Pushimet nuk zbulojnë vetëm mënyrën se si fëmijët e kalojnë kohën e tyre…
Ato zbulojnë edhe mënyrën se si familja e kupton dhe e sheh edukimin.
Familja që i konsideron pushimet thjesht si një kohë për të kaluar orët e lira, do ta përfundojë atë ashtu siç e nisi, pa ndonjë përfitim të qëndrueshëm.
Ndërsa familja që i sheh pushimet si një stinë për ndërtimin e personalitetit, e shfrytëzon atë për gjëra, ndikimi i të cilave mbetet për shumë vite.
Ndër gjërat më të rëndësishme që meritojnë vëmendje janë…
1 – Forcimi i lidhjes me Kuranin Fisnik
Le të kenë fëmijët një pjesë të kohës së tyre të kushtuar Kuranit, qoftë përmes mësimit përmendësh, leximit të rregullt apo meditimit mbi kuptimet e tij.
Kurani është mjeti më i madh për ndërtimin e mendjes dhe edukimin e zemrës.
2 – Krijimi i kulturës së leximit
Leximi i rregullt nuk shërben vetëm për ta mbushur kohën, por formon një njeri me horizont më të gjerë, mendim më të thellë dhe gjykim më të shëndoshë.
3 – Përvetësimi i një aftësie të dobishme
Çdo periudhë pushimesh duhet të përfundojë me fëmijën që ka fituar një aftësi të re. Njeriu zhvillohet nga ajo që mëson, jo nga ajo që konsumon.
4 – Ndërtimi i trupit
Sporti nuk është luks, por një përgatitje për trupin dhe shpirtin. Besimtari i fortë është më i dashur tek Allahu sesa besimtari i dobët.
5 – Zgjerimi i përvojës jetësore
Vizita në një bibliotekë, muze, institucion shkencor ose një shëtitje në natyrë i pasuron përvojat e fëmijës. Edukimi nuk zhvillohet vetëm brenda mureve të shtëpisë apo të shkollës.
6 – Forcimi i lidhjeve familjare
Pushimet janë një mundësi e vyer për biseda, shëtitje, kohë të përbashkët me fëmijët dhe krijimin e kujtimeve të bukura që ndërtojnë besimin dhe forcojnë lidhjet brenda familjes.
7 = Mësimi i fëmijëve për të marrë përgjegjësi
Caktimi i disa detyrave shtëpiake, planifikimi i një programi ditor ose pjesëmarrja në veprimtari vullnetare i ndihmojnë fëmijët të zhvillojnë ndjenjën e përgjegjësisë. Përgjegjësia nuk mësohet vetëm me fjalë, por kultivohet përmes praktikës.
8 – Kufizimi i përdorimit të pajisjeve digjitale
Qëllimi nuk është t’i privojmë fëmijët nga argëtimi, por të mos lejojmë që ekranet të bëhen edukatori kryesor në jetën e tyre.
Pushimet nuk janë një periudhë pushimi nga edukimi…
Përkundrazi, ato janë një nga stinët më të mira për edukim.
Ajo që mbillet gjatë këtyre javëve mund të lërë gjurmë në personalitetin e fëmijëve për shumë vite, madje ndoshta për gjithë jetën.
Autor: Abdulkerim Bekkar
Përktheu: Mevlad Çollaku
By: ardhmëriaonline.com



















