Vulosja e profecisë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Vulosja e profecisë është konsideruar gjithmonë si një ndër kushtet themelore të besimit islam; ajo mohon çdo lloj mundësie të daljes së ndonjë profeti tjetër pas profetit të Islamit.

Në çdo diskutim lidhur me Islamin, nuk mund ta lëmë mënjanë rolin që luan në të vulosja e profecisë me profetin e fundit, Muhamedin (a.s).

Ç`musliman është ai, të cilit nuk i vete menjëherë mendja tek vula e profecisë, sa herë mendon për profetin, apo i cili ka ende dyshime për Kuranin si shpallja e fundit e Zotit? Nuk ka fe në botë që si Islami të pohojë vulosjen e revelatës, apo personalitet qiellor i cili të ketë pohuar vlefshmëri të përhershme të mesazhit të tij.

Mëse katërmbëdhjetë shekuj kanë kaluar që me lindjen e Islamit dhe gjatë gjithë kësaj periudhe profeti i Islamit është konsideruar si Vulë e Profecisë. Ai i përsosi ligjet ekzistuese dhe nëpërmjet vetë logjikës së tij të pasur dhe programit aktiv tregoi vlerën e madhe të të gjitha misioneve profetike.

Ndryshe nga shkollat e tjera të mendimit fetar, vlefshmëria e të cilave kufizohej në një vend dhe kohë të caktuar, Isalmi është thirrje gjithëpërfshirëse e të gjitha mesazheve të mëparshme profetike dhe nuk njeh kufij, qofshin këta kohorë apo hapësinorë.

Vetë Kurani e përshkruan paraqitjen brilante të profetit Muhamed (a.s), si dikush nëpërmjet të cilit është mbyllur porta e profecisë.

Po si mund të zgjidhet kundërthënia e dukshme midis nevojës për profet si kusht për vërtetësinë e ekzistencës njerëzore nga njëra anë, dhe vulosjes së përhershme të profecisë nga ana tjetër? Si mundet vallë të pajtojmë parimin e pandryshueshmërisë së urdhëresave të Islamit me parimin e zhvillimit njerëzor dhe kërkimit të vazhdueshëm për koncepte dhe norma të reja.

Zhvillimet industriale dhe teknologjike e kanë shndërruar njeriun në një krijesë, që dëshiron gjithnjë e më shumë risi dhe që kërkon, që çdo aspekt të jetës ta lidhë me parime dhe institucione të reja. A mundet që një njeri i tillë ta organizojë jetën shoqërore dhe zhvillimin sipas një feje, që daton këtu e katërmbëdhjetë shekuj më parë dhe që i bën thirrje qenies njerëzore të pranojë një sërë vlerash fikse dhe të pandryshueshme? Duke shtjelluar doktrinën e profecisë, vetë Islami u jep përgjigje këtyre pyetjeve. Një nga arsyet për dërgimin e profetëve të rinj ishte ndryshimi dhe shtrembërimi i mësimeve dhe librave të paraardhësve të tyre, të cilët nuk gëzonin më efikasitetin e duhur për të udhëzuar njeriun.

Por në çastin kur njeriu arrin në një fazë zhvillimi, ku mund t’i mbrojë normat dhe mësimet e fesë prej prishjes dhe ndryshimit dhe t’i përhapë ato në formën e tyre autentike, atëherë arsyeja më kryesore për dërgimin e profetëve bëhet jo ekzistente.

Koha kur erdhi profeti i Islamit, ndryshon krejtësisht nga koha kur u dërguan profetët e mëparshëm: njeriu kishte arritur një nivel pjekurie intelektuale, që lejonte vulosjen e profecisë.

Arritja e pjekurisë shoqërore, lindja e shkencës dhe mësim nxënies, si dhe grumbullimi i aftësive njerëzore për të ruajtur dhe përhapur fenë, e gjithë kjo nënkuptonte realizimin e kushtit themelor për vulosjen e profecisë. Tashmë u bë e mundur, që përhapja e fesë dhe udhëzimi i njerëzve t’u besohej dijetarëve dhe njerëzve të ditur. Që tashmë e tutje, ishte njeriu ai që do të ruante trashëgiminë historike dhe arritjet shpirtërore, si dhe do të mbronte shpalljen e fundit nga prishja, duke u mbështetur tek vetë Kurani dhe duke nxjerrë mësim nga pjekuria e tij shoqërore dhe kulturore. Tashmë përgjegjësia nuk binte thjesht mbi një njeri të vetëm, por i besohej kolektivit, ashtu siç thuhet në Kuran: “Do të dalë përherë një grup prej jush që do të bëjë thirrje për virtyt, do të urdhërojë për mirë dhe do të largojë nga e keqja”.[1]

Gjatë zhvillimit të tij shoqëror njeriu arrin një fazë, ku nuk ka më nevojë për ndërhyrje kirurgjikale të vazhdueshme, por përkundrazi është i gatshëm për një formë të qëndrueshme profecie, ku qeniet njerëzore e gdhendin vetë fatin e tyre bazuar në një vizion të qartë, zgjedhje të saktë dhe reflektim mbi përmbajtjen e shpalljes.

Në të tilla kushte, nevojitet një rend intelektual dhe shoqëror, që do t’i çlirojë mendimet dhe veprimet e njeriut nga barra kapitëse dhe trullosëse e preokupimeve dhe që do t’u jepte formë dhe drejtim përpjekjeve të tij të vazhdueshme në botën e mendimit dhe veprimit. Mrekullia e pashuar që është Kurani Fisnik, vendos parimet kryesore të një sistemi të tillë, që nëse njeriu do t’i ndiqte, do të mund të ecte përpara.

Nga të gjithë librat qiellorë, Kurani është i vetmi që u ka rezistuar dëmtimeve të kohës, prandaj dhe sot e kësaj dite ne kemi mes nesh tekstin e plotë dhe të pandryshuar, që qartazi reflekton mësimet e tij krijuese. Vetë Kurani pohon: “Ne e zbritëm këtë Kuran dhe jemi Ne që e mbrojmë”[2] Ky ajet tregon se motivi më i rëndësishëm për dërgimin e profetëve të rinj, nuk ekziston më.

Për më tepër, duhet të jemi të vetëdijshëm, se besimi në gjithë profetët (paqja qoftë mbi ta), shënjon besim në një proces të vazhdueshëm historik, një proces që nisi me vetë historinë dhe origjinën e shoqërisë njerëzore e që është manifestuar në një luftë të vazhdueshme mes së vërtetës dhe të kotës dhe do të vazhdojë deri me ngadhënjimin përfundimtar të së parës mbi të fundit. Në çdo kohë, profetët e kanë çuar përpara ndërgjegjësimin dhe pjekurinë e njeriut në përputhje me rrethanat dhe kapacitetet e shoqërisë.

Përsa u përket disa ligjeve dhe urdhëresave, dallimet mes tyre nuk cënojnë parimet themelore dhe natyrën e fesë, sepse kjo mungesë harmonie e sipërfaqshme lidhet me çështje ndihmëse dhe jo shqetësime themelore, që kanë të bëjnë me natyrën e vërtetë të fesë.

Në të vërtetë, korrigjimi i gabimeve në të menduar dhe në të vepruar është i mundur, vetëm nëse arrihet të përshtaten një sërë programesh veprimi, secili i pajtueshëm me një tërësi realitetesh objektive. Nëse në metodat që profetët (paqja qoftë mbi ta) kanë ndjekur gjatë rrjedhës së përpjekjeve të vazhdueshme mund të vihet re mungesa e një harmonie të jashtme, kjo nuk ka lidhje aspak me qëllimin e tyre thelbësor. Në misionet e tyre nuk ekziston ndonjë kontradiktë lidhur me synimin themelor të tyre – për të ndryshuar dhe për t’u dhënë trajtë të re mendimeve të njerëzve, të cilët ishin larguar nga realiteti dhe jetonin në errësirë, si nga ana kulturore ashtu dhe nga ajo shoqërore.

Në Kuranin Fisnik thuhet: “Pas profetëve të mëparshëm, Ne dërguam Isain, birin e Merjemes; ai vërtetoi Teuratin që solli Musai”[3].

Kurani vërteton misionet e profetëve të mëparshëm

Kurani jo vetëm që nuk i mohon dhe zhvlerëson shpalljet e hershme, por pozitivisht vërteton mesazhin e gjithë profetëve të tjerë dhe lajmëtarëve të drejtë, si dhe ngre lart figurën e atyre burrave të mëdhenj për përpjekjet dhe mundimet e tyre.

Në Kuran, emrat e atyre që prej çifutëve dhe të krishterëve mbahen si udhëheqës, përmenden vazhdimisht dhe gjithë respekt. A nuk flet vallë lavdërimi dhe përnderimi i këtyre figurave, për besnikërinë, vërtetësinë dhe vlefshmërinë e mesazhit kuranor si i bazuar në shpallje?

Mbi të gjitha, pasuesit e Hebraizmit dhe Krishterimit, kanë qenë mëse armiqësorë ndaj fesë së re, Islamit dhe fakti që Kurani i ngre shumë lart figurat e shenjta të këtyre dy feve, dëshmon për Kuranin se sa larg qëndron ai ndaj çdo rivaliteti zemërngushtë dhe se sa të huaja janë për të përpjekjet për pushtet.

Kurani pohon: “Ne ua zbritëm këtë libër juve me të vërtetën, që vërteton dhe mbron librat e mëparshëm qiellorë.”[4]

Përderisa feja ka lëshuar rrënjë në natyrën e njeriut, si një ndër impulset themelore që gjen shprehi në botëkuptimin dhe veprat e tij, kjo është kryesisht një dhe e pandryshueshme. Në Kuranin Fisnik thuhet:“Ktheju drejtpërdrejt fesë, sepse Zoti e ka krijuar natyrën e brendaqenësishme të njeriut në përputhje me të”[5]. (30:29)

Së andejmi, megjithëse njeriu u nënshtrohet normave që mbizotërojnë në botën fenomenale dhe merr kuptim duke hyrë në marrëdhënie me këto fenomene dhe ligjin e rritjes drejt përsosjes që i drejton ato, rruga i tij drejt lumturisë është e vetme dhe unike. Vetëm feja mund t’i tregojë atij rrugën dhe qëllimin e veçantë. Montesquieu thotë: “Vetë natyra e ligjeve njerëzore bën që ata t’u binden ngjarjeve dhe ndodhive. Pra, ngjarjet ndikojnë mbi ta. Ndërsa përkundrazi, ligjet qiellore nuk ndryshojnë duke u bazuar në ngjarje apo në vullnetin gjithnjë e në ndryshim të njeriut. Ligjet njerëzore synojnë të arrijnë gjithmonë zgjidhjen më të mirë të mundshme; ndërsa ligjet qiellore e zbulojnë vërtet zgjidhjen më të mirë. Virtyti dhe mirësia pa dyshim që kanë një sërë aspektesh dhe varietetesh të ndryshme, por më e mira e zgjidhjeve është domosdoshmërisht unike dhe kësisoj e pandryshueshme. Njeriu mund t’i ndryshojë ligjet e nxjerra prej tij, sepse ndodh që një ligj i caktuar të jetë i dobishëm në një kohë, por jo në një tjetër. Sistemet fetare ofrojnë gjithmonë ligjet më të mira dhe duke qenë se nuk ka vend për përmirësim, janë të pandryshueshme”

Nëse u kthejmë shpinën ligjeve hyjnore dhe jepemi pas rregullave që i nxjerrim vetë ne, në të vërtetë kemi braktisur qartësinë e hapur dhe të gjerë të ligjit universal të fesë për rruginën e cekët dhe të pasheshuar të mendjes së kufizuar njerëzore.

Ndryshimi themelor mes misionit të profetit të Islamit dhe atij të profetëve të tjerë qëndron në faktin, se shpallja e tyre shërbeu si bazë e një programi të përkohshëm veprimi. Në çastin që u shfaq Islami, ku sistemet e feve të mëparshme kishin filluar të dobësoheshin dhe të çalonin, nuk ishte më e mundur që t’u qëndroje besnik atyre feve dhe sistemeve të besimit.

Sistemi i vlefshëm islam, në ndryshim nga sistemet e tjera, e plotëson tërësisht strukturën e profecisë: koherenca e tij logjike dhe qëndrueshmëria e patundur përfshijnë të gjitha dimensionet ekzistuese të profecisë dhe përmbledhin në vetvete gjithçka sollën profetët e mëparshëm për të përmbushur nevojat e njeriut në aspektin shoqëror si dhe nevoja të tjera morale dhe materiale.

Roli i profetëve për të korrigjuar gabimet dhe devijimet e shoqërisë dhe për të themeluar një model të saktë mendimi dhe veprimi duhet të kryhet tashmë nga drejtues fetarë të mbështetur në burimet e pashtershme të Islamit. Kurani, sistemi i vlefshëm që ushqen tërë Islamin dhe që i jep atij vlera, përcakton gjithashtu dhe drejtimin nga duhet të përparojnë myslimanët dhe shërben si burim ligjesh gjithëpërfshirëse, që nuk lënë asgjë jashtë panoramës së tij të tërësishme. Përveç kësaj, Kurani mbart esencën dhe kuptimin thelbësor të të gjitha mësimeve që transmetohen nga mbartësit e fjalës së Zotit.

Në momentin kur njeriu arrin në një fazë, ku është i aftë të kuptojë të vërtetat universale dhe mësimet e ligjet hyjnore, dijetarët dhe dijedashësit dalin si pasues të profetëve, me funksionin e ngulitjes së kritereve autentike të fesë në mendjet e njerëzve.

Në ndjekje të idealeve të lartësuara të fesë, ata marrin përsipër detyrën për të hetuar, për të kërkuar dhe për ta mbrojtur fenë nga çdo lloj shtrembërimi; ata përhapin mësimet e Zotit në formën e tyre të vërtetë.

Në shumë ajete të Kuranit, njerëzve u bëhet thirrje të studiojnë me kujdes të veçantë fenomenet e ndryshme natyrore, që nëpërmjet mënyrës së deduksionit të mundohen të perceptojnë shpirtin që drejton skemën e krijimit.

Vëmendja e vazhdueshme që Kurani i kushton arsyes, përvojës dhe dobisë që vjen prej tyre, si dhe domethënies që i bashkangjit natyrës dhe historisë si burime që mbajnë diturinë, lidhen me vulosjen e profetësisë me Kuranin dhe profetin e Islamit. Ata flasin për mbizotërimin e një botëkuptimi të ri në historinë e njerëzimit.

Synimet abstrakte duhen shndërruar në mënyrë të padiskutueshme në realitete objektive, nëse duan që të gëzojnë vlefshmëri. Ne po shohim vërtet, se për mëse pesëmbëdhjetë shekuj, njeriu ka dëshmuar se është i aftë t’i mbartë këta përgjegjësi të rënda, por frytdhënëse duke e ruajtur trashëgiminë e tij fetare dhe shkencore, si dhe duke shfaqur thellësi dhe realizëm në analizimin dhe interpretimin e saj.

Kjo në vetvete është tregues i pavarësisë së njeriut dhe gatishmërisë së tij për të ruajtur versetet hyjnore me kujdesin më të madh të mundshëm, si dhe i aftësisë së tij për ta kryer detyrën e përçimit, interpretimit, mësimdhënies dhe përhapjes së fesë.

Në kohën kur njeriut i arrin urdhri i fundit hyjnor, nuk ekziston më mundësia për ardhjen e një profeti të ri. Vulosja e profetësisë mund të krahasohet me një copë trualli, ku me shumë kujdes kanë përfunduar të gjitha kërkimet e mundshme arkeologjike për të zbuluar artifaktet e hershme. Asgjë nuk ka mbetur e fshehtë në tokë për të justifikuar kërkime dhe gërmime të reja.

Në kohën kur profetësia ka kaluar në faza të ndryshme deri në shkallën përfundimtare të përsosjes dhe arritjeve dhe kur nga këndvështrimi i shpalljes janë sqaruar të gjitha çështjet e errëta dhe të turbullta, që kanë zënë vend në mendimin dhe në të kuptuarit njerëzor, nuk ka më vend për sqarime. Profetësia e ka kryer rolin e saj dhe ka arritur në stacionin përfundimtar. Megjithatë, ajo vazhdon të jetojë në sajë të natyrës së pashtershme të shpalljes, që na pajis me një sistem të vetëm vlerash kulturore dhe shoqërore përtej kufijve kohorë.

Profeti i Islamit, Muhamedi (a.s) pohon: “Shembulli i profetësisë është si shembulli i një shtëpie, ndërtimi i së cilës ka përfunduar, por ka mbetur vetëm një tullë pa u vënë dhe unë po e vendos atë tullë në vendin e saj”

Megjithëse misionit të profetëve për të përçuar mesazhin Hyjnor dhe për të ndihmuar njerëzimin, i erdhi fundi, lidhja shpirtërore mes botës së njeriut dhe botës së padukshme asnjëherë nuk është shkëputur. Rruga e njeriut drejt stacioneve të lartësuara patjetër që vazhdon të kalojë nëpërmjet pastrimit të shpirtit dhe përkushtimit të sinqertë ndaj Zotit. Njeriu mbart në vetvete një sërë dimensionesh krijuese dhe vetëm nëpërmjet përkushtimit shpirtëror do të arrijë t’i realizojë potencialet e tij. Vetëm atëherë ai do të futet në komunikim me botën e padukshme, do të shohë dhe do të kuptojë, se ata njerëz që janë gllabëruar prej botës së jashtme materiale, nuk mund të shohin e as që mund të kuptojnë. Është sërish përpjekja shpirtërore, që e ndihmon njeriun të kthehet në origjinën e tij të vërtetë njerëzore dhe që i mundëson atij të hyjë në botën e vlerave, që e mbushin dhe i japin kuptim jetës së tij.

Prandaj në këtë botë ka njerëz, që kanë arritur një shkallë të lartë besimi dhe botë mjaft të pasur shpirtërore, pa pasur gradën e profetësisë apo drejtimin fetar të njerëzimit.

Dyert e ndriçimit dhe frymëzimit janë të hapura për këdo, që kërkon ta pastrojë botën e tij të brendshme nga papastërtia dhe errësira e mëkatit dhe ta ktheje zemrën e tij kah flladi jetëdhënës i dijes Hyjnore.

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Ali Imran: 104.

[2] – Sure Hixhr: 9.

[3] – Sure Maide: 46.

[4] – Sure Maide: 48.

[5] – Sure Rum: 29.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *