Pyetja: A e ka detyrim ligjor tregtari apo shitësi, që ta sqarojë të metën e mallit për blerësin që synon ta blejë atë, duke ditur se nëse ai e bën këtë, malli atij do t’i zhvlerësohet?
Përgjigja: Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut janë mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjarët e tij, shokët e tij dhe cilindo që e ndjek atë, kurse më tej:
Shitësi e ka detyrim ligjor, që t’ia sqarojë blerësit gjendjen e mallit që blerësi synon ta blejë, pra të metat e këtij malli nëse ka. Fshehja e diçkaje të tillë konsiderohet falsifikim, pështjellim e mashtrim, dhe dijetarët muslimanë kanë rënë dakord për ndalimin e kësaj.
Në “Es Sunen” të ibn Maxhes vjen, se Profeti [a.s] ka thënë: “Muslimani është vëlla i muslimanit. Nuk i lejohet muslimanit që t`i shesë vëllait të tij një mall që ka një të metë, pa ia sqaruar”.
Në “Musnedin” e imam Ahmedit vjen, se Profeti [a.s] ka thënë: “Nuk i lejohet askujt të shesë diçka pa e sqaruar gjendjen e saj dhe çdokush që e di këtë (gjendje problematike të mallit) patjetër duhet ta sqarojë atë”.
Profeti [a.s] kaloi përbri një personi, që po shiste ushqim (grurë) dhe kur e futi dorën e tij në të, preku lagështi. Profeti [a.s] i tha: “O pronari i ushqimit, ç’është kjo?” Ai tha: E ka prekur qielli (shiu). Profeti [a.s] i tha: “Ta kishe nxjerr në pah, që njerëzit ta shohin. Kush manipulon s’është prej nesh”.
Sqarimi i të metës hyn tek këshillimi i obligueshëm, që i obligohet çdo muslimani dhe qytetari për vëllanë e tij. Ky këshillim është rruga e begatisë dhe shtimit të pasurisë e furnizimit të pastër. Në lidhje me këtë në një hadith (thënie profetike) të saktë ka ardhur: “Dy blerësve –pra blerësit dhe shitësit- nëse janë të çiltër dhe i sqarojnë gjërat, shitblerja e tyre ka bereqet, kurse nëse ata të dy gënjejnë dhe e fshehin të vërtetën, atëherë shitblerjes së tyre i asgjësohet bereqeti”.
Ashtu siç kishim të bëjmë me manipulim dhe mashtrim në rastin e fshehjes së të metës së mallit, po kështu kemi të bëjmë me manipulim dhe mashtrim në rastin e përzierjes së mallit të keq me mallin e mirë dhe shitjen e tyre së bashku, në mënyrë abuzive, pështjelluese dhe mashtruese; në rastin e fshehjes së çmimit të përcaktuar të mallit (dhënies së një çmimi më të madh se ai real) një personi që nuk i di çmimet e tregut, si dhe në rastin kur shitësi e mashtron blerësin numerikisht, apo në peshën, apo në masën e mallit. Mjerë për abuzuesit që abuzojnë me këto parametra të mallit!
Përmbledhja e gjithë kësaj që thamë më lart është se manipulimi, në të gjitha format dhe mënyrat e tij, konsiderohet mashtrim dhe pështjellim, konsiderohet pabesi e Allahu nuk i do njerëzit e pabesë. O Allahu ynë, o Zoti i botëve, të lusim që të na japësh furnizim hallall dhe të pastër dhe të na bësh bashkëpunues, këshillues dhe të sinqertë me vëllezërit tanë!
Allahu është më i dijshmi.
Fetvadhënësi: Mahmud Ukemi
By: ardhmëriaonline.com



















