Qytetërimi ynë islam është historia më e mirë që ka njohur toka në gjithë hapësirën e historisë së shkruar! Kjo e vërtetë bëhet e qartë kur e shikojmë në kontekstin e njerëzores së saj (sepse është histori njerëzore), dhe kur e shikojmë në tërësi, jo duke u ndalur me armiqësi te një pikë e veçantë. Në jetën e çdo njeriu – qoftë i madh apo i zakonshëm – ka gabime, dhe historia është jeta e tërësisë së njerëzve, e njerëzve të gjallë, jo regjistrim i miteve apo iluzioneve legjendare; por histori njerëzish realë që kanë jetuar në tokë, me aspirata shpirtërore dhe instinkte njerëzore.
Kur e shohim me këtë vlerësim objektiv, do të gjejmë se epoka e shpalljes dhe e kalifëve të drejtë (1–41 hixhri) është epoka më e mirë e historisë njerëzore në përgjithësi, dhe nuk i afrohet asgjë tjetër përveç jetës së profetëve, dhe ndoshta mund t’u afrohet edhe jeta e shoqëruesve më të afërt të profetëve në shkallën e parë.
Asnjë profet nuk ka pasur atë grumbull të madh njerëzish që e formoi i Dërguari i Allahut (a.s) me përkujdesjen e tij, dhe ai ishte kulmi ideal i qytetërimit islam.
Kur erdhën Emevitët (41–132 hixhri), kjo histori nuk u ndërpre, sepse viti 41 hixhri nuk nënkupton vdekjen e të gjithë sahabëve. Prandaj epoka e Emevitëve vazhdoi të ushqehej me këta njerëz të mëdhenj, dhe devijimi u kufizua në disa aspekte kombëtare dhe politike, ndërsa jeta fetare dhe shoqërore ishte në kulm; madje në këtë periudhë u realizuan pushtimet më të mëdha që i bëri populli musliman nën udhëheqjen e Beni Umejjes, me kënaqësi dhe vullnet.
Kur erdhën Abasitët (231–656 hixhri), jeta shoqërore, ekonomike dhe legjislative vazhdoi në rrjedhën e saj natyrore nën udhëheqjen e popullit musliman, sepse lumi i qytetërimit nuk varet nga ndryshimet politike që sjell ngritja apo rënia e një shteti tjetër.
Abasitët ranë në dy gabime:
E para: lëvizja e përkthimit në arabisht pa rregulla dhe kufizime të mjaftueshme, dhe pa një lëvizje kundërpërkthimi që do të përhapte akiden islame në botë.
E dyta: angazhimi i umetit me fitnen e “krijimit të Kuranit”, përdorimi i dhunës dhe ashpërsisë, dhe lënia e lirë e frerëve për mu‘tezilitët që ishin të mposhtur përballë ideve filozofike!
Megjithatë, Abasitët përhapën qytetërimin islam dhe në kohën e tyre u zgjerua një lëvizje paqësore dhe thirrëse për përhapjen e Islamit; sepse pushtimet ushtarake dhe politike të Beni Umejjes nuk nënkuptonin hyrjen e menjëhershme të njerëzve në Islam, pasi Islami nuk beson në detyrim. Prandaj epoka abasite ishte ajo që e përhapi Islamin përmes umetit thirrës, jo përmes shtetit mbështetës.
Gjithashtu, qeveria abasite u përball me vendosmëri kundër lëvizjeve batinite, si Bermekidët dhe Hurramitët; dhe mjafton që ajo qëndroi përballë valës fatimide që arriti të merrte nën kontroll Marokun dhe Egjiptin. Po ashtu, ajo përthithi ndikimin shiitnë pushtet, në atë mënyrë që kontrolli i tyre mbeti politik, jo batinit.
Më pas erdhën Zenkidët, Ejubidët dhe Memlukët, pastaj erdhën Osmanët, të cilët jetuan pesë shekuj deri në rënien e tyre në vitin 1924. Të gjithë patën disa mangësi, por i shërbyen Islamit në mënyrën më të madhe dhe e mbrojtën atë nga sulmet më të ashpra.
Dhe Islami – me lejen e Allahut dhe falë këtyre paraardhësve – vazhdon të ekzistojë deri sot, duke përballuar sprova, duke përthithur komplotet e fshehta dhe duke kaluar nga periudha e kolonializmit ushtarak dhe politik evropian në përballjen me pushtimin ideologjik kryqtar dhe sionist, e më pas në fazën e zgjimit islam dhe vështirësive që po përballet sot nga sfida dhe komplote globale.
Por Islami shtrihet në të gjitha kontinentet falë umetit thirrës, dhe fiton edhe përballë humbjeve politike dhe ushtarake, ashtu siç fitoi në kohën e tartarëve. Muslimanët do të vazhdojnë rrugën e tyre – me lejen e Allahut – dhe flamuri i Islamit do të valëvitet, sado të errëta të jenë retë; sepse Islami është zgjidhja e vetme për njerëzimin, jo vetëm për muslimanët, dhe është caktimi triumfues i Zotit dhe shpresa e vetme pa të cilën nuk ka shpëtim për njerëzimin.
Kjo histori e qëndrueshme, ky Islam fitimtar dhe ky qytetërim ideal që shkrin dimensionet emocionale, mendore, shpirtërore, individuale dhe shoqërore në një tërësi të vetme, dhe i jep njeriut njerëzinë e tij, ishte një dritë – shpirt dhe mendje – për gjithë botën për më shumë se dhjetë shekuj.
A është e lejueshme që kjo histori dhe ky qytetërim të shiten lirë në kohë kur kombet sajojnë për veten e tyre histori dhe imagjinojnë qytetërime?
Dhe a është e lejueshme që ato të mbeten objekt sulmi nga ithtarët e ideve të kota dhe prirjeve të devijuara, të ngurtësuar në shpella të ngjarjeve të veçanta, që nuk duan të dalin prej tyre për të parë më gjerë, për të hapur zemrën dhe për t’u trajtuar me njerëzimin sipas masës së kapacitetit njerëzor?
Me çfarë do të ecim në fushat e përplasjes së kombeve dhe dialogut të qytetërimeve?
Paraardhësit tanë janë stërgjyshërit tanë, dhe ne nuk mund të shkëputemi prej tyre përveç nëse kemi vendosur të humbim identitetin tonë. Vetëm emri nuk tregon përkatësinë e një njeriu dhe nuk mjafton në regjistrat e historisë.
Qytetërimi ynë janë tiparet tona qytetëruese me të cilat dallojmë veten ndërsa ndërtojmë qytetërimin tonë bashkëkohor teknologjik dhe njerëzor; ai është që na përfaqëson dhe vërteton se ne jemi një segment i veçantë i njerëzimit, jo skllevër të varur që u janë fshirë tiparet.
Ashtu si Ebu Bekri, Omeri, Othmani dhe Aliu – pas prijësit të thirrjes dhe të Dërguarit të njerëzimit (a.s) – janë shembujt dhe të mëdhenjtë tanë, po ashtu shohim edhe ata që erdhën pas tyre: ata janë më poshtë se ata, por më të pastër se ne dhe janë shembuj për ne; ata janë nga brezat më të mirë, nga sahabët dhe tabi‘inët dhe nga paraardhësit e përkushtuar në ixhtihad, qofshin të saktë apo gabues. Dhe kështu e edukojmë umetin me përkatësi ndaj qytetërimit të tij dhe ndërtuesve të tij, duke u krenuar me ta, pa i shenjtëruar dhe pa i ngritur në gradën e pagabueshmërisë, sepse nuk ka pagabueshmëri për askënd pas të Dërguarit të Allahut (a.s), vulës së profetëve.
Mjerë për një umet që i rri në pritë historisë së vet, ose e deformon atë, ose i zmadhon momentet e dobësisë në të, ose ecën pa shenja udhëzuese nga qytetërimi i tij; një umet i tillë është i humbur dhe i çorientuar, ai ka humbur rrugën!
Historia dhe qytetërimi ynë nuk janë për shitje, dhe historianët dhe mendimtarët tanë të vetëdijshëm, që të kuptojnë ligjet e Allahut në përparim, duhet t’ia kushtojnë veten mbrojtjes së kësaj historie dhe këtij qytetërimi, dhe gjithashtu t’i përdorin ato në mënyrën e duhur për ringjalljen e dëshiruar bashkëkohore të qytetërimit.
Autor: Ragib Serxhani
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















