Kush ishin mongolët?

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Dinastia e mongolëve u shfaq në vitin 603 hixhri në Mongoli, lindje të Kinës. Udhëheqësi i tyre i parë ishte Xhinkiz Khan-i.

Xhinkiz Khan, është një nofkë e cila do të thotë “Nënshtruesi i botës” ose “mbreti i mbretërve të botës”. Ai kishte shërbyer si një komandant ushtarak shumë i fortë dhe kishte aftësi të bëjë njerëz për vete. Ai filloi të zgjerohej gradualisht duke bërë që mbretëria e tij të arrinte  nga kufijtë e Koresë në lindje, në kufijtë e dinastisë islame Havarizme në perëndim. Nga fushat e Siberisë në veri, në detin e Kinës në Jug. Kjo do të thotë se perandoria e mongolëve përfshinte shtete të ndryshme të botës së sotme, si Kina, Mongolia, Vietnami, Korea, Tailanda, pjesë të Siberisë, perandoritë e Laos, Mianmar dhe Potan.

Termi tatar, përdoret për popullatën që jetonte në lindje të Kinës, të cilët ishin autoktonët e këtij rajoni. Nga tatarët, lindi fisi i mongolëve, turqve, selxhukëve etj… Kur Xhinkiz Khani, i cili rridhte nga mongolët, shtiu në dorë këto territore i emërtoi të gjithë fiset, mongole.

Feja e mongolëve ishte e çuditshme, pasi ishte një kokteil i të gjitha feve. Xhinkiz Hani kishte marrë ligje nga Islami, Krishterimi dhe Budizmi, të cilave u shtoi dhe ligje të tjera të ndryshme. Në fund, ai doli me një kushtetutë për mongolët, të cilin e quajti “Jask”. Luftërat e mongolëve karakterizohen nga disa cilësi të veçanta si:

1 – Përhapja e tyre e frikshme

2 – Disiplinë dhe rregull i rreptë

3 – Numër i madh burimesh njerëzore

4 – Përballimi i kushteve të vështira

5 – Njerëz pa zemër, pasi luftërat e tyre ishin rrënuese dhe të pazakonta.Është normale të dëgjosh në historinë e tyre se kanë hyrë në filan qytet, të cilin e kanë rrafshuar krejtësisht dhe i kanë vrarë të gjithë banorët e tij, pa bërë dallim mes burrave dhe grave, foshnjave dhe pleqve, të rriturve dhe të vegjëlve, të mirëve dhe të ligjve, civilëve dhe luftëtarëve. Gjenocid dhe natyrë gjakësore, e pakrahasueshme me asnjë egërsirë dhe bishë. Ata silleshin sikur donin ta shuanin racën njerëzore, jo sikur donin pushtet dhe pasuri.

6 – Nuk e pranonin dot tjetrin dhe ishin të fiksuar pas një polarizimit. Nuk ekzistonte asnjë tezë dhe gatishmëri për të ndërvepruar me shtetet fqinje. E çuditshme është se kudo që shkelnin, pretendonin se kishin vajtur për të rimëkëmbur dhe zbatuar fenë, për të vendosur drejtësinë dhe shpëtuar njerëzit nga tirania.

7 – Ishin të pabesë. Nuk kishte gjë më të lehtë për ta sesa të shkelnin me dy këmbët besën e dhënë dhe marrëveshjet e nënshkruara. Me besimtarët nuk respektonin asnjë fjalë dhe besë. Ky ishte tipari kryesor dhe i pandashëm i tyre, prej të cilit nuk hoqën dorë në asnjë epokë të dinastisë së tyre nga ngritja gjer në rënie.

Këto ishin tiparet më kryesore që karakterizonin ushtrinë mongole, tipare të cilat i hasim në çdo ushtri e cila nuk beson ligjeve dhe dispozitave hyjnore.

 Si përmbledhje e fuqive kryesore që vepronin asokohe mund të themi se ishin:

1 – Fuqia e umetit mysliman. Ajo ishte një forcë me histori të lavdishme, por që herë pas here e kaplonte dobësia. Kjo dobësi e umetit, asokohe, edhe pse ishte e rëndë, nuk kishte arritur ta privojë nga i gjithë autoriteti.

2 – Fuqia e kryqtarëve. Edhe pse kryqtarët përjetonin një periudhë dobësie dhe prapambetjeje shkencore e civilizuese në krahasim me umetin islam, forca e tyre nuk mund të injorohej. Përveç numrit të madh, ata ishin të vendosur që betejës me myslimanët ti shkojnë gjer në fund. Asokohe, fuqia islame dhe ajo e kryqtarëve, përbënin fuqitë më të mëdha të kohës.

3 – Fuqia e mongolëve, e cila ishte një fuqi primitive dhe e shëmtuar, fuqi pa histori, pa qytetërim, pa trashëgimi kulturore dhe fetare e cila i lejon të ketë epërsi ndaj të tjerave. Për këtë, kjo fuqi u bazua kryesisht në forcën primitive dhe barbarizmin për t’iu imponuar të tjerëve.

Është ndër ligjet e Zotit në tokë që të ketë rivalitet dhe konflikt mes fuqive të ndryshme. Gjithashtu, është ligj hyjnor që funksionon në tokë, që të fuqishmit e pafe, të mos e pranojnë të dobëtin përkrah tyre. Ashtu siç është ligj që e mira dhe e keqja do të jenë në konflikt gjer në Ditën e Kiametit.

Nëse i marrim në konsideratë të gjithë këto ligje, atëherë pritet një bashkëpunim i mundshëm mes mongolëve dhe kryqtarëve kundër myslimanëve. Kjo, me gjithë dallimet dhe politikat që karakterizojnë secilin prej tyre. Në fakt, është pikërisht kjo ajo që ndodhi.

Kryqtarët, nisën një delegacion të një niveli të lartë nga Evropa për në Mongoli, një distancë prej 12 mijë km vetëm vajtje. Delegacioni në fjalë, i joshi mongolët që të ndërmarrin një sulm ndaj territoreve islame, me qëllim që ta rrëzojnë Kalifatin abasit dhe të shtien në dorë Bagdadin, metropolin e botës islame asokohe. Evropianët ua ngritën në qiell kalifatin islam dhe u premtuan dhe mbështetje për të depërtuar në territoret islame, gjë e cila i tundoi në maksimum mongolët.

Më vonë, ndodhi pikërisht ajo që prisnin dhe parashikonin kryqtarët. Mongolëve u shkoi goja lëng rreth pushtetit dhe pasurive të kalifatit abasit dhe vendosën tu turren këtyre territoreve të pasura. Kjo, edhe pse mongolët dhe kryqtarët nuk morën parasysh shumë gjëra, të cilat do të bëhen shkaktare të disa luftërave mes tyre. E rëndësishme asokohe ishte të sulmoheshin territoret myslimane. Më parë, hebrenjtë e Medines kishin bashkëpunuar me idhujtarët e Mekës për të luftuar Profetin (a.s) dhe myslimanët, me gjithë dallimet doktrinore mes tyre. Më vonë, shohim se persët bashkëpunojnë me bizantët po kundër myslimanëve, me gjithë mëritë dhe inatet dhe luftërat që ishin zhvilluar mes dy perandorive.

Nga ky moment, mongolët fillojnë të planifikojnë për të sulmuar territoret islame, me qëllim që ta heqin kalifatin abasit dhe të marrin Bagdadin, metropolin e kalifatit.

Autor: Ragib Serxhani

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *