Natyra e njeriut dhe besimi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

E pajisur me vetëdije dhe imagjinatë, natyra njerëzore është në gjendje të perceptojë ekzistencën e Zotit. Por ashtu si aftësia për të folur që qëndron e pashfaqur te fëmija, derisa të ngacmohet nga faktorë të jashtëm, ashtu edhe aftësia për të arritur te ekzistenca e Zotit është një aftësi e lindur bashkë me natyrën njerëzore, e cila zgjohet, lëviz dhe rritet me ndihmën e faktorëve të jashtëm.

Gjithë ekzistenca e njeriut shoqërohet me pamundësi, të cilat fillojnë që me ardhjen e njeriut në këtë botë e vazhdojnë deri në momentin e vdekjes. Kështu, fëmija i porsalindur e ka plotësisht të pamundur, të jetojë pa ndihmën e vazhdueshme nga njerëzit, që kujdesen për të në çdo moment të ditës e të natës. Duke u rritur fëmija, rritet edhe ”niveli” i pamundësisë. Tani ai nuk e ka më të pamundur të lëvizë, të hajë vetë, apo t’i kapë e t’i lëvizë sendet sipas dëshirës së tij. Ai ndjen pamundësinë e rritjes me shpejtësinë që dëshiron, apo të kapjes së hënës e të diellit me duart e tij. Ndërkohë që rritja vazhdon, bashkë me të rriten edhe pamundësitë, derisa të arrijnë në kulmet e tyre: pamundësia për të arritur gjithçka që dëshiron të arrijë, pamundësia për të njohur gjithçka që dëshiron të dijë, pamundësia për të sunduar mbi gjithçka që dëshiron të sundojë. E mbi të gjitha qëndron pamundësia e dëshirës për të qenë i përjetshëm, dëshirë të cilën e shfrytëzoi shejtani për të shkaktuar nxjerrjen e Ademit nga xheneti: ”O Adem, a do të të tregoj pemën e pavdekshmërisë dhe sundimit të pafund?”[1]

Këto pamundësi bëjnë që njeriu në momentet më të vështira të jetës, atëherë kur përballet me pengesa që i tejkalojnë kufijtë e mundësive të tij, t’i drejtohet një force më të madhe sesa fuqitë e tij dhe natyrshëm të thërrasë: O Zot!

Gjithashtu, njeriu qëndron i mahnitur përballë madhështisë së universit dhe shumëllojshmërisë e kompleksitetit të qenieve të gjalla. Kjo mahnitje ekziston te çdo njeri, në mënyrë të përgjithshme dhe sipërfaqësore te njeriu i zakonshëm dhe në mënyrë shkencore e të thellë te shkencëtari. Çdonjëri mahnitet dhe në mënyrë të natyrshme kërkon autorin e kësaj mrekullie. Në këtë kërkim, ndodh që njeriu të gjejë Krijuesin e vërtetë ose të gabojë duke ia mveshur natyrës gjithë aftësinë krijuese, por në të dyja rastet mahnitja me krijimin e çon njeriun në kërkimin e autorit të tij.

Po kështu, njeriu tronditet nga dukuria e vdekjes. Për shkak të dashurisë dhe familjarizimit me jetën, fëmija mendon se jeta është gjendja e zakonshme e qenieve të gjalla dhe se ajo vazhdon pambarim. Por, kur vdekja ndodh te një nga të afërmit e tij, ai befasohet dhe frikësohet, duke mos arritur dot të përfytyrojë me imagjinatën e tij mosekzistencën pas vdekjes. Ndoshta, në një moment të tillë, njeriu bëhet i ndërgjegjshëm se një ditë dhe ai vetë do të vdesë e mund ta pyesë veten se ç`kuptim ka kjo jetë që ai po jeton, kur një ditë do të lerë gjithçka që me mund po ndërton. Këtu hapet një dritare tjetër për te Zoti dhe kuptimi i drejtë i kësaj jete të përkohshme.

Dukuritë e lartpërmendura të pamundësisë së përgjithshme të njeriut, mahnitjes nga krijimi dhe vdekja, janë nga ato dukuri që shërbejnë për të zgjuar në zemrën njerëzore besimin, që deri në ato momente ishte i fjetur. Besimi në të tilla raste vetëm sa zgjohet duke u bërë i pranishëm në vetëdijen e njeriut, por ai nuk krijohet nga hiçi prej këtyre dukurive. Kështu, nuk janë zhurmat ato që krijojnë aftësinë për të dëgjuar. Zhurmat ekzistojnë, megjithatë ato dëgjohen vetëm nga krijesat e pajisura me organe dëgjimi. Është ekzistenca e shqisës ajo që bën të mundur dëgjimin e zhurmave, ndikimin prej tyre dhe adaptimin e përshtatshëm me to. E njëjta gjë ndodh dhe me besimin. Shenjat që lenë faktorët e jashtëm mbi shqisat e tij, vetëm sa e zgjojnë natyrën e tij dhe e drejtojnë atë drejt Zotit, por ato nuk e krijojnë këtë drejtim, sepse ai është pjesë përbërëse e natyrës njerëzore qysh me krijimin e saj: “Përkujto kur Zoti yt nxori nga shpinat e bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri të dëshmojnë para vetes së tyre (duke ju thënë): A nuk jam Zoti juaj? Ata u përgjigjën: Po, dëshmuam”[2]

Ashtu si aftësia për të folur që ekziston te fëmija, por që pret të ndikohet nga faktorët e jashtëm për t’u zhvilluar, ashtu edhe besimi është në natyrën e njeriut dhe pret të zgjohet nga veprimi i faktorëve të jashtëm.

Duke qenë se pamundësitë e ndryshme, mahnitja nga universi dhe vdekja janë nga faktorët që zgjojnë te njeriu besimin e tij, Kurani fisnik i përmend ato, në mënyrë që njeriu të shkundet nga familjarizimi i tij me këto dukuri, që e kanë bërë atë të pavëmendshëm ndaj argumenteve të Zotit.

Kështu, duke përmendur pamundësinë e njeriut për të sunduar mbi një dukuri natyrore siç është ajo e furtunës në det, Allahu qartëson se si në momentin kur detarëve ju duket se po mbytet anija, besimi zgjohet te ta: “Kur (idhujtarët) hipin në anije i luten sinqerisht Allahut (t’i shpëtojë nga mbytja) dhe kur Ai i shpëton e ata zbresin në tokë, përsëri i kthehen idhujtarisë”[3]

Ndërsa në lidhje me madhështinë e universit Allahu thotë: “Ai është që për ju lëshoi nga qielli ujë, i cili ju shërben për ta pirë e për të ujitur bimët ku do të kullosin bagëtitë. Me atë shi mbijnë të lashtat, ullinjtë, hurmat, rrushi e të gjitha pemët e tjera. Në këtë mirësi vërtet ka argument për popullin që mendon. Për ju Ai nënshtroi natën dhe ditën, diellin dhe hënën. Edhe yjet janë të nënshtruara me urdhrin e Tij. Vërtet këtu ka argumente për popullin që arsyeton”[4]

Për sa i përket vdekjes, Allahu i sqaron njerëzve qëllimin dhe qenien e saj si një stacion ndërmjetës midis kësaj jete e jetës së përjetshme dhe thotë se ajo nuk është fundi i gjithçkaje: “I cili krijoi jetën edhe vdekjen që t’ju sprovojë se kush i bën punët më të mira.”[5] “…dhe që e ngjall tokën pas vdekjes së saj. Kështu do nxirreni edhe ju (të gjallë prej varreve)”[6]

Të gjitha këto argumente përmenden me një qëllim: që njeriu të përmendet nga shkujdesja e tij ndaj argumenteve të Allahut apo ndjekja e verbër e fesë (ose botëkuptimit) të edukuar në fëmijëri nga prindërit, në mënyrë që të kthehet në natyrën e tij të vërtetë, atë natyrë që e njohu dhe e dëshmoi Allahun si Zotin e saj.

[1] – Sure Taha: 120.

[2] – Sure A’raf: 172.

[3] – Sure Ankebut: 65.

[4] – Sure Nahl: 10-12.

[5] – Sure Mulk: 2.

[6] – Sure Rum: 19.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *