Dijetarë thonë se fjala “dituri” përfshin tre koncepte: perceptimin, aftësinë për të perceptuar dhe një sistem dijesh apo njohurish të një dege të caktuar. Më lart u përmend përkufizimi, që usulistët i kanë bërë shkencës së Fikhut dhe shkencës së Usul Fikhut. Ata e kanë trajtuar Fikhun sipas qasjes së tyre. Usulistët i janë referuar burimit sheriatik dhe përftimit të ligjeve sheriatike, duke iu referuar teksteve burimore, prandaj kanë thënë, se Fikhu është njohja e ligjeve sheriatike praktike të përftuara nga argumentet e detajuara të burimeve sheriatike.
Dijetarët e Fikhut kanë qasje tjetër për Fikhun, pasi qëllimi i tyre është sqarimi i ligjit sheriatik për veprimet e personit të ngarkuar me përgjegjësi sheriatike, si: i ndaluar apo i lejuar dhe nuk janë marrë shumë me burimet sheriatike. Kështu, ata e kanë përkufizuar Fikhun me fjalët:
– “Njohja e vendimeve të Allahut në lidhje me veprimet e personave të ngarkuar me përgjegjësi sheriatike, si: obligimi, ndalimi, pëlqyeshmëria, papëlqyeshmëria dhe lejimi”.([1])
– “Dija që studion gjendjen e veprimeve, nëse ato janë të lejuara, të ndaluara, të vlefshme, apo të pavlefshme”.([2])
– “Një mori çështjesh praktike të zbatueshme”.([3])
Nga këto përkufizime për Fikhun dhe nga përkufizimet e lartpërmendura për Usul Fikhun, bëhet e qartë se ka disa dallime mes këtyre dy shkencave, prej të cilave përmendim:
1- Shkenca e Usul Fikhut bazohet në shkencat e gjuhës arabe, në shkencën e logjikës dhe të ligjeve sheriatike të përgjithshme, ndërsa shkenca e Fikhut bazohet në burimet sheriatike si: Kurani, Suneti, Konsensusi sheriatike (ixhmaja), Analogjia e ligjit sheriatik (kijasi), etj., si dhe në veprimet e personave të ngarkuar me përgjegjësi sheriatike.
2- Objektivi i përgjithshëm i Usul Fikhut është njohja e ligjeve sheriatike nga burimet sheriatike specifike dhe të përgjithshme, ndërsa objektivi i Fikhut është arritja e suksesit në të dy botët, nëpërmjet zbatimit të urdhëresave dhe largimit nga ndalesat, si dhe fitimi i kënaqësisë së Allahut me përkushtim dhe me dituri.
3- Objekti i Usul Fikhut janë burimet (usul) dhe ligjet sheriatike (ahkam), ndërsa objekti i Fikhut janë veprimet e personit të ngarkuar me përgjegjësi sheriatike dhe ligjet sheriatike përkatëse për këto veprime.
4- Qëllimi i dijetarëve të Fikhut është sqarimi i ligjit sheriatik për një vepër të personit të ngarkuar me përgjegjësi sheriatike, ndërsa qëllimi i dijetarëve të Usulit është sqarimi i burimit të këtij ligji.
5- Sipas dijetarëve të Usulit, shkenca e Fikhut është njohja e ligjeve sheriatike nga burimet sheriatike, prandaj sipas tyre fakih është vetëm muxhtehidi. Kriteri minimal që një person të cilësohet si fakih është: të njohë ligjet sheriatike të përmendura në kapitujt e Fikhut, apo të ketë aftësinë t`i rikthehet librave bazë të Fikhut, në të cilat janë përmendur ligjet dhe dispozitat sheriatike.
6- Fikhu ka lidhje me ligjet dhe dispozitat praktike sheriatike, si: adhurimet, marrëdhëniet e ndryshme shoqërore, financiare, politike, gjyqësore etj., ndërsa Usul Fikhu ka lidhje me sqarimin e parimeve juridike të përgjithshme, të cilave iu referohet muxhtehidi, për të nxjerrë ligje sheriatike nga argumente specifike.
7- Usul Fikhu është shkenca që përcakton metodologjitë, të cilave dijetari i Fikhut iu përmbahet për të deduktuar ligjet nga burimet sheriatike, ashtu siç përcakton edhe hierarkinë e këtyre burimeve. Fikhu është shkenca që merret me deduktimin e ligjeve sheriatike, duke iu përmbajtur metodologjive të skicuara nga Usul Fikhu. Usul Fikhu përcakton vijat e trasha, brenda të cilve muxhtehidi bën Ixhtihadin e tij, ndërsa në dijen e Fikhut, muxhtehidi nxjerr ligjin sheriatik nga një argument specifik.
8- Shkenca e Usul Fikhut përbëhet nga parime juridike gjithëpërfshirëse, të cilave iu është përmbajtur muxhtehidi i pavaruar, ndërsa Fikhu përfshin ligjet dhe dispozitat praktike, që muxhtehidi i pavarur apo muxhtehidi i një shkolle juridike, i ka nxjerrë nga argumentet specifike sheriatike.([4])
Nga këtu bëhet e qartë edhe dallimi mes Usul Fikhut dhe normave juridike (el-kavaidu`l-fikhije). Një parim që buron nga Usul Fikhut është universal dhe vlen për të deduktuar ligje sheriatike, ndërsa norma juridike përfshin një mori çështjet praktike, të përftuara nga argumentet specifike. Në përgjithësi, parimet e Usul Fikhut kanë të bëjnë me domethënien e teksteve sheriatike, ndërsa normat juridike kanë të bëjnë me vetë ligjin dhe dispozitën sheriatike.
Pra, dija e Usul Fikhut merret kryesisht me studimin e bazave apo burimeve të së drejtës islame, me principet dhe normat e përgjithshme dhe universale, qofshin ligjore teorike apo praktike. Ndërsa juristi sheriatik (fakihu) angazhohet me përftimin apo nxjerrjen e ligjeve dhe dispozitave specifike, për çështje specifike praktike nga burimet e të drejtës islame, Kurani dhe Suneti, duke përdorur dijen e Usul Fikhut, bazave të së drejtës, apo duke përdorur principet dhe normat juridike të formësuara nga usulistët.
Kjo dije emërtohet me termin shkencor “Usulu`l-Fikh – أُصُولُ الْفِقْهِ – Bazat e të drejtës Islame”, por edhe “Usulu`l-Fehm – أُصُولُ الْفَهْمِ – Bazat e kuptimit të drejtë të Fikhut Islam”.
Autor: Rushit Musallari
By: ardhmëriaonline.com
([1]) – Ibn Haldun, “El-Mukaddime”, f. 312.
([2]) – Hadimi, “El-Hashijetu ale`d-Durar”, f. 3.
([3]) – Zerka, “El-Medkhalu`l-Fikhi`l-Am”, v. 1, f. 55.
([4]) – Salah Ebul Haxh, “Sebîlu`l-Vusûli ilâ Ilmi`l-Usûl”, f. 16-21.



















