Sinqeriteti
Duke trajtuar histori nga Kurani famëlartë, ne synojmë të reklamojmë vlerat dhe konceptet që ato përcjellin. Qasja ndaj këtyre historive bëhet me qëllim që ne të pasurojmë depozitën tonë të vlerave. Sot jemi dëshmitarë që njerëzimi është dhënë më shumë seç duhet pas depozitave monetare duke neglizhuar depozitat e vlerave dhe normave morale. Edukoji fëmijët e tu që të interesohen më shumë për të shtuar depozitat e vlerave se sa ato monetare.
Në këtë temë, do të paraqesim një tablo mbi personazhet kryesore të historisë së Musait (a.s.), si dhe vlerën përkatëse. Në dy temat e mësipërme folëm në përgjithësi mbi situatën në Egjipt.
Profeti Musa (a.s.), profet i nderuar
Profeti Muhamed (a.s.) e ka deklaruar haptazi dashurinë dhe respektin e tij për profetin Musa (a.s.). Të njëjtën gjë ka bërë edhe vetë Zoti në Kuran, ku historinë e profetit Musa (a.s.) e ka përmendur në pesëdhjetë sure të Kuranit. Ai deklaron në Kuran dhe thotë: “Unë të kam zgjedhur ty për Vete.”[1]
Zoti e ka zgjedhur profetin Musa (a.s.) nga të gjithë njerëzit dhe i ka folur pa ndërmjetës. Këtë gradë dhe shkallë të lartë nuk e ka arritur njeri tjetër, përveç profetit Muhamed (a.s.) gjatë udhëtimit të Miraxhit.
Nëse dëshiron të vlerësosh arritjet e dikujt, studio më parë kushtet dhe rrethanat, në të cilat është rritur dhe e ka ndjekur aktivitetin e tij. Nuk mund të vlerësohet si hero dikush që suksesin e tij, nuk e ka të bazuar mbi rrethana dhe kushte të vështira. Personalitetet më të shquara dhe më të suksesshme në historinë njerëzore janë njëqind dhe ai që i kryeson është profeti Muhamed (a.s.),sepse ai arriti t’i sfidojë dhe të triumfojë mbi kushtet dhe rrethanat për njëzet e tre vjet.
Nëse dëshiron të vlerësosh suksesin e profetit Musa (a.s.), duhet të studiosh rrethanat dhe kushtet në të cilat veproi. Pas profetit Muhamed (a.s.), profeti Musa (a.s.) njihet si profeti me obligimet dhe misionin më të vështirë. Historia e tij është historia e ballafaqimit me padrejtësinë, shtypjen dhe dhunën. Ai u përball i vetëm me faraonin, i cili ishte një ndër zullumqarët, tiranët dhe shpirtkatilët më të mëdhenj të botës. Hitleri, i cili vrau me miliona njerëz, nuk krahasohet aspak me mizoritë e faraonit. Në një ditë të vetme, faraoni vrau dhjetë mijë magjistarë egjiptianë. Ai theri me mijëra foshnja të pafajshme nga Benu Israilët dhe i hodhi në lumin Nil. Në kulmin e mizorive të faraonit, profeti Musa (a.s.) u përball me të, do e ftoi të dëshmonte se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, i kërkoi që të merrte Benu Israilët dhe t’i shpëtonte nga shtypja dhe dhuna e tij. Ai donte që t’i nxirrte çifutët nga poshtërimi drejt krenarisë dhe synonte të ndërtojë një umet krejtësisht tjetër. Kjo e bënte misionin e Musait (a.s.) të vështirë, saqë ai radhitet direkt pas misionit të profetit Muhamed (a.s.) për nga vështirësia.
Sinqeriteti
Vlera, me të cilën ishte i pajisur profeti Musa (a.s.), për ta përballuar gjithë këtë peshë dhe barrë, është sinqeriteti. Një fakt të tillë e përmend vetë Zoti në Kuran, ku thotë: “Trego në Libër edhe për Musain! Njëmend, Ai ishte i sinqertë, ishte i dërguar dhe profet.”[2]
Shpeshherë profeti Musa (a.s.) u kërcënua me vrasje, herë të tjera u detyrua të arratisej dhe ndonjëherë përndiqej dhe ndihej i rrezikuar. Të gjithë këto vështirësi dhe belara nuk e thyen, për shkak se ai ishte i sinqertë në atë që besonte dhe vepronte.
Nëse brezi i sotëm i të rinjve janë të pajisur me vlerën e sinqeritetit, do të ndryshonin jo vetëm të ardhmen e vendit, por të gjithë myslimanëve anembanë.
Përkufizimi i sinqeritetit është që çdo vepër që ta veprosh, ta veprosh vetëm për hatër të Zotit, të mos shohësh askënd tjetër përveç Tij, të mos kërkosh dëshmitarë për veprat e mira përveç Zotit, të mos presësh lëvdatat e njerëzve apo shpërblimin e tyre.
Zoti e gradoi profetin Musa (a.s.) me privilegjin që nuk ia ka dhënë kujt tjetër, që t’i flasë direkt, pa ndërmjetës. Këtë privilegj ai e meritoi për shkak të sinqeritetit. Ai e kreu misionin që ia ngarkoi Zoti, jetoi i përndjekur nga një vend në tjetrin, thika nuk iu nda nga qafa që nga dita e lindjes gjer në vdekje dhe në fund vdiq pa marrë asgjë nga kjo botë, as pasuri dhe as pushtet. Ai ishte i sinqertë me Zotin e tij.
Profeti Muhamed (a.s.) ishte shumë i lidhur me profetin Musa (a.s.) dhe e donte fort. Në një hadith, ai thotë: “Mos më preferoni më shumë se Musanë. Pasi njerëzit të kenë vdekur Ditën e Kiametit, unë do të jem njeriu i parë që do të ringjallem. Kur të shoh përreth, do të dalloj Musanë, i cilido të jetë i kapur pas njërës prej shtyllave të Arshit dhe nuk e di nëse është ringjallur para meje, apo pas meje.”
Edhe pse profeti Musa (a.s.) ishte hebre dhe i përkiste një race tjetër, profeti Muhamed (a.s.) tregohej modest dhe i thjeshtë, duke treguar respekt për të. Në një hadith tjetër, ai ka thënë: “Ne e meritojmë më shumë Musanë se ata (hebrenjtë).” Neve nuk na lejohet të bëjmë dallime mes profetëve dhe të dërguarve të Zotit. Thotë Zoti në Kuranin fisnik: “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij.”[3]
Kushtet në të cilat u rrit Musai (a.s.)
Nëse do ta vlerësosh siç duhet sinqeritetin dhe suksesin e profetit Musa (a.s.), studio kushtet dhe rrethanat, në të cilat lindi dhe u rrit.
Rreziku më i madh që i kanosej profetit Musa (a.s.) gjatë jetës së tij në Egjipt, ishte një person që gëzonte titullin faraon. Ai ishte një titull, që e gëzonte kushdo, që udhëhiqte shtetin asokohe. Një titull i tillë ishte ekuivalent me Herakliun e Romës, apo Kisran e Persisë.
Kurani fisnik ka përmendur në shumë sure tipare dhe cilësi negative të faraonit. Kurani përmend shtypjen që u bënte Benu Israilëve, padrejtësitë dhe keqtrajtimin çnjerëzor. Zoti thotë në Kuran: “Me të vërtetë që Faraoni madhështohej në Tokë dhe banorët e saj i kishte përçarë në grupe; disa prej tyre i përndiqte, ua vriste fëmijët meshkuj, ndërsa femrat ua linte gjallë. Ai ka qenë vërtet keqbërës.”[4]
Faraoni gëzonte pushtetin më të lartë në Egjipt. Ishte ai, i cili vendoste për gjithçka dhe askush nuk kishte të drejtë të kundërshtonte. Ai i kishte grumbulluar të gjitha pushtetet në dorën e tij dhe gëzonte kompetenca të shumta. Ai kishte arritur t’i përçante njerëzit, duke i ndarë në shtresa të shumta, me qëllim që t’i kontrollonte me kollaj. Me këtë, faraoni është personi i parë që ka diskriminuar popullsinë në bazë të racës, ngjyrës dhe shtresës sociale. Ai i shtypte pa mëshirë Benu Israilët dhe ua vriste djemtë. Në gjithë historinë njerëzore, nuk është shënuar masakër më e rëndë se ajo e faraonit. Numri i foshnjave meshkuj të therur prej tij arriti në njëmijë. Me këtë ai ia kalon edhe vetë Hitlerit. Brenda një dite ai vrau dhjetë mijë magjistarë egjiptianë. Vrasja ishte gjëja më e lehtë për të dhe ushtarët e tij besnikë.
Faraoni nuk i vriste foshnjat femra, me qëllim që të shkaktonte çekuilibër në raportin mes meshkujve dhe femrave. Ashtu siç synonte degjenerimin e femrave, të cilat duke mos gjetur burrë që të martohen, do të binin pre e epsheve dhe e pasioneve.
Faktin që faraoni ishte keqbërës, e deklaron vetë Zoti në fund të ajetit të mësipërm. Me veprat e tij ai kishte rrënuar shoqërinë e vendit ku jetonte dhe kishte degjeneruar femrat.
Shkaku i dhunës
Teksa lexon shtypjen dhe dhunën që faraoni ushtronte në kurriz të Benu Israilëve, menjëherë të shkon në mendje pyetja: “Përse sillej në këtë mënyrë faraoni me Benu Israilët?”
Dijetarët pohojnë se shkaku qëndronte në dy gjëra: Një profeci dhe një ëndërr që vetë faraoni e kishte parë. Për sa i përket profecisë, Benu Israilët e kishin të trashëguar brez pas brezi një gojëdhënë të profetit Jusuf, i cili para se të vdiste u kishte thënë: “Një nga pasardhësit e mi nga Benu Israilët do ta largojë nënshtrimin dhe poshtërimin nga populli i tij, duke vendosur drejtësinë.”
Një profeci e tillë ishte përhapur, derisa kishte arritur tek faraoni dhe paria e Egjiptit.
Kurse për sa i përket ëndrrës, thuhet se një natë ai kishte parë në gjumë një zjarr që dilte nga shtëpitë e Benu Israilëve dhe u sulej pallateve dhe sarajeve të tij, duke i djegur bashkë me faraonin dhe ushtarët. Kjo ëndërr e kishte dëshpëruar dhe stresuar shumë faraonin. Menjëherë, ai kishte grumbulluar fallxhorët e tij, të cilët i thanë:”Një foshnje që do të lindë tek Benu Israilët, do të të heqë nga froni mbretëror”.
Këto dy gjëra, e bënë faraonin të ndërmarrë aktin më mizor në histori, të therë të gjithë foshnjat meshkuj të Benu Israilëve.
Në fakt, krimet e tmerrshme dhe mizore të faraonit ndaj çifutëve, kërkonin arsye më madhore. Një ndër këto arsye ishte vetë rritja e popullsisë së Benu Israilëve në Egjipt. Kur kishin shkelur për herë të parë në Egjipt, numri i Benu Israilëve ishte vetëm gjashtëdhjetë. Kurse kur dalin bashkë me Musain nga Egjipti, numri i tyre është gjashtëqind mijë. Është rritja më e madhe e popullsisë, që ka ndodhur në historinë njerëzore. Duke qenë se Benu Israilët kishin pasur një të kaluar negative me Heksosët, faraoni u frikësohej se me një numër të tillë kaq të madh, ata mund t’i ktheheshin kundër.
Të gjithë këto arsye së bashku, e bënë faraonin të fillonte planin e tij djallëzor për zhdukjen e Benu Israilëve. Një situatë e tillë kaq e rëndë e vështirësonte tej mase misionin e profetit Musa (a.s.).
Kush ishte faraoni i Egjiptit?
Studiuesit dhe historianët kanë mendime të ndryshme se kush ka qenë faraoni në kohën e Musait (a.s.). Egjipti asokohe udhëhiqej nga dinastitë, numri i të cilave arrinte në tridhjetë në Egjiptin e lashtë. Dinastia e parë që ka udhëhequr Egjiptin është Mina Mohad Kutrin. Ishte pushtimi pers dhe më pas Aleksandri i Madh, ata që i dhanë fund pushtetit të dinastive faraonike në Egjiptin e lashtë.
Ndërtimi i piramidave është bërë gjatë pushtetit të dinastisë së gjashtë. Heksosët udhëhoqën Egjiptin gjatë dinastive 14-16, kohë në të cilën profeti Jusuf (a.s.) hyri në Egjipt. Mes profetit Jusuf (a.s.) dhe profetit Musa (a.s.) janë katërqind vjet. Kështu, profeti Musa (a.s.) u shfaq në dinastinë e nëntëmbëdhjetë. Pushtetarët e dinastisë së nëntëmbëdhjetë janë: Ramsisi i parë, i cili qëndroi në pushtet vetëm dy vjet, Siti, i cili e udhëhoqi Egjiptin për dhjetë vjet dhe Ramsisi i dytë, i cili qëndroi në pushet për pesëdhjetë e shtatë vjet pa ndërprerje. Duke qenë se historia e profetit Musa (a.s.) është e shtrirë në pesëdhjetë e pesë vjet, i bie që të jetë Ramsisi i dytë, faraoni i Musait (a.s.). Ajo që e përforcon këtë është se Ramsisi i dytë është faraoni, i cili pretendonte se kishte cilësi hyjnore. Ai pretendonte se zoti Ra, ishte personifikuar tek babai i tij më parë dhe më pas, tek vetë ai.
Ai e filloi sundimin e Egjiptit me një betejë që njihet me emrin Kadish, të cilën e fitoi dhe më pas i zgjeroi territoret e Egjiptit si kurrë më parë. Vitet e para të sundimit të tij ishin vite suksesi dhe drejtësie, por më vonë ndryshoi dhe u kthye në një faraon mizor dhe shpirtkatran. Ai i kishte izoluar Benu Israilët në dy lagjet e tyre dhe nuk i lejonte të dalin. Për këtë, profeti Musa (a.s.) i kërkoi t’i lejonte Benu Israilët të dilnin nga ai burg i madh.
Pra, faraoni i profetit Musa (a.s.), është Ramsisi i dytë.
Fuqia e faraonit
Nëse do të mësonim diçka më shumë edhe rreth faraonit të Egjiptit të asaj kohe, misioni i Musait (a.s.) do të na dukej i pamundur me parametrat njerëzorë.
Ai njihet si një ndër faraonët më të fuqishëm. Territoret e Egjiptit në kohën e tij u zgjeruan si kurrë më parë. Ushtria e tij ishte e pathyeshme, sidomos pas betejës së Kadishit. Veç forcës ushtarake dhe territoreve të gjera, faraoni kishte me vete edhe magjistarë edhe fallxhorë, të cilët formonin një institucion fetar dhe propagandues të fuqishëm, i gjithi në shërbim të faraonit. Aktivitetet e tyre mbështeteshin nga fuqia ekonomike e tij, si dhe nga fuqia ushtarake.
Tani, për të parë sa të vështirë e kishte Musai (a.s.) misionin e tij, imagjinojeni atë të vetëm para faraonit, duke i kërkuar të besojë Zotin dhe t’i lejojë Benu Israilët të dalin nga Egjipti. Kur i dëgjoi kërkesat e Musait (a.s.), faraoni i tha: “A ke ushtri me vete?” Musai (a.s.) iu përgjigj: “Jo.” Faraoni e pyeti: “Po ndonjë fuqi tjetër?” Musai u përgjigj: “Jo.” Atëherë, duke qeshur dhe plot ironi, faraoni e pyeti: “Paske ardhur vetëm?!” Musai (a.s.) iu përgjigj: “Po.”
Përveçse qeshi plot ironi nga kjo që po bënte Musai (a.s.), faraoni edhe u trondit dhe frikësua. Ai u frikësua nga ky guxim dhe kurajë e Musait (a.s.).
Një qëndrim i tillë i profetit Musa (a.s.) tregon edhe një herë shkallën e sinqeritetit të tij ndaj Zotit dhe fesë, të cilës i besonte. Ai doli i vetëm dhe pa përkrahje, përballë faraonit, ushtrisë së tij, magjistarëve dhe fallxhorëve, Hamanit, ushtarëve të faraonit dhe tiranisë së tij. Por mos harroni, ai kishte armën e drejtësisë dhe të së vërtetës. Kjo e bënte të qëndrueshëm dhe të palëkundur.
Idhujtaria në Egjipt
Në kohën kur erdhi profeti Musa (a.s.), Egjipti ishte i mbushur me idhuj, të cilët adhuroheshin në të gjithë vendin. Gjarpërinjtë zinin një vend të rëndësishëm si perëndi dhe idhuj të egjiptianëve. Për këtë, Zoti e pajisi profetin Musa (a.s.) me një bastun, i cili shndërrohej në gjarpër dhe që më pas i përpiu të gjithë gjarpërinjtë e magjistarëve.
Pozita e profetit Musa (a.s.) tek Zoti
Në kushte të tilla, profeti Musa (a.s.) filloi mesazhin e tij, duke e ftuar faraonin të besojë në Zotin e vetëm, Allahun. Ai e ftoi t’i lërë të lirë Benu Israilët të largohen nga Egjipti. A nuk janë këto tregues të fuqisë së besimit dhe të sinqeritetit të profetit Musa (a.s.)? A ke filluar ta shohësh këtë profet më ndryshe tani? A ke filluar ta duash më shumë? A e ndjen sa i shtrenjtë ishte tek Zoti ky profet? Tregues që profeti Musa (a.s.) ishte shumë i dashur tek Zoti, janë edhe ajetet, të cilat i kemi përmendur dhe më lart, ku Zoti i thotë: “Unë të kam zgjedhur ty për Vete.”[5] Ky ajet tregon edhe një herë sinqeritetin e profetit Musa (a.s.). Zoti e kishte zgjedhur atë që të jetë i tillë, i sinqertë.
“Zoti tha: “O Musa! Unë të kam zgjedhur ty mbi të tjerët – me kumtet e Mia dhe të Folurin Tim (pa ndërmjetës, por të drejtpërdrejtë).“[6]
Fjalët “të kam zgjedhur” janë fjalë, të cilat i drejtohen një njeriu nga mesi i miliona të tjerëve. Janë fjalë, të cilat i drejtohen një krijese nga mesi i miliarda krijesave të tjera. Janë fjalë, të cilat i drejtohen një njeriu që banon në një planet, nga mesi i miliarda planetëve dhe galaktikave të tjera. Fjalët “të kam zgjedhur” janë për ta ngritur dhe vlerësuar më shumë kontributin e Musait (a.s.). Një ajet tjetër që tregon dashurinë e Zotit për Musanë (a.s.) është: “Unë kam hedhur në ty dashurinë Time, që të rritesh nën Syrin (kujdesin) Tim.“[7]
Unë jam shumë kureshtar që ta shoh pamjen e profetit Musa (a.s.), të atij i cili është rritur nën kujdesin e Zotit të madhëruar. Si mund të jetë një njeri, i cili është rritur nën kujdesin dhe vëmendjen e vetë Zotit? Cilat janë moralet dhe virtytet e tij? Vallë si komunikon me të tjerët? Sa të fortë e ka besimin? Si janë lidhjet e tij me Zotin? Sa është shkalla e sigurisë dhe e bindjes tek Zoti?
Ne shpeshherë i lutemi Zotit që të na shohë qoftë dhe një herë të vetme me syrin e kënaqësisë dhe të dashurisë, kurse profeti Musa (a.s.) e kishte këtë privilegj gjatë gjithë jetës së tij.
Kur Musai (a.s.) iu lut Zotit me fjalët: “O Zoti im, zgjeroma kraharorin tim, lehtësoma punën time, dhe zgjidhma nyjën e gjuhës sime, që ata të kuptojnë fjalën time! Më jep një ndihmës nga familja ime, Harunin, vëllain tim! Ma rrit fuqinë nëpërmjet atij dhe bëma ortak në punën time, që të thurim shumë lavde për Ty e të të përmendim Ty vazhdimisht! Vërtet, Ti do të jesh gjithnjë Mbikëqyrësi ynë.”[8]
“(Allahu) tha: ‘Kërkesa jote u plotësua, o Musa!’”[9] Lutjet e tua do të pranohen dhe nuk do të refuzohen o Musa.
Vendi që Musai (a.s.) zë tek profeti Muhamed (a.s.)
Profeti Muhamed (a.s.) kishte një dashuri dhe respekt të veçantë për profetin Musa (a.s.). Sa herë që dikush sillej me ashpërsi me të, Profeti (a.s.) thoshte: “Zoti e mëshiroftë vëllain tim Musanë! Ai është përballur me sjellje edhe më të këqija, megjithatë i përballonte me durim.”
Pra, e kishte profetin Musa (a.s.) si model kur përballej me sjelljet e këqija të njerëzve.
Një herë, një nga myslimanët e Medinës ishte ulur dhe po debatonte me një hebre. Gjatë bisedës, hebreu betohet dhe thotë: “Jo për Atë që e zgjodhi Musanë nga të gjithë njerëzit!”
Myslimani u prek nga kjo dhe i tha: “A e thua këtë, ndërkohë që i dërguari i Zotit është në mesin tonë?!” dhe nuk e zgjat më shumë, por i jep një dackë hebreut në fytyrë. I indinjuar nga kjo, hebreu vajti tek profeti Muhamed (a.s.) dhe i tha: “I thashë jo për Atë që e zgjodhi Musanë nga të gjithë njerëzit! dhe ai më goditi me shuplakë.”
Profeti (a.s.) u zemërua nga kjo sjellje e myslimanit dhe u tha të pranishmëve: “Mos më preferoni më shumë se Musanë. Pasi njerëzit të kenë vdekur Ditën e Kiametit, unë do të jem njeriu i parë që do të ringjallem. Kur të shoh përreth, do të dalloj Musanë që është i kapur pas njërës prej shtyllave të Arshit dhe nuk e di nëse është ringjallur para meje, apo pas meje.”
Kur Profeti (a.s.) u vendos përfundimisht në Medine, pa që hebrenjtë agjëronin një ditë. Ai i pyeti myslimanët mbi shkakun dhe ata i treguan se ishte dita kur Zoti e kishte shpëtuar profetin Musa (a.s.) bashkë me Benu Israilët nga faraoni. Atëherë Profeti (a.s.) u tha: “Ne jemi më të meritueshëm për Musanë se ata,” dhe i urdhëroi myslimanët të agjëronin atë ditë dhe një ditë tjetër. Dita e Ashurasë ishte obligim, derisa u obligua agjërimi i Ramazanit. Pas kësaj, Profeti (a.s.) e shpalli agjërim vullnetar.
Vendi që zinte profeti Musa (a.s.) tek shokët e profetit Muhamed (a.s.)
Duke qenë se vetë Zoti dhe Profeti (a.s.) e donin Musanë (a.s.), edhe shokët e Profetit (a.s.) ishin shumë të lidhur me të. Ata ishin rritur dhe edukuar me historinë e Musait (a.s.) në Kuran. Për njëzet e tre vjet me radhë, Kurani u rrëfente ndodhitë e historisë së tij. Sa herë që Profeti (a.s.) përballej me situata të vështira dhe të pakëndshme, i shpalleshin ajete nga historia e Musait (a.s.), me qëllim që t’i jepej zemër dhe kurajë. Kur e akuzonin si magjistar, i shpalleshin ajetet ku Musai (a.s.) akuzohej si i tillë në suren Shuara. Kur myslimanët torturoheshin dhe vriteshin, Profetit (a.s.) i shpallej surja Taha, e cila përmbante historinë e magjistarëve të faraonit, të cilët i besuan Musait (a.s.) dhe u vranë. Kur myslimanët emigruan dhe u vendosën në Medine, Profetit (a.s.) iu shpall surja Bekare, e cila flet mbi gabimet dhe gjynahet e hebrenjve gjatë eksodit me profetin Musa (a.s.).
Profeti Musa (a.s.) i do myslimanët
Ndoshta kjo duket si e çuditshme, por është e vërtetë. Kur Profeti (a.s.) u ngjit në qiell natën e Miraxhit, ku Zoti e obligoi atë dhe umetin me pesëdhjetë namaze në ditë, ishte profeti Musa (a.s.), ai që e këshilloi t’i kërkojë Zotit t’i lehtësojë deri në pesë në ditë. Nëse nuk do të kishte qenë kjo këshillë e Musait (a.s.), ne sot duhej të faleshim pesëdhjetë herë në ditë. Ky është tregues se profeti Musa (a.s.) e do umetin mysliman.
Autor: Amër Halid
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Taha: 41.
[2] – Sure Merjem: 51.
[3] – Sure Bekare: 285.
[4] – Sure Kasas: 4.
[5] – Sure Taha: 41.
[6] – Sure A’raf: 144.
[7] – Sure Taha: 39.
[8] – Sure Taha: 25 – 35.
[9] – Sure Taha: 36.



















