Ligjet hyjnore janë peshorja me të cilën gjykojmë të gjitha çështjet, dhe masa me të cilën peshojmë të gjitha situatat e rrethanat. Ato janë filozofia kuranore konceptuale e universit dhe e jetës, që rregullon marrëdhëniet midis grupeve të ndryshme njerëzore dhe sistemeve qytetëruese. Ato janë çelësa për të kuptuar rrjedhën e jetës dhe të ekzistencës, lëvizjen e historisë dhe formësimin e fateve…
Prandaj, përparimi, drejtësia, ngritja dhe rënia e shoqërive njerëzore varen nga shkalla e udhëzimit të tyre me këto ligje, nga përputhja me dispozitat e tyre, nga veprimi sipas kërkesave të tyre dhe nga ecja në rrugën e tyre të drejtë, pa shtrembërim dhe pa devijim.
Megjithatë detyrë e umetit është të hulumtojë ajetet e librit të shkruar (Kuranit) dhe ajetet e librit të shikuar (universit) – ashtu siç ka vepruar me studimin e të drejtës islame (fikhut) – për të zbuluar fjalët e përsosura të Zotit dhe besëlidhjet e Tij të qarta, dhe për t’i nxjerrë ato në rregulla me një temë të vetme, në mënyrë që të përfshihen shumica e ligjeve hyjnore në një temë të caktuar; dhe kështu të ecë me qartësi nga Zoti me siguri, vendosmëri dhe qëndrueshmëri drejt qëllimeve të saj madhore që janë: lulëzimi i tokës, përmbushja e amanetit të mëkëmbësisë dhe adhurimi i Allahut të Madhëruar.
Gjendja e umetit nuk mund të përmirësohet, përveçse nëse ai i kupton këto ligje hyjnore, e harmonizon jetën e tij me to dhe përshtatet me kërkesat e tyre. Kur ai ia kthen shpinën atyre dhe largohet nga udhëzimi i tyre – qoftë nga injoranca, pakujdesia, neglizhenca, kundërshtimi apo mendjemadhësia – atëherë pa dyshim do të përballet me fatin e të ngjashmëve të tij dhe do të marrë shpërblimin e veprave të veta, pa vonesë dhe pa përjashtim.
Prandaj, umeti islam sot është goditur nga poshtërimi dhe nënçmimi, nga përçarja dhe braktisja, dhe nga sulmi i armiqve nga të gjitha anët; ata kanë grabitur pasuritë e tij dhe kanë rrëmbyer të mirat e tij, si pasojë e drejtë e largimit të tij nga ligjet e ndërtimit qytetërues dhe të organizimit shoqëror. Kështu, janë dobësuar ambiciet, janë ulur kokat dhe njerëzit janë tërhequr nga kërkimi i rrugëve të shpëtimit. Nuk gjen pothuajse gjë tjetër përveç shpresave të ëmbla dhe pritjes së “mrekullive” jashtë ligjeve të zakonshme, pa u kapur pas ligjeve të Zotit që rrjedhin në univers, pa i kuptuar dhe pa i trajtuar ato siç duhet, duke i neglizhuar dhe duke mos i njohur thellësisht.
Kjo mungesë njohjeje dhe kjo neglizhencë në kuptimin e tyre ka çuar në shterimin e shumë energjive të muslimanëve dhe përpjekjeve të tyre, si dhe në pengimin e hapave të tyre në rrugën e ndërtimit, ngritjes dhe zhvillimit, derisa janë bërë objekt i pushtuesve që u rrinë në pritë nga çdo anë.
Prandaj, shmangia nga metodologjia e vetëdijes për ligjet hyjnore dhe largimi nga zbulimi i asaj që përmban ajo prej mësimeve, këshillave dhe ligjësive të qëndrueshme që i marrin për dore popujt drejt sigurisë dhe bregut të shpëtimit, duke i larguar nga rrëzimet dhe gabimet, si dhe mosorientimi i energjive drejt saj, e gjithë kjo na ka sjellë prapambetjen që po e përjetojmë dhe vuajmë.
Procesi i ringjalljes dhe i ripërtëritjes ka nevojë për vetëdijen për ligjet hyjnore; një vetëdije që udhëzon në rrugën e drejtë, që e ringjall umetin, ia largon brengën dhe ia heq errësirën. Në dritën e saj dhe përmes saj ndërtohet qytetërimi i tij i ndritshëm, ashtu siç bënë të parët tanë të mirë kur e medituan Kuranin me një meditim të bazuar në ligjet hyjnore, që i lidhi fort me sunnetet dhe ligjet e Allahut.
Prej tij ata nxorën përvojën dhe shembullin, prej tij morën mëshirën dhe urtësinë, dhe me kuptimin e këtyre ligjeve ndërtuan një shoqëri islame të drejtë, duke e mbrojtur veten dhe umetin e tyre nga rënia në humnerën e shkatërrimit dhe duke e ruajtur nga mjetet e prishjes dhe rrënimit.
Historiani ynë i shquar, Abdurrrahman ibn Halduni (r. h)duke folur për ligjin e Allahut në popuj, individë dhe shoqëri, thotë: (Një nga gabimet e fshehta në histori është mosvërejtja e ndryshimit të gjendjeve të popujve dhe brezave me ndryshimin e kohërave dhe kalimin e ditëve. Kjo është një sëmundje e thellë dhe shumë e fshehtë, sepse nuk shfaqet veçse pas periudhave shumë të gjata, dhe vetëm pak njerëz arrijnë ta kuptojnë. Kjo sepse gjendjet e botës, të popujve, zakonet dhe sistemet e tyre nuk mbeten në një formë të vetme dhe të qëndrueshme; përkundrazi ato ndryshojnë me ditët dhe kohërat, duke kaluar nga një gjendje në tjetrën, ashtu siç ndodh me individët, kohët dhe vendet. Po kështu ndodh edhe në hapësira, rajone, kohë dhe shtete: “Ky është ligji i Allahut që ka kaluar më parë te robërit e Tij, dhe aty humbën mohuesit.”[1])[2]
Bazuar në këtë, njeriu kur nuk udhëzohet nga ligjet e Allahut në ndërtimin qytetërues dhe jetën shoqërore, dhe nuk udhëzohet nga dija dhe udhëzimi që vjen nga Allahu, ai priret të ndjekë dëshirat e veta; sepse ka humbur peshoren e drejtë. Kështu i bëhet e lehtë të anojë pas epshit të tij kudo që e çon ai, pa frikë nga ndonjë ligj hyjnor apo dije që e ndalon. E si të frikësohet, kur nuk i ka kuptuar ligjet e jetës dhe mënyrën se si ato zbulojnë të pavërtetën!
Prandaj shohim se ngushtësia e shikimit dhe kufizimi i perceptimit e bëjnë atë të ndjekë hamendjet dhe dëshirat e shpirtit të tij, pa u frikësuar nga pasojat.
Periudha kritike që po kalon umeti islam sot ka nevojë për një vizion të qartë të historisë së tij, që t’i ndriçojë rrugën dhe horizontet e aspiratave.
Ne jemi një umet me histori të lashtë, që ka kaluar nëpër shekuj të gjatë lulëzimi dhe rënieje, në përputhje me zgjimin ose fjetjen e vetëdijes së tij. Dhe ai nuk mund ta ruajë ekzistencën e tij dhe të vazhdojë ngritjen në rrugën e përparimit, për sa kohë nuk studion me kujdes hapat e kaluar në rrjedhën e kohës, dhe nuk kupton sekretin e fuqisë dhe qëndrueshmërisë së tij, si dhe shkaqet e dobësisë dhe prapambetjes së tij.
Gjendja e përçarjes, prapambetjes dhe rrënimit që po përjeton sot umeti islam nuk buron nga teksti kuranor, por nga realiteti shoqëror që nuk është ndriçuar me ligjet e Allahut në jetën shoqërore, si dhe nga dobësia e lidhjes së muslimanëve me Kuranin në kuptim, vetëdije dhe meditim të thellë.
Prandaj muslimanët nuk kanë qenë në nivelin e urdhrit hyjnor “Lexo”, i cili ka lidhur leximin e librit të shikuar (universit) me leximin e librit të shkruar (Kuranit). Kështu, “leximi” është bërë në emër të Allahut, i Cili e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku dhe e mësoi me penë, duke i mësuar njeriut atë që nuk e dinte. Por muslimanët nuk kanë përfituar as nga leximi i librit të shkruar e as nga leximi i librit të shikuar; kështu kanë injoruar ligjet hyjnore që rregullojnë jetën, dhe janë ndalur nga vëzhgimi dhe leximi i vetëdijshëm, si dhe nga ecja në tokë për të nxjerrë ligjet e shoqërisë dhe të ndërtimit qytetërues.
Ndërkohë, të parët tanë të mirë e kanë kuptuar thellësisht domethënien e ligjeve hyjnore të përmendura në Kuran, në kuptimin e parashikimit të së ardhmes së ndritur, duke parë se këto ligje janë të qëndrueshme dhe të pandryshueshme, nuk bëjnë përjashtime dhe nuk devijojnë nga rrjedha e tyre, përveçse sipas dijes, urtësisë dhe vullnetit të Allahut të Madhëruar.
Ata e kanë nxitur umetin dhe e kanë shtyrë drejt domosdoshmërisë së meditimit mbi librin e shikuar dhe librin e shkruar, si dhe vështrimit me sy të brendshëm ndaj shenjave të shpërndara këtu e atje, për të përfituar prej tyre, për t’u ndriçuar me dritën e tyre dhe për të ecur sipas metodologjisë së tyre, në mënyrë që të ndërtohet e ardhmja e umetit islam.
Kurani fisnik është plot me ligje udhëzuese që janë të mjaftueshme për të ringjallur umetin dhe për të formuar një brez të drejtë që ecën së bashku në rrugën e drejtë të Allahut. Por problemi nuk qëndron në mungesën e një metodologjie rregulluese, por në mendjen që duhet të kuptojë dhe të vetëdijesohet, në zemrën që duhet të lëvizë dhe të gjallërohet, si dhe në vullnetin e lartë që duhet të veprojë dhe të zbatojë atë që del nga meditimi mbi ligjet, ajetet dhe udhëzimet e Kuranit.
Brezi i pavdekshëm i sahabëve nuk arriti udhëheqjen, epërsinë dhe pozitën e lartë, përveçse përmes vetëdijes për ligjet hyjnore dhe kuptimit të tyre praktik. Ata e lidhën dijen e dobishme me veprën e mirë. Prandaj arritën të ndërtojnë një qytetërim njerëzor dhe një kulturë të lartë njerëzore, si dhe të formojnë një brez kuranor të përhershëm, që përhap dritën e Islamit, paqen e tij, mëshirën, tolerancën dhe bashkëjetesën në të gjitha anët e tokës.
Ndërsa realiteti i sotëm i umetit islam është i dhimbshëm për shkak të braktisjes së Kuranit në lexim, meditim dhe vetëdije, deri në atë pikë sa pothuajse i përshtatet thënia e Allahut të Madhëruar:
“Dhe prej tyre ka të paditur që nuk e dinë Librin përveçse dëshira të kota, dhe nuk janë tjetër veçse në hamendje”[3] d.m.th. ata nuk dinë nga Libri përveç leximit ceremonial në raste të veçanta dhe leximit për të vdekurit; kështu nuk i njohin kuptimet e tij, ligjet e tij dhe nuk meditojnë mbi ajetet e tij.
Kështu, studimet kuranore janë përqendruar në një pjesë të ngushtë të shkencave të Kuranit, dhe për këtë janë shkruar vëllime të tëra dhe shumë shpjegime, edhe pse kjo ka rëndësinë e saj. Por është neglizhuar një aspekt shumë i rëndësishëm – që përbën më shumë se 90% të ajeteve të Kuranit – i cili i nxit mendjes njerëzore të vëzhgojë, të meditojë dhe të lexojë Kuranin me një vetëdije qëllimore, qytetëruese dhe të ndërgjegjshme; si dhe të sodisë universin, të ecë nëpër tokë, të marrë mësim nga popujt e kaluar dhe të zbulojë ligjet e shoqërisë dhe të ndërtimit njerëzor, e të tjera si këto.
Si pasojë e kësaj ndarjeje, është zhdukur vetëdija për ligjet hyjnore (sunenet), dhe leximi i Kuranit është shndërruar në një lexim që nuk e kalon më gjuhën dhe buzët.
Kjo ka sjellë një çrregullim në metodologjinë e trajtimit të Kuranit, si në kuptim ashtu edhe në praktikë.
Kurani na ka treguar gjendjet e popujve të mëparshëm dhe shoqërive të kaluara, por muslimanët kalojnë pranë këtyre ajeteve pa i medituar. Kurani u flet për popuj që u zhdukën sepse nuk morën parasysh ligjet e qëndrueshmërisë, ndërsa muslimanët ecin sot sipas të njëjtave ligje të rënies pa marrë mësim nga të tjerët.
Megjithatë, ligjet e Allahut veprojnë mbi të gjithë, pavarësisht nëse i kuptojnë apo jo. Kush e dëgjon fjalën e Allahut, e mediton atë, e beson të vërtetën e saj dhe ndriçohet nga urtësia e Tij, ai është i aftë të ecë me ligjet e Allahut në krijimin e Tij me një vetëdije të qartë për domosdoshmërinë e kaderit, i cili është e fshehtë që besohet, dhe me vetëdije gjithashtu për lidhjen e rezultateve me shkaqet, dhe lidhjen e ndihmës së Allahut për robërit me ndihmën e robërve për Allahun.
Prandaj, meditimi mbi ligjet e Allahut në Kuran është i aftë të zbulojë pikat e dobësisë dhe t’i kufizojë dhimbjet e së tashmes, si dhe disfatat, prapambetjet dhe thyerjet e saj brenda dimensioneve të tyre relative.
Kështu, një lexim i vetëdijshëm dhe i bazuar në ligjet hyjnore i ajeteve të Kuranit – duke u ndalur mbi to me këtë shikim të mprehtë dhe mendje të ndërgjegjshme – i mundëson umetit të kuptojë ligjet e lulëzimit qytetërues, të ngritjes shoqërore, të vazhdimësisë dhe stabilitetit, në mënyrë që t’i përvetësojë ato; dhe njëkohësisht të kuptojë ligjet e disfatës, shkatërrimit, rënies dhe zhdukjes, në mënyrë që të largohet prej tyre.
“Sepse ai që i njeh ligjet e Allahut në krijimin e Tij dhe i zbaton ato, i shtohet qëndrueshmëria dhe forca në situatat që e kënaqin Zotin e Lartësuar, ndryshe nga ai që i injoron ato. Sepse ai që nuk e njeh burimin e ngjarjeve dhe ligjet e Allahut – i Lartësuar qoftë Ai – jeton në hutim dhe ankth që vetëm Allahu e di.”[4]
Autor: Rashid Kuhusi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Gafir: 85.
[2] – Mukadime e Ibn Haldunit, fq: 35.
[3] – Sure Bekare: 78.
[4] – “Safahatun Mushrikatun min et Tarikhi el Islamij” fq: 1/23.



















