Industria hallall… ekonomia e përshkuar nga besimi fetar

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Termi “hallall” është ndër termat më të përhapur në botën islame, sepse përfaqëson bazën fetare të shoqërisë myslimane, e cila numëron afërsisht dy miliardë myslimanë në mbarë botën. Kjo shprehet përmes respektimit të dispozitave të Sheriatit që përcaktojnë hallallin dhe haramin.

Ky koncept është zhvilluar në fushën e ekonomisë islame, duke përfshirë shumë sektorë, si ai i transaksioneve financiare në përgjithësi dhe sektori bankar e i sigurimeve në veçanti. Megjithatë, gjatë dekadave të fundit, vëmendje të veçantë ka tërhequr një sektor jetik i ekonomisë islame, pikërisht sektori i industrisë hallall.

Fillimisht, ky koncept përqendrohej në kuptimin tradicional të respektimit të dispozitave të hallallit dhe haramit në sektorin ushqimor, veçanërisht në therjen e kafshëve. Megjithëse ky sektor është i gjerë dhe i rëndësishëm, me një kontribut të konsiderueshëm në prodhimin e brendshëm bruto, koncepti i “industrisë hallall” është zgjeruar jashtëzakonisht shumë, duke përfshirë fusha të ndryshme jetike, si industria farmaceutike, prodhimi i kozmetikës dhe shërbimet turistike, krahas zgjerimit të gamës së produkteve të industrisë moderne ushqimore.

Industria hallall për myslimanët dhe të tjerët

Sektori i industrisë hallall ka tërhequr interes të madh nga konsumatorët në botën islame, përfshirë edhe shumë jomyslimanë, për shkak të lidhjes së tij me standardet e cilësisë, të cilat garantojnë sigurinë e produkteve hallall dhe sjellin përfitime për shëndetin e njeriut.

Ajo që bie në sy është se tregu i industrisë hallall nuk kontrollohet nga vendet islame, të cilat janë bartëse të kësaj ideje dhe të origjinës së saj. Përkundrazi, sipas statistikave, vendet jomyslimane kontrollojnë 85% të këtij tregu. Kjo lidhet me kapacitetet e mëdha që këto vende zotërojnë në prodhim, marketing, ndikim në tregjet botërore dhe zhvillim industrial.

Kjo përbën një sfidë të madhe për vendet islame, të cilat përfaqësojnë thelbin e industrisë hallall dhe të filozofisë mbi të cilën ajo mbështetet. Për më tepër, ato zotërojnë potencialin, burimet njerëzore dhe burimet materiale të nevojshme për të qenë pioniere në këtë fushë.

Koncepti i industrisë hallall

Koncepti i industrisë hallall mbështetet në shumë ajete kuranore që nxisin konsumimin e asaj që është hallall dhe e mirë. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe hani nga ato që Allahu ju ka furnizuar, hallall dhe të mira!”[1]

Hallalli dhe e mira përfaqësojnë njëkohësisht vlera morale, fetare, ekonomike dhe standarde. Ato ndërthurin një sistem të integruar ekonomik, i cili mbështetet në prodhimin dhe qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve në përputhje me dispozitat e Sheriatit islam.

Sipas përkufizimit të fikhut, industria hallall përfshin veprimtaritë tregtare që garantojnë se produkti, qoftë ushqim, ilaç, para apo diçka tjetër, i është nënshtruar proceseve të prodhimit që nuk bien ndesh me Sheriatin. Produkti duhet të jetë i pastër nga lëndët e papastra dhe të ndaluara, si mishi i derrit, alkooli, kafsha e ngordhur pa u therur sipas rregullave përkatëse dhe kamata, me qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe të jetës së njeriut.

Shtyllat e industrisë hallall

Meqenëse hallalli trajtohet këtu si industri, ai nuk mund të mbetet thjesht një mendim fetar. Përkundrazi, kërkohet zbatimi i standardeve fetare dhe profesionale në këtë industri. Për këtë arsye, ajo mbështetet në tri shtylla:

Shtylla e parë: Lënda e parë

Lëndët e para që përdoren në prodhim duhet të jenë të lejuara sipas Sheriatit dhe të mos përmbajnë asgjë të ndaluar prej tij.

Shtylla e dytë: Metoda e prodhimit

Procesi i prodhimit ose ofrimit të shërbimit duhet të zhvillohet në përputhje me rregullat dhe standardet profesionale e fetare. Për shembull, therja e kafshëve duhet të kryhet sipas rregullave të Sheriatit, ndërsa linjat e prodhimit duhet të jenë të mbrojtura nga ndotja me produkte të palejuara.

Shtylla e tretë: Mbikëqyrja dhe cilësia

Duhet të ekzistojnë organe mbikëqyrëse, të cilat jo vetëm lëshojnë certifikatën e hallallit, por edhe ndjekin procesin e prodhimit për të garantuar përmbushjen e standardeve të cilësisë, si atyre fetare, ashtu edhe atyre profesionale, duke siguruar mbrojtjen e konsumatorit.

Prandaj, industria hallall është një koncept gjithëpërfshirës dhe nuk kufizohet vetëm në dhënien e një mendimi fetar. Ajo përbën një sistem të integruar ekonomik, i cili përfshin sigurinë e produkteve, zbatimin e standardeve të larta të cilësisë sipas specifikimeve më të avancuara dhe respektimin e dimensionit etik në veprimtari. E gjithë kjo realizohet në përputhje me rregullat e Sheriatit, të cilat garantojnë cilësinë e produktit, në mënyrë që ai të jetë “hallall dhe i mirë”.

Fushat e industrisë hallall

Industria hallall e ka tejkaluar konceptin tradicional, i cili lidhej me therjen e mishit dhe të shpendëve sipas dispozitave të Sheriatit, duke u shtrirë në shumë sektorë të ndryshëm industrialë. Ndër më të rëndësishmit janë:

Së pari: Ushqimet dhe pijet

Ushqimet dhe pijet duhet të jenë të dobishme për shëndetin. Për këtë qëllim, ato duhet të jenë të pastra nga përbërësit e ndaluar, si alkooli, xhelatina e palejuar dhe mishi i derrit, si dhe nga çdo lloj ushqimi apo pijeje që dëmton shëndetin e njeriut.

Së dyti: Ilaçet dhe produktet kozmetike

Këto produkte duhet të jenë të pastra nga alkooli dhe yndyrnat shtazore të ndaluara, si dhe të mos shkaktojnë dëme në trupin e njeriut. Para përdorimit te njerëzit, ato duhet t’u nënshtrohen testimeve laboratorike përkatëse, përfshirë testimet te kafshët.

Së treti: Veshjet dhe moda

Me përhapjen e industrisë së veshjeve dhe të modës, është bërë e domosdoshme vendosja e standardeve dhe rregullave që sigurojnë ruajtjen e modestisë dhe mbulimin e pjesëve të trupit që duhen mbuluar.

Së katërti: Turizmi dhe udhëtimet

Kjo realizohet përmes ofrimit të shërbimeve turistike të pastra nga gjërat e ndaluara, si alkooli dhe mishi i derrit. Gjithashtu, ofrohen shërbime që plotësojnë nevojat fetare të myslimanëve, si ambiente për falje, ushqime hallall në hotele dhe mjedise ku nuk zhvillohen veprimtari imorale.

Së pesti: Shërbimet logjistike dhe zinxhiri i furnizimit

Produktet hallall duhet të transportohen dhe të magazinohen në mënyrë krejtësisht të pavarur dhe të ndarë nga produktet e ndaluara, me qëllim garantimin që ato të mos përzihen me këto produkte dhe të mos ndoten prej tyre. Krahas këtyre, industria hallall përfshin edhe fusha të tjera të ndryshme.

Shkurtimisht

Industria hallall është një ekonomi e bazuar në vlera, e cila ndërthur nevojat shpirtërore të myslimanit dhe të njeriut me respektimin e standardeve ndërkombëtare të efikasitetit, cilësisë dhe sigurisë. Ajo bashkon standardet fetare me ato profesionale, duke iu përgjigjur nevojave të natyrshme të njeriut dhe duke i dhënë atij ndjenjën e qetësisë dhe të shëndetit.

Autor: Mes’ud Sabri

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Maide: 88.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *