Kontrata e “mudarebesë” është një formë partneriteti në të drejtën islame, ku njëri person siguron kapitalin, ndërsa tjetri siguron punën, menyxhimin dhe përvojën për ta investuar atë kapital. Sh.pk.

[7] – Kontrata e “selem-it” është një kontratë shitjeje në të drejtën islame ku çmimi paguhet menjëherë, ndërsa malli dorëzohet më vonë, në një dalë dhe me karakteristika të përcaktuara qartë. Sh.pk.

[8] – Kontrata e “musharekes” është një kontratë ortakërie në të drejtën islame ku dy ose më shumë palë kontribuojnë me kapital në një veprimtari ose investim dhe ndajnë fitimin sipas marrëveshjes. Sh.pk.

[9] – Kontrata e “musakat” është një kontratë bujqësore, ku pronari i pemëve ose i një kopshti ia beson një personi kujdesin dhe mirëmbajtjen e tyre, ndërsa ky person kujeset për ujitjen, kultivimin dhe shërbimet e nevojshme deri në prodhim. Në këmbim, ai merr një pjesë të përcaktuar të prodhimit, sipas marrëveshjes. Sh.pk.

[10] – Kontrata e “muzara’a-s” është një kontratë bujqësore në të drejtën islame, ku pronari i tokës ia jep tokën një bujku për ta kultivuar, dhe të dy bien dakord që prodhimi të ndalet ndërmjet tyre sipas një pjese të caktuar. Sh.pk.

[11] – Pasuria e fituar ndaj jobesimtarëve pa luftë. Sh. pk.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *