I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Atij që Allahu ia do të mirën, i jep kuptim të thellë në fe”.([1]) Shkenca që i përcakton muslimanit metodologjinë për të kuptuar drejt fenë dhe që e thellon në kuptimin e fesë, është pikërisht shkenca e Usul Fikhut. Rëndësia e Usul Fikhut për muxhtehdin është thelbësore, pasi pa këtë shkencë muslimani nuk zotëron aftësinë juridike për të deduktuar ligjet sheriatike. Kur muxhtehidi trajton një çështje dhe del në një konkluzion, ai ka firmosur në emër të Allahut, mirëpo nuk mund të firmosësh në emër të Allahut, nëse nuk e ke kuptuar synimin e ligjërimit dhe ligjësimit të Allahut të Madhëruar. Mekanizmi që të mundëson kuptimin e ligjërimit hyjnor, është studimi dhe përvetësimi i shkencës së Usul Fikhut. Rëndësia e studimit të kësaj shkence është shumëdimensionale, prandaj në vijim do të përmendim disa aspekte, që vënë në pah rëndësinë e saj.
1 – Shkenca e Usul Fikhut është një nga shkencat më madhore islame: Usul Fikhu konsiderohet laboratori i dijeve islame dhe çelësi i thesareve të diturive e njohurive të depozituara në tekstet fisnike sheriatike. Kush nuk e përvetëson dhe nuk e perfeksionon këtë shkencë, nuk i zihet besë në diturinë dhe informacionet që jep. Ishte pikërisht shkenca e Usul Fikhut, që ndërtoi civilizimin islam, pasi tekstet fisnike sheriatike i shndërroi në metodologji pune dhe programe të zbatueshme. Kjo dije shërbeu për shumë shkenca të tjera, madje edhe për shkencat ekzakte. Shumë prej dijetarve të Usul Fikhut kanë qenë mjekë, kimistë, fizikantë, astronomë, etj. Imam Gazaliu ka thënë: “Shkencat janë tre llojesh: a) shkenca logjike të pastra… b) shkenca tradicionale sheriatike të pastra.. c) shkenca të miksuara mes shkencave logjike dhe sheriatike. Shkenca më e fisshme është shkenca që harmonizon me logjikes dhe sheriatikes, që përfshin mendimin dhe ligjësimin. Shkenca e Usul Fikhut bën pjesë pikërisht tek ky lloj. Kjo shkencë merr ajkën e sheriatikes dhe të logjikes, duke udhëzuar gjithmonë në rrugë të drejtë. Usul Fikhu nuk është shkencë e ndërtuar vetëm mbi logjikën, përndryshe nuk do të pranohej nga Sheriati, por nuk është as shkencë e ndërtuar vetëm mbi imitimin e verbër, përndryshe nuk do të pranohej nga mendja e shëndoshë”.([2])
2 – Shkenca e Usul Fikhut zbërthen tekstin sheriatik: Usul Fikhu është shkenca që ka lidhjen më të ngushtë me tekstet sheriatike, pasi depërton në mënyrat sesi kuptohet fjala e tekstit sheriatik, zhytet në metodat e shprehjes së ligjërimit sheriatik, sistemon mekanizmat e kuptimit të tekstit sheriatik dhe konkretizon mënyrën se si përftohet prej teksteve sheriatike. Kush përpiqet ta kuptojë Kuranin dhe Sunetin, pa iu referuar kësaj shkence, është i destinuar të dështojë!
3 – Ndikimi i shkencës së Usul Fikhut është shumëdimensional: rëndësia e shkencës së Usul Fikhut nuk kufizohet vetëm tek deduktimi i ligjeve juridike praktike të zbatueshme, por ai është çelësi, që nxjerr kuptimet dhe ligjet nga tekste fisnike sheriatike (Kurani dhe Suneti) në të gjitha kapitujt e fesë, si: besimi, ligjet juridike të zbatueshme, çështjet e udhëzimit, mrekullitë kuranore, vlerat madhore njerëzore, etikat fetare, parimet shoqërore, dëlirësimi i shpirtit njerëzor, ndërtimi i jetës në tokë dhe lulëzimi i saj, të drejtat e çdo qenieje të gjallë, lidhjet mes popujve, si dhe shumë njohuri dhe objektiva madhorë të Kuranit dhe Sunetit, të cilat janë të ruajtura dhe të përqendruara mes rreshtave të teksteve sheriatike.
4 – Shkenca e Usul Fikhut është xhihadi i dijeve islame: Usul Fikhu konsiderohet mekanizmi mbrojtës i fesë nga devijimi dhe tjetërsimi. Ai mbron burimet sheriatike nga keqinterpretimi, ruan ligjet sheriatike nga kundërthëniet dhe mospajtimet. Shkenca e Usul Fikhut konsiderohet pengesa më e madhe ndaj keqdashësve, tendenciozëve dhe atyre që përpiqen të helmojnë ligjet sheriatike, apo të shtrembërojnë objektivat e Sheriatit, apo që fshihen dhe kamuflohen pas ideve mohuese rreth disa burimeve sheriatike. Merxhani thotë: “Usul Fikhu është shkenca, mbi të cilën ngrihet feja, prej saj merret e vërteta e qartë, bindja e sigurtë dhe mendimi i shëndoshë në çështjet e besimit, fillimit të krijimit të çdo gjëje dhe kthimit tek Zoti. Prej kësaj shkence merren dijet që kanë të bëjnë me adhurimet dhe me llojet e marrëdhënieve të ndryshme shoqërore. Pikërisht nëpërmjet Usul Fikhut deduktohen të vërtetat e urtësive, zbulohen sekretet më të imta, njohuritë më të mistershme dhe disiplinat më delikate, pra Usuli përfshin çdo kapitull (çdo gjë) të fesë”.([3])
5 – Shkenca e Usul Fikhut nuk shkëputet nga teksti sheriatik: Usul Fikhu noton në orbitën e tekstit sheriatik, prandaj lëviz gjithmonë me të. Në çdo derë të diturisë dhe shkencës që troket Kurani, në shërbim të tij qëndron shkenca e Usul Fikhut. Kjo shkencë qëndron para semantikës së fjalëve të Kuranit dhe Sunetit, para indicjeve të Kuranit dhe Sunetit, para koncepteve të Kuranit dhe të Sunetit dhe konsiderohet se e ka realizuar misionin e saj, vetëm atëherë kur zbulon qëllimin e Allahut dhe ligjet e Tij.([4])
Karafi ka thënë: “Nëse nuk do të ishte shkenca e Usul Fikhut, nuk do të vërtetohej dhe pohohej asgjë nga Sheriati. Çdo ligj sheriatik ka patjetër një shkak të përcaktuar nga Ligjvënësi dhe një burim apo argument, që na tregon për këtë shkak. Nëse ne e eliminojmë Usul Fikhun, duhet të eliminojmë edhe argumentet dhe burimet sheriatike, prandaj nuk do të na mbetej as ligj dhe as shkak. Vërtetimi dhe pohimi i një Ligji, pa burime dhe pa norma, pra me iluzione, bie ndesh me unanimitetin e të gjithë të mençurve. Ndoshta ata që e pretendojnë një gjë të tillë, nuk e marrin në konsideratë unanimetin (konsensusin, ixhmanë), i cili është pjesë e Usul Fikhut dhe ndoshta pretenduesit nuk e dinë, se konsensusi është nga nivelet e para të njohurive të muxhtehidëve”.([5])
Autor: Rushit Musallari
By: ardhmëriaonline.com
([1]) – Buhariu (71); Muslimi (1037).
([2]) – Gazaliu, “El-Mustesfâ min Ilmi`l-Usûli`l-Fikh”, v. 1, f. 21.
([3]) – Merxhani, “Nâdhûratu`l-Hak”, f. 76-77, botimi i parë i Dar Hikme, Stamboll, 2012.
([4]) – Ez`heri, “Mishkâtu`l-Usûlijjîne ue`l-Fukahâ”, botimi i parë i Dar Fakih”, Kajro, 2020.
([5]) – Karafi, “Nefâisu`l-Usûl”, v. 2, f. 100, botim i parë i Mektebe Nezar Mustafa Baz, Meke-Rijad, 1995.



















