“Dijeni, Allahu ju dhëntë lumturi, se Ehli Suneti dhe Xhemati përbëhen nga tetë kategori njerëzish:
Kategoria e parë: Imamët e Akides, ata që zotëruan dijen mbi kapitujt e Teuhidit (Njëshmërisë) dhe Profetësisë, rregullat e premtimit dhe kërcënimit, shpërblimit dhe ndëshkimit, si dhe kushtet e ixhtihadit, imametit (udhëheqjes) dhe parësisë. Ata ndoqën në këtë lloj shkence rrugën e pohuesve të cilësive hyjnore nga dijetarët e Kelamit (teologjisë), të cilët u distancuan nga krahasimi i Zotit me krijesat dhe mohimi i cilësive të Tij. Ata u distancuan gjithashtu nga risitë (bidatet) e Rafidive, Havarixhëve, Xhehmijëve, Nexharijëve dhe të gjithë pasuesve të tjerë të ideve dhe sekteve të humbura.
Kategoria e dytë: Imamët e Fikhut nga të dyja grupet, atyre të mendimit të pjekur (Raj) dhe atyre të Hadithit, të cilët në bazat e fesë kanë besuar në rrugën e pohuesve të cilësive rreth Allahut dhe cilësive të Tij të përhershme.
Ata u distancuan nga Kaderitë dhe Mutezilitë; pohuan shikimin e Allahut të Lartësuar me sy (në botën tjetër) pa e krahasuar Atë me krijesat dhe pa ia mohuar cilësitë. Gjithashtu, pohuan ringjalljen nga varret, pyetjen në varr, si dhe (besojnë në) ekzistencën e Keutherit, Siratit (Urës), Shefatit (Ndërmjetësimit) dhe faljen e mëkateve që janë nën gradën e idhujtarisë (shirkut). Ata besuan dhe pohuan se mirësitë e Xhenetit për banorët e tij janë të amshueshme (të përhershme), si dhe ndëshkimi i Zjarrit për kufarët (mohuesit) është i amshueshëm.
Ata pohuan udhëheqjen (imametin) e Ebu Bekrit, Omerit, Othmanit dhe Aliut, i lavdëruan me fjalët më të mira të parët tanë të devotshëm (Selefus-Salih) nga ky Umet. Ata e panë si obligim faljen e xhumasë pas imamëve që janë distancuar nga pasuesit e ideve të humbura. Gjithashtu, ata e kanë konsideruar obligim nxjerrjen e rregullave të Sheriatit nga Kur’ani, Suneti dhe Ixhmai (Konsensusi) i Sahabëve. Ata lejuan mestin mbi meste (fshirjen e këpucëve/çorapeve prej lëkure gjatë abdesit), ekzekutimin e divorcit të trefishtë, konsiderojnë të ndaluar martesën e përkohshme (muta’), dhe e konisderojnë si obligim dëgjueshmërinë ndaj pushtetarit në çështjet që nuk janë mëkat.
Dhe në këtë grup (të Ehli Sunetit) bëjnë pjesë: pasuesit e Malikut, pasuesit e Shafiut, pasusit e Evzaiut, pasuesit e Sufjan Theurit, pasuesit e Ebu Hanifes, pasuesie e Ibn Ebi Lejlasë, pasuesit e Ebu Theurit, pasuesit e Ahmed ibn Hanbelit, pasuesit e Dhahirive dhe të gjithë juristët e tjerë që në kapitujt racionalë kanë besuar në parimet e pohuesve të cilësive të Allahut dhe nuk e kanë përzier Fikhun e tyre me asgjë nga risitë (bidatet) e pasuesve të ideve të humbura.
Kategoria e tretë: “Ehlul Hadithi”, ata që kanë zotëruar plotësisht rrugët e transmetimit të haditheve dhe traditave profetike të përcjella nga Pejgamberi (a.s); ata që bënë dallimin midis të saktës dhe të pasaktës prej tyre, si dhe njohën shkaqet e vlerësimit dhe kritikës së transmetuesve (el-xherhu ue ta’dil), si dhe që nuk nuk e përzien dijen e tyre me asgjë nga risitë (bidatet) e pasuesve të ideve të humbura.
Kategoria e katërt: Filologët dhe letrarët: njerëz që zotëruan dijen mbi shumicën e kapitujve të letërsisë (edeb), gramatikës (nahu) dhe morfologjisë (tasrif), dhe ndoqën rrugën e imamëve të gjuhës, si Halili, Ebu Amër ibn Ala, Sibevejhi, Feraiu, Akhfashi, Esmaiu, Maziniu, Ebu Ubejdi, si dhe imamët e tjerë të gramatikës kufiste dhe basrite, të cilët nuk e përzien dijen e tyre me asgjë nga risitë (bidatet) e Kaderive, Rafidive apo Havarixhëve. Kushdo që anon nga idetë e humbura, ai nuk konsiderohet nga Ehli Suneti dhe fjala e tij nuk merret si argument në gjuhë dhe gramatikë.
Kategoria e pestë: Lexuesit dhe komentuesit e Kuranit; ata që kanë zotëruar dijen mbi llojet e leximeve të Kuranit (Kiraeteve), si dhe mënyrat e komentimit (tefsirit) të ajeteve të Kuranit dhe interpretimin e tyre sipas medhhebeve të Ehli Sunetit, e jo sipas interpretimeve të pasuesve të ideve dhe sekteve të humbura.
Kategoria e gjashtë: Asketët sufistë, të cilët vështruan dhe morën mësim, provuan dhe nxorën përfundime, u kënaqën me atë që u ishte caktuar dhe u mjaftuan me pak. Ata e kuptuan mirë se dëgjimi, shikimi dhe zemra, për secilën prej tyre do të japin llogari për të mirën dhe të keqen, se do të gjykohen edhe për peshën e një thërrmije. Prandaj, ata bënë përgatitjen më të mirë për Ditën e Kthimit. Fjalët e tyre në mënyrën e shprehjes dhe të aludimit rrodhën sipas rrugës së Ehli Hadithit, e jo si ata që blejnë biseda boshe. Ata nuk e bëjnë të mirën për sy e faqe (rija), dhe nuk e lënë atë nga turpi. Feja e tyre është Njëshmëria (Teuhidi), dhe metodologjia e tyre është mohimi i krahasimit të Zotit me krijesat. Medhhebi i tyre është dorëzimi tek Allahu i Lartësuar, mbështetja tek Ai (tevekkul), nënshtrimi ndaj urdhrit të Tij, kënaqësia me atë që u është dhënë dhe shmangia nga kundërshtimi ndaj Tij: “Ajo është mirësia e Allahut, që Ai ia jep kujt të dojë; e Allahu ka mirësi të pafund”[1]
Kategoria e shtatë: “Ehlu Xhihad”: njerëz që qëndrojnë në pikat kufitare të muslimanëve përballë kufarëve (mohuesve); ata luftojnë armiqtë e muslimanëve, mbrojnë mjedisin e muslimanëve, nderojnë paprekshmërinë dhe shtëpitë e tyre, si dhe zbatojnë medhhebet e Ehli Sunetit dhe Xhematit. Ata janë ata për të cilët Allahu (xh.sh.) ka zbritur fjalën e Tij: “Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët”[2], Allahu ua shtoftë atyre suksesin me mirësinë dhe dhuntinë e Tij,
Kategoria e tetë: Populli i thjeshtë: masat e gjera të njerëzve në vendet ku mbizotëron praktika e Ehli Sunetit, e jo populli i thjeshtë i vendeve ku janë shfaqur praktikat e pasuesve të ideve të humbura.
Me këtë kategori, ne kemi pasur për qëllim ata njerëz të thjeshtë që besojnë në saktësinë e dijetarëve të Ehli Sunetit dhe Xhematit në kapitujt e Drejtësisë dhe Teuhidit (Njëshmërisë), të premtimit dhe kërcënimit; ata që u referohen dijetarëve për shenjat e fesë së tyre dhe i pasojnë (i ndjekin) në degët e të lejuarës (hallallit) dhe të ndaluarës (haramit), pa besuar në asgjë nga risitë (bidatet) e pasuesve të ideve të humbura. Këta janë ata të cilët Sufitë i kanë quajtur “Hashu`l-Xheneh”, shumica dërrmuese e Xhenetit, apo mbushësit e Xhenetit.
Këto janë kategoritë e Ehli Sunetit dhe Xhematit; të gjithë ata së bashku janë pasuesit e fesë së drejtë dhe të rrugës së palëkundur. Allahu i Lartësuar i përforcoftë ata me fjalën e qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër. Me të vërtetë, Ai është i denjë për t’iu përgjigjur lutjeve dhe i Fuqishëm për këtë!”[3]
Autor: Ebu Mensur Abdulkahir Bagdadi
Përktheu: Rushit Musallari
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Hadid: 21.
[2] – Sure Ankebut: 69.
[3] – “El Farku bejnel Firaki”, fq: 313 – 318.



















