11 Shtatori… pas 25 vjetësh, bota ngrihet në këmbë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Më 11 shtator 2001 ishte e martë dhe për mua nuk ishte ditë mësimi. U zgjova dhe e nisa ditën shumë herët. Teksa po haja një mëngjes të thjeshtë në shtëpinë time, në kampusin universitar “Columbia Morningside”, më ra telefoni, i cili në ato ditë ishte ende telefon fiks, siç ishte zakonisht. Në anën tjetër ishte një mik nga Evropa, i cili më pyeti: “A je mirë?”. Iu përgjigja se po dhe, duke u habitur nga toni i tij i shqetësuar, e pyeta se çfarë kishte ndodhur. Ai m’u përgjigj: “Ndoshta do të ishte mirë ta ndizje televizorin”.

Pasi hëngra mëngjesin, zbrita në kampusin e universitetit tonë dhe vazhdova të ecja përgjatë rrugës “Broadëay”. Rrugëve kishte rënë një qetësi e frikshme dhe makinat që kalonin ishin të rralla. Në Nju Jork jemi të varur nga zhurma; ajri i qytetit tonë ka qenë gjithmonë i mbushur me një gumëzhimë të pandërprerë, por atë ditë ajo ishte zhdukur krejtësisht. Vendosa të shkoja drejt qendrës së qytetit për ta parë nga afër se çfarë po ndodhte. Ndërkohë, kishte shkuar pothuajse mesdita dhe kishte nisur pasditja.

Rrugët ishin të mbyllura që nga rruga “Houston” dhe askujt nuk i lejohej të afrohej më shumë pranë vendit që njihet si “Ground Zero”. Mbaj mend se pashë disa turistë japonezë që mblidhnin pluhurin që binte nga ajri mbi makinat e parkuara dhe e vendosnin në qese plastike, për ta ruajtur si kujtim.

Qyteti ynë kishte hyrë në një gjendje çmendurie të qetë. Pak më vonë, presidenti Xhorxh Ë. Bush mbërriti në vendin e sulmit në Qendrën Botërore të Tregtisë, duke u zotuar për hakmarrje. Ashtu si shumica e amerikanëve, edhe unë jetoja brenda një kuadri referencash morale dhe politike, krejtësisht i pavetëdijshëm se bota përreth nesh ishte në prag të një ndryshimi të përhershëm dhe se jeta dhe siguria ekonomike e miliona njerëzve në këtë planet tashmë ishin vënë në pikëpyetje.

Shifrat zyrtare tregojnë se rreth 2976 njerëz të pafajshëm humbën jetën në atë akt kriminal. Ndërkohë, gjatë “luftës kundër terrorizmit” që pasoi këto ngjarje, në Afganistan, Irak, Siri, Jemen dhe Pakistan u morën jetët e rreth 940 mijë njerëzve të pafajshëm.

Ky numër rritet deri në 3,7 milionë raste të vdekjeve të tërthorta, të lidhura po me “luftën kundër terrorizmit”. Ndërsa numri i refugjatëve të zhvendosur si pasojë e kësaj lufte vlerësohet në 38 milionë persona, kostoja e saj financiare vlerësohet në 8 trilionë dollarë. Këto shifra vazhdojnë ta ndjekin njerëzimin tonë edhe sot.

Filozofi gjerman Valter Benjamin, në esenë e tij “Kritika e dhunës”, botuar në vitin 1921, trajton mënyrën se si dhuna kontribuon në krijimin dhe shpërbërjen e sistemeve politike të mbështetura mbi justifikime juridike. Teoria e tij përqendrohet te lidhja e pandashme ndërmjet sferës së ligjit dhe hapësirës së dhunës: nuk ekziston asnjë ligj i çliruar nga elementi i dhunës, ashtu siç nuk ekziston asnjë akt dhune që të mos çojë në shkeljen ose në hartimin e ligjit.

Më 11 shtator të atij viti fatkeq, 2001, një grup aventurierësh ekstremistë shfrytëzoi këtë paradoks dhe kreu një akt dhune vetëvrasëse, i cili i dha shkas një sistemi perandorak që ata synonin ta sulmonin, me qëllim që ta zhveshnin atë nga çdo pretendim për legjitimitet.

Struktura në ndryshim e perandorisë ushtarake amerikane

Sulmet e 11 shtatorit shkaktuan ndryshime të mëdha në politikën botërore dhe në sigurinë e brendshme, duke prekur edhe hollësitë e jetës së përditshme në pothuajse çdo aspekt të ekzistencës njerëzore në Tokë. Menjëherë pas këtyre ngjarjeve, Shtetet e Bashkuara pushtuan Afganistanin në tetor 2001, me synimin për të shpërbërë organizatën “Al-Kaida”, të cilës iu atribua përgjegjësia për sulmet, dhe për të rrëzuar nga pushteti lëvizjen talebane, e cila i kishte dhënë strehë. Kështu nisi lufta më e gjatë e Shteteve të Bashkuara, e cila zgjati rreth 20 vjet.

Pak më vonë, në mars 2003, një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara pushtoi Irakun, me pretekstin e asgjësimit të armëve të shkatërrimit në masë, të cilat nuk ekzistonin, si dhe të zhvillimit të “luftës kundër terrorizmit” në një shkallë më të gjerë. Në atë kohë, kryeministri izraelit, krimineli i luftës “Benjamin Netanyahu”, i bindi autoritetet amerikane se Sadam Huseini zotëronte armë të shkatërrimit në masë dhe, si zakonisht, gënjeu.

Në bindjen e amerikanëve për ta besuar këtë shpifje kontribuoi edhe korrespondentja e gazetës “Neë York Times”, e diskredituara “Judith Miller”. Një dekadë më vonë, konkretisht më 2 maj 2011, forcat e njësive speciale të Marinës së Shteteve të Bashkuara arritën të lokalizonin udhëheqësin e “Al-Kaidës”, Osama bin Laden, të cilin Uashingtoni e konsideronte përgjegjësin kryesor për ngjarjet e 11 shtatorit, dhe e vranë në Pakistan.

Në tetor 2001, pra menjëherë pas ngjarjeve të 11 shtatorit, Kongresi amerikan miratoi “Ligjin Patriot” (USA Patriot Act), i cili zgjeroi në mënyrë të paprecedentë kompetencat e qeverisë për mbikëqyrje dhe mbledhjen e informacioneve të inteligjencës. Gjithashtu u krijua Departamenti i Sigurisë Kombëtare, ndërsa Administrata e Sigurisë së Transportit ndërmori ndryshime rrënjësore në sigurinë e aeroporteve, si vendosja e rregullave më të rrepta për bagazhet dhe pikat e kontrollit.

Në vitin 2002 u hap burgu ushtarak amerikan në Gjirin e Guantanamos, në Kubë, për të mbajtur të ndaluar personat e dyshuar për përfshirje në terrorizëm, pa iu nënshtruar procedurave të rregullta ligjore. Ndërkohë, myslimanët amerikanë dhe, në përgjithësi, njerëzit me prejardhje nga Lindja e Mesme u përballën me një rritje të ndjeshme të diskriminimit, krimeve të urrejtjes dhe armiqësisë së hapur nga opinioni publik. Mediat amerikane, të mbushura me përkrahës të sionizmit, kontribuan në lehtësimin e demonizimit agresiv të myslimanëve.

Lufta në Afganistan (2001–2021) zgjati gati dy dekada, pa sjellë rezultate konkrete, ndërsa lëvizja talebane u rikthye në pushtet më e fortë se më parë. Gjatë luftës në Irak (2003–2011), Shtetet e Bashkuara dhe forcat e koalicionit rrëzuan regjimin e Sadam Huseinit, duke shkaktuar ngritjen e grupit ekstremist të Shtetit Islamik (ISIS/Daesh). Megjithatë, shpërthimi i Pranverës Arabe shumë shpejt i zhveshi të gjitha këto akte dhune nga besueshmëria e tyre, duke i hapur rrugë protestave masive arabe që kërkonin demokraci.

Nga ana tjetër, sulmi i Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) ndaj Libisë në vitin 2011, si dhe ndërhyrjet e Shteteve të Bashkuara në Siri po atë vit, çuan në shembjen e këtyre dy shteteve. Pas kësaj, shumica e regjimeve arabe ndërmorën një kundërsulm të ashpër, i cili e shpërbëri vrullin e Pranverës Arabe.

Fushatat ushtarake izraelite që nga 11 Shtatori

Me ndihmën dhe nxitjen e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian, kolonia izraelite e vendbanimeve koloniale është shndërruar në vatrën kryesore të konfliktit dhe në përfituesin më të madh të pasojave të ngjarjeve të 11 Shtatorit. Vrasjet masive brutale që Izraeli po kryen ndaj palestinezëve në mes të ditës dhe para syve e veshëve të mbarë botës, shkaktojnë shqetësim të thellë te mbarë njerëzimi. Që nga 11 Shtatori 2001, Izraeli është përfshirë në fushata dhe operacione të mëdha ushtarake kundër palestinezëve në Gaza, si dhe në Liban dhe në Bregun Perëndimor.

Intifada e Dytë (2001–2005) vijoi rrugën e përpjekjeve palestineze për çlirim. Pas shpërthimit të Intifadës palestineze në vitin 2000, ushtria izraelite ndërmori operacione ushtarake në shkallë të gjerë në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës, për të shtypur aspiratat demokratike të palestinezëve.

Gjatë dekadave që pasuan ngjarjet e 11 Shtatorit, Izraeli ndërmori operacione të mëdha dhe të shumta ushtarake kundër palestinezëve, të cilat përfundimisht arritën kulmin me zhvillimin e një lufte gjenocidale kundër palestinezëve, që nga tetori 2023 e deri më sot.

Propaganduesit izraelitë në Izrael, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara i kanë shfrytëzuar në mënyrë sistematike dhe të vazhdueshme ngjarjet e 11 Shtatorit për të demonizuar arabët dhe myslimanët në tërësi. Edhe sot, me rastin e 25-vjetorit të ngjarjeve të 11 Shtatorit, agjentët izraelitë në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të nxisin ndjenjat e urrejtjes ndaj arabëve dhe myslimanëve, në përpjekje për të larguar vëmendjen nga praktikat e tyre kriminale edhe më të tmerrshme në Palestinë, Liban, Siri, Jemen, Irak dhe tani në Iran.

Rezistenca si qenie dhe ekzistencë

Aktet terroriste të 11 Shtatorit ishin vepër e një grupi nihilistësh ekstremistë, të cilët kishin humbur shpresën përballë rrethanave tona të dhimbshme; rrethana të shkaktuara nga kolonia izraelite e vendbanimeve koloniale, e cila ushtron gjenocid, nga regjimet arabe dhe islame të zhytura në një korrupsion që nuk mund të reformohet dhe, para së gjithash, nga perandoria amerikane e çrregulluar.

Prandaj, ata menduan se nuk kishin asgjë për të humbur dhe ndërmorën një akt të dëshpëruar sfide vetëvrasëse, duke i shndërruar vetë trupat e tyre në epiqendrën e parë të dhunës që ata ua mohonin regjimeve sunduese, të cilat po e plaçkisnin botën. Me këtë akt të dhunës nihiliste, ata shtrembëruan një histori të pasur me rezistencë parimore dhe të qëllimshme kundër imperializmit evropian dhe amerikan. Akti i tyre kriminal u krye si një shfaqje e dhunës së zhveshur nga çdo qëllim moral, politik apo revolucionar.

Ishte një akt i dëshpëruar dhune të tmerrshme, i cili paralajmëroi dhe i hapi rrugë një vale gjithnjë në rritje të dhunës së hapur gjenocidale nga Izraeli dhe mbështetësit e tij në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara; një valë që u ka marrë jetën miliona arabëve dhe myslimanëve, veçanërisht palestinezëve, ose i ka lënë të vuajnë me aftësi të kufizuara për pjesën tjetër të jetës, ose i ka detyruar të përballen me hidhërimin e pafund të zhvendosjes dhe të jetesës si refugjatë e të mërguar.

Operacionet e përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit që nga 11 Shtatori kanë përfshirë një synim të paramenduar për të imponuar një hegjemoni globale, që shtrihet nga kontrolli mbi burimet deri te kontrolli i gjeopolitikës. Sot, Donald Trumpi dhe Benjamin Netanyahu janë shndërruar në dy simbolet më të spikatura dhe vulën përmbyllëse të një çerekshekulli hegjemonie globale, përmes një ndërthurjeje të egër të dhunës dhe mashtrimit.

Ngjarjet e 11 Shtatorit i dhanë shkas një përshkallëzimi ngjarjesh që nisi me politizimin e një akti kriminal dhe përfundoi, në anën tjetër, me kriminalizimin e veprimit politik në tërësi. Sot, fatet e kombeve po treten nën mëshirën e tekave të planeve kolonialiste dhe imperialiste që synojnë të qeverisin dhe të ushtrojnë hegjemoninë mbi botën.

Faza më e fundit e spastrimit etnik dhe gjenocidit në Palestinë po shfaqet sot si vatra qendrore e politikës botërore, ku grabitja e hapur e tokave dhe e burimeve është shndërruar në mënyrën e veprimit të pranuar të fuqisë dhe politikës në shkallë globale.

Megjithatë, popujt e botës, të frymëzuar nga vendosmëria e pathyeshme e palestinezëve për të rifituar atdheun e tyre, nuk iu nënshtruan sjelljeve dinake të “Donald Trumpit”, as ngacmimeve demonstrative të ushtruara nga “Benjamin Netanyahu” dhe sionizmi i mbështetur mbi gjenocidin. Përkundrazi, rezistenca ndaj pushtetit të dhunshëm është bërë sot thelbi i vërtetë i ekzistencës sonë.

Një çerek shekulli pas ngjarjeve të 11 Shtatorit, pas humbjes së miliona jetëve dhe shkatërrimit të shtëpive, Izraeli sot përballet me përbuzje në mbarë botën si një entitet që ushtron gjenocid.

Ndërkohë, miliona amerikanë po ngrihen për ta çliruar veten nga zgjedha e agjentëve të Izraelit, si miliarderët e Komitetit Amerikan të Çështjeve Publike Izraelite (AIPAC), të cilët i nënshtrojnë ata tekave të një kolonie të përgjakshme të vendbanimeve koloniale. Kështu, çështja e çlirimit kombëtar të Palestinës është bërë sot kriteri vendimtar për çdo shpresë për një të nesërme të qytetëruar.

Autor: Hamid Debashi

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *