Të gjithë pejgamberët dhe të dërguarit, si dhe ata që i ndoqën, ishin besimtarë të akides së teuhidit të pastër e të saktë, ashtu siç ua shpalli Zoti i tyre, i Lartësuar dhe i Madhëruar. Besimi në cilësitë e Allahut të Lartësuar – si dija, fuqia, vullneti dhe krijimi – janë të gjitha pjesë përbërëse e teuhidit, i cili është themeli i fesë islame.
Kurani Fisnik ka folur për pejgamberët dhe për të tjerët, duke sqaruar pohimin e tyre për kaderin (caktimin hyjnor), se çfarë do Allahu bëhet, e çfarë nuk do Ai, nuk bëhet.
1 – Në rrëfimin e Nuhut (a.s)
Allahu i Lartësuar thotë: “Ata i thanë Nuhut (a.s.) me nxitim: “O Nuh, na ke kundërshtuar dhe e ke shtuar polemikën me ne, e ne nuk do të të ndjekim. Na sill pra atë me çka na kërcënon, nëse je prej të sinqertëve! Ai tha: Vetëm Allahu do t’jua sjellë atë, nëse dëshiron, e ju atij nuk mund t’i ikni. Këshilla ime nuk do t’ju bëjë dobi edhe sikur të doja t’ju këshilloja, nëse vullneti i Allahut është që t’ju shkatërrojë. Ai është Zoti juaj dhe ju tek Ai do të ktheheni.”[1] Nuhu (a.s) u përgjigj duke sqaruar se çështja është tërësisht në dorën e Allahut: Ai ua sjell dënimin nëse dëshiron. Pastaj sqaroi se këshilla e tij nuk do t’u bëjë dobi nëse Allahu dëshiron t’i lërë në humbje. Vullneti i Allahut është mbizotërues dhe dëshira e Tij është zbatuese.
2 – Në rrëfimin e Ibrahimit (a.s) me birin e tij Ismailin (a.s)
Kur Ibrahimi (a.s.) mori urdhrin për ta therur të birin. Kur djali i tij arriti moshën që të ecte e ta ndihmonte, dhe kjo zakonisht është koha kur fëmija është më i dashur për prindërit, babai pa në ëndërr se Allahu e urdhëronte ta therë dhe Ëndrrat e pejgamberëve janë shpallje.
Ismaili (a.s) duku iu nënshtruar plotësisht urdhrit të Allahut të Lartësuar tha me vendosmëri: “O babai im, bëj atë që je urdhëruar. Do të më gjesh, nëse do Allahu, prej të durueshmëve.”[2] Ai e lidhi vendosmërinë e tij me vullnetin e Allahut, sepse asgjë nuk ndodh pa dëshirën e Tij
3 – Në rrëfimin e Jusufit (a.s)
Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe ai të dy prindërit e vet i mori lart në fron, e ata iu përulën ati e ai tha: O babai im, kjo është domethënia e ëndrrës sime të mëparshme. Zoti im tani këtë e bëri realitet, e mua më dhuroi mirësi kur më nxorri prej burgut, e juve ju solli nga fshati pasi djalli pati futur përçarje ndërmjet meje dhe vëllezërve të mi. Zoti im me mjeshtëri e butësi e realizon dëshirën e vet për çfarë don, vërtet Ai është i Gjithëdijshmi, më i Urti.”[3]
Fjala e tij: “Zoti im me mjeshtëri e butësi e realizon dëshirën e vet për çfarë don” do të thotë: se kur Ai dëshiron diçka, Ai i përgatit shkaqet dhe e lehtëson realizimin e saj. Ai është i Dijshëm për interesat e robërve të Tij, i Urtë në veprat, fjalët, caktimin dhe zgjedhjen e Tij.
Jusufi (a.s.) besonte se gjithçka që i kishte ndodhur dhe që i ndodhi, atij dhe të tjerëve, është me caktimin dhe kaderin e Allahut.
4 – Musai (a.s)
Allahu përmend fjalën e Musait (a.s) në rrëfimin e tij duke thënë: “Musai zgjodhi nga populli i tij shtatëdhjetë veta për kohën që Ne ia caktuam takimin. E pasi i kapi ata dridhja (e tokës) ai tha: Zoti im, sikur të kishe dashur Ti, i kishe zhdukur ata më parë ata dhe mua. A po na zhduk për atë që bënë të marrët nga ne? Kjo është vetëm sprovë e Jotja, që me të e bën të humbur atë që do dhe e vë në rrugë të drejtë atë që do..”[4]
Këto fjalë të Musait (a.s) tregojnë qartë besimin e tij në kader.
5 – Në rrëfimin e Musait (a.s) me Shuajbin
Allahu i Lartësuar thotë: “Do të më gjesh, nëse do Allahu, prej të mirëve.”[5]
Ai e lidhi këtë me dëshirën e Allahut, duke ia deleguar çështjen suksesit dhe ndihmës së Tij.
6 – Në rrëfimin e Musait (a.s) me Hidrin
Allahu i Lartësuar thotë: “(Musai) tha: Do të më gjesh të durueshëm, në dashtë Allahu, e nuk do të të kundërshtoj për asgjë.”[6]
Ai e lidhi durimin dhe moskundërshtimin me vullnetin e Allahut, sepse pejgamberët dhe të devotshmit nuk mbështeten në vetveten as sa hap e mbyll sytë.
Kjo tregon se çdo gjë ndodh vetëm me dëshirën e Allahut. Rrëfimi i Musait me Hidrin gjendet i plotë në Sahihun e Buhariut
7 – Pas fundosjes së Karunit
Allahu i Lartësuar thotë: “Është shumë e qartë se Allahu është Ai që i jep bollëk dhe ia pakëson kujt të dojë..”[7] Pra, çështja është në dorën e Tij.
8 – Në rrëfimin e Zekerijasë (a.s) dhe Merjemes
Allahu i Lartësuar thotë: “Sa herë që hynte Zekerija në dhomën e saj gjente pranë saj ushqim dhe e pyeste: O Merjeme! Nga të vjen ky ushqim? Ajo përgjigjej: Ky është nga Allahu, se Allahu furnizon kë të dojë pa kufi.”[8]
Sipas mendimit më të saktë, këto janë fjalët e Merjemes, që tregon se furnizimi është i lidhur me vullnetin e Allahut.
9 – Në rrëfimin e shokut që këshilloi shokun e tij që posedonte dy kopshte
Allahu i Lartësuar thotë: “Do të ishte më mirë për ty sikur të kishe thënë, kur hyre në kopshtin tënd: Kështu ka dashur Allahu. Nuk ka fuqi përveçse nëpërmjet Allahut.”[9]
Pra, gjithçka është me dëshirën e Allahut: nëse do, e lë; nëse do, e zhduk.
10 – Fjalët e xhindeve
Allahu i Lartësuar thotë: “Ne nuk e dimë nëse është synuar e keqja për ata që janë në Tokë, apo Zoti i tyre kërkon t’i udhëzojë në rrugë të drejtë.”[10]
Ata pohuan se Allahu ka vullnet absolut. Me edukatë ia atribuuan të mirën Allahut, ndërsa për të keqen nuk përmendën vepruesin.
Besimi në kader është pjesë e besimit në Allahun, sepse nënkupton besimin në përfshirjen e dijes së Tij për çdo gjë, në gjithëpërfshirjen e vullnetit të Tij dhe në depërtimin e fuqisë së Tij në çdo gjë.
Zoti në Islam nuk është një hyjni e izoluar nga ajo që ndodh në univers, që nuk e di çfarë ndodh dhe nuk ndërhyn në të me administrim e drejtim, si “Zoti i Aristotelit”, i cili nuk njeh veçse vetveten, nuk di asgjë për këtë univers dhe nuk administron asgjë në të; apo si “Zoti i Plutoni”, i cili as vetveten nuk e njeh.
Ai nuk është as si zoti i mexhusëve, që sipas tyre ka në dorë vetëm gjysmën e universit – atë që lidhet me të mirën dhe dritën – ndërsa gjysma tjetër, ajo që lidhet me të keqen dhe errësirën, i përket një zoti tjetër. Pra, sipas tyre ka dy zota: njëri zot i së mirës dhe i dritës, tjetri zot i së keqes dhe i errësirës, dhe lufta mes tyre vazhdon derisa në fund fiton zoti i së mirës.
Ai nuk është as si hyjnitë e grekëve, që veprojnë në mënyrë të çrregullt e të pakontrolluar dhe që jetojnë në armiqësi me njerëzit, aq sa rrëfimet e tyre për “fatin” e paraqesin atë si tallës, sfidues e përndjekës të njerëzve. Prandaj në letërsinë e tyre u përhapën shprehje si: fati i pamëshirshëm, fati i verbër, fati tiranik e të ngjashme.
Ai nuk është as si zoti i Beni Israilëve, siç e paraqesin tekstet e tyre të shtrembëruara, librat dhe mitet e tyre: xheloz, hakmarrës, shkatërrues, i anshëm vetëm për popullin e Izraelit, i frikësuar se mos njeriu ha nga pema e jetës e bëhet si një prej hyjnive, ndonjëherë i penduar për veprimet e tij, madje i paaftë për t’i bërë ballë njeriut, saqë – sipas rrëfimeve të tyre – Izraeli lufton me Të dhe e mund.
Ky nuk është Zoti i Islamit.
Zoti në Islam është Sunduesi absolut, Pronari i krijimit dhe i urdhrit, Zoti i botëve. Ai është Krijuesi i çdo gjëje nën fuqinë e Tij mbizotëruese; asnjë i gjallë dhe asnjë send i pajetë nuk del jashtë rrethit të sundimit të Tij. Ai gjykon çfarë dëshiron dhe vepron çfarë do. Asgjë nuk i fshihet në tokë e as në qiell. Megjithatë, Ai është Bamirës dhe Fisnik, i Drejtë dhe Mëshirëplotë, i Dijshëm dhe i Urtë. Nuk i bën padrejtësi askujt, nuk e ndëshkon askënd për mëkatin e tjetrit dhe nuk ia pakëson shpërblimin përpjekjes së askujt.
Tek Ai askush nuk ka frikë nga padrejtësia apo nga mangësimi i shpërblimit. Padrejtësi do të thotë ta ndëshkosh për diçka që nuk e ka bërë; mangësim do të thotë t’i humbasësh shpërblimin për atë që ka bërë. Allahu i Lartësuar nuk ndëshkon pa mëkat dhe nuk e humb shpërblimin e asnjë vepre të mirë; përkundrazi, Ai e shumëfishon atë, siç thotë: “Vërtet, Allahu nuk dëmton askënd asnjë grimë, por nëse dikush bën mirësi, Allahu ia shumëfishon atë dhe i jep shpërblim të madh.”[11]
Ky është Zoti që e drejton çdo gjë në univers me caktimin dhe administrimin e Tij, me dijen, vullnetin dhe urtësinë e Tij. Mbi këtë bazë ishte besimi i selefit në kader, prej sahabëve dhe atyre që i ndoqën me mirësi.
Besimi në kader nuk është besim në fat të verbër, në rastësi apo në kaos, siç shprehen disa duke përkthyer nocione greke e perëndimore dhe duke thënë: “fati i verbër”, “fati i pamëshirshëm”, “lojë e fatit”, “ironi e fatit” e shprehje të ngjashme. Këto janë shprehje nga të cilat Islami dhe muslimanët distancohen.
Besimi në kader është besim në përfshirjen e plotë të dijes së Allahut, në përgjithshmërinë e vullnetit të Tij, në gjithëpërfshirjen e fuqisë së Tij dhe në rububijetin e Tij mbi çdo gjë në univers. Çdo gjë që ndodh në ekzistencë ndodh sipas një rregullimi dhe projekti të mëparshëm, me administrimin e një të Plotfuqishmi dhe me caktimin e një të Madhërishmi, të Gjithëdijshmi.
Autor: Ali Muhamed Salabi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Hud: 32 – 34.
[2] – Sure Saffat: 102.
[3] – Sure Jusuf: 100.
[4] – Sure A’raf: 155.
[5] – Sure Kasas: 27.
[6] – Sure Kehf: 69.
[7] – Sure Kasas: 82.
[8] – Sure Ali Imran: 37.
[9] – Sure Kehf: 39.
[10] – Sure Xhin: 10.
[11] – Sure Nisa: 40.



















