Ka ngjarë në Samarkand

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

E di që disa nuk do më besojnë… megjithatë, kjo është një histori e vërtetë, e cila ka ndodhur në Samarkand. Para se ta regjistrojnë dhe ta arkivojnë myslimanët, e kanë regjistruar dhe rrëfyer anembanë jomyslimanët. Ajo është një ngjarje shumë e ngjashme me ato që zhvillohen në imagjinatën e njeriut dhe i ngjan asaj të “Një mijë e një netëve”. Dallimi i vetëm është, se kjo ndodhi është e vërtetë dhe jo sajesë apo pjellë e fantazisë. Ajo është regjistruar në librat historikë të imamëve të nderuar si: Ibn Kethiri, Taberiu, Beladhuri etj…

Kutejbe ibn Muslim, ishte një komandant mysliman legjendar, i cili kishte shtënë nën territoret e myslimanëve, të gjithë tokat që shtriheshin pas lumenjve Tigër dhe Eufrat në lindje të shtetit islam. Këtë herë ai ndjente një hezitim, të cilin nuk e shpjegonte dot. Ai ishte i lëkundur dhe nuk dinte ç’të bëjë. Ai bashkë me ushtrinë gjendeshin tek portat e Samarkandit, atij vendi të bekuar, plot kullota të gjelbra, male të thepisura dhe pasuri të panumërta. Ai ndodhej pranë një qyteti, banorët e të cilit adhuronin idhujt dhe putat, por që kishin një ushtri tepër të fuqishme, e cila kishte si qëllim garantimin e jetës së qytetarëve dhe mbrojtjen e mureve të qytetit nga çdo rrezik i jashtëm. Veç kësaj, kjo ushtri kishte një histori të pasur fitoresh kundër sulmeve të njëpasnjëshme. Këto informacione nuk i kishin shpëtuar Kutejbe ibn Muslim. Në muret e atij qyteti ishin thyer kushedi sa ushtri më parë, ndërsa tashmë ajo qëndronte si barrierë në rrugën e tij drejt Kinës.

Por një komandant legjendar dhe tipik si Kutejbe ibn Muslim, nuk mund të dorëzohej lehtë, pa i provuar të gjithë marifetet dhe hilet. Pasi e studioi mirë e mirë terrenin, ai urdhëroi ushtrinë të shpërndahej në të katër anët e maleve të thepisura, që rrethonin qytetin e pamposhtur. Ushtarët myslimanë qëndruan të fshehur në malet përreth, larg syve të armiqve.

Në mëngjes, portat e Samarkand u hapën si zakonisht dhe bujqit e tregtarët u nisën drejt fushave dhe bizneseve të tyre. Në çast, ushtria myslimane vërshon drejt tyre si përrenjtë e rrëmbyeshëm, të cilët përfshijnë gjithçka u del përpara. Brenda pak orëve ushtria myslimane e pa veten në qendër të qytetit, pa derdhur asnjë pikë gjaku të vetme.

Tashmë alternativa e vetme para Samarkandit, ishte dorëzimi i paevokueshëm. E gjithë elita dhe krerët e qytetit, politikanë, murgjër e komandantë, ia kishin mbathur dhe ishin strehuar në malet përreth. Sakaq banorët ishin kyçur në shtëpitë e tyre, të mbërthyer nga paniku, që u kishin shkaktuar këta “pushtues” të befasishëm. Ushtria myslimane vuri nën kontrollin e saj çdo qoshe të qytetit, pa rezistencën më të vogël.

Pak e nga pak, banorët vendas filluan të dalin nga shtëpitë e tyre, duke vendosur kontaktet e para me këta “pushtues”, por gjithë frikë e kujdes. Disa ditë më pas, ata kuptuan se myslimanët nuk kishin ardhur për t`u bërë keq dhe se ata i përkisnin një ushtrie krejt të veçantë. Ata mëshironin të vegjlit, ndihmonin të dobëtit, i luteshin një Zoti të vetëm, nuk vidhnin, nuk plaçkitnin, nuk dëmtonin dhe nuk vrisnin askënd. Përkundrazi, ata garantonin rendin dhe kontribuonin në përhapjen e paqes. Ata hynë në biznes me myslimanët dhe panë se ata ishin njerëz të besës, as nuk mashtronin dhe as nuk gënjenin. Për persekutim dhe padrejtësi as që bëhej fjalë. A nuk u thashë më lart, se ata i përkisnin një ushtrie krejt të veçantë dhe të rrallë?

Një ditë, në pazarin e qytetit shpërtheu një konflikt mes një djaloshi nga Samarkandi dhe një ushtari mysliman. Të gjithë rrethuan vendin dhe prisnin gjithë frikë e shqetësim fundin e këtij të riu. Ata prisnin që ushtarët myslimanë të vinin nga të katër anët dhe t`i japin një mësim këtij djaloshi, mësim të cilin nuk do ta harronte gjatë gjithë jetës. Ai duhej bërë shembull për këdo, që do i shkonte në mendje të sillej ashpër me ushtarët “pushtues”. Ushtarët ia behën në vendin e shamatës, vunë situatën nën kontroll dhe për habinë e të gjithëve, i morën të dy palët në konflikt bashkë me dëshmitarët dhe u nisën për tek gjykatësi.

Gjatë seancës gjyqësore, askush nga të pranishmit nuk u besonte syve për atë që po ndodhte. Gjykatësi mysliman e uli ushtarin mysliman përkrah djaloshit idhujtar dhe menjëherë filloi hetimin dhe gjykimin e çështjes. Në fund, gjykatësi gjykoi në favor të djaloshit idhujtar nga Samarkandi.

A kjo ishte historia e çuditshme?! Padyshim që jo. Ajo ishte vetëm fillimi.

Lajmi se ushtria “pushtuese” kishte një sistem gjyqësor tepër të drejtë dhe objektiv, mori dhenë. Djaloshi idhujtar, i cili fitoi çështjen në gjykatën myslimane, menjëherë mori rrugën drejt maleve të thepisura, ku ishin fshehur pushtetarët, krerët dhe murgjit, të cilëve u rrëfeu një për një gjithçka që po ngjiste në qytet. Murgjit mbetën pa fjalë nga ato që u dëgjuan veshët. Pasi u siguruan, se ajo që dëgjuan ishte e vërtetë, kreu i murgjve mori një vendim, i cili në pamje të parë të duket “i marrë” dhe i paprecedent. Ai vendosi, që t`i dërgojë një padi Prijësit të besimtarëve myslimanë, kundër komandantit të ushtrisë së myslimane, Kutejbe ibn Muslimit.

Një nga të rinjtë e murgjve mori përsipër të fluturojë me kalin e tij të racës drejt metropolit të Kalifatit Islam në Damask. Ëndrra për ta përmbushur me sukses misionin e tij i dukej krejt e pamundur. Megjithatë, gjatë gjithë rrugës ai thuri në mendjen e tij të njomë skenarin, me të cilin do të kapërcente çdo vështirësi. Gjatë gjithë rrugës atë e shqetësonte pyetja: Si do të dal para Prijësit të Besimtarëve, i cili udhëhiqte një shtet aq të madh, saqë kurrë më parë nuk kishte parë, kufijtë e të cilit shtrihen nga Kina në lindje gjer në oqeanin Atlantik në perëndim?! Si do t`i flas këtij mbreti dhe sovrani kaq të madh, me të cilin Cezari romak dhe Kisra pers as që mund të krahasohen?! E si do t`i dal para dhe t`i ankohem për komandantin e tij legjendar?! Së fundmi: Si do të reagojë ai, përballë një djaloshi të një qyteti armik?!

Djaloshi murg nuk e dinte se Prijësi i besimtarëve, ishte Kalifi i pestë i drejtë, nip i Umer ibn Hattabit, i cili kishte mbushur dynjanë me drejtësinë e tij. Ai nuk e dinte se Prijësi i besimtarëve, me të cilin do të takohej, ishte pikërisht Umer ibn Abdul Aziz, zahid dhe besimtar i devotshëm. Ishte pikërisht ai, me emrin e të cilit karvanët e fillonin dhe e sosnin udhëtimin e tyre të gjatë, ishte ai që shtoi bereqetin dhe ngriti nivelin e jetesës gjatë sundimit të tij, saqë nuk shihje më të uritur dhe të vobektë. Aq shumë u rrit mirëqenia në kohën e tij, saqë nuk gjeje njerëz të nevojshëm për t`iu dhënë sadakanë.

Udhëtimi i djaloshit murg përfundoi mu pranë një shtëpie të vjetër të ndërtuar me qerpiç, në një lagje të thjeshtë të Damaskut. “Kjo – i thanë – është shtëpia e Prijësit të Besimtarëve”. Ai fërkoi sytë, pasi nuk e besonte atë që po shihte. Si mund të banonte në atë shtëpi, ai që kishte në dorë dynjanë?! Ai iu afrua më tepër shtëpisë dhe aty dalloi një burrë, i cili po rregullonte pragun e derës, duke i mbushur hapësirat mes pragut dhe murit me baltë. Rrobat dhe duart i ishin bërë me baltë dhe sa herë që dikush i kalonte pranë, e përshëndeste: ”Paqja qoftë me ty o Prijës i Besimtarëve!”

Kjo panoramë e shokoi djaloshin dhe e la pa mend. A ky ishte mbreti, që sundonte botën dhe që i ishin nënshtruar perandoritë më të fuqishme të kohës?! E çuditshme, apo jo!

Teksa kishte mbetur si i shastisur nga ato, që po i shihnin sytë, vjen një grua bashkë me djalin e saj dhe i kërkon Prijësit të Besimtarëve, t’i shtojë përkrahjen sociale, që merrte nga shteti mysliman. Gjatë kësaj kohe, djali i saj ia rrëmben lodrën me të cilën po luante djali i Prijësit të Besimtarëve. Përveç kësaj, djali i gruas mori një gur përtokë dhe e qëlloi në kokë, duke e gjakosur. Bashkëshortja e Kalifit u lëshua drejt djalit të saj, të cilin e mori në krahë dhe e përqafoi plot mall. Sakaq, iu kthye djalit të gruas dhe i bërtiti me të madhe. Gruaja e Kalifit ishte Fatime bintu Abdul Melik, e lindur dhe e rritur në pallate luksi, pasi ishte e bija e Kalifit të mëparshëm.

Babai i saj kishte qenë Prijësi i Besimtarëve, burri i saj ishte Prijësi aktual dhe vëllezërit ishin emirë. Vallë si do të reagonte vetë Umer ibnu Abdul Azizi, babai i fëmijës së gjakosur?

Ai i hodhi një vështrim gruas, e cila kishte ardhur për hallin e saj dhe pa që e kishte mbërthyer frika e paniku. Në të njëjtën gjendje dukej dhe djali i saj. Ai e mori lodrën nga duart e djalit të tij, ia  zgjati djalit të gruas së varfër, e puthi dhe urdhëroi nëpunësit, që t’ia zgjidhin hallin. Pastaj, ai mori djalin e tij në krahë, e puthi dhe e qetësoi. Pastaj iu drejtua të shoqes me fjalët: ”Tregohu më e dhembshur e dashur! Ti i terrorizove të dy. I dërguari i Zotit ka thënë: ”Kush terrorizon një mysliman, do të terrorizohet nga Zoti Ditën e Kiametit”. Pastaj kësaj, vazhdoi të merrej me pragun e derës.

Murgut, që kishte ardhur nga Samarkandi, iu duk sikur ishte në ëndërr dhe nuk u besonte syve e veshëve. Ai iu avit Prijësit të Besimtarëve, dhe kur ky i fundit e pyeti mbi hallin që e kishte sjellë. Ai iu përgjigj: ”Zotëri! Unë kam ardhur t’ju përcjell një shqetësim të banorëve të Samarkandit. Unë kam ardhur të ankohem për padrejtësinë e komandantit tuaj Kutejbe ibn Muslim. Duke dëgjuar mbi drejtësinë tuaj, menduam se mund të na ndihmosh. Komandanti juaj na ka sulmuar befasisht, pa na paralajmëruar. Siç jemi informuar, ju e keni zakon që të mos sulmoni, pa u dhënë kohë tre ditë, për të zgjedhur mes Islamit, taksës së xhizjes ose luftës”.

Prijësi i Besimtarëve ia ktheu: ”Në fakt, nuk është zakoni ynë, por është urdhër i Zotit dhe i të dërguarit të Tij”. Murgu i tha: ”Atëherë Kutejbe ibn Muslim nuk e ka respektuar këtë urdhër”.

Umer ibn Abdul Aziz uli kokën për njëfarë kohe, pastaj urdhëroi sekretarin e tij të shkruajë një letër, të cilën e  vulosi me vulën e tij. Më pas, duke ia zgjatur letrën djaloshit murg, i tha: ”Jepja këtë letër valiut të Samarkandit, i cili do të vendosë drejtësinë në vend” dhe vazhdoi të merrej me pragun e derës.

Kur valiut të Samarkandit i mbërriti letra e Prijësit të Besimtarëve, brofi në këmbë dhe pasi e lexoi, i tha murgut: ”Lepe e peqe Prijësit të Besimtarëve! Ai më ka urdhëruar që të caktoj një gjykatës, për ta shqyrtuar padinë tuaj, gjë të cilën unë do e bëj menjëherë. Bashkë do të takohemi pas dy ditësh. Tani shko tek murgjit e tjerë dhe krerët e njerëzve të tu dhe thuaju, se janë në besën e myslimanëve”. Nga ana tjetër i dërgoi fjalë Kutejbe ibnu Muslim. që të paraqitej menjëherë.

Njerëzit u mblodhën të gjithë në xhaminë. ku do të zhvillohej seanca gjyqësore. Pasi erdhi gjykatësi mysliman, ushtari thirri kreun e murgjve dhe Kutejbe ibn Muslimin, të cilët u vendosën të dy para gjykatësit. Atëherë gjykatësi i kërkoi palës paditëse, të flasë dhe të mbrojë pikëpamjen e vet. Murgu u ngrit dhe tha: ”Komandanti juaj, Kutejbe ibnu Muslim, ka hyrë në tokat tona, pa na paralajmëruar më parë. Të gjithë vendet dhe qytetet e tjera kanë gëzuar të drejtën të  zgjedhin mes tre alternativave, konvertimit në Islam, pagimit të taksës (xhizjes) ose luftës, kurse ne jemi sulmuar befasisht”.

Gjykatësi u kthye nga Kutejbe ibn Muslim dhe i tha: ”Po ti, çfarë mendon lidhur me këtë akuzë?”

Kutejbe u ngrit dhe foli: ”Zoti e faltë gjykatësin tonë! Lufta është dredhi. Ky është një qytet i sofistikuar dhe me ushtri të fuqishme, i cili qëndronte i palëkundur në rrugën tonë. Unë isha i bindur, se nëse i vëmë në dijeni për sulmin tonë, të vrarët nga të dy palët do të ishin me mijëra dhe gjaku do të rridhte lumë. Zoti më udhëzoi dhe më orientoi të ndjek shtegun që ndoqa. Duke i sulmuar befasisht, mbrojtëm jetën e myslimanëve. Po, ne i sulmuam befasisht, por kështu ne i shpëtuam dhe i prezantuam me Islamin”.

Gjykatësi i tha:”O Kutejbe! A ua ke bërë të qartë tre alternativat, Islamin, xhizjen ose luftën, para se ti sulmosh?”

Kutejbe u përgjigj: ”Jo, kjo nuk ka ndodhur. Ne i sulmuam befasisht, për shkak të rrethanave dhe rrezikut që na kanosej në të kundërt”.

Gjykatsi tha: ”O Kutejbe! Ti vetë e pranove akuzën dhe nëse i akuzuari e pranon akuzën, procesi gjyqësor mbyllet. O Kutejbe! Zoti e ka përkrahur këtë umet, vetëm për shkak se ka përqafuar fenë e Tij. Kjo fe kërkon prej ithtarëve të saj, që të vendosin drejtësinë dhe të luftojnë mashtrimin. Pasha Zotin, që asgjë tjetër nuk na ka nxjerrë nga shtëpitë tona, veçse xhihadi në rrugë të Zotit. Nuk kemi dalë për të vënë pasuri, për të pushtuar të tjerët dhe për të pasur pushtet mbi ta”.

Ato momente ishin momentet e vendimit më të çuditshëm, që një gjykatës ka marrë ndonjëherë në histori. Gjykatësi vendosi dhe urdhëroi, që ushtria myslimane të dalë brenda tre ditëve nga Samarkandi ashtu siç kishte hyrë, pa marrë asgjë. Ajo duhet t’ia kthente qytetin banorëve dhe krerëve të tij dhe t’ju jepte rastin të përgatiten për luftë. Mandej, duhet t’iu çonte fjalë dhe t`i vendoste para tre alternativave: Pranimit të Islamit, pagimit të xhizjes ose luftës. Nëse ata zgjedhin luftën, le të zhvillohet beteja vendimtare mes dy ushtrive. Vetëm kështu zbatohej siç duhet ligji i Zotit dhe çohej në vend tradita profetike.

A nuk u pata thënë, se nuk do të më besoni? Habia dhe çudia që shprehni ju në këto çaste, është e njëjta me atë, që kaploi banorët e Samarkandit, kur dëgjuan këtë vendim historik të gjykatësit mysliman.

Një ushtri, e cila kishte hyrë dhe kishte vendosur rregullin në një qytet të rëndësishëm si Samarkandi, urdhërohet të largohet nga qyteti sepse – sipas gjykatësit – nuk kishte respektuar ligjet e Zotit, kur kishte hyrë në këtë qytet. Njerëz të çuditshëm, apo jo.

Por çudia më e madhe për banorët e Samarkandit ishte, kur panë me sytë e tyre ushtrinë myslimane, duke marrë plaçkat e tyre për ta braktisur sa më shpejt qytetin. Pa kaluar mirë tre ditë, në qytet nuk kishte mbetur këmbë myslimani. Lidershipi politik, elita dhe murgjit u mblodhën në qendër të qytetit, pa e besuar atë që u shihnin sytë. Pasi e pleqëruan këtë çështje, arritën në konkluzionin, se këta njerëz ishin njerëzit më të mirë mbi faqen e tokës. Vendimet e gjykatës së tyre, ishin vendime absolutisht të drejta dhe se një fe, e cila i kishte formatuar ndjekësit e saj në atë formë, meritonte të përqafohej. Atë ditë, banorët e Samarkandit përqafuan Islamin nga i pari gjer tek i fundit.

Ky është Islami… feja e përjetshme e Zotit… Kjo ishte historia jonë, e shkruar me rreze drite, dhembshurie dhe drejtësie… atëherë kur ishim umeti më i mirë mbi tokë!

Autor:  Dr. Eshref Nexhm

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *