Pyetja: A lejohet që burri mysliman ta ndalojë në mënyrë të prerë gruan e tij perëndimore e cila ka pranuar fenë islame, nga vizita e prindërve të saj të krishterë, ose ta lejojë që t’i vizitojë ata rrallë? A pretendon Islami që ai i cili e përqafon atë, ti këpusë lidhjet me familjen dhe farefisin e vet?
Përgjigja: Nuk lejohet që burri mysliman ta ndalojë gruan e tij nga vizita e prindërve të saj të krishterë, pasi si myslimane ajo obligohet t’i respektojë dhe të sillet mirë me ta. Në të vërtetë, Islami e radhiti këtë urdhër menjëherë pas urdhrit për të mos adhuruar tjetër pos Zotit (monoteizmit). Allahu i Madhërishëm thotë: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve”
Islami nuk e ka ndaluar myslimanin madje as nga mirësia ndaj prindërve idhujtarë. Ai nuk ka ndaluar nga kjo edhe nëse ata përpiqen që fëmija i tyre ta braktisë Islamin dhe ta përqafojë injorancën dhe idhujtarinë. Allahu (xh.sh) thotë: “Ne njeriun e kemi urdhëruar për prindërit të vet, sepse nëna e vet atë e barti me mund pas mundi dhe pas dy viteve ia ndau gjirinTë jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve tu, pse vetëm tek Unë është kthimi juaj. E nëse ata të dy tentojnë që ti të më përshkruash Mua shok, për çka ti nuk ke kurrfarë fakti, atëherë mos i respekto ata, po në çështjet e jetës së kësaj bote të kesh mirëkuptim ndaj tyre.”
Pra, në këtë ajet, Allahu (xh.sh) urdhëroi, që të refuzohet kërkesa e prindërve për kthim në idhujtari, por njëkohësisht urdhëroi për sjellje të mira ndaj prindërve.
Pas marrëveshjes së Hudejbijes, Esmaja, e bija e Ebu Bekrit (r.a), erdhi te Pejgamberi (a.s) dhe e pyeti: “O Profet i Allahut, erdhi te unë nëna ime e cila ende është idhujtare, a ta mirëpresim? (të tregojmë mirësi ndaj saj dhe t’i japim diçka)”. Profeti (a.s) tha: “ Po, respektoje nënën tënde”[1]
Disa dijetarë kanë thënë, se në këtë kontekst ka zbritur ajeti kuranor: “Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; Allahu i do ata që mbajnë drejtësinë”
Gjithashtu, Islami urdhëroi të lihet testament për prindërit jomyslimanë. Siç duket qartë prej ajetit kuranor: “Kur ndonjërit prej jush i është afruar vdekja, nëse lë pasuri pas vete, testamentipër prindërit dhe për të afërmit u është bërë juve obligim, por ashtu si: është drejtë. Për ata që janë të devotshëm, kjo është detyrë që duhet kryer”
Dihet mirë, se në Islam nuk lejohet testamenti për prindërit myslimanë, sepse ata janë trashëgues dhe për trashëgimtarin nuk ka testament. Prandaj, ky ajet ka për qëllim prindërit dhe të afërmit jomyslimanë, sepse fakti se ata janë jomyslimanë nuk ua anulon të drejtat e tyre prindërore dhe farefisnore. Allahu (xh.sh) thotë: “Dhe kini frikë Allahun që me emrin e Tij përbetoheni. Ruajeni farefisin!”
Islami e konsideroi miqësinë nga martesa si njërën prej lidhjeve natyrore, që i lidh njerëzit me njëri – tjetrin, ndërkaq lidhja tjetër është farefisi. Allahu (xh.sh) thotë: “Dhe ai nga ujikrijoi njeriun, e bëri atë të ketë fis dhe të ketë miqësi.”
Pra, kjo lidhje natyrore nuk duhet të lihet pas dore e as të shpërfillet; burri duhet të krijojë marrëdhënie të mira me të afërmit dhe sidomos me prindërit e bashkëshortes së tij. Ai duhet t’u bëjë mirë edhe nëse janë jomyslimanë, sepse me këtë sjellje ua shton simpatinë ndaj Islamit. Islami në botë është përhapur me karakterin e virtytshëm të myslimanëve dhe me sjelljen dhe trajtimin e mirë ndaj të tjerëve. Myslimanit nuk i lejohet ta ndalojë gruan e vet nga mirësia ndaj prindërve të saj, qofshin myslimanë apo jomyslimanë, por përkundrazi, ai gjithmonë duhet ta nxisë atë për një gjë të tillë, të shkojë bashkë me të në vizitë te prindërit e saj dhe t’i ftojë ata ta vizitojnë në shtëpinë e tij. Në këtë mënyrë mund të forcohet miqësia e martesës, të cilën e legjitimoi Allahu (xh.sh). Burri gjithashtu duhet të kujtojë, se prindërit e gruas së tij janë gjyshi dhe gjyshja e fëmijëve të tij; vëllezërit dhe motrat e bashkëshortes së tij janë dajallarët dhe tezet e fëmijëve të tij dhe ndaj gjithë atyre ka obligime si ndaj farefisit.
Shpeshherë jemi dëshmitarë se sa ndikim të madh ka sjellja e mirë në zemrat e njerëzve, sa e sa njerëz hynë në Islam për shkak të sjelljes së bukur të myslimanëve të sinqertë. Po ashtu jemi dëshmitarë edhe të asaj, se sjellja dhe morali i keq ndoshta kanë shkaktuar urrejtje ndaj Islamit dhe myslimanëve. Lum ata, qe bëjnë mire dhe ndalojnë nga e keqja dhe mjerë ata që bëjnë keq dhe pengojnë nga e mira.
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Buhariu dhe Muslimi.



















