Nuk besoj se ka pasur ndonjë njeri në histori – që nga zbritja e Ademit në tokë e deri në Ditën e Kiametit – që ka fituar, apo do të fitojë, dashuri, vlerësim dhe nderim siç ka fituar i Dërguari ynë fisnik, Muhamedi (a.s). Mjafton të ndalemi për një çast dhe të mendojmë rreth një fjale të thjeshtë, të cilën e dëgjojmë shpesh dhe jemi mësuar ta përmendim, por që ndoshta nuk i kemi kushtuar rëndësinë që meriton: tek fjala “I Dërguar”.
I Dërguar prej kujt? Ai është i Dërguar i Allahut: Atij që krijoi qiejt dhe tokën dhe gjithçka që gjendet mes tyre; Atij që krijoi diellin, hënën, yjet dhe planetët; që krijoi malet, detet dhe lumenjtë; që krijoi njerëzit, xhinët dhe engjëjt. Ai është i Dërguar i të Plotfuqishmit që askush nuk mund ta mposhtë, i të Urtit me urtësinë e pakufishme, i të Gjallit të Përhershëm që nuk e zë as kotja dhe as gjumi, i Mëshiruesit ndaj krijesave të Tij, i Bujarit, i Butit dhe i Dhuruesit të pafund të mirësive.
Allahu u dërgoi krijesave të Tij një të Dërguar për t’ua transmetuar atyre mesazhin hyjnor. Ai e dërgoi këtë të Dërguar te njerëzit – që në natyrën e tyre janë të kufizuar dhe të nevojshëm për udhëzim – dhe e zgjodhi atë nga mesi i tyre. Ky është një nderim i madh dhe një shenjë e qartë e mëshirës së Tij.
Nëse njerëzit janë nderuar me faktin që Allahu u dërgoi atyre një të Dërguar, atëherë ç’mund të thuhet për atë që Allahu e zgjodhi nga miliarda e miliarda krijesa, për ta dërguar me mesazhin e Tij te njerëzit?
I Dërguari i Allahut, Muhamedi (a.s) u brymos nën vëzhgimin dhe kujdesin e Zotit. Ai e krijoi, e edukoi, e mësoi, ia përmirësoi sjelljen, ia përsosi karakterin, ia forcoi argumentin, ia pastroi zemrën, ia zbukuroi pamjen, ia mbushi zemrën me dashuri për njerëzit dhe i bëri njerëzit ta duan atë. Nuk e shihte askush, veçse e donte; nuk dëgjonte për të askush, veçse e donte; nuk lexonte për të askush, veçse e donte. I Dërguari i Allahut (a.s) ishte më i miri i njerëzve, më i miri i thirrësve, prijësi i të gjithë të dërguarve, vula e të gjithë profetëve.
Ky është i Dërguari i Allahut (a.s), mijëra faqe librash dhe as dekada të tëra nuk do të mjaftojnë për ta përshkruar atë plotësisht. Allahu i mblodhi tek ai të gjitha virtytet e larta njerëzore. Dhe sa herë që ndalesh tek ndonjë aspekt i jetës së tij, mbetesh i mahnitur: Si ka mundësi të jetë dikush kaq i pastër, kaq i përsosur?
Dhe nuk mund të thuash veçse: Qoftë i lavdëruar Allahu! Ai që e krijoi dhe e formësoi aq bukur, që e edukoi dhe e mësoi aq përsosmërisht.
Edhe pse ishte në pozitën më të lartë dhe me statusin më të madh, i Dërguari i Allahut (a.s) jetonte mes shokëve të tij, ishte i afërt me ta, i udhëzonte dhe i mësonte. Duronte dhimbjen bashkë me ta, ndante urinë me ta, madje edhe më shumë se ata. Lodhej ashtu sikuse lodheshin edhe ata, emigroi si ata, luftoi si ata, gërmoi hendekun sikur edhe ata. Hante nga ajo që hanin njerëzit, pinte nga ajo që pinin, ulej aty ku uleshin të tjerët. Sa më shumë e lëndonin, aq më shumë duronte. Sa më shumë që injorantët e fyenin, aq më shumë shfaqte butësi.
Sa herë që i duhej të zgjidhte midis dy çështjeve do të zgjidhte më të lehtën, përderisa ajo nuk ishte mëkat. E nëse ishte mëkat, ishte njeriu më larg prej saj. Kurrë nuk u hakmor për veten, përveçse kur shkeleshin kufijtë e Allahut.
Profeti Muhamed (a.s) ishte njeriu më bujar ndër njerëz, më i guximshmi dhe më i ndershmi. Ai nuk lejonte që njerëzit të ngriheshin në këmbë për të. Vizitonte të varfrit, rrinte me të varfërit dhe një shërbëtore e thjeshtë mund ta merrte për dore dhe ta shëtiste nëpër rrugët e Medinës, ku të dëshironte. Ai arnonte sandalet e tij, qepte rrobat e tij dhe milte dhentë. Përveç kësaj, ai ishte në lidhje të drejtpërdrejtë me qiellin, me Zotin e botëve; i vinte shpallja mëngjes e mbrëmje, për t’u treguar njerëzve atë që Zoti i tyre kërkonte prej tyre. Ai ua drejtonte rrugën, u përmirësonte metodat, u shpjegonte atë që nuk kuptonin dhe u sqaronte atë që nuk dinin. Sahabët ishin mësuar me praninë e tij — ai nuk i braktiste kurrë. E shihnin në çdo namaz, në çdo takim dhe në çdo tubim. Merrte pjesë në varrime, vizitonte të sëmurët dhe lutej për ta. I vizitonte sahabët në shtëpitë e tyre dhe ata e vizitonin në shtëpinë e tij. Sahabët e donin me një dashuri që nuk ia kishin dhënë kurrë askujt tjetër. E vendosnin mbi dashurinë për fëmijët dhe prindërit, për bashkëshorten dhe farefisin, për pasurinë dhe shtëpitë, madje edhe mbi dashurinë për vetveten — saqë një sahabi do të dëshironte të vdiste, vetëm që Pejgamberi i Allahut të mos lëndohej as nga një gjemb në këmbë.
Sahabiu nuk mund të duronte dot ndarjen prej tij. Kur kthehej në shtëpi, nxitonte të kthehej sërish në xhami vetëm që ta shihte të Dërguarin e Allahut. Disa prej tyre edhe kanë qarë, nga frika se në Ditën e Kiametit nuk do të jenë me të në Xhenet për shkak të lartësisë së gradës së tij. Derisa ai i përgëzoi se: “Njeriu do të jetë me atë që e do.” Sahabët jetuan një lumturi të paimagjinueshme – një lumturi që nuk është njohur dhe nuk do të njihet më kurrë në histori – lumturinë e shoqërimit me të, ta shihnin atë, ta dëgjonin dhe t’i bindeshin atij. Ata jetuan kështu për një periudhë kohe, derisa Allahu dha leje që i dashuri të largohej nga kjo botë drejt botës së përjetshme, në kopshtet e begatisë, drejt Shoqëruesit të Lartësuar, drejt pushimit pa lodhje, pa mundim dhe pa sëmundje. I Dërguari i Allahut ishte njeri, dhe njerëzit vdesin: Allahu I Madhëruar thotë: “Ti je i vdekshëm, edhe ata janë të vdekshëm”[1]
Sprova e vdekjes së Profetit:
Edhe pse sahabët ishin të bindur për këtë (se ai ishte njeri dhe do të vdiste), ata nuk e kishin imagjinuar kurrë se kjo vdekje do të ndodhte me të vërtetë. Ishte një sprovë e madhe, një fatkeqësi e rëndë, një bela e qartë. Sahabët – Allahu qoftë i kënaqur me ta – nuk e besonin dot se i Dërguari i Allahut (a.s) kishte vdekur vërtet…
Po si të jetohet pa të? Pas kujt do të falen? Kujt do t’ia dëgjojnë këshillat? Kush do t’i mësojë? Kush do t’i edukojë? Kush do t’u buzëqeshë në fytyrë? Kush do të sillet me butësi ndaj tyre? Kush do t’i marrë për dore?
Një katastrofë! Çfarë katastrofe! Medina u mbulua nga errësira. Trishtimi, pikëllimi dhe mërzia përfshinë gjithçka në të – gjithçka! Jo vetëm sahabët, por edhe hurmat e Medinës, shtëpitë e saj, rrugët dhe kafshët.
Nëse një trung hurme kishte ndjerë mall për të Dërguarin e Allahut (a.s) kur ai e la për të ligjëruar nga minberi, dhe sahabët dëgjuan rënkimin e trungut, i cili nuk pushoi derisa Profeti (a.s) e përqafoi dhe e përkëdheli me dorën e tij, atëherë si mund të durohet ndarja pa kthim deri në Ditën e Gjykimit?
Çfarë të bëjnë? A do ta pranojnë dot zemrat e tyre të hedhin dheun mbi të Dërguarin e Allahut?
Zemrat e sahabëve u copëtuan, shpirtrat e tyre u këputën, ndjenjat e tyre u thyen. Enesi ibn Maliku (r.a) ka thënë: “Nuk kam parë kurrë një ditë më të bukur e më të ndritshme se dita kur i Dërguari i Allahut hyri tek ne, dhe nuk kam parë kurrë një ditë më të shëmtuar e më të errët se dita kur vdiq i Dërguari i Allahut.”
Kjo fatkeqësi i kishte tronditur edhe mendjet e burrave më të fortë, i kishte hutuar të urtët e të mençurit. Të gjithë u çorientuan, aq sa Omeri ibn Hatabi – dhe kush është më i urtë, më i matur dhe më i ndriçuar se Omeri? – u ngrit dhe nga tronditja e humbi vetëdijen, duke thënë:“Disa burra nga hipokritët pretendojnë se i Dërguari i Allahut (a.s) ka vdekur. Por i Dërguari i Allahut (a.s) nuk ka vdekur! Ai ka shkuar tek Zoti i tij, ashtu siç shkoi Musai, biri i Imranit, nga populli i tij për dyzet net, dhe pastaj u kthye, pasi ishte përfolur se kishte vdekur. Pasha Allahun, i Dërguari i Allahut (a.s) do të kthehet, dhe do unë kam për t’ia prerë duart dhe këmbët atyre që thonë se ai ka vdekur!” Kjo ishte gjendja e Omerit, po si mund të ishte gjendja e sahabëve të tjerë?
Ebu Sufjan ibn Harithi, kushëriri i Pejgamberit (a.s), ka thënë:
Na goditi një dhimbje e rëndë si gur,
Atë mbrëmje kur u tha: “I Dërguari s’është më në udhë.”
U drodh toka nën këmbët tona gjithkund,
Si të donte të na shembte nga çdo anë përfund.
E humbëm shpalljen që zbriste çdo ditë,
Që Xhibrili e sillte me dritë të pashuar.
Dhe kjo ishte dhimbja më e thellë për çdo shpirt,
Që prej syve si lumë lotët kanë shkuar.
Ai ishte Profeti që na hiqte çdo dyshim,
Me fjalën hyjnore, me shpallje dhe urtësi.
Na udhëzonte drejt, pa ndjerë ne ndonjë devijim,
Se ishte mes nesh, me dritë e me drejtësi.
O Fatime, nëse qan, kjo është krejt e lehtë,
E nëse duron, kjo është rruga më e drejtë.
Se varri i babait tënd, më i larti ndër varre,
Aty prehet i Dërguari – udhëheqësi i mbarë njerëzisë.
Enes ibn Maliku (r.a) ka thënë: “Kur ndërroi jetë i Dërguari i Allahut (a.s), Medina u errësua aq shumë saqë disa prej nesh nuk mund të shihnin njëri-tjetrin. Njëri prej nesh shtrinte dorën dhe nuk e shihte atë. Dhe ende pa mbaruar varrimin e tij, ne filluam të mos e njihnim më zemrën tonë (nga pikëllimi).”
Qëndrimi i Ebu Bekrit ndaj vdekjes së Profetit (a.s):
Ndërkohë që njerëzit ishin në këtë gjendje tronditjeje, erdhi Ebu Bekri (r.a) nga Senhu (një vend jashtë Medinës) pasi atje i kishte arritur lajmi. Nëse dikush do të mendonte se ndonjë sahab do të vdiste nga hidhërimi, pikëllimi dhe dhimbja për ndarjen nga i Dërguari i Allahut (a.s), pa dyshim të gjithë do të thonim se ai do të ishte Ebu Bekri – njeriu më i dashur për Profetin dhe më afër zemrës së tij. Dikush mund të mendonte se ai do të reagonte më fort edhe se Omeri, por, Subhanallah, ai ishte Ebu Bekri – Allahu qoftë i kënaqur me të.
Ebu Bekri erdhi me kalë nga shtëpia e tij në Senh dhe zbriti te xhamia e të Dërguarit. Nuk foli me askënd. Hyri në xhami, pastaj nga aty në dhomën e Aishes, ku kishte ndërruar jetë i Dërguari i Allahut (a.s) mbi prehërin e saj. U drejtua nga i Dërguari, i cili ishte mbuluar me një pëlhurë. Ia zbuloi fytyrën, iu afrua, e puthi dhe qau. Lotët e nxehtë dhe të rëndë rrëshqitën mbi faqet e Siddikut – për shokun e jetës, për zemrën e tij, për gëzimin e syve të tij.
Pastaj Ebu Bekri, me një zemër që po çahej nga dhimbja, tha: “Qofsh flijuar për mua me babanë dhe nënën time! Allahu nuk do të të bëjë të vdesësh dy herë. Vdekjen që të ishte caktuar, tashmë e ke përjetuar.”
Pastaj Ebu Bekri doli dhe e gjeti Omerin mjaft të tronditur, duke folur me njerëzit, që ishin mbledhur përreth tij, duke dëshiruar që fjalët e tij të ishin të vërteta – që i Dërguari do të kthehej sërish, ashtu siç thoshte Omeri.
Pastaj Ebu Bekri, me një vendosmëri dhe qetësi të mahnitshme, tha: “Ulu, o Omer!” Por Omeri, nga tronditja, nuk po dëgjonte dhe nuk u ul. Megjithatë, njerëzit panë të parin ministër të të Dërguarit – Ebu Bekrin – dhe e lanë Omerin, duke u mbledhur rreth Siddikut, duke pritur çfarë do të thoshte.
Ai tha: “Kushdo prej jush që e adhuronte Muhamedin, le ta dijë se Muhamedi ka vdekur. E kushdo që adhuronte Allahun, le ta dijë se Allahu është i gjallë dhe nuk vdes.”
Dhe me një mençuri të hollë e elokuencë të mrekullueshme, lexoi ajetin kuranor: “Muhamedi nuk është tjetër veçse një i dërguar – para tij kanë kaluar të dërguar të tjerë. A mos vallë nëse ai vdes ose vritet, do të ktheheni prapa në gjurmët tuaja? E kushdo që kthehet prapa nuk i bën dëm Allahut aspak, e Allahu do t’i shpërblejë falënderuesit.”[2]
Ebu Bekri ishte njeri i mrekullueshëm që e jetonte Kuranin në çdo lëvizje e veprim të tijin. Sa madhështore ishte përzgjedhja e këtij ajeti, dhe sa i fuqishëm ishte ndikimi që ai pati në zemrat e sahabëve.
Ibn Abbasi (a.s) ka thënë: “Pasha Allahun, ishte sikur njerëzit nuk e kishin ditur kurrë që Allahu e kishte zbritur këtë ajet, derisa e lexoi Ebu Bekri. Të gjithë njerëzit e pranuan këtë, dhe ti nuk dëgjoje njeri veçse duke e recituar këtë ajet.”
Njerëzit u kthjelluan dhe filluan të qanin me ngashërim. Ky ajet ishte ngushëllim për besimtarët, përforcim për durimtarët, dhe shpërblim për falënderuesit. Kur ajeti arriti te veshi i Omerit, ai tha: “Pasha Allahun! Nuk ishte tjetër veçse kur dëgjova që Ebu Bekri e recitoi, atëherë më lanë këmbët dhe nuk më mbanin më. Rashë në tokë. Kur e dëgjova duke e lexuar, e kuptova se i Dërguari i Allahut (a.s) kishte vdekur.”
Ne jemi të Allahut dhe te Ai do të kthehemi. Allahu e forcoi ummetin me autoritetin e Siddikut – Allahu qoftë i kënaqur me të! Kjo është një nga veprat e tij më të mëdha – dhe sa të shumta janë veprat e tij të mëdha.
Megjithëse vdekja e të Dërguarit të Allahut (a.s) dhe ndarja e tij deri në Ditën e Gjykimit ishte një sprovë e madhe dhe një fatkeqësi e rëndë, ajo nuk ishte sprova e vetme që e goditi ummetin në ato ditë të zymta. Përveç dhimbjes së ndarjes dhe vdekjes, kishte edhe sprova të tjera të mëdha…
Sprova e ndërprerjes së shpalljes hyjnore:
Ashtu siç e përmendëm më parë, Ummu Ejmen (r.a) qante pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut (a.s), dhe ajo e shpjegonte këtë duke thënë se po qante sepse shpallja ishte ndërprerë nga qielli. Padyshim se ndërprerja e shpalljes hyjnore është një sprovë e madhe.
Xhibrili (a.s) nuk do të zbresë më mbi asnjë njeri deri në Ditën e Kiametit. Profeti ynë fisnik është vula e të gjithë profetëve. Nuk ka dyshim se njerëzit do të gabojnë shpesh dhe do të kenë nevojë për drejtim dhe përmirësim. Po kush do ta bëjë këtë?
Ata duhet ta bëjnë vetë. Sistemi islam i plotë dhe i përsosur ua ka dhënë njerëzve këtë kompetencë – që ta vazhdojnë rrugën e jetës deri në Ditën e Gjykimit pa profetë, pa të dërguar dhe pa shpallje, por s’ka dyshim se periudha që pasoi vdekjen e të Dërguarit (a.s) ishte një barrë shumë e rëndë për shokët e tij, dhe një shqetësim i madh – frika se mos nuk do t’ia dilnin dot të zgjidhnin çështjet e tyre pa shpallje hyjnore.
Nuk ka dyshim se do të kishin shumë mospajtime – po kush do të ishte në të drejtë, dhe kush në të gabuar? Do t’u duhej të gjykonin në bazë të metodës që iu la në duar: Kurani dhe Suneti. Por gjithsesi, disa grupe të besimtarëve do të gabojnë, edhe kur mendojnë se janë në të drejtë. Shpallja ishte ajo që vendoste në mënyrë të prerë në këto çështje, pa lënë vend për dyshim. Por tani, shpallja është ndërprerë.
Në kohën e të Dërguarit të Allahut (a.s), një njeri ecte në tokë dhe e dinte se ishte prej banorëve të Xhenetit, dhe ai ishte i sigurtë për këtë – nëse ai që e përgëzonte ishte i Dërguari i Allahut (a.s). Ai njeri ishte i sigurtë, sepse Profeti (a.s) kishte folur përmes shpalljes.
Imagjino, si mund të duroje ti të ecje në tokë kur e di se je nga banorët e Xhenetit? Kjo ishte ajo që bëri Umrej ibn Humami në betejën e Bedrit, ai hodhi hurmat që kishte në dorë, kur i Dërguari i Allahut e përgëzoi me Xhenet, ai tha: “Nëse do të rroj derisa t’i ha këto hurma, kjo është një jetë e gjatë!”
Kështu Ebu Bekri, Omeri, Othmani, Aliu dhe të tjerët nga dhjetë të përgëzuarit me Xhenet, ashtu edhe Abdullah bin Mes’udi, Hatixhja, Aishja dhe të gjitha nënat e besimtarëve, dhe qindra dhe mijëra të tjerë, të cilët u përgëzuan nga Profeti (a.s) se do të hynin në Xhenet. Por tashmë, shpallja u ndërpre dhe askush nuk do ta dijë në është prej banorëve të Xhenetit apo të Zjarrit.
Për më tepër, I Dërguari i Allahut (a.s) u tregonte shumë atyre gjëra nga bota e gajbit, u jepte lajme të mira për fitoren në Bedër, për fitoren në Hudejbije, për çlirimin e Sham-it, të Persisë, të Jemenit, i tregonte për çfarë kishte ndodhur, çfarë do të ndodhte në të ardhmen deri në Ditën e Kiametit. Mirëpo tani, pas ndërprerjes së shpalljes, u mbyll dera e së ardhmes, dhe mund të dimë vetëm atë që na ka njoftuar Pejgamberi (a.s) para se të vdiste, por sa shumë ngjarje që ndodhin, të cilat do të dëshironim të dinim se si do të përfundojnë, a do të fitojmë apo do të humbasim?
I Dërguari i Allahut (a.s) e përgëzoi Bilalin (r.a) me Xhenet, prandaj kur atij (Bilalit) po i afrohej vdekja ishte i lumtur që po vdiste, dhe thoshte: “Nesër do të takoj të dashurit, Muhamedin dhe shokët e tij!”
Megjithatë, i Dërguari i Allahut (a.s) la një udhëzim të qartë: Kuranin dhe Sunetin, me të cilin mund të kuptojmë ligjet e Allahut në tokë dhe të nxjerrim rezultate para se ato të ndodhin, por do të mbeten shumë gjëra të njohura me dyshim, jo me siguri. Siguria e shpalljes nuk do të kthehet derisa të mbarojë jeta e tokës dhe të ndodhë Kiameti. Pa dyshim vdekja e Profetit (a.s) i tronditi sahabët dhe tani do të fillonin të ecnin në një rrugë të mbushur me shkurre, tashmë ata duhet të mbështeteshin tek vetvetja pas humbjes së udhëheqësit të madh, Profetit Muhamed (a.s). Pra, sprova me të cilën sahabët u përballën konsistonte në faktin se ata ishin ndarë nga njeriu më i dashur për zemrat e tyre dhe gjithashtu shpallja u ndërpre.
Kush do të ishte pasuesi i të Dërguarit të Allahut(a.s)? Kush nga burrat do të ulej në karrigen e pushtetit në vendin e Pejgamberit (a.s)?
I Dërguari i Allahut (a.s) nuk ishte vetëm profet, por gjithashtu ishte edhe prijësi i myslimanëve. Nëse profetësia përfundoi me vdekjen e tij, qeverisja duhet të vazhdonte. Kush nga sahabët e nderuar do të mund ta vazhdonte këtë rrugë dhe do të mbartë flamurin e Islamit?
Përzgjedhja e pasuesit të Profetit (a.s) për të qeverisur myslimanët ishte domosdoshmëri, por përzgjedhja e tij nuk ishte e lehtë dhe kjo për disa arsye:
Së pari: Nuk ka asnjë nga sahabët, e as ndonjë tjetër nga njerëzit në tokë, që mund të krahasohet apo t’i afrohet në vlerë dhe pozitë të Dërguarit të Allahut (a.s). Ai që do të vihet në vendin e tij si udhëheqës apo sundimtar, patjetër që do të krahasohet me të, dhe ky krahasim është, pa dyshim, i padrejtë.
Muhamedi (a.s) ishte profet, të cilit i shpallej drejtpërdrejt nga Zoti i tij, ndërsa pasardhësi i tij do të jetë një njeri i zakonshëm, që do të përpiqet me përkushtim, mund të ketë sukses, por edhe mund të gabojë.
Së dyti: Kush prej sahabëve mund të ishte në gjendje ta mbante mbi supe këtë barrë? Sahabët ishin ndryshe nga njerëzit e asaj kohe dhe të çdo kohe tjetër; ata nuk e shihnin udhëheqjen si nder apo madhështi, por si përgjegjësi të rëndë dhe barrë të madhe.
Përveç faktit që nuk e dëshironin pushtetin, sahabët kishin mësuar nga i Dërguari i Allahut (a.s) të mos e kërkonin atë dhe të largoheshin nga dëshira për të sunduar.
Imam Muslimi transmeton nga Ebu Dherri (r.a), i cili ka thënë: “I thashë: O i Dërguari i Allahut, a nuk do të më emërosh (në ndonjë detyrë)? Ai më preku në shpatull dhe tha: ‘O Ebu Dherr, ti je i dobët, dhe kjo është një amanet; në Ditën e Kiametit do të jetë poshtërim dhe pendim, përveç atij që e merr me të drejtë dhe e përmbush siç duhet.’”
Tani, kush prej sahabëve mund të ishte i sigurt se do ta merrte atë me të drejtë? Kush do të kishte guximin ta merrte këtë amanet mbi vete dhe të vendoste veten në një pozitë për të cilën do të merrej në llogari? Kush do të merrte një përgjegjësi kaq të madhe siç është udhëheqja?
Së treti: Nëse është e domosdoshme të zgjidhet një person nga sahabët për këtë detyrë të madhe, kush do të ishte ai?
Të gjithë sahabët janë figura që dinë të udhëheqin dhe të qeverisin. Ata kishin fuqi të madhe, aftësi të gjera dhe mundësi të shumta për të qenë udhëheqës ose prijës të popullit. Nëse shikojmë tek muhaxhirët, për shembull, aty janë:
Ebu Bekri i Sinqertë, Omeri Dalluesi, Besniku i këtij umeti – Ebu Ubejde ibn Xherrah – pronari i dy dritave dhe dhëndri i dy bijave të Pejgamberit (a.s) – Othmani, kushëriri i Pejgamberit dhe dhëndri i tij – Aliu, xhaxhai i Pejgamberit – Abasi, Sa’d ibn Ebi Uekasi, Zubejr ibn El-Auami, Talha ibn Ubejdullah dhe shumë të tjerë si Abdurrahman ibn Aufi, Seid ibn Zejdi, etj.
Po ashtu, janë edhe disa nga të moshuarit e Mekës që u bënë myslimanë pas çlirimit të saj dhe kishin autoritet në zemrat e arabëve, si: Ebu Sufjani, Suhejl ibn Amri, Safuan ibn Umeje dhe të tjerë.
Nëse shikojmë edhe tek ensarët, do të gjejmë gjithashtu një grup të madh njerëzish të shquar, megjithëse emrat e propozuar për udhëheqje janë më të pakët se ata të muhaxhirëve, pasi ensarët ishin të ndarë në dy fise: Eus dhe Hazrexh.
Kryetari i Hazrexhit ishte Sa’d ibn Ubadeh, një nga emrat më të fuqishëm që u përmend për udhëheqje. Usejd ibn Hudajr ishte udhëheqësi i Eusit, ndërsa Ubadeh ibn Bishr ishte një nga më të dalluarit ndër ensarët. Siç ka thënë Aishja (r.a): “Tre nga ensarët që nuk ia ka kaluar askush në vlerë janë: Sa’d ibn Muadh, Usejd ibn Hudajr dhe Ubadeh ibn Bishr.”
Sigurisht, Sa’d ibn Muadh ra dëshmor herët, pas ngjarjes me fisin Benu Kurejdha, në vitin e pestë të Hixhretit.
Çdo emër i përmendur, qoftë nga muhaxhirët apo nga ensarët, nuk ka mungesë as në aftësi, as në devotshmëri, as në përgatitje për të marrë këtë përgjegjësi. Atëherë, kush do ta mbajë flamurin?
Shumica e njerëzve që u bënë myslimanë kohët e fundit:
Përveç sprovave të përmendura më sipër gjatë kësaj periudhe, kishte edhe sprova të tjera të mëdha dhe të rrezikshme. Një prej tyre ishte numri tepër i madh i atyre që ishin bërë myslimanë rishtazi, por që nuk kishin marrë edukimin e duhur nga Pejgamberi (a.s). Madje, shumë prej tyre kishin hyrë në Islam për shkak të dëshirës për pasuri, siç ishte rasti i atyre që u bënë myslimanë pasi Pejgamberi (a.s) u dha pasuri nga plaçka e luftës.
Le të shqyrtojmë disa shifra:
Çlirimi i Mekës dhe kriza pas vdekjes së Pejgamberit (a.s)
Çlirimi i Mekës ndodhi në vitin e 8 të Hixhretit. Në këtë kohë, numri i besimtarëve nën udhëheqjen e Pejgamberit (a.s) arriti në dhjetë mijë. Pas këtij çlirimi, pasuan Beteja e Hunejnit dhe çlirimi i Taifit, ku plaçka e luftës ishte shumë e bollshme. Pejgamberi (a.s) shpërndau nga kjo plaçkë liderëve të fiseve, por edhe masave të gjera të njerëzve. Ai dha aq shumë, saqë njerëzit filluan të hyjnë në fenë e Allahut në turma, ashtu siç përmendet në Kuranin Famëlartë: “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe Çlirimi, dhe t’i shohësh njerëzit që po hyjnë turma-turma në fenë e Allahut.”[3]
Pas çlirimit të Mekës, rreth një vit më vonë, ndodhi beteja e Tebukut në vitin e 9 të Hixhretit, ku morën pjesë tridhjetë mijë myslimanë. Ky numër ishte trefishi i atij të vitit të kaluar, një rritje e madhe brenda një periudhe kohore shumë të shkurtër.
Por ajo që të mahnit më shumë ishte ajo që ndodhi gjatë haxhit të lamtumirës, në vitin e 10 të Hixhretit – vetëm një vit pas Tebukut – ku mbi njëqind mijë myslimanë kryen haxhin me Pejgamberin (a.s), pa llogaritur dhjetëra mijëra të tjerë që ishin bërë myslimanë në fiset e tyre larg Medinës dhe nuk kishin mundësi ta takonin atë.
Këta mijëra e mijëra njerëz ishin bërë myslimanë vetëm pak muaj më parë, duke dëgjuar vetëm disa fjalë të Pejgamberit (a.s). Disa nuk e kishin parë fare atë. Disa e pranuan Islamin për shkak të pasurisë, e disa nga frika ndaj fuqisë së Islamit, që po rritej dita-ditës. Të gjithë këta ishin të rinj në Islam dhe të mangët në njohjen e mësimeve profetike. Shumë prej tyre akoma ishin të lidhur me periudhën e injorancës dhe shirkut (idhujtarisë).
Këta faktorë, ndër të tjera, i vendosën ata në një rrezik të madh – veçanërisht kur morën lajmin për vdekjen e Pejgamberit (a.s). Pyetjet që lindën natyrshëm ishin:
Si do të reagonin ata?
A do të dyshonin në vërtetësinë e mesazhit hyjnor?
A do ta konsideronin largimin nga bashkësia e myslimanëve si një çështje të lehtë?
A do të ktheheshin sërish në injorancën dhe paganizmin e mëparshëm?
Të gjitha këto ishin mundësi reale. Pa dyshim, sahabët në Medinë ishin të shqetësuar për ta. Ata dëgjonin lajmet dhe kishin frikë se mos ata ktheheshin në paganizëm. Këto ndjenja frike, pasigurie dhe shqetësimi e thelluan krizën në Medinë dhe e bënë edhe më të vështirë, duke e shtuar errësirën pas humbjes së dritës së udhërrëfyesit, Pejgamberit Muhamed (a.s).
Pretendentët për profetësinë dhe rikthimi në paganizëm
Një tjetër fitne e rrezikshme me të cilën u përballën sahabët ishte rikthimi në paganizëm i disa fiseve si Benu Hanife dhe popullit të Jemenit. Lajmet për shfaqjen e disa pretendentëve për profetësi arritën që para vdekjes së Pejgamberit (a.s).
Në fisin Benu Hanife (në pjesën lindore të Gadishullit Arabik) u shfaq Musejleme gënjeshtari, ndërsa në Jemen, doli i ashtuquajturi “El-Esued el-Ansij”. Me mijëra njerëz ndoqën këta profetë të rremë, të ndikuar nga lidhjet fisnore, krenaria, injoranca, dyshimet, mendjemadhësia dhe budallallëku. Vetëm Musejleme kishte mbi 40 mijë ndjekës.
Ata ishin kthyer realisht në paganizëm dhe ishin duke u përgatitur për të sulmuar Medinën dhe për të shkatërruar Islamin nga themelet. Ky ishte një kërcënim i menjëhershëm. Pa dyshim, sahabët ishin të vetëdijshëm për këtë rrezik dhe e prisnin me shqetësim.
Munafikët (hipokritët)
Kësaj situate duhet t’i shtohet edhe prania e madhe e munafikëve (hipokritëve) në Medinë. Dy vjet më parë, gjatë betejës së Tebukut, kishte një numër të konsiderueshëm munafikësh, dhe ky numër vetëm sa ishte shtuar me përhapjen e Islamit.
Ata po prisnin një rast për të kryer një grusht shteti kundër Islamit dhe myslimanëve. Në të kaluarën kishin planifikuar ta vrisnin Pejgamberin (a.s), por dështuan. Tani që ai kishte ndërruar jetë, pa dyshim, gëzimi i tyre për këtë humbje të madhe ishte i madh.
Allahu i Madhëruar thotë: “Nëse të godet e mira, ata hidhërohen; e nëse të godet ndonjë fatkeqësi, ata thonë: ‘Ne tashmë kemi marrë vendimin tonë më parë’, dhe largohen të gëzuar.”[4]
Çfarë do të bënin munafikët tani? Kjo pyetje ishte një shqetësim i madh për sahabët dhe e rëndonte edhe më tej krizën që Medinës po përjetonte pas ndarjes së Pejgamberit (a.s) nga kjo botë.
Persët dhe Bizantët
A ishte kjo gjithçka që kërcënonte Medinën? Jo. Të tjerë armiq, shumë herë më të fuqishëm, përbënin rrezikun kryesor për qytetin. Persët ishin një perandori e madhe fqinje dhe marrëdhëniet e tyre me Pejgamberin (a.s) kishin qenë të tensionuara. Ai (a.s) i dërgoi një letër mbretit të tyre, Kisra, duke e ftuar në Islam, por Kisra jo vetëm që e refuzoi, por edhe e grisi letrën. Para vdekjes së Pejgamberit (a.s), Jemeni – që ishte nën sundimin persian – hyri në shtetin islam, dhe sundimtarët e tij u bënë myslimanë, gjë që e dëmtoi drejtpërdrejt autoritetin e Kisrës dhe interesat persiane.
Çfarë do të bënte tani Kisra i Persisë pas kësaj fatkeqësie që kishte goditur myslimanët me vdekjen e Pejgamberit (a.s)? A do të përpiqej të rimerrte Jemenin, apo do të synonte diçka më të madhe – si pushtimin e Medinës dhe Mekës? Këto ishin pyetje pa përgjigje në atë kohë, por frika ishte reale.
Nga ana tjetër, Bizantët, një tjetër superfuqi botërore e kohës, kishin nën kontroll Shamin, Azinë e Vogël dhe pjesën më të madhe të Europës Lindore. Nën drejtimin e perandorit Herakli, Perandoria Romake Lindore (Bizanti) kishte pasur kontakte me shtetin islam në rritje. Pejgamberi (a.s) i dërgoi Herakliut një ftesë për të pranuar Islamin. Sipas disa burimeve, ai pati një prirje fillestare për ta pranuar, por njerëzit e tij e detyruan ta mohojë. Ata jo vetëm që e shtynë të refuzonte Islamin, por edhe e nxitën të ndërmerrte veprime kundër myslimanëve duke i përdorur fiset arabe të Gasanitëve në Sham. Si rezultat, disa prej dërguarve të Pejgamberit (a.s) u vranë.
Herakliu, kështu, u përfshi në mohimin e të vërtetës dhe u rrethua nga një shoqëri e keqe që e çoi drejt përçarjes. Si pasojë, ndodhën dy përballje ushtarake mes myslimanëve dhe bizantëve.
Beteja e parë ishte ekspedita e Mu’tes, në vitin 8 të Hixhretit. Ajo ishte një përballje e jashtëzakonshme ku vetëm tre mijë myslimanë u përballën me një ushtri bizantine që numëronte rreth dyqind mijë vetë. Disa nga komandantët myslimanë ranë shehidë, por Halid ibn Uelidi (r.a), me një strategji brilante, arriti ta tërhiqte ushtrinë myslimane pa humbje të mëdha. Sipas analizave të mëvonshme, ishte vetë ushtria bizantine ajo që u tërhoq, e frikësuar nga vendosmëria dhe trimëria e myslimanëve.
Një vit më vonë, ndodhi ekspedita e madhe e Tebukut në vitin 9 të Hixhretit, ku morën pjesë rreth tridhjetë mijë luftëtarë myslimanë. Edhe pse me pak mjete, pak armatime dhe pak furnizime, morali i ushtrisë ishte shumë i lartë. Ata udhëtuan në distanca të gjata pa frikë, por ushtria bizantine dhe aleatët e saj arabë të krishterë u tërhoqën pa luftë. Bizantët ishin të vetëdijshëm për përgatitjet që kishte bërë Pejgamberi (a.s) për të dërguar një ushtri të udhëhequr nga Usame ibn Zejdi (r.a) për në Sham – një fushatë që ai e kishte urdhëruar pak para vdekjes.
Pas lajmit të vdekjes së Pejgamberit (a.s), ata padyshim do të kishin dëgjuar se ushtria islame ishte ende në Medinë. A do ta shfrytëzonin këtë moment dobësie për të sulmuar Medinën? A do të përpiqeshin të formonin aleanca të reja me fiset arabe përreth? A do të mbanin në rrethim ushtrinë e myslimanëve në Medinë përpara se ajo të mund të dilte në betejë? Apo do të përpiqeshin të rikthenin nën kontroll fiset që tashmë ishin bërë myslimane në veri të Gadishullit Arabik?
Nuk ka dyshim se bizantët po prisnin një mundësi për t’u hakmarrë ndaj myslimanëve, dhe zhvillimi i marrëdhënieve të mëparshme mes tyre e bënte këtë skenar të besueshëm.
Si do të reagonin myslimanët përballë këtij realiteti? Kjo ishte një pyetje jetike që kërkonte përgjigje të shpejtë dhe vendimtare.
Hebrenjtë
Si do të ishte reagimi i tyre pasi të merrnin lajmin e rëndësishëm për vdekjen e Pejgamberit (a.s)? Gjatë gjithë historisë, armiqësia e hebrenjve ndaj Islamit ka qenë e thellë dhe e pandërprerë, që nga dita e parë kur dëgjuan për shpalljen hyjnore. Ata herë pas here kurdisnin komplote kundër tij, madje disa herë u përpoqën edhe ta vrisnin. Zemrat e tyre ishin të mbushura me urrejtje ndaj myslimanëve. Kjo armiqësi është përmendur në Librin e Allahut dhe do të vazhdojë deri në Ditën e Gjykimit. Allahu i Madhëruar thotë: “Me siguri do të gjesh se njerëzit më të ashpër në armiqësi ndaj besimtarëve janë hebrenjtë dhe idhujtarët.”[5]
Dhjetë vjet më parë, hebrenjtë ishin nga tregtarët më të fuqishëm në Gadishullin Arabik. Ata tregtonin me çdo lloj mallrash, veçanërisht me armë dhe verë, dhe merreshin me kamatë. Ishin një forcë e madhe, me kështjella e fortifikime, dhe kishin aleanca me fise të ndryshme. Në aspektin fetar dhe të dijes, kishin një status të lartë, sepse ishin “populli i Librit”. Por, me ardhjen e Pejgamberit (a.s) në Medinë, atyre iu hoq e drejta e udhëheqjes dhe autoriteti kaloi në duart e myslimanëve. Dhe urrejtja e tyre ndaj myslimanëve nuk u ndal me kaq: shpërthyen beteja të shumta mes hebrenjve dhe myslimanëve, beteja që do të mbahen mend gjithmonë, ku myslimanët dolën fitues: si në Betejat kundër Benu Kajnuka-së, Benu Nadirit, Benu Kurejdhës dhe në Hajber, ku forca e hebrenjve u thye dhe u shpartallua.
Dhe ja, tani, Safije bint Hujej – bija e liderit të njohur hebre, Hujej ibn Ahtab – është bërë bashkëshortja e Pejgamberit (a.s), dhe njëra prej nënave të besimtarëve. E gjithë kjo nuk bëri tjetër veçse e shtoi edhe më shumë urrejtjen e tyre ndaj myslimanëve dhe vetë të Dërguarit të Allahut (a.s). Tani që Pejgamberi (a.s) ka ndërruar jetë, çfarë do të bëjnë hebrenjtë?
Hebrenjtë e fisit Benu Kurejdha ishin vrarë më parë, kurse ata të Benu Kajnuka-së dhe Benu Nadirit ishin dëbuar nga Medineja. Në Hajber, megjithatë, kishte ende shumë hebrenj, që jetonin në fortesat e tyre në veri të Medinës. A do të thurnin ata ndonjë komplot për të sulmuar myslimanët dhe për të shkelur marrëveshjen që kishin nënshkruar me Pejgamberin (a.s)?
Kjo – vdekja e të Dërguarit – ishte një rast i artë për ta. Hebrenjtë kanë qenë gjithmonë të njohur për thyerje të marrëveshjeve, tradhti, intriga, mashtrime dhe komplotet e tyre, që nga koha e profetëve të mëhershëm, gjatë periudhës së Pejgamberit (a.s), e deri në ditët tona – dhe do të vazhdojnë kështu deri në Ditën e Fundit. Ata janë të njohur për tradhti në kohë dobësie dhe për shkatërrim e korrupsion në kohë fuqie.
Prandaj, nuk është çudi të pritej që hebrenjtë të shpërthenin me ndonjë akt tradhtie. Por si do të ndodhte kjo?
Kjo është padyshim një pyetje që do t’u lindte në mendje sahabëve pas ndarjes nga jeta e Pejgamberit (a.s).
Sa i rëndë, i ndërlikuar dhe i dhimbshëm ishte ai çast pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut (a.s)…
Le të ndalemi për një çast, të marrim frymë thellë dhe të riorganizohemi, duke menduar së bashku me sahabët.
Në Medinë priten të ndodhin një sërë ngjarjesh të rrezikshme dhe tronditëse. Ja disa prej tyre:
Së pari: Ka ndërruar jetë njeriu më i dashur për zemrat e sahabëve – një ndarje që për ta është një fatkeqësi e madhe dhe e papërballueshme.
Së dyti: Shpallja hyjnore është ndërprerë përgjithmonë – nuk do të ketë më asnjë ajet që do të zbresë nga qielli deri në Ditën e Kiametit.
Së treti: Nuk ekziston askush që të arrijë virtytin, vlerën dhe udhëheqjen e të Dërguarit të Allahut (a.s), që të mund të zëvendësohet prej tij.
Së katërti: Emrat e propozuar për ta pasuar të Dërguarin (a.s) janë të shumtë dhe të gjithë janë burra madhështorë – por kjo e bën zgjedhjen delikate dhe sfiduese.
Së pesti: Një pjesë e madhe e njerëzve kanë hyrë në Islam vetëm së fundmi – disa prej tyre vetëm disa muaj më parë – dhe shumë prej tyre janë nga ata që zemrat u janë zbutur me pasuri, me besim ende të dobët e të paqëndrueshëm.
Së gjashti: Ka rrezik të madh nga apostazia (mohimi i fesë) që ka shpërthyer në fisin Benu Hanife dhe në Jemen.
Së shtati: Në Medinë gjenden shumë hipokritë, të cilët presin vetëm një mundësi për t’u ngritur kundër myslimanëve.
Së teti: Shteti persian, një fuqi armiqësore, ka kufijtë ngjitur me shtetin islam nga lindja dhe mund të ndërmarrë një sulm pushtues në çdo çast.
Së nënti: Edhe Perandoria Bizantine, një tjetër armik i madh, ka kufijtë ngjitur me shtetin islam nga veriu – dhe marrëdhëniet me të janë të brishta, duke parashikuar një përballje të afërt ushtarake.
Së dhjeti: Hebrenjtë në Hajber i kanë zemrat që vlojnë nga urrejtja, si kazan në valë, dhe tradhtia e tyre është një rrezik i afërt dhe i pritshëm.
Pra, kjo është një sprovë (fitne) e madhe – dhe vetëm një nga këto rrethana do të mjaftonte për ta shkatërruar një umet të tërë.
Populli i Benu Israilëve, kur vetëm menduan se Musai (a.s) kishte vdekur – ndërkohë që ai ishte larguar për të takuar Zotin e tij për dyzet net – çfarë bënë?
Adhuruan viçin! Edhe pse në mesin e tyre ndodhej profeti Harun (a.s), ai nuk kishte forcën dhe autoritetin e Musait (a.s), prandaj ata u rebeluan kundër tij. Haruni (a.s) veproi me urtësi dhe durim, duke pritur kthimin e Musait (a.s). E gjithë kjo ndodhi për vetëm dyzet net, dhe ata as nuk ishin të sigurt se Musai (a.s) kishte vdekur.
E tani, i Dërguari i Allahut (a.s) është realisht i vdekur. Trupi i tij gjendet në mesin e tyre dhe të gjithë janë të vetëdijshëm për këtë fakt. Sa prej njerëzve do të ndjekin shembullin e Benu Israilëve në këtë akt të shëmtuar?
Një çështje e rrezikshme:
Në këtë situatë tepër të ndërlikuar, Medina e ndriçuar i ngjan një anijeje të vogël në një det të trazuar, që përplaset nga dallgët e fuqishme – ndërsa kapiteni i saj ka ndërruar jetë në një moment jashtëzakonisht kritik.
Ku është shpëtimi?
Duke analizuar gjendjen, bëhet e qartë se nuk ka shpëtim tjetër veçse zgjedhja sa më e shpejtë e një kalifi, i cili do të pasojë të Dërguarin e Allahut (a.s) në udhëheqjen e shtetit islam. Humbja ose vonesa në vendosjen e kalifit është një katastrofë madhore. Kalifati dhe kalifi janë si filli që bashkon rruazat e një vargu të çmuar – pa këtë fill, rruazat do të shpërndahen patjetër, sado të bukura apo të ndritshme të jenë ato.
Po kështu edhe umeti mysliman – nëse mungon posti i kalifit, myslimanët nuk do të bashkohen, edhe sikur të jenë nga më të mirët. Një grup këtu, një tjetër atje; një fis këtu, një tjetër atje; një shtet këtu, një tjetër andej. Përçarja do të vazhdojë për aq kohë sa mungon kalifati. Kjo është edhe fatkeqësia e madhe e kohës sonë – kalifati është zhdukur. Kalifati i fundit ishte Kalifati Osman. Pasi ai u rrëzua, myslimanët u copëtuan.
Edhe nëse kalifati është i dobët, ai është i domosdoshëm, sepse bashkimi mbi dobësinë është më i vlefshëm sesa përçarja mbi forcën.
Kjo është një e vërtetë e përgjithshme për jetën e myslimanëve: kur bashkohen rreth një njeriu, vjen bereqeti dhe forca; kur përçahen, vjen dështimi dhe dobësia. I Dërguari i Allahut (a.s) na tërheq vëmendjen për këtë, edhe në çështjet më të vogla të jetës. Transmetohet nga Ebu Daudi, me një zinxhir të mirë, nga Ebu Seid el-Hudri (r.a) dhe Ebu Hurejra (r.a), të cilët thanë se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur të jenë tre vetë për udhëtim, le ta caktojnë një prej tyre si udhëheqës.”
Sahabët e nderuar – brezi më i mirë i këtij umeti, njerëzit më të virtytshëm në tokë pas profetëve – e kuptonin mirë këtë të vërtetë. Ata e dinin se çdo vonesë në përzgjedhjen e kalifit përbënte rrezik të madh për umetin, pa marrë parasysh se kush do të ishte ai me emër.
Për këtë arsye, sahabët e nderuar u angazhuan në një nga projektet më madhështore dhe më të lavdishme në historinë e qytetërimit: projektin e zgjedhjes së kalifit – udhëheqësit – timonierit të kësaj anijeje, që është Umeti Islam.
Edhe në mesin e pikëllimeve, trazirave dhe dhimbjes së madhe, jeta duhet të vazhdojë – ajo nuk ndalet për askënd, qoftë edhe për të Dërguarin e Allahut (a.s).
Autor: Ragib Serxhani
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Zumer: 30.
[2] – Sure Ali Imran: 144.
[3] – Sure Nasr: 1 – 2.
[4] – Sure Teube: 50.
[5] – Sure Maide: 82.



















