Tefsiri tematik i sures Ali Imran (5/8): Tematikat në rrafsh horizontal

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Thelbi i artikullit

Kushdo që e studion këtë sure do të vërejë se ligjërimi dhe tematikat për të cilat kjo sure flet përbëhen nga “Parathënia”, “Përmbajtja” dhe “Epilogu”

Parathënia: e cila përbëhet nga tre fragmente

1 – Zbritja e librave hyjnorë dhe vendosja e njerëzve në provë

2 – Qortim i ashpër për mosbesimtarët dhe sqarimi i realitetit të Dynjasë

3 – Deklarata e zhvendosjes së mesazhit hyjnor nga ithtarët e Librit tek umeti mysliman

Përmbajtja: e cila përbëhet nga dy seksione kryesore

Seksioni i parë: Në këtë seksion trajtohet çështja e diskutimit me ithtarët e Librit, kundërpërgjigjet ndaj dilemave të tyre dhe sqarimi i dredhive dhe kurtheve të tyre. Ky seksion përbëhet nga tre fragmente:

1 – Allahu i Madhëruar është Ai që i ka përzgjedhur të Dërguarit

2 – Deklarata e së vërtetës rreth Isait (a.s)

3 – E Vërteta historike se Islami është feja e vërtetë dhe ajo është feja e të gjithë profetëve

Seksioni i dytë: Në këtë seksion trajtohet roli i umetit muysliman, udhëzimet hyjnore në përballjen me armikun dhe mësimet nga sprovat. Ky seksion përbëhet nga tre fragmente:

1 – Umeti mysliman është umeti më i mirë ndër popuj

2 – Udhëzime dhe orientime hyjnore për besimtarët në përballjen me armikun (në betejën e Uhudit):

3 – Mësime dhe përfitime nga disfata

Epilogu: i cili përbëhet nga dy fragmente

1 – Nga argumentet e krijimit përfitojnë ata që posedojnë logjikë të shëndoshë

2 – Çështjet vlerësohen sipas përfundimit dhe pasojave të tyre

Për një pasqyrë më të gjerë dhe të argumentuar, ju ftojmë të lexoni tekstin e mëposhtëm:

A – Parathënia[1]

Parathënia përbëhet nga tre fragmente:

a – fragmenti i parë[2]: Zbritja e librave hyjnorë dhe vendosja e njerëzve në provë

Surja fillon me sqarimin se feja islame përbën udhëzim universal për të gjithë njerëzimin. Libri i shpallur nga Allahu, Kurani, konfirmon dhe vërteton librat e mëparshëm hyjnorë. Shpallja hyjnore përbën dalluesin kryesor midis së Vërtetës dhe të Pavërtetës, ndërsa profetët, Musai (a.s), Isai (a.s) dhe Muhamedi (a.s) pasojnë të njëjtën linjë principesh themelore të besimit. Megjithatë, njerëzit janë ata që kanë ndryshuar dhe shtrembëruar mësimet e Zotit.

Në këtë fragment, Allahu i Madhëruar e konsideron Tevratin, Inxhilin dhe Kuranin si argumente të Tij të qarta, duke theksuar këtë me termin “argumentet e Zotit” që përmendet dhjetë herë në këtë sure.

Po ashtu, shpjegohet se Allahu i Madhëruar zotëron dijen absolute për gjithçka që gjendet në qiej dhe tokë, duke nënkuptuar kështu njohjen e orvatjeve të ithtarëve të Librit për të fshehur ose manipuluar mësimet e Tij të shpallura në Tevrat dhe Inxhil.

Gjithashtu, Allahu thekson se Ai është Ai që u jep formë foshnjave qysh në mitrën e nënës, duke treguar kështu krijimin e Isait (a.s) në mitrën e Merjemes dhe duke vërtetuar natyrën njerëzore të tij.

Në këtë fragment po ashtu përmendet se ajetet e Kuranit janë të dy llojeve: të qarta dhe të paqarta. Në lidhje me këto të fundit, njerëzit ndahen në dy kategori: një grup që ndjek ajetet e paqarta për të krijuar konfuzion dhe huti, dhe një tjetër që beson sinqerisht në to si në shpallje hyjnore. Një urtësi e shpalljes së ajeteve të paqarta qëndron në provimin që Allahu i bën njerëzve, duke dalluar besimtarin e sinqertë nga ai që ndjek të kotën. Urtësia tjetër lidhet me thirrjen universale të islamit dhe përhershmërinë e ligjeve të sheriatit, që kërkojnë interpretim të vazhdueshëm nga dijetarët e fushës, pas studimi të kujdesshëm dhe kërkimi shkencor mbi ajetet e paqarta.

Fragmenti përfundon me lutjen e thelluar që dijetarët dhe të zotët e mendjes të drejtohen me përulësi dhe përgjërim ndaj Allahut të Madhëruar, duke kërkuar forcim dhe udhëzim në rrugën e drejtë.

b – fragmenti i dytë:[3] Qortim i ashpër për mosbesimtarët dhe sqarimi i realitetit të Dynjasë

Në fillim të këtij fragmenti, Allahu i Madhëruar i qorton ashpër mosbesimtarët, të cilët janë të përfshirë në pasurinë materiale dhe në dashurinë për fëmijët, por që në Ditën e Kiametit nuk do të gjejnë asnjë përfitim nga këto. Si shembull për këtë mashtrim kalimtar, Allahu përmend Faraonin dhe popujt e mëparshëm, të cilët, megjithëse ishin të pasur dhe të fuqishëm, nuk arritën asgjë të dobishme për veten e tyre.

Në vazhdim, Allahu thekson se vendbanimi i përhershëm i mosbesimtarëve në botën tjetër është Zjarri i Xhehenemit, ndërsa në këtë botë ata do të jenë të humbur dhe të mposhtur, ashtu siç ndodhi me humbjen e mosbesimtarëve në betejën e Bedrit. Në kontrast, besimtarët janë përforcuar me ndihmën dhe mbrojtjen e Allahut të Madhëruar.

Më tej, Allahu i Madhëruar flet për realitetin e Dynjasë, e cila i është zbukuruar njerëzve deri në atë shkallë saqë ata e duan atë tepër dhe ndjejnë vështirësi në ndarjen prej saj. Këto zbukurime përfshijnë dashurinë për gratë, fëmijët, floririn, argjendin, kuajt e stolisur, bagëtinë dhe prodhimet bujqësore. Megjithatë, të gjitha këto nuk janë asgjë më shumë se stoli e përkohshme dhe zbukurim kalimtar.

Nga ana tjetër, besimtarët, të cilët kanë frikë dhe respekt të thellë ndaj Allahut të Madhëruar, i drejtohen Atij me përulësi dhe lutje, janë të durueshëm, të drejtë në veprime, të përkushtuar në adhurim, dorëdhënës dhe kërkojnë falje tek Allahu gjatë natës para agimit. Për ta, Allahu ka përgatitur Xhenetin, vendbanim të përhershëm lumturie dhe kënaqësie.

Në përmbyllje të këtij fragmenti, theksohet rëndësia thelbësore e shprehjes së njësimit të Zotit (teuhidit), e cila është dëshmuar dhe vërtetuar nga vetë Allahu, engjëjt dhe njerëzit e ditur.

c – fragmenti i tretë:[4] Deklarata e zhvendosjes së mesazhit hyjnor nga ithtarët e Librit tek umeti mysliman:

Në fillim të këtij fragmenti, Allahu i Madhëruar pohon se feja e vetme e pranuar tek Ai është feja islame, e cila i thërret të gjithë njerëzit në njësimin e Zotit dhe në nënshtrim të sinqertë ndaj Tij. Megjithatë, ithtarët e Librit, të shtyrë nga xhelozia, smira dhe inati, refuzojnë këtë thirrje, duke e mohuar të vërtetën përkundër njohjes së saj. Për ta, Allahu paralajmëron një llogari të shpejtë dhe të drejtë.

Pas sqarimit të mesazhit hyjnor – përfshirë shpalljen e Kuranit, dërgimin e Profetit, thirrjen në njësimin e Zotit dhe vendosjen e fesë islame – Allahu i Madhëruar e udhëzon Profetin Muhamed (a.s) që të mos vazhdojë diskutimet e pafrytshme me ithtarët e Librit. Në vend të kësaj, Ai urdhëron që si Profeti, ashtu edhe besimtarët, të përqendrohen në përkushtimin ndaj Allahut dhe në ndjekjen e shpalljes së Tij.

Më tej, Allahu i Madhëruar dënon qëndrimin e hebrenjve, të cilët jo vetëm që kanë mohuar shpalljen hyjnore, por kanë shkuar deri në vrasjen e profetëve dhe të njerëzve që i thërrisnin për tek e Vërteta dhe e mira Për ta, është përgatitur një ndëshkim i dhimbshëm, ndërsa veprat e tyre janë të pavlefshme si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër, dhe ata nuk do të gjejnë ndihmës.

Mosbesimi i tyre, sipas Kuranit, bazohet në një pretendim të pavërtetë: se “zjarri nuk do të na prekë veçse për disa ditë”. Por, në Ditën e Gjykimit, kur Allahu do t’i mbledhë të gjithë dhe do të zbulojë gënjeshtrat e tyre, përfshirë edhe krimet kundër profetëve dhe dijetarëve të vet, ata do të përballen me pasojat e rënda të veprimeve të tyre.

Ajeti që flet për sovranitetin absolut të Allahut – se Ai ia jep pushtetin kujt të dojë dhe ia heq atij që dëshiron – përçon qartë mesazhin se bartja e përgjegjësisë për përçimin e shpalljes hyjnore është zhvendosur nga ithtarët e Librit tek umeti musliman. Kjo zhvendosje përbën një pasojë logjike dhe të drejtë për shkak të devijimit të atyre që e humbën amanetin.

Meqenëse ithtarët e Librit – hebrenjtë dhe të krishterët – u larguan nga e Vërteta, përfundimi i natyrshëm është se besimtarët nuk duhet t’i marrin për miq e për mbrojtës mosbesimtarët. Allahu i tërheq vëmendjen besimtarëve duke u kujtuar se Ai e di çfarë fshihet në zemrat e njerëzve, ashtu siç është i njohur me të fshehtat e qiejve dhe të tokës. Në Ditën e Gjykimit, çdo njeri do të përballet me pasojat e veprave të veta, qofshin të mira apo të këqija.

Fragmenti përmbyllet me një urdhër drejtuar jo vetëm besimtarëve, por edhe ithtarëve të Librit: nëse vërtet e duan Allahun, atëherë le ta dëshmojnë këtë dashuri përmes besimit dhe pasimit të rrugës së Profetit Muhamed (a.s), si kusht për të fituar dashurinë dhe faljen e Allahut.

B – Përmbajtja[5]

Përmbajtja përbëhet nga dy seksione kryesore:

Seksioni i parë:[6] Në këtë seksion trajtohet çështja e diskutimit me ithtarët e Librit, kundërpërgjigjet ndaj dilemave të tyre dhe sqarimi i dredhive dhe kurtheve të tyre. Ky seksion përbëhet nga tre fragmente:

a – fragmenti i parë:[7] Allahu i Madhëruar është Ai që i ka përzgjedhur të Dërguarit

Allahu i Madhëruar është Ai që me urtësinë dhe diturinë e Tij të pakufishme i ka përzgjedhur të Dërguarit nga mesi i njerëzimit. Ai e nisi këtë përzgjedhje me Ademin (a.s), babanë e njerëzimit, e më pas me Nuhun (a.s), familjen fisnike të Ibrahimit (a.s) dhe familjen e Imranit. Kjo përzgjedhje hyjnore është bërë mbi themelin e besimit të pastër dhe të fesë islame.

Në vazhdim, Allahu i Lartësuar përmend gruan e devotshme të Imranit, e cila, me përulësi dhe sinqeritet, iu lut Zotit të saj që fëmija që mbante në bark të ishte i përkushtuar për shërbim në Shtëpinë e Shenjtë, xhaminë Aksa. Kur lindi vajzën, ajo ndjeu pikëllim, sepse në atë kohë, vajzave nuk u lejohej të kryenin shërbime në tempullin e shenjtë. Megjithatë, ajo ia vuri emrin Merjeme dhe ia dorëzoi çështjen Allahut, duke i kërkuar të Madhit Zot që ta mbrojë atë dhe pasardhësit e saj nga shejtani i mallkuar.

Allahu, me mëshirën e Tij të pakufishme, e pranoi lutjen e saj: e mbrojti Merjemen nga shejtani, e pranoi atë me mirësi të shumta, dhe ndër mirësitë më të mëdha ishte kujdesi që i ofroi Profeti i Allahut, Zekerijai (a.s), pasi ishte hedhur shorti për kujdestarinë e saj. Një tjetër dhuratë hyjnore për Merjemen ishte furnizimi i vazhdueshëm me ushqime, ndonëse askush nuk hynte në dhomën e saj.

Këtë mirësi hyjnore e vërejti edhe Zekerijai (a.s), i cili i drejtoi Zotit një lutje të sinqertë për një pasardhës të devotshëm. Allahu iu përgjigj lutjes së tij dhe e begatoi me Jahjanë – një fëmijë i urtë, vërtetues i profetësisë së Isait (a.s), dhe nga profetët e dalluar. Kur engjëjt e përgëzuan me lajmin e lindjes së Jahjasë, Zekerijai kërkoi një shenjë nga Allahu, dhe shenja që iu dha ishte që nuk do të fliste me njerëzit për tri ditë rresht. Në ato ditë heshtjeje, Allahu e urdhëroi që të bëjë sa më shumë përmendjen e Tij dhe ta madhërojë gjatë ditës dhe natës.

Në përmbyllje të këtij fragmenti, Allahu i Madhëruar na flet për vlerën e jashtëzakonshme të Merjemes, të cilën e dalloi me besim të pastër dhe moral të lartë, e pastroi nga shpifjet e hebrenjve, e ngriti mbi të gjitha gratë e botës dhe e urdhëroi të përkulej në sexhde dhe të binte në ruku – e ajo iu bind me përulësi urdhrit hyjnor. Madje, edhe hedhja e shortit nga dijetarët hebrenj për kujdesin ndaj saj është një dëshmi e qartë e pozitës së lartë që Merjemja gëzonte te Zoti i saj.

b – fragmenti i dytë:[8] Deklarata e së vërtetës rreth Isait (a.s)

Në hyrje të këtij fragmenti, Allahu i Madhëruar na përshkruan momentin e jashtëzakonshëm kur engjëjt – përmes Xhibrilit (a.s) – e përgëzuan Merjemen me lindjen e një djali të bekuar. Ky fëmijë do të ishte një mrekulli nga Zoti, që do t’u fliste njerëzve qysh në djep dhe do të rritej si njeri i drejtë, i pastër dhe i devotshëm. E befasuar nga ky lajm, Merjemja iu drejtua Zotit me habi: “Si mund të kem unë fëmijë, kur askush nuk më ka prekur?!” Por ky është urdhër i Allahut, i Cili, kur dëshiron diçka, vetëm i thotë: “Bëhu!” – dhe ajo menjëherë ndodh.

Më pas, Allahu i Lartësuar tregon se Isait (a.s), birit të Merjemes, iu dhurua urtësia, dijenia e Tevratit dhe Inxhilit, dhe se u dërgua si profet për bijtë e Israilit. Si shenjë të qartë e vërtetimit të profetësisë së tij, Allahu i dha atij disa mrekulli: nga balta formonte një zog, i frynte dhe ai merrte jetë; shëronte të verbërit dhe lebrozët; ringjallte të vdekurit dhe i zbulonte njerëzve çfarë ruanin në shtëpitë e tyre. Të gjitha këto ndodhnin vetëm me lejen dhe fuqinë e Allahut.

Misioni i Isait (a.s) ishte të konfirmonte të vërtetën e shpalljes së mëparshme – Tevratit – dhe të udhëzonte popullin e tij drejt adhurimit të vetëm një Zoti: Allahut të Madhëruar. Mirëpo, bijtë e Israilit i kthyen shpinën kësaj thirrjeje. Në një moment vendimtar, Isai kërkoi ndihmës e përkrahës për kauzën e tij hyjnore dhe ata që u përgjigjën ishin Hauarijunët – ndjekësit besnikë që besuan në profetësinë e tij dhe që u bashkuan në rrugën e së vërtetës.

Kur Benu Israilët vendosën të vrisnin Isain (a.s), Allahu i Madhëruar e ruajti nga kurthi i tyre dhe e ngriti lart, pranë Vetës, duke ia shpëtuar jetën. Ata nuk e vranë e as nuk e kryqëzuan, por iu ngjasonte atyre diçka tjetër.

Në Ditën e Gjykimit, Allahu i Madhëruar do t’i gjykojë njerëzit për kundërshtitë e tyre rreth çështjes së Isait (a.s), djalit të Merjemes. Ata që nuk besuan dhe përgënjeshtruan, do të ndëshkohen me një dënim të rëndë në këtë botë dhe në botën tjetër. Ndërsa ata që besuan dhe vepruan mirë, do të shpërblehen me begati të pakufishme.

Ky fragment përmbyllet me një deklaratë të prerë nga Allahu i Lartësuar: krijimi i Isait (a.s) pa baba është i njëjtë me krijimin e Ademit (a.s), i cili u formua pa baba e pa nënë. Kjo është një dëshmi e qartë se Isai (a.s) është një profet i lavdishëm, jo bir i Zotit, as hyjni, dhe assesi pjesë e një trinomi hyjnor, siç e besojnë të krishterët.

c – fragmenti i tretë: E Vërteta historike se Islami është feja e vërtetë dhe ajo është feja e të gjithë profetëve.[9]

Ky fragment përbëhet nga katër nënfragmente

Nënfragmenti i parë:[10] Ibrahimi (a.s) si ndjekës i besimit të pastër dhe mysliman

Në fillim të këtij nënfragmenti, Allahu i Madhëruar u drejtohet ithtarëve të Librit, duke i ftuar ata të bashkohen rreth një fjale të drejtë dhe të përbashkët: adhurimit të vetëm të Allahut të Lartësuar. Ky parim themelor është shpallur gjithashtu edhe në librat hyjnorë të mëparshëm.

Më tej, Allahu i Lartësuar i fton sërish ithtarët e Librit që të reflektojnë mbi faktin se Ibrahimi (a.s) nuk ishte as hebre e as i krishterë, pasi Tevrati dhe Inxhili janë shpallur shumë kohë pas jetës së tij.

Allahu i Lartësuar sqaron qartë se Ibrahimi (a.s) nuk ishte as hebre, as i krishterë dhe as idhujtar, por përfaqësonte një besim të pastër dhe ishte ndër të përkushtuarit ndaj Islamit.

Në përmbyllje të këtij nënfragmenti, theksohet se pasuesit e vërtetë të Ibrahimit (a.s) janë ata që ndjekin rrugën e tij dhe të të Dërguarit të fundit, Muhamedit (a.s), duke ndjekur kështu besimin monotheist.

Nënfragmenti i dytë:[11] Ligjërimi i drejtohet fraksioneve të ithtarëve të Librit

Në fillim të këtij nënfragmenti, Allahu i Lartësuar shpalos qëllimet e një grupi prej ithtarëve të Librit, të cilët dëshirojnë me ngulm t’i largojnë myslimanët nga feja e tyre dhe t’i pengojnë nga e Vërteta, ndërkohë që vetë ndodhen në humbje të qartë.

Më pas, Zoti i Lartësuar paraqet një tjetër formë të mohimit dhe devijimit të tyre: përzierjen e të Vërtetës me të Pavërtetën dhe fshehjen e qëllimshme të realitetit, përfshirë edhe cilësitë e Profetit Muhamed (a.s), të cilat janë të përmendura në librat e tyre hyjnorë.

Një tjetër strategji e mosbesimit të tyre shfaqet kur një grup nga mesi i tyre i porosit ndjekësit e vet: “Besoni në mëngjes në atë që u është shpallur myslimanëve, e në mbrëmje mohojeni atë”, me shpresën se një veprim i tillë mund t’i bëjë edhe myslimanët të dyshojnë dhe të braktisin fenë e tyre. Megjithatë, Zoti i Lartësuar thekson se udhëzimi i drejtë është vetëm ai që vjen prej Tij.

Në vijim, përmendet se disa prej ithtarëve të Librit kanë tradhtuar amanetin hyjnor që u ishte ngarkuar, duke mos treguar të Vërtetën mbi profetësinë e Muhamedit (a.s). Po këta janë të njëjtët që, kur u besohet një pasuri sado e vogël, nuk e ruajnë me besnikëri. Megjithatë, Zoti sqaron se jo të gjithë ithtarët e Librit janë të tillë, pasi ekzistojnë prej tyre edhe të ndershëm që e përmbushin me korrektësi amanetin, pavarësisht vlerës së tij.

Arsyeja që i shtyn disa prej tyre drejt mashtrimit është justifikimi se nuk është mëkat t’i mashtrosh njerëzit analfabetë apo të paditur. Ky pretendim është një gënjeshtër e hapur ndaj Allahut, të cilën ata e bëjnë me vetëdije, duke e shtrembëruar të Vërtetën që njohin.

Më tej, Allahu i Lartësuar paralajmëron për pasojat e atyre që, për një përfitim të vogël të kësaj bote, e shesin amanetin që kanë dhënë ndaj Zotit. Në Ditën e Gjykimit, ata nuk do të kenë pjesë në mëshirën hyjnore: Allahu nuk do t’u flasë, nuk do t’i shikojë, nuk do t’i pastrojë nga mëkatet, dhe për ta është përgatitur një dënim i dhembshëm.

Një tjetër formë e devijimit është ndryshimi i qëllimshëm i teksteve të shenjta (Tevratit dhe Inxhilit), duke pretenduar se disa shprehje janë nga Zoti, ndërkohë që në të vërtetë Ai nuk i ka shpallur ato. Ky veprim përbën një shpifje të qëllimshme dhe një mëkat të rëndë ndaj Allahut.

Së fundi, përmendet edhe një formë tjetër e devijimit besimor: adhurimi i profetëve ose engjëjve, si në rastin e Uzejrit apo Isait (a.s), ose pretendimi se vetë profetët kanë urdhëruar një gjë të tillë. Këto janë shpifje dhe gënjeshtra të pabaza, pasi profetët janë dërguar me mesazhin që njerëzit të adhurojnë vetëm Allahun e Lartësuar, pa i shoqëruar Atij askënd.

Nënfragmenti i tretë:[12] Zotimi i profetëve dhe universialiteti i fesë së vërtetë

Në fillim të këtij nënfragmenti, Allahu i Madhëruar shpall se të gjithë profetët janë zotuar ndaj Tij se, nëse do të vinte një i Dërguar që vërteton shpalljet e mëparshme që u janë dhënë atyre, ata do ta besonin dhe do ta mbështesnin pa hezitim. Ky zotim përbën thelbin e fesë së vërtetë, e cila ka qenë besimi i përbashkët i të gjithë profetëve, nga i pari deri tek i fundit.

Feja e pastër dhe e njëjtë për të gjithë profetët mbështetet në përuljen dhe nënshtrimin ndaj Allahut. Të gjithë ata që ndodhen në qiej dhe në tokë i binden Atij: me vullnet – si besimtarë – ose me imponim, përmes rregullave të pandryshueshme të ligjeve të krijimit (rendit natyror).

Në vijim, Allahu i Madhëruar e urdhëron Profetin Muhamed (a.s) të deklarojë besimin e tij në shpalljen hyjnore, si në atë që i është zbritur atij (Kurani), ashtu edhe në shpalljet që u janë dërguar profetëve të mëparshëm: Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit, pasardhësve të tij (Esbatëve), Musait, Isait dhe të gjithë profetëve të tjerë pa dallim.

Ajetet në vazhdim i drejtohen të gjithë atyre individëve dhe komuniteteve që mohojnë profetësinë e Muhamedit (a.s), duke përfshirë edhe një pjesë të ithtarëve të Librit. Edhe pse udhëzimi hyjnor u është dhënë të gjithëve, shumë prej tyre zgjodhën të largohen nga rruga e drejtë, duke u përfshirë në devijim dhe duke zgjedhur mosbesimin në vend të besimit. Megjithatë, Allahu i Madhëruar e lë gjithmonë të hapur derën e pendimit për këdo që sinqerisht dëshiron të rikthehet në rrugën e drejtë dhe të ndjekë udhëzimin e Tij.

Në përmbyllje, ajeti i fundit thekson fatin e atyre që vdesin në gjendje mosbesimi: për ta nuk do të pranohet asnjë lloj kompensimi, qoftë edhe sikur të ofrojnë sa të jetë faqja e dheut me ar. Ata do të përballen me një dënim të dhembshëm dhe nuk do të kenë as ndihmës e as ndërmjetës që t’i shpëtojë nga pasojat e veprave të tyre.

Nënfragmenti i katërt:[13] Konfirmimi i lidhjes së ngushtë midis myslimanëve dhe Ibrahimit (a.s)

Në fillim të këtij nënfragmenti, tregohet se të gjitha ushqimet ishin të lejuara për Benu Israilët, me përjashtim të atyre që Profeti Jakub (a.s) i kishte ndaluar vetë për veten e tij, për arsye të caktuara, para se të shpallej Tevrati. Kështu, ndalimi i disa ushqimeve nuk ishte pjesë e ligjit hyjnor, por praktikë personale e profetit.

Më pas, Allahu i Madhëruar thekson se feja e Ibrahimit (a.s) ka qenë fe e pastër, larg çdo devijimi, dhe ai nuk ka qenë në asnjë mënyrë idhujtar. Po ashtu, theksohet se faltorja e parë që është ndërtuar për adhurim në sipërfaqen e tokës është Qabja, në Mekë, e cila përbën një simbol të rëndësishëm për besimtarët, dhe se respektimi i shenjave të shenjta (simbolikës së saj) është pjesë e devotshmërisë.

Në përmbyllje, Allahu i Madhëruar e urdhëron Profetin Muhamed (a.s) që t’i drejtojë një thirrje të qartë ithtarëve të Librit: të mos i mohojnë shpalljet hyjnore, të mos pengojnë të tjerët nga rruga e Zotit dhe të mos përpiqen ta shtrembërojnë të vërtetën. Ky apel nënvizon përgjegjësinë morale dhe shpirtërore për të njohur dhe respektuar shpalljen e fundit hyjnore.

Seksioni i dytë:[14] Në këtë seksion trajtohet roli i umetit musliman, udhëzimet hyjnore në përballje me armikun dhe mësimet nga sprovat. Ky seksion përbëhet nga tre fragmente:

a – fragmenti i parë:[15] Umeti mysliman është umeti më i mirë ndër popuj

Ky fragment përbëhet nga tre nënfragmente:

Nënfragmenti i parë:[16] Disa paralajmërime për umetin mysliman

Paralajmërimi i parë: Allahu i Madhëruar i urdhëron besimtarët që mos t’i binden një grupi prej ithtarëve të Librit, sepse ata do të jenë shkak që të kthehen në mosbesimtarë.

Paralajmërimi i dytë: Allahu i Madhëruar i urdhëron besimtarët të kenë frikë Allahun dhe të mos vdesin vetëm se duke qenë besimtarë.

Paralajmërimi i tretë: Myslimanët duhet të kapen fort pas litarit të Allahut dhe nuk duhet të përçahen.

Paralajmërimi i katërt: Detyrë e një grupi besimtarëve është që t’i urdhërojnë njerëzit për tek e mira dhe t’i ndalojnë nga veprat e këqija.

Ajetet vijuese tregojnë se çfarë ndëshkimi do të kenë në Ditën e Kiametit ata të cilët nuk i dëgjojnë këto paralajmërime dhe çfarë shpërblimi do të kenë ata që ua venë veshin këtyre paralajmërimeve.

Nënfragmenti i dytë:[17] Vlera dhe statusi i lartë i umetit islam ndër popuj

Allahu i Madhëruar tregon se umeti musliman është umeti më i mirë ndër popuj për shkak se urdhërojnë për mirë, ndalojnë nga e keqja dhe besojnë tek Allahu. E njëjta thirrje i bëhet edhe ithtarëve të Librit.

Mirëpo ky status që gëzon umeti mysliman është shkak që ithtarët e Librit të tregohen armiqsor ndaj tij, por Allahu i Madhëruar i qetëson myslimanët se ata nuk mund t’i shkaktojnë asnjë lloj dëmi e lëndimi.

Nënfragmenti i tretë:[18]Paralajmërimi për umetin që të mbrohet nga munafikët

Pasi Allahu i Madhëruar e paralajmëroi umetin që të kishte kujdes nga ithtarët e Librit, tashmë i paralajmëron që të kenë kujdes nga armiqtë e brendshëm që janë munafikët.

Në fillim – të këtij nënfragmenti – Allahu i Madhëruar tregon se pasuria dhe fëmijët nuk kanë për t’i ndihmuar mosbesimtarët nga dënimi i Allahut.

Pastaj Allahu i Madhëruar i paralajmëron besimtarët që të mos i marrin për miq  ata– munafikët – të cilët nuk ngurrojnë që t’i lëndojnë, urrejtja e të cilëve manifestohet nga gojët e tyre dhe ajo ç’ka ata fshehin në zemrat e tyre është më e madhe.

Ata janë që nuk i duan besimtarët, kur janë me besimtarët dëshmojnë se janë besimtarë, por kur janë vetëm nga mllefi që kanë ndaj besimtarët i kafshojnë gishtat.

Një cilësi tjetër e munafikëve është se ata hidhërohen kur ju vjen një e mirë dhe gëzohen kur ju godet ndonjë e keqe.

Dhe në fund, Allahu i Madhëruar kërkon prej besimtarëve që të durojnë dhe të ruhen nga gjynahet, sepse vetëm kështu Ai do t’i mbrojë nga dinakëria e munafikëve.

b – fragmenti i dytë:[19] Udhëzime dhe orientime hyjnore për besimtarët në përballjen me armikun (në betejën e Uhudit):

Ky fragment përbëhet nga tre nënfragmete.

Nënfragmenti i parë:[20] Preambulë e betejës së Uhudit

Ajetet e këtij nënfragmeti flasin për përgatitjen e myslimanëve në përballjen me armikun. Ajetet tregojnë se Profeti (a.s) doli herët në mëngjes nga shtëpia për t’u caktuar besimtarëve vendet e luftës.

Më pas Allahu i Madhëruar tregon se si para zhvillimit të betejës dy grupe  prej besimtarëve – benu hanife dhe benu seleme – patën një lloj hezitimi dhe menduan të largoheshin nga beteja për shkak të frikës, por Allahu i ndihmoi që të mos largoheshin.

Më pas, Allahu i Madhëruar u tregon besimtarëve se si i ndihmoi besimtarët në betejën e Bedrit, në të cilën ata ishin më të paktë në numër, mirëpo Profeti Muhamed (a.s) i premtoi zbritjen e tre mijë dhe pesë mijë engjëjve nga Allahu si ndihmë për ta në atë betejë. Por ata duhet të jenë të duruar dhe të dëgjueshëm ndaj Zotit. E zbritja e engjëjve nuk ishte vetëm se një lajm i gëzuar për besimtarët në atë betejë, që zemrat e tyre të qetësoheshin dhe se fitorja vjen prej Allahut të Madhëruar. Po ashtu Allahu i Madhëruar e bëri këtë për të shkatërruar armiqtë në betejë.

Dhe në fund Allahu i Madhëruar tregon se e Allahut është gjithçka ka në qiej dhe në Tokë, Ai fal kë të dojë dhe ndëshkon kë të dojë.

Nënfragmenti i dytë: [21] Rëndësia e bindjes: udhëzime dhe orientime

Orientimi i parë është urdhëri kuranor për besimtarët që mos ta hanë kamatën, ta kenë frikë Allahun dhe të ruhen nga Zjarri, i cili është përgatitur për jobesimtarët.

Orientimi tjetër është se besimtarët duhet t’i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

Orientimi tjetër është se besimtarët duhet të nxitojnë që të bëjnë punë të mira, si dhënia e lëmoshës kur njeriu është në mirëqënie dhe vështirësi, mposhtja e zemërimit, falja e fajit të njerëzve, pendimi pas veprime të turpshme. Padyshim që për të tillë njerëz do të ketë falje prej Allahut dhe kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë gjithmonë.

Dhe orientimi i fundit është se Allahu kërkon prej besimtarëve të hulumtojnë se çfarë ka ngjarë me ata popuj të cilët kanë përgënjeshtruar profetët e Zotit, me qëllim për të marrë mësim.

Nënfragmenti i tretë: [22] Ngushëllimi për besimtarët të cilët nuk duhet të ligështohen dhe as mos të kenë frikë nga vdekja

Ajetet  e para të këtij nënfragmenti janë ngushëlluese për besimtarët që mos të ligështohen dhe as mos të pikëllohen për atë që u ndodhi në betejën e Uhudit, sepse ligështimi dhe pikëllimi i shpie njerëzit në humbje të shpresës dhe shkatërrim. Sakaq besimtarët nuk janë të tillë.

Nëse besimtarët i goditi ajo që i goditi në betejën e Uhudit, po e njëjta gjë i goditi edhe mosbesimtarët në betejën e Bedrit. Dhe ky është ligji i Allahut për besimtarët dhe jobesimtarët sepse Dynjaja është bota e sprovës. Por përmes sprovës, Allahu i pastron besimtarët nga mëkatet kurse jobesimtarët i shkatërron.

E përsa i përket hyrjes në Xhenet, besimtarët nuk hyjnë në të nëse nuk bëjnë durim, sakrifikojnë dhe luftojnë.

Më pas Allahu i Madhëruar i qorton ata besimtarë të cilët kur gjatë betejës u përhap lajmi i vrasjes së Profetit Muhamed (a.s) u stepën dhe u kthyen prapa. Allahu i Madhëruar i tregon atyre se nuk duhet të zmbrapsen edhe nëse Muhamedi (a.s) vritet, sepse ai është një profet si të gjithë profetët e tjerë. Kjo do të thotë se njeriu duhet të ndjekë mësimet e fesë dhe nuk duhet të varet tek individët, edhe nëse ata janë profetë.

Exheli i njeriut është vetëm në dorën e Allahut të Madhëruar prandaj edhe njeriu nuk ka përse të ndikohet nga përhapja e lajmeve, sidomos atyre që janë të rreme.

Pastaj Allahu i Madhëruar i njofton besimtarët se edhe profetët bashkë me besimtarët kanë luftuar në rrugë të Allahut dhe nuk janë lëkundur para goditjeve që kanë marrë, nuk janë dobësuar dhe as nënshtruar. Dhe jo vetëm kaq, por ata iu lutën Allahut që t’ua falte gabimet, t’i forconte në fe dhe t’i ndihmonte ndaj popullit zullumqar.Duke qenë se profetët janë shembulli dhe modeli më i mirë, atëherë detyrë e myslimanit është të ndjekë shembullin dhe rrugën e tyre.

c – fragmenti i tretë:[23] Mësime dhe përfitime nga disfata

Ky fragment ndahet në katër nënfragmente

Nënfragmenti i parë:[24] Rreziku i bindjes ndaj armiqve dhe pasojat e përçarjes e zmbrapsjes

Në fillim të këtij nënfragmenti, Allahu i Lartësuar paralajmëron besimtarët se nëse i binden jobesimtarëve dhe armiqve të fesë, rrezikojnë të rrëshqasin drejt mosbesimit dhe, për pasojë, të humbasin si dynjanë, ashtu edhe ahiretin. Për këtë arsye, bindja i takon vetëm Allahut, sepse Ai është Mbrojtësi më i mirë dhe Ndihmësi më i fuqishëm.

Allahu premton se do të ndihmojë besimtarët duke mbjellë frikë në zemrat e jobesimtarëve, ngase këta adhurojnë, përveç Tij, zota të rremë pa asnjë argument të vlefshëm. Fundi i tyre është Xhehenemi, një vendbanim i mjerë dhe i errët.

Allahu i Madhëruar e përmbushi premtimin e Tij ndaj Profetit (a.s) në betejën e Uhudit, kur fitorja fillimisht ishte në anën e myslimanëve. Mirëpo, kur radhët e tyre u dobësuan, u përçanë dhe nuk iu bindën urdhrit të të Dërguarit, atëherë paniku dhe tërheqja i përfshiu dhe shumica ia mbathën nga fusha e betejës. Në këtë ngjarje, Allahu tregon se ndër myslimanët kishte disa që dëshironin dynjanë, dhe të tjerë që synonin ahiretin. Një shkak tjetër i kësaj përmbysjeje ishin edhe cytjet e shejtanit, prej të cilave besimtari duhet të kërkojë strehim te Zoti. E megjithatë, me mirësinë dhe mëshirën e Tij, Allahu i fali ata.

Pas kësaj sprove të rëndë që kaluan myslimanët në betejë, Allahu zbriti qetësi dhe siguri mbi një grup të sinqertë prej tyre, të cilët i kaploi një gjumë i lehtë që u solli qetësim shpirtëror. Por kishte edhe një grup tjetër, zemrat e të cilëve u drodhën nga dyshimi dhe lëkundja në premtimin e Allahut. Megjithatë, ajo që ndodhi ishte pjesë e sprovës hyjnore për të pastruar zemrat dhe për të dalluar të sinqertët nga të lëkundurit.

Më pas, Allahu i paralajmëron besimtarët të mos i dëgjojnë fjalët e hipokritëve, të cilët i nxisin për t’u tërhequr nga përballja me armikun, duke u përpjekur t’i frikësojnë me vdekjen. Por, vdekja nuk vjen sipas fjalëve të njerëzve; ajo është në dorën e Allahut dhe arrin këdo, kudo që të ndodhet. Nëse dikush vdes në rrugë të Allahut, atë e përfshin falja dhe mëshira e Tij. Qoftë ai që vdes në shtrat, apo në fushën e betejës, të gjithë do të ringjallen, do të tubohen dhe do të japin llogari përpara Allahut të Madhëruar në Ditën e Kiametit.

Nënfragmenti i dytë:[25] Vlera dhe rëndësia e madhe e konsultës dhe bindjes ndaj Profetit (a.s)

Në këtë pjesë, Allahu i Lartësuar na tregon se Profeti Muhamed (a.s) ishte i butë dhe i mëshirshëm me shokët e tij, dhe kjo cilësi e lartë ishte dhuratë nga mëshira e Allahut. Prandaj, Allahu e urdhëroi që t’i falte ata për gabimet e tyre, të këshillohej me ta për çështjet e rëndësishme, dhe pas konsultimit, të merrte vendimin duke u mbështetur vetëm te Allahu.

S’ka dyshim se kushdo që mbështetet te Zoti, Ai do ta ndihmojë dhe nuk do të lejojë që ai të mposhtet.

Shkaku i humbjes së përkohshme të myslimanëve në betejën e Uhudit ishte dëshira e disa prej tyre – veçanërisht shigjetarëve – për të marrë plaçkën e luftës, duke braktisur urdhrin e Profetit. Dhe jo vetëm kaq, por kujtdo që përvetëson në mënyrë të padrejtë një pjesë nga ajo që u përket të gjithëve, do t’i kërkohet llogari për këtë në Ditën e Kijametit, duke marrë ndëshkimin e merituar.

Nuk mund të barazohet ai që ndjek me përulësi udhëzimet e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij, duke kërkuar kënaqësinë e Zotit, me atë që i shpërfill ato, dhe për pasojë meriton zemërimin nga Allahu.

Në përmbyllje, Allahu i Madhëruar i kujton sahabëve mirësinë që u ka dhuruar, duke u dërguar në mesin e tyre Profetin Muhamed (a.s), i cili u mëson atyre Librin, urtësinë dhe i pastron nga mëkatet e padukshme dhe të dukshme. Ata që dikur ishin në errësirë dhe në humbje, tani janë udhëzuar përmes dritës së profetësisë. Detyra e çdo myslimani është të ndjekë me përkushtim rrugën dhe shembullin e tij.

Nënfragmenti i tretë:[26] Shkaqet e humbjes dhe mësimet e nxjerra prej saj. Dallimi midis të mirës dhe të keqes

Në këtë pjesë, Allahu i Madhëruar u rikujton besimtarëve se ajo që i goditi në betejën e Uhudit, ishte njësoj si ajo që më parë i kishte goditur idhujtarët në betejën e Bedrit. Ai i nxit të reflektojnë se humbja nuk ishte e rastësishme, por ndodhi si pasojë e mosbindjes ndaj urdhrit të të Dërguarit të Tij (a.s).

Edhe pse shkaku i dukshëm i kësaj disfate ishte shmangia nga urdhri profetik, gjithçka ndodhi me lejen dhe sipas vullnetit të Allahut, për të zbuluar se kush janë vërtet besimtarët dhe kush janë munafikët, ata që fshihen pas petkut të besimit, por në zemrat e tyre nuk ka dritë. Para betejës, hipokritët shpallën dyshimin e tyre, duke thënë se nuk ishte koha për luftë. Pas saj, u përpoqën të demoralizonin të tjerët, duke pretenduar se po t’i ishin bindur, nuk do të kishin rënë në betejë.

Mirëpo Allahu u përgjigjet me vendosmëri: vdekja e gjen njeriun kudo që të jetë, qoftë në fushëbetejë apo në shtëpi. Por ndryshimi është i thellë: ai që vdes në rrugën e Allahut, është i gjallë te Zoti i tij, i ushqyer dhe i gëzuar me mirësitë që i janë dhënë. Dëshmorët ndiejnë gëzim edhe për ata vëllezër të tyre që ende nuk janë bashkuar me ta, sepse për ta nuk ka as frikë e as pikëllim. Allahu nuk e humb kurrë shpërblimin e besimtarëve.

Pas përfundimit të betejës, Profeti (a.s) i urdhëroi shokët e tij që të ndjekin pas ushtrinë idhujtare deri në vendin e quajtur Hamratu Esed. Edhe pse të lodhur, të plagosur dhe të trazuar në shpirt, ata iu përgjigjën thirrjes së tij. Nuk u ligështuan nga fjalët e atyre që i frikësuan me forcën e armikut, por u mbështetën fuqishëm te Allahu dhe kështu merituan kënaqësinë e Tij.

Allahu i kujton gjithashtu njerëzimit se mosbesimi dhe kokëfortësia nuk i sjellin Atij asnjë dëm. Përkundrazi, ai që këmbëngul në mëkat, nuk bën gjë tjetër veçse e rëndon vetveten dhe e afron veten drejt një dënimi poshtërues.

Në përmbyllje, Allahu i Lartësuar shpjegon urtësinë pas kësaj sprove të madhe: ajo shërbeu si një ndarje e qartë mes të mirëve dhe të këqijve. Njeriu duhet të zgjedhë me ndërgjegje rrugën e drejtë, rrugën e besimit në Allahun dhe të Dërguarit e Tij, sepse vetëm ajo çon në sukses të vërtetë, në këtë botë dhe në botën tjetër.

Nënfragmenti i katërt:[27] Paralajmërim për hipokritët dhe koprracët. Pasuria është një prej sebepeve të triumfit. Paralajmërimi për atë pasuri që është sebep për disfatën

Pasuria ka luajtur një rol thelbësor në rrjedhën e betejës së Uhudit. Idhujtarët shpenzuan pasuri të mëdha për përgatitjen dhe mobilizimin e ushtrisë së tyre, duke e parë luftën si një përballje jetike për ekzistencën e tyre. Por ndikimi i pasurisë nuk u ndal këtu. Ajo u bë gjithashtu shkak për shkeljen e urdhrit profetik nga disa prej shigjetarëve muslimanë, të cilët, të tunduar nga plaçka e luftës, braktisën pozicionet e tyre. Kjo shkelje i kushtoi rëndë ushtrisë myslimane dhe u kthye në një nga faktorët kryesorë të disfatës në atë betejë.

Pas përfundimit të përplasjes, një grup nga fisi Abdu Kajs – për interesa materiale – u ngarkua me një mision tinëzar: të frikësonin sahabët me lajme të rreme, duke u thënë se idhujtarët ishin mbledhur sërish për t’i zhdukur. Por zemrat e besimtarëve nuk u drodhën. Përkundrazi, ata u mbështetën tek Allahu dhe vazhduan rrugën e tyre me vendosmëri. Si shpërblim për qëndrueshmërinë dhe besimin e tyre, Allahu u dha fitim në tregti gjatë kthimit, duke i bërë triumfues si në shpirt ashtu edhe në aspektin material.

Në këtë pjesë, Allahu i Lartësuar sjell në vëmendje temën e pasurisë si një sprovë për besimtarin. Ai flet për rrezikun e kopracisë, për syfaqësinë e atyre që shpenzojnë për t’u dukur dhe për hipokrizinë e atyre që bëjnë thirrje për bamirësi, por nuk veprojnë vetë. Gjithashtu, besimtari ftohet që të tregojë durim përballë humbjeve materiale dhe sprovohet në sinqeritetin e tij kur shpenzon për hir të Allahut.

Ky nënfragment është një thirrje për të pastruar qëllimet dhe për ta parë pasurinë si një mjet dhe jo si qëllim, si një amanet dhe jo si burim mburrjeje apo lakmie.

C – Epilogu:[28]

Qëllimi i shpalljes së Kuranit është që njerëzit të njohin të vërtetën (Zotin). Pas përmendjes së një sërë rregullash, mësimesh e kundërpërgjigje të dilemave të ndryshme, vjen fundi i kësaj sureje duke hedhur dritë mbi madhështinë e Krijuesit, i Cili është i Vetmi Zot që e meriton të adhurohet.

Epilogu i kësaj sureje përbëhet nga dy fragmente:

a – fragmenti i parë:[29] Nga argumentet e krijimit përfitojnë ata që posedojnë logjikë të shëndoshë

Fundi i sures Ali Imran flet se në krijimin e qiejve dhe të tokës, ndryshimit të natës dhe të ditës, ka argumente të qarta se Allahu është i Plotfuqishëm mbi çdo send. Mirëpo këto argumente të qarta nuk i vëren askush tjetër përveç atyre njerëzve që kanë logjikë të shëndoshë, të cilët e përmendin Zotin e tyre në çfarëdo lloj situate që të ndodhen. Ata vazhdimisht i luten Allahut që t’i ruajë nga dënimi i Zjarrit, t’ia falë gjynahet, t’ia mbulojë të metat, t’i bashkojë me njerëzit e mirë, t’iu dhurojë atë ç’ka u ka premtuar nëpërmjet profetëve dhe mos t’i turpërojë në Ditën e Kiametit.

E si mos t’i përgjigjet Allahu i Madhëruar lutjeve të tyre, kur të tillët janë ata të cilët kanë besuar në profetësinë e Muhamedit (a.s), të cilët u persekutan për shkak të besimit, u dëbuan, emigruan dhe luftuan në rrugë të Allahut?! Padyshim shpërblimi i të këtillëve është Xheneti, në të cilin burojnë lumenjtë.

b – fragmenti i dytë:[30] Çështjet vlerësohen sipas përfundimit dhe pasojave të tyre

Triumfi  – në dukje – i idhujtarëve të Mekës në betejën e Uhudit nuk do të thotë se ata janë të shpëtuar, përkundrazi ata do të jenë në Xhehenem për shkak të mosbesimit të tyre.

E sa i përket besimtarëve që e adhurojnë Allahun e Madhëruar dhe e kanë frikë Atë, Allahu ka përgatitur për ta Xhenete në të cilin rrjedhin lumenj.

Jo të gjithë ithtarët e Librit janë në humbje, por ka edhe prej atyre ithtarëve të Librit të cilët e besojnë Allahun, atë që u është shpallur besimtarëve, i binden Allahut dhe ajetet e Tij nuk i sheshin për një çmim të vogël. Të tillët do të shpërblehen tek Allahu i Lartësuar.

Dhe në fund, Allahu kërkon prej besimtarëve katër gjëra: 1 – të bëjnë durim, 2 – të jenë të qëndrueshëm ndaj armikut, 3 – të jenë të përgatitur (ribat) dhe 4 – të kenë frikë Allahun e Lartësuar.

Autor: Elton Harxhi

 

[1] – Nga ajeti 1 – 32.

[2] – Nga ajeti 1 – 9.

[3] – Nga ajeti 10 – 18.

[4] – Nga ajeti: 19 – 32.

[5] – Nga ajeti 33 – 189.

[6] – Nga ajeti 33 – 99.

[7] – Nga ajeti 33 – 44.

[8] – Nga ajeti 45 – 63.

[9] – Nga ajeti 64 – 99.

[10] – Nga ajeti 64 – 68.

[11] – Nga ajeti 69 – 80.

[12] – Nga ajeti 81 – 92

[13] – Nga ajeti 93 – 99.

[14] – Nga ajeti 100 – 189.

[15] – Nga ajeti 100 – 120.

[16] – Nga ajeti 100 – 109.

[17] – Nga ajeti 110 – 115.

[18] – Nga ajeti 116 – 120.

[19] – Nga ajeti 121 – 148.

[20] – Nga ajeti 121 – 129.

[21] – Nga ajeti 130 – 138.

[22] – Nga ajeti 139 – 148.

[23] – Nga ajeti 149 – 189.

[24] – Nga ajeti 149 – 158.

[25] – Nga ajeti 159 – 164.

[26] – Nga ajeti 165 – 179.

[27] – Nga ajeti 180 – 189.

[28] – Nga ajeti 190 – 200.

[29] – Nga ajeti 190 – 195.

[30] – Nga ajeti 196 – 200.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *