Predikues që të bëjnë zbor

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Thotë Profeti Muhamed (a.s): ”O njerëz! Ka prej jush që i largojnë dhe ftohin njerëzit nga feja. Nëse ndonjëri prej jush është imam, le t’ua lehtësojë besimtarëve! Pas tij ka burra të moshuar e fëmijë të vegjël, por edhe njerëz me nevoja.”

Ai, Profeti (a.s) u zemërua me Muadh ibn Xhebelin, kur ky filloi ta zgjasë namazin me xhemat. Disa besimtarë u ankuan dhe Profeti (a.s) i dha Muadhit: ”A provokator je o Muadh?” Këtë pyetje retorike, ai ia bëri tre herë rresht.

Bota islame është sprovuar me predikues dhe hoxhallarë xhamish, të cilët po u bëjnë njerëzve zbor dhe kjo, falë paditurisë së tyre me sheriatin e lehtësimit dhe traditën profetike toleruese.

Ka prej tyre, që leximin e Kuranit në xhami, e kanë shndërruar si një vajtim të ngjashëm me vajtimin e shiave për luftën e Qerbelasë. Syresh të tjerë, këlthasin e çirren para mikrofonit, saqë rrezikojnë gratë shtatzëna për abort. Gjen të tjerë që namazin e teravive dhe lutjen që shoqëron namazin e vitrit, e kanë shndërruar në rrëfenja rreth halleve të vdekjes. Ata e përshkruajnë udhëtimin e të ndjerit, që nga çasti kur ka dorëzuar shpirtin, larjen, qefinosjen, varrimin, krimbat që sulmojnë trupin e tyre, pasuritë që u shpërndahen pas vdekjes, gratë që u martohen me burra të tjerë, fëmijët që u mbeten jetimë etj…. Ndërkohë, ata harrojnë se duhet të luten që Zoti ti mëshirojë dhe falë.

Ka dhe të tjerë që nuk lënë detaj në këto lutje, ata luten për Palestinën, Irakun, Afganistanin, Somalinë, Bosnjën, myslimanët e Filipineve, frontin Moro, myslimanët e Tajlandës, myslimanët e Kosovës, njerëzit në Darfor, ishujt Maluku etj.. saqë njerëzit i zë gjumi në këmbë.

Kam dëgjuar një predikues të ditës së premte, i cili e ngriti në qiell ish kryeministrin e Libanit, Refik Hariri, nuk la cilësi, virtyt, moral dhe zotësi pa ia atribuuar. Një tjetër foli për gripin e pulave, plot dyzet minuta. Në fund, doli në përfundim se gripi i pulave nuk ishte gjë tjetër veçse një komplot botëror kundër myslimanëve! Një predikues i tretë, në një fshat të humbur, fliste plot pasion për kolonializmin ideologjik dhe stuhinë e globalizmit, ndërkohë që fshatarët e gjorë nuk dinin si prishej abdesi. Një predikues tjetër në shkretëtirë, i foli xhematit lidhur me paqen e nënshkruar me Izraelin, duke bërë be e rrufe se diçka e tillë s’ka për të ndodhur. Shumica e predikuesve të tillë, lexojnë nga letra të fotokopjuara nga librat, apo të marra nga interneti. Kështu dhe predikimet e tyre vijnë të ftohta, larg aktualitetit, pa shpirt dhe të vdekura, edhe pse neve si umet na është ndaluar konsumimi i ngordhësirave.

Një herë, fala namazin e sabahut në një xhami. Imami lexoi suren Kalem. Kur po zgjaste shkronjën nun, e zgjati aq shumë saqë mu duk se do i këputen të gjithë kopsat e këmishës. Por vuajtja jonë nuk kishte përfunduar, pasi me mbarimin e namazit, ia nisi një këshille të gjatë. Pasi përfundoi, iu afrova dhe i thashë se isha falur pas dijetarëve më të mëdhenj të kohës dhe se ata ua lehtësonin xhematit namazin dhe nuk ua rëndonin. Nga mënyra si reagoi, kuptova se nëse nuk më pëlqente, mund të falesha ku të doja tjetër kund.

Një imam tjetër, pas të cilit faleshin vetëm dhjetë persona, i kishte instaluar altoparlantët e zërit mbi kokat e tyre, sakaq niveli i zërit ishte në maksimum. Tekbiri i ngjante një të çjerre të gjatë, kurse këndimi i Kuranit ishte më pranë vajtimit. Nuk e kuptoj çfarë duan të thonë me këtë!

Dikush më ka treguar se imami i tyre, një ditë, i fryu mikrofonit aq shumë, saqë e dogji amplifikatorin. Shkëndijat ishin aq të shumta, saqë gati sa nuk i vunë flakën xhamisë e më tej dhe mbarë lagjes. Kjo ishte fryrja për të kontrolluar nëse amplifikatori dhe mikrofoni punojnë, imagjinoni nëse do të kishte thirrur ezanin!

Është obligim i administratës së xhamisë, hoxhës, predikuesit, që fillimisht të ndërgjegjësohen për traditën profetike, mandej ta zbatojnë atë. Vetë profeti Muhamed (a.s) thoshte: ”Shkurtimi i hytbes dhe zgjatja e namazit, janë tregues të kuptuarit të imamit.”[1]

Më mirë është që predikimi i ditës së xhuma, të mos e kalojë një çerek ore, të jetë i fokusuar në një çështje të vetme, me zë të qetë dhe të bukur, larg torturimit, dhunës verbale, sikletosjes, klithmave dhe britmave. Nuk ka metodë më të mirë se ajo e Profetit (a.s), i cili i besonte lehtësimit dhe jo vështirësimit. Ai thoshte: ”Feja është lehtësi.” “U shkatërrofshin ekstremistët…”

 Autor: Aid el – Karni

Përktheu: Elmaz Fida

[1] – Muslimi.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.