Imami i vatrës së emigrimit – Imam Maliku (01)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Malik ibn Enes (r.h) është një nga dijetarët e mëdhenj, nga imamët me famë që patën shumë ndjekës, dituria e të cilëve u përhap anekënd. Ai është një prej atyre, për të cilët Allahu i Lartësuar caktoi, që shkolla e tyre juridike të ndiqej nga një numër i madh njerëzish. Ai është një nga njerëzit e vlefshëm, që për ne përbëjnë shëmbëlltyrën më të mirë.

Do bëjmë fjalë për imamin (prijësin) e Daru Ehlil Hixhra (vatrës së emigrantëve): imam Malikun (r.h)

Lindja dhe sihariqi:

Imam i shquar, madhështor, Malik ibn Enesi ibn Ebi Amir el Esbahiu el Medeniu, u lind në vitin 93 hixhri, vit në të cilin vdiq Enes ibn Maliku, shoku i të dërguarit të Allahut; pas vdekjes të të cilit Allahu e kompensoi kombin islam me mirësinë e këtij imami.

Lidhur me meritën e tij ka ardhur një hadith i saktë, të cilin e transmetojnë Ehlu Suneni dhe Amedi, ku transmetohet se Profeti [a.s] ka thënë: “Do të vijw koha kur njerëzit do të ngasin devetë e tyre, për të kërkuar diturinë dhe nuk kanë për të gjetur askënd më të ditur sesa dijetarin e Medines.”[1] Për këtë hadith, Trimidhiu thotë se është hasen-i mirë. Hakimi ka thënë se është sahih-i saktë, Dhehebiu ka thënë: “Ky hadith është i pastër dhe me metën-text garib (të veçantë për nga përmbajtja)”, ndërsa Ibn Hibani dhe të tjerë veç tij thonë, se hadithi në fjalë është sahih-i saktë.

Një grup prej dijetarëve të kualifikuar, prej të cilëve Ibn Ujejne dhe Ibn Xherixhi, janë shprehur, se Profeti (a.s) me këtë sihariq ka nënkuptuar imam Malikun, se ai do jetë prej dijetarëve më të ditur, se ai është vetë dijetari i Medines në fjalë dhe për tek ai do të rendin devetë nga të gjitha vendet e botës.

Malik ibn Enesi ishte i gjatë, shtatmadh, me flokë të rëna, flokë dhe mjekër të bardhë, me lëkurë shumë të bardhë në të verdhë, rroba e tij ishte rrobë e mirë nga Adeni dhe urrente rruajtjen e mustaqeve…

Dituri dhe dëshmi:

Ky imam ka transmetuar nga shumë dijetarë prej elitës së tabi’inëve. Shafi’iu (r.h)] thotë: Kur vjen etheri (gjurma e transmetimit), Maliku është ylli (në këtë drejtim)”.

Ibn Mu’ini (r.h) thotë: “Maliku ishte nga argumentet e Allahut për krijesat e Tij”.

Imam Maliku (r.h) ishte  dijetar i madh i hadithit. Shumë e shumë prej njerëzve e morën hadithin nga ai. Ai është autor i librit të tij madhështor “El Mueta’e” dhe imam Shafi’iu (r.h) thotë për të: “Pas librit të Allahut, nuk ka mbi shpinën e tokës libër më të saktë sesa libri i Malikut”.

Shafi’iu (r.h) e tha në fakt këtë fjalë, pasi “Sahihu i Buhariut” dhe “Sahihu i Muslimit” nuk ishin asokohe të pranishëm në duart e njerëzve. Kështu që “El Mueta’e” në kohën e vet ishte libri më i saktë i hadithit të të Dërguarit të Allahut.

Gjithashtu Shafi’iu ka thënë: “Nëse nuk do të ishin Maliku dhe Ibn Ujejne, dituria e Hixhazit (Arabisë) do kishte mbaruar”.

Po kështu Shafi’iu ka thënë: “Nëse të vjen hadithi nga Maliku, shtrëngoje fort dorën në të”.

Sufjani ka thënë: “Maliku është imam (lider)”.

Jahja ibn Seaid el Kattani ka thënë: “Maliku është prijësi i besimtarëve në hadith”.

Ibn Uehebi ka thënë: “Nëse nuk do ishte Maliku, do kishim humbur”.

Ibn Kalabe ka thënë: “Maliku në kohën e vet ishte njeriu më i shquar në memorizim”.

Ibn Ebu Uejsi ka thënë: E kam dëgjuar Malik ibn Enesin të thotë: “Kjo dituri është fe. Bëni kujdes nga kush e merrni fenë tuaj. Kam kapur në këto shtylla shtatëdhjetë persona nga ata që  thonë: “Ka thënë filani, ka thënë i Dërguari i Allahut”. Nuk kam marrë nga ata gjë (nga dituria), e nëse dikujt prej atyre do t’i besohej banka, do tregohej besnik. Këtë e kam bërë, pasi ata nuk kanë qenë të kualifikuar në këtë çështje. Kur erdhi tek ne Ibn Shiheb ez Zuhriu, u dyndëm në derën e tij”.

Imam Maliku ishte fakih (dijetar i dispozitave fetare). Ai i mbushi horizontet me shkollën e tij juridike (Medhhebin Maliki) që u përhap në Marok, në Andaluzi, në shumë prej viseve të Egjiptit, në disa prej vendeve të Shamit, në Jemen, në Sudan, në Bagdad, në Kufe, në disa vise të Kharasanit, në disa anë të gadishullit si në El Ahse’e etj. Medhhebi i tij (shkolla e tij juridike) ende edhe sot në kohën tonë, mbetet një nga katër medhhebet e famshme që kanë shumë pasues.

Udhëtimi i imam Malikut (r.h) në kërkim të diturisë:

Imam Maliku e kërkoi diturinë, që kur ishte ca më shumë se dhjetë vjeç. Ai u kualifikua për të dhënë fetva (direktiva fetare) para se t’i mbushte të tetëmbëdhjetat. Kontribuoi në kuvendet e diturisë kur ishte akoma njëzetenjë vjeç. Një grup dijetarësh të kualifikuar kanë transmetuar hadithe prej tij. Në këtë kohë ai ishte në preludin e rinisë së tij Në fundin e kalifatit të Ebu Xhafer el Mensurit, njerëzit udhëtuan për tek Maliku nga të katër anët dhe u dyndën tek ai deri në fund të jetës së tij.

E gjithë kjo që thamë na paraqet ambientin, në të cilin u edukua një i ri si imam Maliku në kohërat e të hershmëve prej salihinëve (të devotshmëve). Një gjë e tillë konsiston në një sërë dobish, prej të cilave po përmendim:

Së pari: Pozita e nxënies së diturisë në Medinen e Profetit (a.s). Maliku kur ishte ende i ri, rritej duke parë njerëzit ta tregonin me gisht dijetarin në shenjë nderimi. Kur afrohej ai kokat i fiksonin, rrugën ia lëshonin, i jepnin selam dhe e madhëronin. Këtë e bënin sepse ky ishte për ta dijetari që mbante në qenien e tij udhëzimin e të dërguarit të Allahut [a.s] dhe diturinë e të devotshmëve. Falë kësaj ata e respektonin dhe madhëronin atë. Ata kishin këndvështrimin, se nderimi i dijetarit ishte nderim dhe madhërim për fenë e Allahut. I vogli rritej duke mbartur dashuri, madhëri dhe madhështi për këtë dituri, shikonte tek dijetari shembullin dhe modelin, duke shpresuar të arrinte në pozitën dhe gradën e tij.

Abdulla ibn Selam el Khajati, në përshkrimin që i bën imam Malikut (r.h) thotë:

Dhe pse refuzon që të përgjigjet,

Kjo personalitetin s’ia cenon,

Edukata e tij nderim dikton,

Pyetësit kokulur i qëndrojnë,

Atij i tregohet bindje,

Jo pushtetarit që sundon

Kësisoj i vogli merrte mësim praktik në nderimin e dijetarëve, fukahave (juristëve) dhe të kualifikuarve në çështjet e fesë, diturisë, davetit (thirrjes islame) dhe xhihadit.

Imam Shafi’iu, i cili ishte nxënës i imam Malikut thotë: Nga Malik ibn Enesi  konstatova rëndësinë dhe nderimin që ai i bënte diturisë, gjë që ma shtoi nderimin për të, aq sa ndodhte që kur isha i ulur në kuvendin e tij dhe doja të shfletoja një fletë, e bëja këtë duke e shfletuar atë lehtësisht, që ai (Maliku) të mos e dëgjonte shfletimin e fletës. Këtë e bëja nga respekti që kisha për të”.

Së dyti: Rrethanat dhe kushtet në kohët e gjeneratës së të hershmëve të devotshëm, ishin të atilla, që nuk kishte pengesa dhe shmangie që të vendoseshin barriera midis njeriut dhe arsimimit. Dituria apo nxënia e diturisë, edhe pse kryhej zakonisht në moshën katërmbëdhjetë vjeçare apo edhe më poshtë, ishte e tillë që kur nxënësi vinte në xhami dyert i gjente të hapura, shanset prezent dhe kuvendet të ngritura për të dhënë dituri. Kur shkonte në treg, sërish të njëjtat shkaqe (stimuluese për dituri) ishin të pranishme dhe po kështu edhe kur shkonte në shtëpi, prindërit, vëllezërit dhe familjarët e nxisnin duke e ndihmuar më së miri, që të vijonte nxënien dhe koleksionimin. E tërë shoqëria sikur i thoshte këtij të riu me gjuhën e situatës dhe të esesë: “Ti mëso dituri e ne do na kesh pas. Ne jemi përforcuesit, ndihmuesit dhe përkrahësit e tu”.

Imam Malikut i pati ndodhur një histori me të ëmën, që është shumë popullore në biografinë e tij: Ajo e nxiste atë në nxënien e diturisë dhe shpenzonte për të paratë që kishte në dispozicion. Këtë e bënte që ai të mos merrej me tregti, pasi preokupimi i mendjes me grumbullimin e gjërave të nevojshme për të siguruar jetesën, e dobësonte gatishmërinë e tij për të nxënë dituri.  Një gjë e tillë përftohet edhe në thënien e imam Shafi’iut [Allahu e mëshiroftë], në të cilën ai thotë: “Nëse do më ngarkohej të blej qepë, nuk do kisha kuptuar gjë”.

Këto fjalë të imam Shafi’iut (r.h) janë simbolike, pasi ne e dimë se shokët e Profetit (a.s) hanin dhe ecnin nëpër tregje, shisnin dhe blinin, mbillnin, mobilizoheshin (në xhihad) ushtarakisht dhe mësonin. Por krahas kësaj ata ishin më të diturit e dijetarëve.

Faktikisht ajo që synohet këtu, është se shoqëria duhet të jetë mbështetëse dhe përkrahëse për nxënësin e diturisë, që në vegjëlinë e tij, që ai të marrë dituri dhe t’i përgatiten rrethanat dhe shkaqet për këtë.

Autor: Selman Aude

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Ahmedi.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *