Në shkrimet e tyre dijetarë si Ebu `Amr el-Dani, Ibn es-Salah, dhe të tjerë i referohen konsensusit të dijetarëve përsa i përket shkencës së transmetimit (Isnadit). Nga kjo ne kuptojmë se myslimanët zhvilluan shkencën e transmetimit.
Nga ky trung i kësaj shkence kanë dalë shumë degë të tjera të tilla si recitimi Kuranor, Hadithet, Historia Islame, gjuha Arabe dhe Jurispundenca Islame, të cilat janë të bazuara të gjitha në narracion. Një shembull i tillë është shkenca e Jurispundencës Islame e cila transmeton mendimin legal përmes narracionit nga dhënësi i opinionit deri në kohën aktuale ose ky institucion ngrihet dhe për fetvatë e ndryshme.
Këtu në librin Usul el-Hadith Dr. Filips na tregon neve se si kjo shkencë është organizuar dhe është zhvilluar dhe rolin e madh që ajo ka luajtur dhe identitetin e saj unik.
Çdo letërsi zhvillon natyrën e saj të përmbajtjes dhe karakterit të personave, që e kultivojnë atë duke krijuar karakteristika sociale, politike ose historike të ngjarjes dhe të mënyrës se si ajo është krijuar dhe zhvilluar.
Literatura e hadithit nuk përbën ndonjë përjashtim në këtë rregull. Sistemi i isnadit (zinxhirëve të transmetimit) u përdor për të transmetuar poezinë para Islamike nga brezi në brez. Gjithsesi ishte literatura e hadithit, që e ngriti në nivelin më të lartë isnadin aq sa ai u cilësua si pjesë e vet religjionit.
Abdullah ibn El-Mubarak (vdiq më 181 hixhreti), i cili ishte një ndër mësuesit më të rëndësishëm të Imam Buhariut ka thënë: “Isnadi është prej fesë. Nëse nuk do të ishte Isnadi atëherë çdo kush mund të thoshte gjithçka”.
Nga fundi i shekullit të parë të kalendarit Islamik, shkenca e Isnadit ishte mjaft e zhvilluar. Ibn Sirini i cili ishte një prej tabiinëve është shprehur për të, “[Në fillim] ata [myslimanët] nuk do të pyesnin përsa i përket isnadit. Por kur u fut fitneja ata filluan të pyesin për zinxhirin e transmetimit”.
Transmetimet e Ehlul Sunetit do të pranoheshin, ndërsa ato të Ehlul Bidatit nuk do të pranoheshin, pra në momentin që ndodhi fitneja, isnadi nuk ishte shumë i rëndësishëm dhe pyetej për të vetëm në raste të veçanta, por pas ndodhjes së fitnes njerëzit u bënë më kuriozë për zinxhirin e transmetimit.
Në përpjekje për të minimizuar kuptimin e kësaj shkence në Islam disa orientalistë janë përpjekur të identifikojnë disa burime para Islamike dhe jo arabe të cilat kanë praktikuar isnadin. Një shembull i tillë është Jozeph Horovitz, i cili citon një sërë materialesh, që përmendin se në literaturën hebreje isnadi ka qenë përdorur përpara se të përhapej mes arabëve. Ai madje na tërheq neve deri në periudhën e Moisiut, ku tregon se zinxhirët e transmetimit të Talmdutit ishin më të gjata dhe më të forta.
Nëse isnadi e ka origjinën e tij deri në periudhën e Moisiut, kjo është një temë që ka vend për diskutim, përderisa vetë Horovitz nuk ka arritur që të provojë se nuk ka pasur ndërhyrje përsa i përket provave që ai përdor. Po kështu edhe India e ka përdorur Isnadin përpara Islamit dhe shumë shkrime të vjetra hinduse, budiste dhe të literaturës Jain. Një shembull është ai i epit të Mahabharata, ku lexojmë: “Vysda e kompozoj atë, Ganea ishte skribi i tij dhe puna u redaktua nga Vaisampayana, i cili ia përcolli atë më pas mbretit Janamejaja. Sauti, i cili ishte i pranishëm e dëgjoj dhe ia tregoj asamblesë së të urtëve”.
Kjo ishte përsa i përket Isnadit dhe origjinës së tij, ndërsa përsa i përket sistemit dhe kulmit të tij kjo dihet që është kryer nga myslimanët, të cilët e zhvilluan atë dhe e bën pjesë të pandashme të religjionit. Ata i dhanë atij formë duke futur metoda të ndryshme kronologjike, mbledhjeje, transmetimi, biografi të transmetuesit duke e institucionalizuar si shkencë.
Me aq sa di unë, asnjë nga indianët nuk është munduar që ta institucionalizojë në këtë formë transmetimin. Po kështu ata nuk kanë zhvilluar një metodë kronologjike. Po kështu as literatura hebraike nuk e ka përdorur metodën kronologjike, e cila e bën të vlefshëm Isnadin.
Në fakt, vetë Horovitz e pranon që “Literatura Talmudike nuk ka asnjë metodë kronologjike dhe një vepër e tillë pra me një metodë dhe strukturë kronologjike është kompozuar pas vitit 885 — një shekull më vonë se sa kritika e parë për Isnadin e shkruar nga myslimanët“.
Nga ky fakt ai vazhdon më tej, “Dhe duke qenë se veprat më të rëndësishme të Hebrenjve janë kryer në periudhën e dominimit Islam, atëherë mund të mendohet se ka qenë influencë e Islamit“.
Praktika e specifikimit të Isnadit (jo vetëm për hadithet por edhe për librat) ishte një praktikë thelbësore në një kohë ku shtypja e librave ishte e panjohur dhe kur çdo kush mundej që të shkruante apo të krijonte përçarje.
Praktika e dijetarëve për dëshminë e studentëve të tyre është një praktikë unike në historinë e botës, sikurse literatura e hadithit është unike në sistemimin dhe metodat e identifikimit të saj. Grekët, Latinët, Hebrenjtë dhe Sirianët nuk kanë pasur një informacion të tillë përsa i përket transmetimit dhe zinxhirit të tij. Megjithëse sistemi i isnadit e ka zanafillën e tij në Literaturën e Hadithit, ai u zgjerua nga autorët arabë në shumë zhanre të tjera si gjeografia, historia dhe proza.
Autor: Ebu Emineh Filips
Përktheu: Xhodi Hysa
By: ardhmëriaonline.com



















