A mund të themi: se tema kryesore në suren “Shura” është “shpallja … natyra e saj, qëllimet dhe ndikimi i saj në jetën e njeriut”?
Po, mund ta themi këtë. Sidomos duke qenë se fjala “shpallje” përmendet në të 5 herë në 4 ajete që e kanë mbërthyer atë nga dy skajet dhe i kanë depërtuar në zemër:
“Kështu të shpall Ty dhe atyre që ishin para Teje Allahu, i Plotfuqishmi, i Urti”[1]
“Dhe kështu Ne të shpallëm ty një Kuran në gjuhë arabe, që të paralajmërosh Nënën e qyteteve dhe ata që janë rreth saj, dhe të paralajmërosh Ditën e Tubimit…”[2]
“Dhe nuk i takon asnjë njeriu që Allahu t’i flasë atij, përveçse me shpallje, ose nga prapa një perdeje, ose të dërgojë një të dërguar që të shpallë me lejen e Tij çfarë Ai dëshiron…”[3]
“Dhe kështu Ne të shpallëm ty një shpirt nga urdhri Ynë; ti nuk e dije çfarë është Libri as çfarë është besimi, por Ne e bëmë atë dritë me të cilën udhëzojmë kë të duam nga robërit Tanë, dhe vërtet ti udhëzon në një rrugë të drejtë”[4]
Kjo gjë është një temë e madhe; sepse shpallja për shoqërinë njerëzore është si shpirti për trupin.
Apo të themi: se tema kryesore e saj është “mbrojtja hyjnore, dashuria, përkrahja dhe ndihma”?
Po, edhe kjo mund të pranohet; sepse shpallja – me ndikimin që ka sjellë në jetën e njerëzve – është vetëm një prej pasojave të kësaj përkujdesjeje. Dhe robërit nuk mund të bëjnë pa mbrojten e Allahut mbi ta në ndihmë, kujdes dhe udhëzim, as pa të në çështjet e adhurimit dhe përkushtimit fetar.
Po, edhe kjo është e përshtatshme; sidomos pasi në sure kjo mbrojte hyjnore përmendet 7 herë në 6 ajete:
“Ata që kanë marrë për mbrojtës të tjerë përveç Tij…”[5]
“A kanë marrë përveç Tij mbrojtës? Allahu është Vetë Mbrojtësi…”[6]
“Ai është që zbret shiun pasi ata humbasin shpresën dhe përhap mëshirën e Tij; Ai është Mbrojtësi, i Lavdëruari”[7]
“…dhe zullumqarët nuk kanë asnjë mbrojtës as ndihmës”[8]
“Këdo që Allahu e lë në humbje, për të nuk ka asnjë mbrojtës pas Tij…”[9]
“Ata nuk kishin asnjë mbrojtës që t’i ndihmonte përveç Allahut…”[10]
Unë mendoj se – pasi tema e shpalljes pranon të hyjë nën këtë kornizë – nuk mund të mendohet që temat e tjera t’i shpëtojnë këtij boshti.
Apo të themi: se tema qendrore dhe thelbësore rreth së cilës rrotullohen të gjitha temat e sures është çështja e sovranitetit hyjnor dhe e sundimit (hakimijes) së Allahut? Dhe kjo është një temë që kudo që shfaqet, ngrihet si koka mbi trupin dhe bëhet boshti i gjithë kontekstit.
Në lidhje me këtë nuk ka asnjë dyshim; sidomos duke qenë se kjo përmendet në sure 4 herë në kontekste të ndryshme:
“Për çdo gjë për të cilën ju keni mospajtim, gjykimi i saj i takon Allahut…”[11]
“Ai ju ka ligjëruar nga feja atë që i ka porositur Nuhut… që ta ngrini fenë dhe të mos përçaheni në të…”[12]
“Allahu është Ai që e zbriti Librin me të vërtetën dhe peshoren…”[13]
“Apo kanë ata ortakë që u kanë ligjëruar në fe atë që Allahu nuk e ka lejuar?…”[14]
Nuk ka asnjë dyshim se, nëse ky bosht zë vendin e tij dhe bëhet qendror në sure, atëherë temat e tjera do t’i nënshtrohen atij pa kundërshtim e pa devijim. A nuk është sovraniteti hyjnor thelbi i fesë? A nuk është qeverisja e sheriatit hyjnor esenca e “La ilahe il-lAllah”?
Nëse nuk mbështetemi në analizë induktive dhe do të fusim– edhe vetëm si një supozim intuitiv – idenë se tema e sures është “shura”, kjo do të ishte gjithashtu e pranueshme; sepse shura qëndron në zemër të kësaj sureje dhe madje i ka dhënë edhe emrin: “Dhe ata që i përgjigjen Zotit të tyre, falin namazin dhe çështjet e tyre i bëjnë shura mes tyre…”[15]
Ajo është pa kundërshtim një vlerë qendrore në sistemin islam në përgjithësi, veçanërisht në sistemin politik, dhe për shkak të qendrësisë së saj ajo mund t’i organizojë temat e tjera rreth vetes si planete në orbitën e saj.
Megjithatë, pas gjithë kësaj – pa u tërhequr nga asgjë prej tyre – unë mendoj se ekziston një temë që mund të jetë boshti qendror gjithëpërfshirës, dhe që ka më shumë dukshmëri, vazhdimësi dhe stabilitet.
Këtë e mbështesin dy gjëra: e para, se kjo temë mund t’i marrë katër temat si shtylla mbi të cilat mbështetet, pa qenë e detyruar t’i lërë ato të rrotullohen thjesht rreth saj si në orbita paralele; e dyta, se ajo përputhet me fazën e thirrjes islame në të cilën zbriti kjo sure.
Sepse sure “Shura” është mekase dhe bën pjesë në “el-havamim el-methani”, që zbritën në vazhdimësi në një periudhë ku brenda mjedisit injorant ishte duke u formuar një shoqëri politike e dallueshme plotësisht nga rrethina e saj.
Termi “shoqëri politike” është një koncept fleksibël që përfshin çdo entitet njerëzor të organizuar në çdo formë organizimi. Profeti (a.s) dhe besimtarët në Mekë, së bashku me ata që u bashkuan me ta nga Benu Hashim për shkak të lidhjeve fisnore, përfaqësonin një shoqëri politike në formë të thjeshtë; ata jetonin nën hijen e shoqërisë pagane, por me një besnikëri të brendshme.
Kjo shoqëri e thjeshtë politike ishte bërthama shumë e vogël dhe shumë e fortë e shtetit të ardhshëm. Dhe një shoqëri e tillë ka nevojë për një kushtetutë që ta rregullojë dhe organizojë veprimtarinë e saj, në një kohë kur legjislacioni ende nuk ishte plotësuar.
Kështu, kjo “kushtetutë e thjeshtë” ishte tema kryesore:
“Çfarëdo që ju është dhënë është kënaqësi e jetës së kësaj bote, ndërsa ajo që është te Allahu është më e mirë dhe më e përhershme … dhe ata që i shmangen mëkateve të mëdha dhe kur zemërohen falin… dhe ata që i përgjigjen Zotit të tyre, falin namazin dhe çështjet e tyre i bëjnë shura mes tyre… dhe ata që kur u bëhet padrejtësi, e mbrojnë veten… shpërblimi i të keqes është e keqe e ngjashme, por kush fal dhe përmirëson… dhe kush mbron veten pas padrejtësisë… ndëshkimi është vetëm mbi ata që u bëjnë padrejtësi njerëzve… dhe kush duron dhe fal, kjo është nga vendosmëria e çështjeve”[16]
Përmbajtjen e kësaj “kushtetute” mund ta përmbledhim në pikat e mëposhtme:
1- Përgjigjja ndaj Allahut duke zbatuar sheriatin e Tij në të gjitha fushat e jetës: “Ata që i përgjigjen Zotit të tyre…”
2- Kryerja e riteve dhe shfaqja e tyre në shoqëri: “dhe falin namazin…”
3 – Menaxhimi i çështjeve të përgjithshme me shura (këshillim): “dhe çështjet e tyre i bëjnë shura mes tyre…”)
4 – Organizimi i çështjes ekonomike mbi bazën e solidaritetit shoqëror: “dhe nga ajo që Ne u kemi dhënë shpenzojnë…”
5 – Moskalimi i kufijve të drejtësisë në raport me kundërshtarin; ose e keqja të kthehet me të njëjtën masë: “shpërblimi i të keqes është e keqe e ngjashme…”, ose falja: “dhe kush duron dhe fal, kjo është nga vendosmëria e çështjeve”.
6 – Pastrimi i shoqërisë nga mëkatet e mëdha dhe nga shthurja morale: “ata që i shmangen mëkateve të mëdha dhe imoraliteteve”.
7 – Besimi dhe mbështetja në Allahun: “ata që besuan dhe mbështeten te Zoti i tyre”
Kjo është një kushtetutë që është vendosur për të rregulluar marrëdhëniet e ndërsjella të anëtarëve të kësaj shoqërie të vogël politike të thjeshtë, si dhe për të rregulluar lidhjen e tyre me Zotin e tyre të Lartësuar.
Shoqëria myslimane nuk duhej të gjykonte çështjet e saj sipas rregullave dhe ligjeve të injorancës (xhahilijetit) që e rrethonin, dhe as nuk duhej të jetonte pa një sistem të brendshëm që e rregullonte ritmin e saj dhe e përgatiste për fazat e ardhshme.
Nëse ndodhnin mosmarrëveshje apo konflikte mes disa prej anëtarëve të saj, nuk duhej që ata të shkonin për gjykim te “taguti” që feja e tyre kishte ardhur për ta rrëzuar.
Është e vërtetë se disa myslimanë mund të detyrohen të drejtohen në gjykata laike nëse nuk ka gjykata sheriatike të disponueshme, me disa kushte: ndër to që vendimi i pritur të jetë – sipas ligjit – në përputhje me gjykimin e Allahut, ose që paditësi të ketë të drejtë më të madhe në pretendimin e tij sesa ajo që i jep gjykata; dhe po ashtu që në zemrën e tij të mos besojë se gjykata apo ligjet e saj janë burimi i legjislacionit.
Por në fund, myslimanët duhet ta shmangin këtë zgjedhje. Dhe për këtë, ajetet vendosin një parim në rast zemërimi që lind nga mosmarrëveshjet: moskalimin e kufirit gjatë zemërimit. Pra, ose njeriu merr të drejtën e tij pa tepruar, ose fal, dhe falja është më e mira dhe rruga më e udhëzuar; ndërsa padrejtësia dhe tejkalimi i kufijve janë të papranueshme.
Nëse myslimanët e zbatojnë këtë parim, atëherë nuk do të kenë nevojë t’i drejtohen gjykimeve të injorancës; përveç kësaj, ata do t’i rregullojnë punët e tyre të brendshme sipas metodologjisë së Allahut: në çështjet legjislative duke iu përgjigjur Zotit të tyre, dhe në çështjet e kësaj bote duke përdorur shurën që është e lidhur me jetën e tyre.
Ky është një model i një prej përpjekjeve për të identifikuar temën kryesore të sures, si një parapërgatitje për përcaktimin e unitetit të saj tematik.
Allahu e di më së miri.
Autor: Atije Adlan
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Shura: 3.
[2] – Sure Shura: 7.
[3] – Sure Shura: 51.
[4] – Sure Shura: 52.
[5] – Sure Shura: 6.
[6] – Sure Shura: 9.
[7] – Sure Shura: 28.
[8] – Sure Shura: 8.
[9] – Sure Shura: 44.
[10] – Sure Shura: 46.
[11] – Sure Shura: 10.
[12] – Sure Shura: 13.
[13] – Sure Shura: 17.
[14] – Sure Shura: 21.
[15] – Sure Shura: 38.
[16] – Sure Shura: 36 – 43.



















