Havarixhët (3/6)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Debati i Ibn Abasit (r.a) me havarixhët

Havarixhët u shkëputën në një grup të madh nga ushtria e Aliut (r.a) gjatë kthimit të saj nga Siffini drejt Kufes. Numri i tyre është përmendur ndryshe në transmetime të ndryshme: në disa prej tyre thuhet se ishin disa mijëra; në një transmetim thuhet se ishin dymbëdhjetë mijë veta, në një tjetër gjashtë mijë, në një tjetër tetë mijë, ndërsa sipas një transmetimi tjetër arrinin në katërmbëdhjetë mijë veta.

Këta u ndanë nga ushtria disa etapa përpara se të mbërrinin në Kufe. Kjo përçarje i shqetësoi dhe i tronditi shokët e Aliut (r.a). Ndërkohë, Aliu (r.a) vazhdoi rrugën drejt Kufes me ata që mbetën besnikë ndaj tij.

Prijësi i besimtarëve, Aliu (r.a) u mor seriozisht me çështjen e havarixhëve, sidomos pasi mori vesh se ata tashmë ishin organizuar si një grup më vete: kishin caktuar një prijës për namazin dhe një tjetër për luftën, shpallnin se besëlidhja ishte vetëm për Allahun dhe ngrinin parullën e urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja. Kjo nënkuptonte se ata tashmë ishin shkëputur realisht nga xhemati i myslimanëve.

Aliu (r.a) dëshironte me gjithë zemër që t’i kthente ata në gjirin e bashkësisë myslimane. Për këtë arsye, ai dërgoi Ibn Abasin (r.a) për të debatuar me ta. Vetë Ibn Abasi (r.a) e rrëfen këtë ngjarje:

“U ngrita, dola dhe shkova tek ata në mes të ditës, ndërsa ata ishin mbledhur. I përshëndeta me selam. Ata thanë: “Mirë se erdhe, o Ibn Abas! Çfarë të solli këtu?”

U thashë: “Kam ardhur tek ju nga shokët e Profetit (a.s) dhe nga kushëriri i tij. Kurani ka zbritur në mesin e tyre dhe ata janë më të ditur se ju në interpretimin e tij. Nuk ka asnjë prej tyre në mesin tuaj. Kam ardhur t’ju përcjell atë që ata thonë dhe të dëgjoj atë që ju thoni. Më tregoni: Çfarë keni kundër shokëve të të Dërguarit të Allahut (a.s) dhe kundër kushëririt të tij?'”

Ata thanë: “Tre gjëra.”

Ibn Abasi tha: “Cilat janë ato?”

Ata thanë: “E para: ai i bëri njerëzit gjykatës në çështjen e Allahut dhe kështu bëri kufër. Allahu thotë: “Gjykimi i takon vetëm Allahut.”[1]  Çfarë pune kanë njerëzit me gjykimin?”

Ibn Abasi tha: “Kjo është njëra.”

Ata vazhduan: “E dyta: ai luftoi, por nuk mori robër dhe nuk ndau plaçkë lufte. Nëse kundërshtarët ishin jobesimtarë, atëherë duhej t’i robëronte; nëse ishin besimtarë, atëherë nuk lejohej të luftoheshin.”

Ibn Abasi tha: “Këto janë dy. Cila është e treta?”

Ata thanë: “Ai e fshiu nga vetja titullin “Prijësi i Besimtarëve”. Nëse nuk është prijës i besimtarëve, atëherë është prijës i jobesimtarëve.”

Ibn Abasi tha: “A keni ndonjë gjë tjetër përveç këtyre?”

Ata thanë: “Na mjaftojnë këto.”

Ai tha: “Nëse ju lexoj nga Libri i Allahut dhe nga Suneti i Profetit (a.s) atë që e hedh poshtë argumentin tuaj, a do ta pranoni?”

Ata thanë: “Po.”

Kundërshtimi i parë: arbitrazhi

Ibn Abasi tha: “Sa i përket fjalës suaj se ai i bëri njerëzit gjykatës në çështjen e Allahut, unë po ju lexoj nga Libri i Allahut se Allahu ua ka lënë njerëzve gjykimin edhe për një çështje që vlen më pak se një të katërtën e dirhemit. Allahu thotë: “O ju që besuat! Mos e vrisni gjahun ndërsa jeni në ihram. Kush prej jush e vret qëllimisht, dënimi është të therë një kafshë të ngjashme me atë që ka vrarë, sipas gjykimit të dy njerëzve të drejtë prej jush.”[2]

Ju pyes për hir të Allahut: a është më e rëndësishme që njerëzit të gjykojnë për një lepur apo për pajtimin mes myslimanëve dhe ruajtjen e gjakut të tyre? Ju e dini se po të donte Allahu, do të kishte gjykuar Vetë dhe nuk do t’ua kishte lënë këtë njerëzve.”

Ata thanë: “Po, kjo është më e rëndësishme.”

Pastaj tha: “Edhe për burrin dhe gruan Allahu thotë: “Nëse frikësoheni për përçarje mes tyre, dërgoni një arbitër (gjykatës) nga familja e tij dhe një arbitër (gjykatës) nga familja e saj; nëse ata dëshirojnë pajtim, Allahu do t’u japë sukses.”[3]

Ju pyes për hir të Allahut: a është më e rëndësishme gjykimi i njerëzve për pajtimin dhe ruajtjen e gjakut të muslimanëve apo për marrëdhënien bashkëshortore?

A e hodhët poshtë këtë kundërshtim?”

Ata thanë: “Po.”

Kundërshtimi i dytë: mosmarrja e robërve dhe plaçkës

Ibn Abbasi tha: “Sa për fjalën tuaj se ai luftoi por nuk mori robër dhe nuk ndau plaçkë lufte, a do ta robëronit ju nënën tuaj, Aishen (r.a), dhe a do ta konsideronit të lejuar ndaj saj atë që është e lejuar ndaj grave të tjera?

Nëse thoni: “Po”, atëherë keni bërë kufër.

Nëse thoni: “Ajo nuk është nëna jonë”, po ashtu keni bërë kufër. Sepse Allahu thotë: “Profeti është më i afërt me besimtarët sesa vetvetja e tyre dhe gratë e tij janë nënat e tyre.”[4]

Ju ndodheni mes dy devijimeve. Gjeni një rrugëdalje prej tyre!”

Pastaj tha: “A e hodhët poshtë këtë kundërshtim?”

Ata thanë: “Po.”

Kundërshtimi i tretë: fshirja e titullit “Prijësi i Besimtarëve”

Ibn Abbasi tha: “Sa për fjalën tuaj se ai e fshiu titullin “Prijësi i Besimtarëve”, po ju sjell shembullin e atij me të cilin jeni të kënaqur.

Ju e dini se në ditën e Hudejbijes, Profeti (a.s) bëri marrëveshje me politeistët dhe i tha Aliut: “Shkruaj: Kjo është marrëveshja që ka bërë Muhamedi, i Dërguari i Allahut.!” Politeistët thanë: “Jo, për Allahun! Ne nuk e dimë se ti je i Dërguari i Allahut. Po ta dinim këtë, do të të kishim bindur. Shkruaj: Muhamedi, biri i Abdullahut. Atëherë i Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Fshije, o Ali, shprehjen “i Dërguari i Allahut”. O Allah, Ti e di se unë jam i Dërguari Yt. Fshije, o Ali, dhe shkruaj: Kjo është marrëveshja që ka bërë Muhamedi, biri i Abdullahut.”

Për Allahun, i Dërguari i Allahut (a.s) është më i mirë se Aliu. Megjithatë, ai e hoqi këtë cilësim nga dokumenti dhe kjo nuk ia hoqi atij profetësinë.”

Pastaj tha: “A e hodhët poshtë edhe këtë kundërshtim?”

Ata thanë: “Po.”

Pas këtij debati:

Dy mijë prej tyre u kthyen, ndërsa pjesa tjetër vazhdoi në devijimin e saj. Më vonë ata u vranë duke qenë në atë gjendje, dhe kundër tyre luftuan muhaxhirët dhe ensarët.

Kjo ngjarje tregon urtësinë dhe dijen e Ibn Abasit (r.a), si dhe rëndësinë e kthimit te argumentet e Kuranit dhe Sunetit në trajtimin e devijimeve ideologjike. Ajo dëshmon gjithashtu se shumë prej havarixhëve u kthyen në të vërtetën pasi u ballafaquan me argumente të qarta dhe të bazuara në shpallje.

Burimi: islamstory.com

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure En’am: 57.

[2] – Sure Maide: 95.

[3] – Sure Nisa: 35.

[4] – Sure Ahzab: 6.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *