Është transmetuar nga Bera’ (r.a.) lidhur me fjalën e Allahut të Lartësuar: “Mos synoni atë që është i keq prej tij për ta dhënë (si lëmoshë)”[1] se ky ajet zbriti për ensarët, të cilët merreshin me kultivimin e hurmave. Ndodhte që ndonjëri prej tyre sillte një tufë ose dy dhe i varte në xhami për t’u afruar tek Allahu, që prej tyre të hanin të varfrit, sidomos banorët e Suffes. Por disa prej tyre, në shenjë pakujdesie ose dobësie të sinqeritetit, sillnin një tufë me kokrra të kalbura ose të dështuara, ose diçka që vetë nuk do ta pranonte, e pastaj e jepte atë si sadaka. Atëherë zbriti ajeti për të edukuar nijetin, për të pastruar format e bamirësisë dhe për t’i mësuar besimtarët se dhënia nuk është heqje qafe e asaj që nuk e duan, por është qëndrim vlere, provë e nijetit dhe shenjë e mirëbërjes.
Kjo skenë paraqet një kuptim të thellë njerëzor: cilësia e dhurimit shpreh cilësinë e vetë shpirtit. Ai që për vete zgjedh frutin më të mirë, ndërsa për nevojtarin lë më të keqin, tregon mangësinë e tij në bamirësinë e vet përpara se të cenojë të drejtën e të varfrit. Nëse dhuruesi nuk e pëlqen për vete atë që dhuron, ai nuk e ka nderuar tjetrin, as vetveten; dhe më e rënda është se nuk e ka nderuar afrimin me të cilin i afrohet Zotit të tij.
Ky ajet nuk është i kufizuar vetëm në kontekstin e sadakasë; ai është pasqyrë e një vlere më të gjerë: vlerës së cilësisë së dhënies. Ajo që quajmë dhënie, shtrihet e përfshin çdo gjë që u japim të tjerëve, qoftë materiale apo shpirtërore.
Dhurimi i rrobave që nuk vishen, shpërndarja e produkteve afër skadencës, dhënia e mbetjeve të ushqimit të tepruar, po ashtu dhe ofrimi i një dhurate që njeriu vetë nuk do ta pranonte, dhuratë e ulët në vlerë para se në çmim, që dhuruesi e di se po t’ia sillnin, do ta rëndonte, janë të gjitha forma që hyjnë nën kuptimin e fjalës së Kuranit: “Mos synoni të keqin”; sepse të gjitha bashkohen në një të vërtetë të vetme: dhurimi ka humbur shpirtin e tij përpara se të humbasë vlerën e tij.
Në nivel shoqëror, i njëjti kuptim shfaqet në forma më të thella se sa thjesht dhënia materiale; ngase “e keqja” mund të jetë në mënyrën e vlerësimit, jo në vlerën e vetë dhuratës. Sa e sa njerëzve u zvogëlohet e drejta morale: thirren me emrin e tyre të zhveshur, ndonëse mbajnë titull shkencor për të cilin janë lodhur për vite, ose prezantohen para njerëzve në një mënyrë që u ul pozitën, ndërkohë që vetë ai që e bën këtë nuk pranon për veten e tij veçse titujt më të lartë.
Madje kjo çështje mund të shkojë deri në çështje edhe më të rënda si në rastin e uljes në kuvend: e ulin dikënd në skajin e kuvendit apo në një vend që vetë ai, po të ishte mysafiri, nuk do ta pranonte; kështu që i jep një trajtim që është “i keq” sipas standardeve të respektit… dhe kështu zbulohet domethënia e këtij ajeti në një dimension delikat shoqëror.
Ky parim shtrihet po ashtu në fushën profesionale: sa të shumta janë situatat kur dikujt i jepet një post jo për ta nderuar dhe jo si njohje e vlerës së tij, por vetëm pse të tjerët e kanë refuzuar. Në këtë rast posti shndërrohet për të në “mbetje”, jo “mundësi”, dhe në “dhënie të pavlerë”, jo “vlerësim të sinqertë”.
Sa e sa drejtorë i ngarkojnë një punonjësi detyra të parëndësishme, shumë më poshtë aftësive të tij, sepse detyrat e rëndësishme që sjellin shpërblime i mbajnë për vete ose për kë duan. Sa të tjerë i dërgojnë njerëzit në udhëtime të lodhshme drejt vendeve me mundësi të pakta, për të ruajtur për vete udhëtimet e nderuara e me përfitim.
Po kështu, kuptimi i fjalës së Kuranit “Mos synoni të keqin” zgjerohet dhe përfshin familjen: sa e sa etër u japin familjarëve vetëm ç’ka u tepron prej kohës, mbetjet e vëmendjes dhe çka u mbetet nga energjia. Sa nëna i japin botës më të mirën e tyre, e për familjen mbetet veç skaji i dhënies. Sa bashkëshortë janë të sjellshëm jashtë, e në shtëpi nuk i shkëmbejnë njëri-tjetrit veç ç’ka u mbetet nga durimi ose butësia. Edhe fëmijët shpesh e shpenzojnë kohën me shokët, e kur u kërkohet një shërbim prindërve, vijnë të rënduar e me përtesë.
Prej këtu shfaqet madhështia e Kuranit: ajo që nuk e pëlqejmë për veten, nuk duhet kurrë t’ua ofrojmë të tjerëve. Ajeti “Dhe nuk do ta pranonit atë vetë (po t’ju jepej), veçse nëse do të mbyllnit sytë” vendosi një standard tepër të saktë të dhënies: si mund t’i ofrojmë Allahut atë që nuk e pranojmë për veten, kur Allahu është më i denjë se ne për zgjedhjen e gjërave më të mira?!
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Bekare: 267.



















