Përgatitja e iftarit nga amvisat

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Pyetje: A merr shpërblimin e atij që shtron iftar gruaja e cila përgatit iftarin?

Përgjigja: Shpërblimi i atij që shtron iftar nuk kufizohet vetëm tek personi që e shtron atë, por edhe tek gruaja e cila e përgatit ushqimin për agjëruesit. Burri i cili shpenzon nga pasuria e tij fiton shpërblim për iftarin që shtron dhe po ashtu edhe gruaja e cila lodhet, sakrifion dhe përgatit ushqimin për agjëruesit.

Argument për këtë janë hadithet e mëposhtme:

1 – Aishja (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur një grua jep lëmoshë nga ushqimi që ka në shtëpi pa e prishur e dëmtuar atë, atëherë ajo do të marrë shpërblimin e saj për atë që ajo dha; edhe bashkëshorti i saj do të marrë shpërblimin e tij për çfarë ai ka fituar; po kështu edhe për ruajtësin e ushqimit do të ketë shpërblim. Shpërblimi i njërit nuk e pakëson aspak shpërblimin e tjetrit.”[1]

Ky hadith tregon qartë se gruaja shpërblehet për lëmoshën që e jep nga shtëpia e saj. Ashtu sikur shpërblehet edhe ruajtësi (magazineri), megjithëse pasuria është e bashkëshortit të saj.

2 – Ebu Musa (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë: “Një musliman i ndershëm dhe i besuar (kujdestar për ruajtjen e pasurisë) i cili përmbush urdhërat e padronit dhe jep plotësisht çfarë është urdhëruar për të dhënë me zemër të pastër, si edhe duke i dhënë atij njeriu që qe urdhëruar, një person i tillë vlerësohet si njëri prej dy mirëbërësve.”[2]

Imam Neveviu duke komentuar këtë hadith ka thënë: [Nga hadithi kuptojmë se nëse për një vepër të mirë bashkëpunojnë dy apo më tepër njerëz, secili prej tyre do të shpërblehet. Kjo nuk do të thotë se ata e ndajnë përgjysmë shpërblimin, përkundrazi secili prej tyre fiton shpërblim e vet. Megjithatë kjo nuk do të thotë se ata domosdoshmërisht kanë të njëjtin shpërblim, pasi pronari mund të ketë shpërblim më të madh se kujdestari ose anasjelltas. Për shembull nëse pronari i jep një shumë lekësh kujdestarit të tij, gruas apo dikujt tjetër që t’ia shpijnë filan personi si sadaka, padyshim që pronari fiton më shumë shpërblime. Nëse ai  i jep kujdestarit të tij një copë buke që t’ia shpijë një nevojtari që e ka shtëpinë shumë larg, padyshim që kujdestari ka më tepër shpërblim për shkak të mundit të madh që heq për t’ia dërguar nevojtarit copën e bukës. E nëse mundi që kujdestari derdh është i barazvlefshëm sa copa e bukës, atëherë shpërblimi i të dyve është i njëllojtë.]

3 – Ukbeh ibn Amir (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë: “Me të vërtetë, Allahu i Madhëruar i fut në Xhenet tre persona për shkak të një shtize (lufte): E fut në Xhenet atë që e ka prodhuar atë, e fut në Xhenet atë që gjuan me të dhe e fut në Xhenet atë që e mbart atë.”[3]

Kështu pra, nga hadithet e lartpërmendura dalim në përfundimin se në rastin kur gruaja përgatit iftarin për agjëruesin do të shpërblehet dhe po ashtu edhe bashkëshorti i saj. Madje edhe ai që e shtron tavolinën, pjatat e lugët, etj do të shpërblehet. E askujt nuk do t’i pakësohet shpërblimi i vet sepse ai ka qenë pjesmarrës aktiv në shtrimin e iftarit.

Allahu e di më mirë.

Burimi: islamqa.info

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Buhariu (1425).

[2] – Buhariu (1438) dhe Muslimi (1023).

[3] – Ahmedi (173338). Hadithi është Hasen Sahih.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.