Strategjia e viteve të thatësisë (urisë): një lexim i metodës administrative të Jusufit (a.s)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Në historinë e Jusufit (a.s) shfaqet një nga pamjet më të thella administrative që paraqet Kurani: një figurë që përvijon tiparet e një udhëheqësi që e sheh të ardhmen me sy largpamës dhe që e shndërron vizionin në një plan që siguron stabilitet në një kohë të mbushur me ndryshime.

Tiparet e kësaj strategjie fillojnë që në çastin e interpretimit të ëndrrës, kur Jusufi (a.s) kuptoi se ajo që kishte parë mbreti ishte vetëm një tregues i parë që kërkonte vëmendje, dhe se shteti duhej të përgatitej për një periudhë begatie që do të pasohej nga një thatësirë e gjatë. Kështu, treguesit shndërrohen në politika, dhe informacioni në vendim.

Jusufi (a.s) i paraqiti mbretit një vizion të plotë për menaxhimin e burimeve gjatë viteve që do të vinin. Ai theksoi domosdoshmërinë e mbledhjes së prodhimit në vitet e bollëkut dhe të racionalizimit të konsumit, në mënyrë që muajt e begatisë të mos përpinin atë për të cilën njerëzit do të kishin nevojë në vitet e thatësisë.

Ai e trajtoi realitetin me një mendësi që mbështetej në tregues të performancës, si: norma e prodhimit, sasia e magazinimit, kapaciteti i depozitimit, niveli i humbjeve dhe përqindja e konsumit. Të gjitha këto janë standarde që sot i njohim në shkencat moderne të administrimit, ndërsa Jusufi (a.s) i kishte zbatuar shumë kohë përpara se ato të përfshiheshin në libra.

Përveç këtij dimensioni planifikues, historia e Jusufit (a.s) zbulon edhe një nivel të lartë etik në personalitetin e udhëheqësit. Jusufi (a.s) përjetoi sprova të rënda: ato filluan me padrejtësinë e vëllezërve të tij, më pas vazhduan me akuzën e rreme në Egjipt dhe burgosjen e padrejtë. Megjithatë, kur ai u bë përgjegjës për thesaret e vendit, pozita e tij nuk u shndërrua në mjet hakmarrjeje. Ai ruajti drejtësinë dhe qetësinë e tij, dhe nuk lejoi që kujtimet e së kaluarës të ndërhynin në vendimet e tij apo të ndikonin në shpërndarjen e burimeve. Kjo aftësi për të kapërcyer dhimbjen personale është shenjë e karizmës morale të udhëheqësit, e atij udhëheqësi që punon për të mirën e njerëzve, jo për të shëruar plagët e veta.

Nga kjo përvojë bëhet e qartë se Jusufi (a.s), në menaxhimin e krizës së pritshme, u mbështet në disa parime që përbëjnë një model të plotë administrativ. Ndër më të rëndësishmet janë: mbledhja e informacionit, organizimi i rezervave, ndalimi i monopolit dhe shpërndarja e burimeve sipas një sistemi që ruan ekuilibrin shoqëror. Kur erdhën vitet e thatësisë, Egjipti u bë një qendër drejt së cilës drejtoheshin delegacione nga të gjitha krahinat, pasi ishte shndërruar në një model në menaxhimin e burimeve dhe të krizave.

Një nga detajet e veçanta që forcon këtë dimension administrativ është përmendja e “sa’jit të mbretit” në kontekstin e ngjarjeve, një masë zyrtare që shteti përdorte për të peshuar drithërat dhe për të përcaktuar shpërndarjen e tyre. Ky detaj tregon se ekzistonin standarde të qarta matjeje që ruanin drejtësinë dhe parandalonin manipulimin, dhe që mundësonin ndjekjen e saktë të sasisë së prodhimit, rezervave dhe konsumit.

Kjo ngjan me atë që në botën moderne të menaxhimit njihet si treguesit e performancës, të cilët institucionet i përdorin për të kontrolluar burimet e tyre dhe për të vlerësuar efikasitetin. Kjo skenë tregon se sistemi ekonomik që drejtohej nga Egjipti në kohën e Jusufit (a.s) mbështetej në instrumente të sakta matjeje dhe një mbikëqyrje të ndërgjegjshme, gjë që shton një dimension të rëndësishëm për të kuptuar natyrën e menaxhimit që praktikohej nga ky udhëheqës i mençur.

Leximi i historisë së Jusufit (a.s) nga ky këndvështrim zbulon një model administrativ që kombinon vizion të qartë, interpretimin e treguesve dhe etikë të lartë. Ky model ofron një mësim për udhëheqësit e sotëm në lidhje me planifikimin, drejtësinë e vendimeve dhe fisnikërinë e karakterit gjatë momenteve të pushtetit.

Ky model na fton të reflektojmë edhe mbi realitetin e rajonit tonë sot, ku çështjet e ekonomisë, burimeve dhe drejtësisë ndërthuren me nevojat e përditshme të njerëzve. Shumë vende përballen me sfida që nuk ndryshojnë thelbësisht nga ato të kohës së Jusufit (a.s): bollëk që kërkon menaxhim, kriza që shfaqen në horizont dhe shoqëri që presin nga udhëheqësit e tyre një vizion që ruan ekuilibrin dhe krijon qetësi.

Kjo nënkupton se urtësia nuk qëndron vetëm në përballimin e krizës kur ajo ndodh, por edhe në ndërtimin e politikave që e parandalojnë ose e zbutin atë përpara se të përkeqësohet.

Autor: Ibrahim Hashim Sade

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

 

 

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.