Kush nga njerëzit nuk gabon?!
Është natyrë e njerëzve, prej së cilës nuk ka shpëtim, që ata të gabojnë. Këtë e ka bërë të qartë edhe Profeti i Allahut (a.s) kur ka thënë: “Çdo bir i Ademit gabon, dhe më i miri i të gjithë gabuesve është ai që pendohet.”
Nga ky rregull nuk bën përjashtim askush, përveç profetëve
Nëse gabimi pritet të ndodhë në këtë mënyrë nga çdo njeri, medeomos kuptohet vetvetiu se Sheriati ka ardhur me një udhëzim hyjnor për t’i orientuar njerëzit për tek e drejta dhe e sakta.
Statusi i shokëve të Profetit (a.s)
Gjenerata e shokëve të Profetit (a.s) është gjenerata më e mirë në sipërfaqen e rruzullit tokësor. Nuk e themi këtë thjesht nga një përpjekje e mendimit tonë, por e ka dëshmuar vetë Profeti i Allahut (a.s) kur ka thënë: “Më të mirët e njerëzve janë brezi im, pastaj ata që pasojnë ata, pastaj ata që pasojnë ata.”
Madje, një dëshmi për këtë është përmendur nga Allahu në ajetin kuranor: “Muhammedi është i Dërguari i Allahut, dhe ata që janë me të janë të ashpër ndaj mohuesve, të mëshirshëm mes tyre; i sheh ata në gjunjë, në sexhde, duke kërkuar favorin dhe kënaqësinë e Allahut. Shenja e tyre është në fytyrat e tyre nga gjurmët e sexhdes.”[1]
Por kjo nuk do të thotë se shokët e Profetit (a.s) nuk janë njerëz dhe se nuk mund të gabojnë. Po, gabimet e tyre janë të pakta, dhe ato shkrihen në oqeanet e vlerave të tyre, por gjithsesi edhe ata kanë gabime. Profeti (a.s) kishte një metodë të qartë dhe të qëndrueshme për t’i trajtuar ato. Nëse do ta përmbledhje këtë parim në një fjalë, ajo fjalë do të ishte “mëshira”.
Disa mund të çuditen se metoda e trajtimit të gabimit është mëshira; sepse ajo që të shkon menjëherë në mendje kur flitet për gabimet është ndëshkimi, por nuk është gjithmonë kështu. Shumë gabime trajtoheshin përmes buzëqeshjes, udhëzimit, këshillës dhe mësimit para se të ndëshkoheshin.
Madje, Profeti (a.s) kur ndonjëherë detyrohej të zbatonte ndëshkimin, si për shembull në rastet që lidheshin me aplikimin e ndëshkimeve kur shkeleshin ligjet e Allahut, e aplikonte masën ndëshkimore duke qenë i mëshirshëm. Madje edhe në rastin ku ndaj shkelësit do të ekzekutohej dënimi me vdekje, ai (a.s) u tregua i mëshirshëm.
Tipari i injorancës
Edhe pse injoranca është një tipar i përbuzur dhe rrallherë përmendet në Kuran në aspektin pozitiv, ajo përmendet shpesh për të treguar përbuzje dhe qortim. Madje, Musai (a.s) iu lut Allahut që ta mbante larg saj, siç e tregon Allahu i Lartësuar në fjalët e Tij: “Ai tha: “Unë kërkoj mbrojtje tek Allahu që të mos jem nga të paditurit.”[2]
Megjithatë, pavarësisht qortimit për këtë tipar, të gjithë njerëzit – pa përjashtim – e kanë këtë tipar në një mënyrë ose tjetër. Ata dinë disa gjëra dhe nuk dinë gjëra të tjera. Edhe më të diturit në një fushë të caktuar patjetër janë të paditur në fusha të tjera.
Në të vërtetë, përbuzet ai që është injorant dhe nuk përpiqet të fitojë dijeni, ai që nuk di gjëra të njohura gjerësisht mes njerëzve, ose siç thonë dijetarët: ai që është injorant për atë që është i njohur nga feja me detyrim.
Ky lloj i fundit — injoranca për çështjet e njohura — është ai që synojmë të trajtojmë në këtë artikull. Përndryshe, të gjithë njerëzit janë të paditur, ose të paktën kanë qenë të paditur në një fazë të jetës së tyre, pastaj kanë kaluar në fazën e dijes.
Shembuj nga mëshira e Profetit (a.s) ndaj atyre që nuk i dinin rregullat e fesë
Meqenëse feja islame ishte një fe e re në Gadishullin Arabik në kohën e dërgimit të të Dërguarit të Allahut (a.s), shumë njerëz vinin tek ai pa i njohur mirë dispozitat e Islamit. Megjithatë, pavarësisht numrit të madh të tyre dhe pyetjeve apo gabimeve që bënin, ai nuk e humbi kurrë qetësinë dhe durimin e tij. Përkundrazi, u përball me të gjitha këto situata me mëshirën që e karakterizonte.
Muavije ibn el-Hakem es-Sulemij (a.s) tregon: “Ndërsa po falesha me të Dërguarin e Allahut (a.s), njëri nga njerëzit teshtiu. Unë i thashë: “Allahu të mëshiroftë!” Njerëzit filluan të më shikonin me habi. Atëherë unë thashë: “Më humbtë nëna! Çfarë keni që më shikoni kështu?” Ata filluan të godisnin kofshët e tyre me duar, për të më bërë shenjë të heshtja. Kur e kuptova se po përpiqeshin të më ndalonin të flisja, heshta.
Kur i Dërguari i Allahut (a.s) e përfundoi namazin, për nënën dhe babanë e tij qofsha flijim, nuk kam parë as para tij e as pas tij ndonjë mësues më të mirë në mësimdhënie sesa ai. Për Allahun, ai as nuk më qortoi ashpër, as nuk më goditi dhe as nuk më shau. Ai vetëm tha: “Gjatë faljes së namazit nuk lejohet asgjë nga fjalët e zakonshme të njerëzve. Ai përbëhet vetëm nga tesbihu, tekbiri dhe leximi i Kuranit.”[3]
Në këtë ngjarje shohim qartë mëshirën e të Dërguarit të Allahut (a.s) ndaj Muavijes (r.a), i cili ishte ende shumë i paditur në lidhje me rregullat e namazit. Kjo mëshirë la aq shumë mbresë tek Muavija, saqë ai e kujtoi dhe e komentoi vetë duke thënë: “Për nënën dhe babanë e tij qofsha flijim, nuk kam parë as para tij e as pas tij ndonjë mësues më të mirë në mësimdhënie sesa ai.”
Ndoshta Muavija priste që edhe i Dërguari i Allahut (a.s) ta qortonte ose të sillej me ashpërsi ndaj tij, sidomos pasi pa reagimin e fortë të namazlinjve dhe përpjekjet e tyre për ta heshtur. Prandaj i habitur tha: “Për Allahun, ai as nuk më qortoi ashpër, as nuk më goditi dhe as nuk më shau.”
Por i Dërguari i Allahut (a.s) nuk nxirrte kurrë fjalë të këqija nga goja e tij dhe nuk sillej me ashpërsi ndaj askujt. Ai i mësonte njerëzit me urtësi, butësi dhe mëshirë, duke i afruar zemrat e tyre dhe jo duke i larguar ato.
Një ditë tjetër, i Dërguari i Allahut (a.s) pa diçka që zakonisht do ta zemëronte çdo njeri. Megjithatë, edhe në atë rast, reagimi i tij ishte mëshirë e butësi me të cilën ai karakterizohej gjithmonë. Ai u soll me qetësi dhe butësi, në një mënyrë që askush nuk mund ta përngjasonte me të.
Këtë ngjarje e përcjell Xhabir ibn Abdullahu (r.a)i cili thotë: “I Dërguari i Allahut (a.s) erdhi në xhaminë tonë, duke mbajtur në dorë një degë palme të tharë. Ai pa një pështymë në anën e kibles së xhamisë dhe e fshiu atë me degën. Pastaj u kthye nga ne dhe tha:”Kush prej jush do të donte që Allahu të largohej prej tij?” Ne heshtëm dhe u përulëm. Pastaj ai e përsëriti: “Kush prej jush do të donte që Allahu të largohej prej tij?” Ne përsëri heshtëm. Pastaj tha për herë të tretë: “Kush prej jush do të donte që Allahu të largohej prej tij?” Ne thamë: “Asnjëri prej nesh, o i Dërguari i Allahut.” Ai tha:”Kur ndonjëri prej jush ngrihet për t’u falur, Allahu i Lartësuar është para tij. Prandaj, të mos pështyjë para fytyrës së tij dhe as në anën e djathtë. Le të pështyjë në anën e majtë, nën këmbën e tij të majtë. E nëse nuk mund ta bëjë këtë, le të pështyjë në rrobën e tij kështu.” Pastaj palosi një pjesë të rrobës mbi pjesën tjetër. Më pas tha: “Më sillni pak parfum!” Një djalosh nga lagjja u ngrit me vrap te familja e tij dhe solli pak parfum të quajtur haluk në pëllëmbën e dorës. I Dërguari i Allahut (a.s) e mori, e vendosi në majën e degës së palmës dhe e lyu vendin ku kishte qenë pështyma. Xhabiri tha: “Që prej asaj dite filluat të përdorni parfum në xhamitë tuaja.”[4]
Megjithëse kjo sjellje e kishte shqetësuar të Dërguarin e Allahut (a.s) dhe përbënte mungesë respekti ndaj xhamisë, ai, nga mëshira e tij, nuk u zemërua dhe nuk kërkoi të dinte se kush e kishte bërë. Përkundrazi, i mësoi njerëzit me qetësi se si duhet të silleshin dhe, madje, e pastroi vetë pështymën dhe e parfumosi vendin e saj.
Dhe e përmbyll këtë shkrim me një ngjarje të njohur, por që është një nga dëshmitë më madhështore të mëshirës së tij (a.s). Një veprim i tillë, në të vërtetë, mund të bëhej vetëm nga një profet.
Enes ibn Maliku (r.a) tregon: “Ndërsa ishim në xhami me të Dërguarin e Allahut (a.s), erdhi një beduin dhe filloi të urinonte në xhami. Sahabët e të Dërguarit të Allahut (a.s) thanë: “Ndal! Ndal!” I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Mos e ndërprisni! Lëreni!” Kështu, ata e lanë derisa e përfundoi urinimin. Pastaj i Dërguari i Allahut (a.s) e thirri dhe i tha: “Këto xhami nuk janë vende të përshtatshme për urinim apo papastërti. Ato janë ndërtuar për përmendjen e Allahut, për namazin dhe për leximin e Kuranit.” Pastaj urdhëroi një njeri nga të pranishmit të sillte një kovë me ujë dhe e derdhi mbi vendin e urinës.”[5]
Për Allahun, kjo është vërtet një ngjarje e rrallë!
Edhe njeriu më i durueshëm në një situatë të tillë do të mjaftohej duke e urdhëruar atë të ndërpriste urinimin. Në fund të fundit, ai kishte bërë atë që kishte bërë në xhaminë e të Dërguarit të Allahut (a.s). Madje, sahabët, të njohur për durimin dhe edukatën e tyre, u ngritën për ta ndaluar.
Por i Dërguari i Allahut (a.s) bëri diçka që askush para tij dhe askush pas tij nuk e bëri!
Mëshira e tij ishte aq e madhe saqë përfshiu edhe këtë beduin, i cili ende nuk ishte edukuar me sjelljet e banorëve të Medinës dhe vazhdonte të mbante ashpërsinë e jetës së shkretëtirës.
Çfarë mëshire është kjo për të cilën po flasim?!
Po të kërkonim në historinë e kombeve shembuj të ngjashëm, a do të gjenim vallë ndonjë të ngjashëm me këtë?
Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje e bën të qartë dallimin e madh ndërmjet moralit të zakonshëm njerëzor dhe moralit të profetësisë. Të vërtetën e ka thënë Allahu i Madhëruar kur thotë: “Ne të kemi dërguar ty vetëm si mëshirë për të gjitha botët.”[6]
Autor: Ragib Sirxhani
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Fet’h: 29.
[2] – Sure Bekare: 67.
[3] – Muslimi
[4] – Muslimi.
[5] – Buhariu dhe Muslimi.
[6] – Sure Enbija: 107.



















