I Dërguari i Allahut (a.s) na ka mësuar se urrejtja për hir të Allahut të Lartësuar është ndër lidhjet më të forta të besimit. Nuk ka dyshim se përsosmëria e besimit të engjëjve ndaj Zotit të tyre i bën ata ndër krijesat që i urrejnë më fort mëkatarët dhe i përbuzin më së shumti ata. Kjo urrejtje shfaqet në formën e saj më të lartë kur ata mallkojnë jobesimtarët dhe kategori të caktuara të mëkatarëve, sepse mallkimi, në thelbin e tij, nënkupton largimin nga mëshira e Allahut të Lartësuar.
Nuk ka dyshim se mallkimi i engjëjve ndaj një personi ose ndaj një kategorie njerëzish nuk është si mallkimi që njerëzit ia drejtojnë njëri-tjetrit. Engjëjt janë një bashkësi qiellore e lartë, të cilët kanë arritur përsosmërinë e plotë në adhurim dhe një bindje të palëkundur, gjë që nuk është e mundur për njerëzit, të cilët janë krijuar me mangësi. Pikërisht për shkak të kësaj pozite të lartë, lutja e tyre me mallkim ndaj atij që e meriton mallkimin është më pranë pranimit tek Allahu i Lartësuar.
I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur robi mallkon diçka, mallkimi ngjitet drejt qiellit, por dyert e qiellit mbyllen para tij. Pastaj zbret në tokë, por edhe dyert e saj mbyllen para tij. Më pas endet djathtas e majtas dhe, nëse nuk gjen vend ku të drejtohet, kthehet tek ai që është mallkuar; nëse ai e meriton, e godet atë, e nëse jo, kthehet te ai që e ka shqiptuar.”[1]
Kuptimi i hadithit është se, nëse mallkuesi nuk është prej atyre që e meritojnë mallkimin, ai i kthehet vetë atij; përndryshe, bie mbi të mallkuarin. Natyrisht, engjëjt nuk janë prej atyre që mund ta meritojnë mallkimin, për shkak të pagabueshmërisë së tyre. Prandaj, kush dëshiron shpëtimin dhe synon ta ruajë fenë e tij, duhet të shmangë çdo vepër që bëhet shkak për të merituar mallkimin e engjëjve.
Më poshtë po paraqesim disa prej kategorive të njerëzve që engjëjt i mallkojnë dhe luten që Allahu i Lartësuar t’i largojë nga mëshira e Tij dhe t’i nxjerrë jashtë faljes dhe amnistisë së Tij.
Kategoria e parë: Mallkimi i engjëjve ndaj atij që fsheh dijen fetare
Tekstet e Sheriatit tregojnë se ai që fsheh dijen fetare e meriton mallkimin e engjëjve. Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, ata që fshehin provat e qarta dhe udhëzimin që Ne kemi zbritur, pasi ua kemi sqaruar njerëzve në Libër, ata i mallkon Allahu dhe i mallkojnë mallkuesit.”[2]
Ky ajet përmban një kërcënim të ashpër ndaj atyre që fshehin atë që Allahu ua ka ngarkuar dijetarëve ta shpallin, pasi ka marrë prej tyre besëlidhjen për ta përhapur dijen ndër njerëz dhe për të mos e fshehur apo mbajtur të fshehtë. Kjo është theksuar edhe në suren Ali Imran, ku Allahu i Lartësuar thotë: “Kur Allahu mori besëlidhjen prej atyre që u ishte dhënë Libri: “Do t’ua shpjegoni atë njerëzve dhe nuk do ta fshihni”[3]
Fjala e Allahut të Lartësuar: “dhe i mallkojnë mallkuesit” është argument se edhe engjëjt luten kundër atyre që fshehin dijen fetare, sepse shprehja “mallkuesit” në përgjithësinë e saj i përfshin edhe engjëjt. Këtë e vërtetojnë edhe tekstet e tjera që do të përmendim më pas, të cilat dëshmojnë se engjëjt mallkojnë kategori të caktuara të bijve të Ademit; prandaj ata përfshihen në këtë përgjithësim në mënyrën më të drejtpërdrejtë. Këtë kuptim e kanë përmendur edhe dijetarët e tefsirit. Katadeja, në komentimin e këtij ajeti, ka thënë: “Ata janë engjëjt.” Ndërsa Er-Rebi‘ ibn Enesi ka thënë: “Mallkuesit janë engjëjt e Allahut dhe besimtarët.” Të dyja këto transmetime i ka përcjellë Ibn Xheriri në tefsirin e këtij ajeti.
I Lartësuar qoftë Allahu, i Cili ka bërë që shpërblimi të jetë i të njëjtës natyrë me veprën. Dijetari që ua mëson njerëzve të mirën përfshihet në lutjet për falje të të gjitha krijesave, madje edhe të peshqve në det, të cilët luten që Allahu ta mëshirojë. Në të kundërt, ai që fsheh dijen dhe ua privon njerëzve atë, duke kundërshtuar të gjitha udhëzimet hyjnore që ndalojnë fshehjen e saj dhe urdhërojnë përhapjen e saj, meqë ajo përbën misionin më të lartë që i nxjerr njerëzit nga errësirat në dritë, e meriton mallkimin e të gjitha krijesave, përfshirë edhe engjëjt.
Ky kuptim është në përputhje me fjalën e Profetit (a.s), i cili ka thënë: “Kush pyetet për një dije që e di, pastaj e fsheh atë, në Ditën e Kiametit do t’i vihet një fre prej zjarri.”[4]
Shejhu Es-Sa‘di ka një koment të bukur lidhur me këtë kuptim. Ai thotë për ata që fshehin dijen: “Mbi ta bie mallkimi i mbarë krijesave, sepse ata përpiqen t’i mashtrojnë njerëzit, t’ua prishin fenë dhe t’i largojnë nga mëshira e Allahut; prandaj u është dhënë një shpërblim i të njëjtës natyrë me veprën e tyre. Ndërsa atij që ua mëson njerëzve të mirën, Allahu dhe engjëjt e Tij dërgojnë bekime, madje edhe peshku në thellësinë e ujit, sepse ai përpiqet për dobinë e krijesave, për përmirësimin e fesë së tyre dhe për afrimin e tyre te mëshira e Allahut; ndaj edhe ai është shpërblyer sipas llojit të veprës së tij. Ai që fsheh atë që ka zbritur Allahu kundërshton urdhrin e Allahut dhe i del Atij përballë. Allahu ua sqaron njerëzve argumentet dhe i bën ato të qarta, ndërsa ky përpiqet t’i mbulojë e t’i shuajë ato; prandaj mbi të rëndon ky kërcënim i ashpër.”
Të parët që përfshihen në mënyrën më të drejtpërdrejtë në këtë ajet dhe që, si rrjedhojë, meritojnë mallkimin e engjëjve janë rabinët e hebrenjve dhe murgjit e të krishterëve, të cilët fshehën çështjen e Muhamedit (a.s), mohuan argumentet dhe shenjat e qarta të përmendura në librat e tyre, të cilat përgëzonin për ardhjen e të Dërguarit të udhëzimit dhe vërtetonin misionin e tij profetik. Ebu el-Alije ka thënë: “Ky ajet ka zbritur për Ithtarët e Librit, të cilët fshehën përshkrimin e Muhamedit (a.s)… Për shkak të kësaj vepre, çdo krijesë i mallkon ata.”
Megjithatë, ajeti është i përgjithshëm dhe përfshin çdo njeri që bart këtë cilësi, e cila e bën të meritojë mallkimin, domethënë fshehjen e dijes dhe mosshpjegimin e asaj që Allahu e ka bërë detyrim të sqarohet. Kjo sepse, sipas parimit të njohur të dijetarëve të usulit, merret në konsideratë përgjithësia e formulimit të tekstit dhe jo veçantia e shkakut të zbritjes së tij.
Kategoria e dytë: Mallkimi i engjëjve ndaj atij që shan shokët e Profetit (a.s)
Sahabët fisnikë (r.a) janë përkrahësit më të afërt dhe pasuesit besnikë të Profetit (a.s). Allahu i Lartësuar i ka lavdëruar ata në Librin e Tij, i ka madhëruar me fjalët më të larta të vlerësimit dhe i ka përshkruar si “të ashpër ndaj jobesimtarëve dhe të mëshirshëm ndërmjet tyre.” Ai ka sqaruar cilësitë e tyre ashtu siç përmenden edhe në Teurat dhe në Inxhil. Kënaqësia e Allahut ndaj tyre është një gjykim i përhershëm, i pandryshueshëm dhe i pakthyeshëm, sepse Allahu i Madhëruar nuk e ndryshon vendimin e Tij, siç ka njoftuar Vetë për Veten e Tij. Kjo kënaqësi hyjnore përmendet në fjalën e Tij: “Të parët prijës nga muhaxhirët dhe ensarët, si dhe ata që i pasuan me mirësi, Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Të. Ai u ka përgatitur kopshte nën të cilët rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Ky është triumfi madhështor.”[5]
Ata janë bartësit dhe transmetuesit e kësaj feje, të besuarit për përcjelljen e saj. Profeti (a.s) ka thënë: “Shokët e mi janë garanci sigurie për umetin tim. Kur të largohen shokët e mi, umetit tim do t’i vijë ajo që i është premtuar.”[6]
E transmeton Muslimi.
Për më tepër, ata janë brezi më i mirë i këtij umeti, sipas fjalës së Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të): “Brezi më i mirë i umetit tim është brezi im, pastaj ata që vijnë pas tyre, e pastaj ata që vijnë pas tyre.”
Është transmetuar me zinxhir të saktë se kush guxon t’i shajë, t’i fyejë ose t’i nënçmojë sahabët, e meriton mallkimin e Allahut dhe mallkimin e engjëjve. Ibn Abasi (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush i shan shokët e mi, mbi të qoftë mallkimi i Allahut, i engjëjve dhe i të gjithë njerëzve.”[7] Në një transmetim tjetër nga Enesi shtohet: “Allahu nuk do t’ia pranojë as veprat e detyrueshme dhe as ato vullnetare në Ditën e Kiametit.”
Kur njeriu mediton mbi këtë hadith dhe mbi tërësinë e argumenteve që lavdërojnë këtë brez të jashtëzakonshëm hyjnor, bëhet e qartë se ai që cenon drejtësinë ose fenë e sahabëve e meriton këtë kërcënim për dy arsye kryesore:
Së pari: Allahu i Madhëruar i ka lavdëruar ata në mënyrën më të plotë, po ashtu edhe i Dërguari i Tij (a.s), prej të cilit janë transmetuar shumë tekste që sqarojnë virtytet dhe meritat e tyre, si në mënyrë të përgjithshme ashtu edhe të hollësishme. Prandaj, ai që shpërfill të gjitha këto argumente dhe megjithatë i shan ose i nënçmon sahabët, në të vërtetë përgënjeshtron Allahun dhe të Dërguarin e Tij, mohon domethënien e këtyre teksteve të qarta, autentike dhe të padiskutueshme, si dhe kundërshton një çështje që dihet domosdoshmërisht se është pjesë e fesë.
Së dyti: Ne nuk kemi njohur asgjë nga feja, veçse nëpërmjet sahabëve (r.a). Ata janë bartësit e fesë dhe transmetuesit e saj tek brezat pas tyre. Prandaj, sulmi ndaj sahabëve është në të vërtetë sulm ndaj vetë fesë që ata na e përcollën.
Në këtë kuptim, Imam Ebu Zur‘a ka thënë: “Nëse sheh dikë që sulmon shokët e të Dërguarit të Allahut (r.a), dije se ai është heretik. Kjo sepse Kurani për ne është i vërtetë dhe Suneti për ne është i vërtetë, ndërsa ata që na e kanë transmetuar Kuranin dhe Sunetin janë shokët e Muhamedit (a.s). Të tillët duan të diskreditojnë dëshmitarët tanë, që të zhvlerësojnë Kuranin dhe Sunetin. Prandaj, ata vetë janë më të denjë për t’u diskredituar.”
Kategoria e tretë: Mallkimi i engjëjve ndaj atij që shpik një bidat ose një vepër të dënueshme, apo që strehon autorin e saj
Nga Enesi (r.a) transmetohet se Profeti (a.s) ka thënë: “Kush shpik një vepër të dënueshme, mbi të qoftë mallkimi i Allahut, i engjëjve dhe i të gjithë njerëzve.”[8] Ndërsa në Sunenin e Ebu Daudit, nga Ali ibn Ebi Talibi (r.a), transmetohet se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush shpik një vepër të dënueshme ose strehon autorin e saj, mbi të qoftë mallkimi i Allahut, i engjëjve dhe i të gjithë njerëzve.”[9]
Sipas këtij hadithi, mallkimi lidhet me dy çështje:
E para: Shpikja e një “hadethi” (vepre të dënueshme). Kjo shprehje në aspektin gjuhësor mund të bartë disa kuptime. Ndër to është futja në fenë e Allahut e një risie (bidati) që Ligjvënësi nuk e ka lejuar. Po ashtu, ajo përfshin edhe kryerjen e veprave të ndaluara në çështjet e kësaj bote, si krimet dhe të ngjashmet me to.
E dyta: Strehimi i autorit të një “hadethi”. Kjo përfshin strehimin dhe mbrojtjen e atij që ka shpikur një bidat në fenë e Allahut të Lartësuar, si dhe strehimin e një krimineli, mbështetjen e tij, mbrojtjen e tij dhe pengimin e arritjes së drejtësisë ndaj tij.
Prandaj, kushdo që bie në njërën prej këtyre dy kategorive, sipas dispozitës së Sheriatit, është prej atyre që meritojnë mallkimin e engjëjve.
Kategoria e katërt: Mallkimi i engjëjve ndaj atij që i drejton një armë të ftohtë vëllait të tij
Vëllazëria islame është një lidhje e fuqishme, ruajtjen e së cilës Islami përpiqet ta mbajë të bashkuar dhe të fortë. Ajo është një synim i lartë, i cili kurorëzohet me një sërë normash dhe edukatash fisnike që e ruajnë atë, e forcojnë dhe i shtojnë qëndrueshmërinë e kohezionin. Prandaj nuk është e çuditshme që shohim ndalimin e çdo vepre, fjale apo sjelljeje që mund ta kërcënojë ose të bëhet shkak për dobësimin e kësaj lidhjeje.
Nga kjo kuptojmë se ajo që bëjnë disa njerëz, duke e frikësuar dhe tmerruar vëllain e tyre, pavarësisht nga niveli i frikësimit apo nga qëllimi i tij (qoftë serioz apo shaka), është një sjellje e shëmtuar që meriton qortim dhe kritikë. Madje, ajo është një vepër që sjell mallkimin e engjëjve mbi atë që e kryen. Ky frikësim nuk është thjesht një mëkat i vogël apo një gabim i lehtë, por është prej mëkateve të mëdha që kërkojnë pendim të sinqertë.
Për këtë nuk ka dëshmi më të qartë se hadithi i Ebu Hurejres (a.s), i cili ka thënë: Ebu el-Kasim (a.s) ka thënë: “Kush i drejton një armë të ftohtë vëllait të tij, engjëjt e mallkojnë atë derisa të heqë dorë prej kësaj, edhe nëse ai është vëllai i tij nga babai dhe nëna.”[10]
Ky hadith i referohet veprimit të disa njerëzve që marrin armë ose mjete të tjera që mund të vrasin ose dëmtojnë dhe sillen me to me pakujdesi, duke rrezikuar sigurinë dhe jetën e të tjerëve. Sidomos duke pasur parasysh se shumë prej krimeve që ndodhin në realitet kanë si shkak kryesor gabimin dhe pakujdesinë. Megjithatë, ai që gabon në këtë çështje nuk konsiderohet i justifikuar, por qortohet në çdo aspekt.
Në Sunetin e Profetit (a.s) ka ardhur ndalimi i qartë i këtij lloj frikësimi të muslimanëve. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nuk i lejohet një muslimani ta frikësojë një musliman tjetër.”[11]
E transmeton Ebu Davudi në Sunenin e tij.
Dijetarët e kanë kuptuar se kjo sjellje tejkalon kufirin e mëkateve të vogla dhe hyn në rrethin e mëkateve të mëdha, edhe nëse bëhet me qëllim shakaje. Imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:
“Në të ka një theksim të shenjtërisë së muslimanit dhe një ndalim të ashpër ndaj frikësimit dhe tmerrimit të tij, si dhe ndaj çdo veprimi që mund t’i shkaktojë dëm. Fjala e tij (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të): ‘edhe nëse ai është vëllai i tij nga babai dhe nëna’, është një theksim për të sqaruar përgjithësinë e ndalimit ndaj çdo personi, qoftë ai i dyshuar apo jo, dhe qoftë kjo bërë për shaka e lojë apo jo; sepse frikësimi i muslimanit është i ndaluar në çdo rrethanë.”
Në të njëjtën mënyrë ka thënë edhe hafizi Zejnuddin el-Iraki:
“Në të ka ndalim për drejtimin e armës ndaj muslimanit, dhe ky është ndalim që tregon haram. Në një transmetim tjetër thuhet: ‘Kush i drejton një hekur vëllait të tij, engjëjt e mallkojnë atë.’ Mallkimi i engjëjve nuk bëhet veçse për një vepër që e meriton atë, dhe askush nuk e meriton mallkimin përveç atij që kryen një të ndaluar. Nuk ka dallim në këtë mes asaj që bëhet me seriozitet apo me shaka.”
Nga sa u përmend më sipër kuptojmë se shkaku i ndalimit të nxjerrjes së armës dhe i çdo mjeti të ngjashëm që mund të shkaktojë dëm, është çështja e frikësimit dhe tmerrimit. Por tekste të tjera kanë shtuar edhe një shkak tjetër, që lidhet me kujdesin dhe mbrojtjen në përdorimin e mjeteve të rrezikshme. Askush nuk është i sigurt se ky hekur nuk mund t’i dalë nga kontrolli dhe ta dëmtojë vëllain e tij pa qëllim.
Në këtë kuptim ka ardhur hadithi i të Dërguarit të Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të):
“Askush prej jush të mos ia drejtojë armën vëllait të tij, sepse askush nuk e di nëse shejtani mund t’ia shkëpusë nga dora dhe ta bëjë të bjerë në një gropë prej zjarri.”
Kuptimi i hadithit, siç thotë hafiz Ibn Haxheri, është: “Shejtani nxit armiqësi mes tyre, derisa njëri prej tyre ta godasë tjetrin me armën e tij dhe kështu shejtani arrin goditjen që dëshiron.”
Për shkak të rrezikut të madh të kësaj çështjeje dhe faktit se ajo sjell mallkimin e engjëjve, Profeti (a.s) i mësonte shokëve të tij një sjellje që përcjell siguri dhe kujdes gjatë përdorimit të sendeve të rrezikshme.
Xhabir ibn Abdullahu (r.a) ka treguar: “Një burrë kaloi në xhami me shigjeta. I Dërguari i Allahut (a.s) i tha: “Mbaji nga majat e tyre!”[12] Gjithashtu Xhabiri transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) kaloi pranë disa njerëzve që ishin ulur dhe po nxirrnin një shpatë nga mbështjellësi i saj dhe ia jepnin njëri-tjetrit pa këllëf (pra pa qenë e futur në mbrojtësen e saj). Ai u tha: “A nuk ju kam ndaluar nga kjo? Kur ndonjëri prej jush ta nxjerrë shpatën, le ta fusë përsëri në këllëf dhe pastaj t’ia japë vëllait të tij.”[13]
Ata që tregohen të pakujdesshëm me gjakun, nderin dhe pasurinë e njerëzve duhet të tronditen thellë nga ky hadith. Nëse ai që vetëm drejton me dorë një hekur — i cili ndoshta as nuk është krijuar dhe as nuk përdoret fillimisht për të dëmtuar — dhe vetëm përmes një gjesti të tillë meriton mallkimin e engjëjve, atëherë çfarë mund të thuhet për atë që ia drejton armën vëllait të tij me qëllim serioz? Apo për atë që i dëmton vëllezërit e tij me dashje dhe qëllimisht?
Kategoria e pestë: Mallkimi i engjëjve ndaj atij që e shkel marrëveshjen e një myslimani
Ndër cilësitë themelore të myslimanit është besnikëria dhe përmbushja e amanetit, madje ajo është prej kërkesave më të mëdha të besimit. Një nga dëshmitë më të qarta për këtë, edhe sikur të mos kishte dëshmi të tjera, është fakti se Profeti (a.s) e përmendte shpesh këtë cilësi dhe paralajmëronte kundër cenimit të saj.
Këtë e mësojmë nga dëshmia e Enes ibn Malikut (r.a), i cili ka thënë: “Sa herë që i Dërguari i Allahut (a.s) na mbante një ligjëratë, ai thoshte: “Nuk ka besim ai që nuk ka amanet dhe nuk ka fe ai që nuk ka besnikëri ndaj marrëveshjes.”[14]
Tradhtia ndaj sigurisë dhe mbrojtjes që i është dhënë një jobesimtari sjell mallkimin e përgjithshëm nga Krijuesi dhe krijesat, përfshirë edhe engjëjt fisnikë. Në këtë kuptim transmetohet nga Ali ibn Ebi Talibi (r.a) se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Marrëveshja e sigurisë e myslimanëve është një e vetme. Kush e shkel sigurinë e dhënë nga një mysliman, mbi të qoftë mallkimi i Allahut, i engjëjve dhe i të gjithë njerëzve. Nuk do t’i pranohet as vepra e detyrueshme dhe as ajo vullnetare.”[15]
Kuptimi i fjalës së tij “e shkel sigurinë e një muslimani” është: të prishë mbrojtjen dhe marrëveshjen e tij.
Ky hadith, para së gjithash, i referohet shkeljes së sigurisë që një mysliman ia ka dhënë ndonjërit prej idhujtarëve, qoftë ai prej ithtarëve të marrëveshjes (ehlu dh-dhimmeh) nga hebrenjtë dhe të krishterët, apo prej të tjerëve. Kjo nuk varet nga personi që e ka dhënë këtë siguri, sepse mbrojtja, marrëveshja dhe besa e myslimanëve janë një e vetme; në këtë çështje nuk ka dallim mes pozitave, gradave apo prejardhjeve të tyre.
Dhënia e sigurisë nga një individ mysliman ndaj dikujt është sikur atij t’i jetë dhënë një dokument mbrojtjeje nga i gjithë umeti islam. Askush nuk ka të drejtë ta dëmtojë atë që është vendosur nën këtë mbrojtje. Kush i drejtohet me armiqësi një jobesimtari të cilit një mysliman i ka dhënë siguri, ka kryer prej mëkateve më të rënda dhe ka merituar mallkimin e Allahut, të engjëjve dhe të gjithë njerëzve.
Në këtë kuptim është transmetuar hadithi i Ebu Hurejres (r.a), se Profeti (a.s) ka thënë: “Kini kujdes! Kush vret një person me të cilin ka marrëveshje dhe i cili ka mbrojtjen e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij, ai e ka shkelur mbrojtjen e Allahut; ai nuk do ta nuhasë aromën e Xhenetit, edhe pse aroma e tij ndihet nga një largësi prej shtatëdhjetë vitesh.”[16]
Dihet se ai që është larguar nga Xheneti nuk e arrin aromën e tij të këndshme. Kjo është një mënyrë e theksimit të madh të rrezikut të kësaj vepre dhe një paralajmërim i ashpër ndaj atij që e kryen atë.
Tradhtia është prishja e marrëveshjes dhe mosrespektimi i detyrimit për ta përmbushur atë. Ajo konsiderohet një sjellje e rrezikshme prej tipareve të hipokrizisë, ndaj së cilës është bërë paralajmërim i fortë. Profeti (a.s) ka thënë: “Katër cilësi, nëse gjenden tek një person, ai është hipokrit i plotë; dhe ai që ka një prej tyre, ka një cilësi të hipokrizisë derisa ta braktisë atë: … dhe kur lidh një marrëveshje, e tradhton.”[17]
Kategoria e gjashtë: Mallkimi i engjëjve ndaj robit që i jep besnikëri dikujt tjetër përveç zotërisë së tij
Nuk ka mirësi që të barazohet me mirësinë e lirisë. Robi është i privuar nga kjo liri, e cila e pengon atë nga disa të drejta që i gëzojnë njerëzit e lirë. Prandaj, besnikëria (el-vela’) e robit ndaj atij që e ka liruar ishte një shprehje mirënjohjeje ndaj tij për të mirën që i kishte bërë zotëria i tij, kur e nxori nga bota e robërisë dhe skllavërisë drejt botës së lirisë, nderit dhe dinjitetit.
Është e natyrshme që robi ta ruajë këtë mirësi të madhe që zotëria e tij i ka dhënë përmes lirimit të tij. Atëherë, çfarë mund të thuhet për atë që e kthen shpinën ndaj atij që i ka bërë këtë mirësi dhe pastaj i bashkëngjitet dikujt tjetër dhe i jep besnikërinë e tij?
A ka ndonjë mohim të mirësisë më të madh se kjo gjendje? Pikërisht për këtë arsye, robi që mohon të mirën e zotërisë së tij, i cili e ka liruar, e meriton mallkimin.
Në hadithin e transmetuar nga Aliu (r.a), Profeti (a.s) ka thënë: “Kush i jep besnikëri një populli pa lejen e zotërinjve të tij, mbi të qoftë mallkimi i Allahut, i engjëjve dhe i të gjithë njerëzve. Allahu nuk do t’ia pranojë as veprat e detyrueshme dhe as ato vullnetare.”[18]
Kategoria e shtatë: Mallkimi i engjëjve ndaj atij që i përket dikujt tjetër përveç babait të tij
Edhe kjo kategori është përmendur në hadithin e mëparshëm të transmetuar nga Aliu (r.a), ku thuhet: “Kush pretendon prejardhjen nga dikush tjetër përveç babait të tij, mbi të qoftë mallkimi i Allahut, i engjëjve dhe i të gjithë njerëzve. Allahu nuk do t’ia pranojë atij në Ditën e Kiametit as veprat e detyrueshme dhe as ato vullnetare.”
Ky hadith, siç thotë Imam Neveviu, është i qartë në theksimin e ashpërsisë së ndalimit të përkatësisë së një personi tek dikush tjetër përveç babait të tij, sepse kjo përmban mohim të mirësisë, humbje të të drejtave të trashëgimisë dhe të lidhjeve të besnikërisë (el-vela’), si dhe sjell ndërprerjen e lidhjeve farefisnore dhe mosrespektimin ndaj prindërve.
Në të njëjtin kuptim ka ardhur edhe hadithi i Sa‘d ibn Malikut (r.a), se Profeti (a.s) ka thënë: “Kush i atribuohet dikujt tjetër përveç babait të tij, duke e ditur (se nuk është babai i tij), Xheneti është i ndaluar për të.”[19]
Kategoria e tetë: Mallkimi i engjëjve ndaj gruas që refuzon shtratin e bashkëshortit të saj
Themeli dhe baza e martesës qëndron mbi afërsinë, dashurinë, komunikimin, mëshirën reciproke dhe bashkëjetesën e mirë sipas normave të njohura. Ajo kërkon që secili prej bashkëshortëve t’ia japë tjetrit të drejtën që i takon, ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar: “Edhe ato kanë të drejta të barabarta me detyrimet e tyre, sipas mënyrës së drejtë.”[20]
Në këtë kuadër, refuzimi i bashkëshortes për t’iu përgjigjur kërkesës së bashkëshortit të saj për marrëdhënie bashkëshortore është një veprim i qortueshëm në Sheriat dhe i papranueshëm sipas zakoneve të shëndosha, sepse kjo është një nga synimet kryesore të jetës martesore dhe një nga shkaqet themelore të vazhdimësisë së pasardhësve. Për shkak të rëndësisë së madhe të kësaj lidhjeje nga njëra anë dhe rëndësisë së të drejtës së bashkëshortit, si dhe dobësisë së tij përballë sprovës së grave nga ana tjetër, gruaja që refuzon të drejtën e bashkëshortit të saj e meriton mallkimin e engjëjve.
Nga Ebu Hurejre (r.a) transmetohet se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur një burrë e thërret gruan e tij në shtratin e tij dhe ajo nuk i përgjigjet, ndërsa ai e kalon natën i zemëruar me të, engjëjt e mallkojnë atë derisa të gdhijë.”[21]
Në një transmetim tjetër thuhet: “Kur gruaja e kalon natën duke u larguar nga shtrati i bashkëshortit të saj, engjëjt e mallkojnë atë derisa të gdhijë ose derisa të kthehet (nga ky veprim).”[22]
Prej kërkesave të bashkëjetesës së mirë dhe sipas normave të drejta është që bashkëshortja të qëndrojë në shtratin bashkëshortor dhe të përmbushë të drejtën e burrit të saj. Ajo nuk lejohet ta braktisë këtë të drejtë përveçse nëse ekziston një pengesë ose një arsye e vlefshme sipas Sheriatit.
Nëse ajo e bën këtë pa arsye të ligjshme, ajo bëhet prej atyre që meritojnë mallkimin e engjëjve derisa të gdhijë ose derisa të heqë dorë nga kjo sjellje. Madje, ajo meriton edhe diçka më të rëndë se kaq: zemërimin e Mëshiruesit ndaj saj, derisa bashkëshorti i saj të jetë i kënaqur me të. Profeti (a.s) ka thënë: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, nuk ka asnjë burrë që e thërret gruan e tij në shtratin e tij dhe ajo refuzon, veçse Ai që është në qiell është i zemëruar me të derisa bashkëshorti i saj të jetë i kënaqur me të.”[23]
Nëse hadithet e mëparshme e lidhin mallkimin me kohën e mëngjesit ose me kthimin e saj nga ky mëkat, ky hadith e lidh zemërimin hyjnor me kënaqësinë e bashkëshortit. Kjo mund të ndodhë para agimit, por mund të vazhdojë edhe pas tij, madje mund të zgjasë më shumë.
Zemërimi i bashkëshortit sjell zemërimin e Zotit, dhe nuk ka grua të mençur që do të pranonte të qëndronte në rrethin e zemërimit hyjnor derisa bashkëshorti i saj të jetë i kënaqur me të.
Kategoria e nëntë: Mallkimi i engjëjve ndaj atyre që pengojnë zbatimin e Sheriatit të Allahut të Lartësuar
Nuk ka dyshim se Allahu i Lartësuar e ka zbritur Librin e Tij që të jetë gjykues mes njerëzve me drejtësi: “Ne ta kemi zbritur ty Librin me të vërtetën, që të gjykosh ndërmjet njerëzve me atë që Allahu të ka treguar.”[24]
Ndër dispozitat që lidhen me ndëshkimet e përcaktuara nga Sheriati (hudud) është edhe detyrimi i mallkimit ndaj atij që i kalon kufijtë ndaj një muslimani, duke i marrë jetën padrejtësisht. Kjo dispozitë është përmendur në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Kush vret një besimtar me dashje, shpërblimi i tij është Xhehenemi, ku do të qëndrojë përgjithmonë; Allahu është i zemëruar me të, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur një dënim të madh.”[25]
Duke pasur parasysh këtë hyrje, mund ta kuptojmë rastin në të cilin është përmendur mallkimi i engjëjve. Ai, në kontekstin e tij fillestar, është përmendur në një hadith që sqaron një dispozitë të veçantë të Sheriatit lidhur me ndëshkimet ligjore (hudud). Bëhet fjalë për rastin e vrasjes që ndodh kur njerëzit konfliktohen dhe përleshen me njëri-tjetrin, duke shkaktuar vdekjen e njërit prej tyre, ndërkohë që nuk dihet se kush e ka kryer drejtpërdrejt vrasjen.
Në një rast të tillë kërkohet pagesa e “dijes” (dëmshpërblimit të gjakut), dhe ajo vendoset mbi grupin që ka marrë pjesë në konflikt. Ndërsa nëse vrasësi njihet, ndaj tij zbatohet kisas-i (ndëshkimi i barasvlershëm), përveçse nëse familjarët e të vrarit pranojnë marrjen e dijes ose e falin atë.
Zbatimi i ndëshkimit ndaj vrasësit me dashje, kur nuk ekzistojnë këto dy përjashtime — falja ose pranimi i dijes — është një çështje e vendosur që nuk lejohet të anashkalohet, të shmanget apo të pengohet në asnjë mënyrë. Prandaj, kush përpiqet të pengojë zbatimin e gjykimit ndaj vrasësit, mbi të bie mallkimi i Allahut, i engjëjve dhe i të gjithë njerëzve.
Nga Ibn Abasi (r.a) transmetohet se i Dërguari i Allahut (a.s), pasi përmendi rastin kur nuk dihet vrasësi, ka thënë: “…Ndërsa kush vret me dashje, atëherë për të është kisas-i i duarve të tij; dhe kush pengon mes tij dhe zbatimit të tij — mes vrasjes dhe kisasit — mbi të qoftë mallkimi i Allahut, i engjëjve dhe i të gjithë njerëzve.”[26]
Pra, këto janë nëntë kategori njerëzish, ku secila prej tyre e ka merituar mallkimin e engjëjve për shkak të mëkateve që kanë kryer dhe që e bëjnë të detyrueshëm këtë mallkim.
Këtu kuptojmë se ky mallkim që buron nga engjëjt nuk është prej tyre në mënyrë të pavarur, por bëhet me urdhrin e Allahut dhe si shprehje e sqarimit hyjnor se këta njerëz e meritojnë atë. Engjëjt nuk veprojnë veçse atë që urdhërohen.
Lusim Allahun e Lartësuar që të na ruajë nga poshtërimi i kësaj bote dhe nga dënimi i botës së ardhshme.
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Ebu Daudi.
[2] – Sure Bekare: 159.
[3] – Sure Ali Imran: 187.
[4] – Buhariu, Muslimi..etj.
[5] – Sure Teube: 100.
[6] – Muslimi.
[7] – Tabaraniu në “Mexhmu’u el Kebir”.
[8] – Buhariu.
[9] – Ebu Daudi.
[10] – Muslimi.
[11] – Ebu Daudi.
[12] – Buhariu dhe Muslimi.
[13] – Ahmedi.
[14] – Ahmedi.
[15] – Buhariu dhe Muslimi.
[16] – Tirmidhiu.
[17] – Buhariu dhe Muslimi.
[18] – Buhariu dhe Muslimi.
[19] – Buhariu.
[20] – Sure Bekare: 228.
[21] – Buhariu dhe Muslimi.
[22] – Ebu Daudi.
[23] – Muslimi.
[24] – Sure Nisa: 105.
[25] – Sure Nisa: 93.
[26] – Ebu Daudi.



















