Shpërblimi i së njëjtës vepër ndryshon sipas ndryshimit të nijetit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Prej ndikimit të nijetit tek veprat është fakti se e njëjta vepër ndryshon dispozitën e saj sheriatike, vlerën morale dhe shpërblimin e saj në botën tjetër, sipas nijetit të atij që e kryen atë.

Një shembull ilustrues i kësaj që po themi – e treguar në një hadith – është mbajtja e kuajve: për një njeri ajo është shpërblim, për një tjetër mëkat, e për një të tretë mbrojtje; ose, siç thuhet në një hadith tjetër: “kalë për të Gjithëmëshirshmin, kalë për shejtanin dhe kalë për njeriun”. Pra në varësi të nijetit.

Imam Ahmedi transmeton nga një burrë prej ensarëve, se profeti (a.s) ka thënë: “Kuajt janë tre: një kalë që njeriu e mban në rrugën e Allahut; çmimi i tij është shpërblim, hipja mbi të është shpërblim dhe huazimi i tij është shpërblim… Një kalë tjetër mbi të cilin njeriu luan kumar dhe vë bast për të; çmimi i tij është mëkat dhe hipja mbi të është mëkat… Dhe një kalë për barkun (për përfitim material); ndoshta do të jetë mbrojtje nga varfëria, nëse Allahu do.”

Po ashtu transmetohet nga Ibn Mes‘udi: “Kuajt janë tre: kalë për të Gjithëmëshirshmin, kalë për shejtanin dhe kalë për njeriun. Sa i përket kalit të të Gjithëmëshirshmit, ai është kali që mbahet në rrugën e Allahut të Madhëruar; ushqimi i tij, urina dhe plehu i tij — dhe përmendi çfarë deshi Allahu — (d.m.th. futen në peshoren e të zotit si vepra të mira, siç është saktësuar në një hadith tjetër). Sa i përket kalit të shejtanit, ai është ai mbi të cilin luhet kumar dhe vihet bast. Ndërsa kali i njeriut është ai që njeriu e mban për të kërkuar prodhimin e tij (pasardhësit e tij); ai është mbrojtje nga varfëria.”

Kjo ndarje e trefishtë transmetohet edhe në dy Sahihët nga hadithi i Ebu Hurejrës.

Hafiz Sujuti ka thënë: “Dijetarët kanë thënë se nijeti ndikon në veprim, kështu që me të ai herë bëhet haram, herë hallall, ndonëse forma e jashtme është e njëjtë. Si shembull është therja e kafshës: ajo e bën të lejuar kafshën kur bëhet për hir të Allahut, dhe e bën të ndaluar kur bëhet për dikënd tjetër veç Allahut, ndërkohë që forma është e njëjtë.”

Ndërsa Ibn Kajjimi, në librin “Er-Ruh”, thotë: “Një veprim mund të ketë të njëjtën formë, por ai ndahet i lavdëruar dhe i qortuar. Si për shembull: mbështetja te Allahu dhe paaftësia, shpresa dhe dëshira boshe, dashuria për Allahun dhe dashuria për shkak të Allahut, këshillimi dhe qortimi poshtërues, dhurata dhe ryshfeti, njoftimi për një rrethanë dhe ankesa. I pari nga secili çift është i lavdëruar, ndërsa shoqëruesi i tij është i qortuar; forma është e njëjtë, dhe nuk ka dallim mes tyre veçse përmes nijetit.

Autor: Jusuf Kardavi

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *