Kush e njeh ligjin e pemës që është i vlefshëm për edukimin e fëmijëve

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Tregimi i pemës prej të cilës hëngrën Ademi (a.s) dhe Havaja është tregimi i parë që është cekur në Kuranin Famëlartë. Padyshim që ky tregim është shumë domethënës dhe mbart shumë vlera edukative, sepse ai është përmendur në fillim të sures më të gjatë të Kuranit, pikërisht në suren Bekare. Ngjarja e pemës është e para që ka ndodhur në historinë e njerëzimit. Ajo është ngjarja e parë që ka ndodhur brenda familjes në historinë botërore. Ajo sqaron gabimin e parë njerëzor që ka ndodhur përgjatë historisë. Ajo është ngjarja e parë në të cilën përgjegjës kanë qenë të dy bashkëshortët së bashku. Dhe në fund të kësaj parathënie themi se ligji i pemës është ligji i parë edukativ, disiplinor për njeriun, i cili është mëkëmbësi i Allahut në tokë. Por cili është ligji i pemës? Si duhet të përfitojmë prej tij për të disiplinuar veten tonë dhe për të korrigjuar sjelljen e fëmijëve tanë? Përgjigjen e kësaj pyetje do e sqaroj në pikat e mëposhtme:

Një: Qartësia e urdhërit dhe direktivës. Urdhëri që Allahu i dha Ademit (a.s) ishte shumë i qartë. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne thamë: O Adem, jeto ti dhe gruaja jote në Xhenet dhe aty hani sa të doni e kur të doni, por mos iu afroni kësaj peme se ndryshe do të bëheni të padrejtë.”[1] Pra, pema nga e cila Ademi (a.s) dhe Havaja nuk duhet të hanin, iu bë e ditur se kush ishte me saktësi, sakaq ata ishin të lirë të hanin nga frutet e pemëve të tjera.

Dy: Ofrimi i alternativës. Kur Allahu e ndaloi Ademin (a.s) dhe Havanë që të hanin nga pema, i ofroi atyre alternativën, madje me bollëk duke ju thënë: “aty hani sa të doni e kur të doni” Pra keni shumë alternativa përveç njërës.

Tre: Dialogu i qetë me gabimtarin. Pas gabimit të Ademit (a.s) dhe Havasë, Allahu u foli që të dyve qetësisht duke u kujtuar atyre se si duhet të vepronin. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe Zoti i tyre i thirri: A nuk ju ndalova nga ajo pemë dhe a ju thashë se shejtani është një armik i hapur për ju?!”[2] Një dialog i qetë pa asnjë lloj zemërimi apo ashpërsie.

Katër: Mundësia dhe shansi për të pranuar gabimin. Allahu i dha mundësinë Ademit (a.s) dhe Havasë për t’u penduar për gabimin që bënë. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata thanë: O Zoti ynë. Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.”[3]

Pesë: Dëgjimi i atij që kërkon falje dhe pranimi i faljes. Allahu i Madhëruar thotë: “Ademi mësoi disa fjalë (se si të kërkonte falje) nga Zoti i tij, kështu që Ai ia pranoi pendimin. Sigurisht, Ai e pranon shumë pendimet. Ai është Mëshirëploti.”[4] Ademi (a.s) nuk këmbënguli që ta përsëriste gabimin dhe as nuk ia vuri fajin shejtanit, i cili e shtyu për të ngrënë nga pema. Përkundrazi ai e pranoi përgjegjësinë e fajit, e Allahu e pranoi pendimin e tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Pastaj, Zoti i tij e zgjodhi atë, ia pranoi pendimin, e udhëzoi.”[5] Ademi (a.s) iu përgjigj thirrjes dhe cytjeve të shejtanit megjithëse e dinte se ai ishte armiku i tij. Po ashtu ai (a.s) harroi se Allahu e kishte urdhëruar që mos të hante nga pema. Kështu që – zakonisht – njeriu gabon për shkak të mosdijes ose rendjes pas epshit.

Gjashtë: Njohja e shkaqeve të gabimit. Shejtani është shkaku kryesor i gabimit të Ademit (a.s) dhe Havasë, duke i shtyrë ata të dy drejt gabimit duke përfituar edhe nga ndjenja e përjetësisë dhe pushtetit që janë të rrënjosura në zemrën e njeriut. Allahu i Madhëruar thotë: “Por djalli e cyti: O Adem, a do të të tregoj pemën e përjetësisë dhe të një mbretërimi që nuk zhduket.”[6]

Shtatë: Disiplina. Pasi gabimtari e kuptoi gabimin e tij dhe kërkimi i faljes u pranua vjen masa disiplinore. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe (Zoti) tha: Zbritni prej Xhenetit të dy!”[7]

Tetë: Të folurit për të ardhmen pas gabimit. Pas gabimit nga ana e Ademit (a.s) dhe Havasë dhe përfundimit të procesit edukativ, Allahu ju foli atyre të dyve për të ardhmen e tyre duke i thënë se ata duhet t’i bindeshin Atij dhe duhet ta kundërshtonin shejtanin. Allahu i Madhëruar thotë: “Do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Kur t’ju vijë udhëzim nga ana Ime, kush do ta pasojë udhëzimin Tim, as nuk do të humbë, as nuk do të bjerë në mjerim.”[8] Po ashtu Allahu i foli edhe për të ardhmen e qëndrimit të tyre në tokë. Allahu i Madhëruar thotë: “Zbritni! Ju do të jeni armiq me njëri-tjetrin. Në tokë do të banoni dhe do të jetoni deri në një kohë të caktuar.”[9]

Nëntë: Aftësia e njohjes se si duhet të reagosh ndaj propagandës së rremë, sepse shejtani përdori propagandë të rremë duke i cytur Ademin (a.s) dhe Havanë, duke ia zbukuruar atyre çështjen dhe duke lozur me mendjet e tyre. Mirëpo menjëherë pasi ata të dy e kundërshtuan urdhërin e Allahut doli në shesh e vërteta dhe u shfaqën pjesët e turpshme. Allahu i Madhëruar thotë: “Kështu ata të dy hëngrën nga ajo pemë e u ndërgjegjësuan për lakuriqësinë e tyre, prandaj nisën të mbulohen me gjethet e Xhenetit. Ademi nuk e zbatoi urdhrin e Zotit të vet, kështu që devijoi.”[10] Shejtani përdori propagandën e rremë duke e bindur Ademin (a.s) se nëse ai hante nga pema do të ishte engjëll.  Ademi (a.s) e dinte që nuk ishte engjëll dhe po ashtu e dinte se Allahu i urdhëroi engjëjt të binin në sexhde për të, pra si mund të ishte ai një engjëll? Mirëpo problem ishte se ai (a.s) u ndikua nga propaganda dhe truket e shejtanit.

Dhjetë: Njohja e vetes dhe përfitimi nga përvojat e ndryshme. Nga kjo përvojë, Ademi (a.s) mësoi shumë të vërteta. Ai mësoi se nefsi i njeriut priret për të ndjekur epshet, mësoi se jo çdo krijesë është e mirë, e ndershme dhe e drejtë (Ai u betua para të dyve se unë jam një këshillues), mësoi se njeriu mund t’i bëjë padrejtësi vetes së tij (Ata thanë: o Zot, ne i bëmë padrejtësi veteve tona),mësoi se njeriu mund të harrojë (Sigurisht, më përpara Ne i premtuam edhe Ademit, por ai harroi dhe Ne nuk gjetëm tek ai vullnet) mësoi se shejtani ishte armiku i tij para se të futej në Xhenet (Ne i thamë; O Adem! Vërtet ky është armiku yt dhe i bashkëshortes tënde, prandaj mos t’ju nxjerrë nga Xheneti e të dëshpërohesh më pas) dhe mësoi se Allahu është Falës dhe Mëshirues (Pastaj Zoti i tij e përzgjodhi, ia pranoi pendesën dhe e udhëzoi).

Ky pra është ligji edukativ i pemës, prej të cilit  duhet të nxjerrim mësime në rastin e edukimit të veteve tona dhe të fëmijëve tanë. Ne nuk duhet t’i ndëshkojmë ata vetëm pasi në rradhë të parë ua kemi bërë të qartë urdhrin, t’i lëmë të shprehin lirisht mendimin e tyre, t’i dëgjojmë me vëmendje e t’i pranojmë shfajësimin e tyre pa u nevrikosur e pa i goditur dhe mund të marrim edhe masa displinore ndaj tyre por duke e treguar shkakun e ndëshkimit, sakaq marrëdhëniet tona me ta duhet të vazhdojnë  të jenë të mira përderisa ata e kanë pranuar gabimin. Ndoshta me të drejtë dikush mund të pyesë: Përse Allahu nuk i fali Ademin (a.s) dhe Havanë duke qenë se i nxori nga Xheneti? Përgjigja është shumë e thjeshtë: Sepse Allahu i krijoi për të qenë mëkëmbës në tokë, se testi i pemës në Xhenet ishte një mësim praktik në terren për të ditur se si duhet të ndërtosh marrëdhënie me Allahun, veten dhe shejtanin dhe për të qenë shembull e model për pasardhësit. Ky ishte një test i thjeshtë në një lëndë, por është mëse i mjaftueshëm për të ofruar metodologjinë dhe vizionin e ndërtimit të marrëdhënieve me të gjitha aspketet e jetës.

Autor: Xhasim Mutaua

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Bekare: 35.

[2] – Sure A’raf: 22.

[3] – Sure A’raf: 23.

[4] – Sure Bekare: 37.

[5] – Sure Taha: 122.

[6] – Sure Taha: 120.

[7] – Sure Taha: 123.

[8] – Sure Taha: 123.

[9] – Sure A’raf: 24.

[10] – Sure Taha: 121.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.