Moderniteti dhe shoqëria islame

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Moderniteti ka prodhuar atë që mund t’i quajmë leximet moderniste të tekstit kuranor. Këto janë përpjekje që synojnë të cenojnë shenjtërinë dhe lartësinë e tekstit kuranor, përmes interpretimit të tij sipas metodologjive të zhvilluara për të kuptuar tekstet letrare: duke filluar nga hermeneutika, duke kaluar te teoria e “vdekjes së autorit”, më pas historicizmi, strukturalizmi dhe dekonstruksioni, ku secila prej tyre kërkon një studim të veçantë e të gjatë. Kjo gjë e bën të domosdoshme trajtimin e modernitetit si mjedisi që ka prodhuar këto lexime interpretuese, të cilat janë ngjyrosur me frymën moderniste si në metodë ashtu edhe në përmbajtje, me qëllim që të vlerësohet dobia apo mosdobia e këtij moderniteti për shoqërinë tonë islame, si dhe për t’iu përgjigjur justifikimeve të pretenduara për domosdoshmërinë e tij në zhvillimin e mendimit islam.

Përkufizimi i modernitetit

Mund të fillojmë duke e përkufizuar termin “modernitet” sipas konceptit arab dhe fjalorëve të gjuhës arabe. Në “Lisan al-Arab” thuhet: “i riu (el-hadith) është e kundërta e të vjetrit (el-kadim), dhe ndodhja (el-huduth) është e kundërta e lashtësisë (el-kidmah). Diçka “ndodh” (hadetha) kur ajo shfaqet pas mosekzistencës së saj; thuhet: “hadethe esh-shej’u” – gjëja ndodhi, pra u bë ekzistuese, dhe “ahdathahu” – e solli në ekzistencë, pra u bë e re dhe e reja. Po ashtu “istehdathahu” e krijoi si të re.”

El-Xheuhari thotë: forma “hudadha” nuk përdoret me zanoren “u” në asnjë rast, përveç këtij përdorimi, për shkak të çiftëzimit me “kadim” (i vjetër).

Në hadithin e Ibn Mes’udit: “Më përfshiu ajo që ishte e vjetër dhe ajo që ishte e re”[1] që do të thotë shqetësimet dhe mendimet e tij të vjetra dhe të reja.

“Huduth” do të thotë që diçka nuk ka ekzistuar më parë dhe pastaj ka ndodhur. “Ahdethehu Allahu fe hadetha” Allahu e solli në ekzistencë dhe ajo u bë. “Hadetha emrun” një çështje ndodhi, pra u realizua.

“Muḥdethat el-umur” janë risitë në çështje, të cilat janë shpikur nga njerëzit e epsheve dhe nuk kanë qenë të njohura më parë në Kuran, Sunet apo në konsensusin e dijetarëve.

Në këtë mënyrë, kuptimi gjuhësor i modernitetit përcaktohet si: “diçka që ndodh pas mosekzistencës së saj”, pra e reja në kundërshtim me të vjetrën; ajo që shpiket dhe krijohet rishtazi. Moderniteti është pra risia, fillimi i një gjëje dhe krijimi i saj nga e para.

Përkufizimi i modernitetit në gjuhët e huaja

Në gjuhët e huaja (anglisht dhe frëngjisht) gjejmë se fjala “modernitet” është me origjinë evropiane. Në anglisht ekzistojnë dy terma: Modernism dhe Modernity, dhe po ashtu edhe në frëngjisht përdoren terma të ngjashëm. Përkthimi në arabisht i këtyre dy termave ndryshon ndërmjet “hadatha”, “‘asrijeh” dhe “mussirah” .

Disa autorë bëjnë dallim në përkthim mes këtyre dy termave si vijon:

Moderniti nënkupton bashkëkohësinë dhe modernitetin në kuptimin e “kohës së sotme”; dhe bashkëkohësia do të thotë: “sjellja e ndryshimeve dhe rinovimeve në konceptet mbizotëruese, të akumuluara ndër breza, si rezultat i një ndryshimi shoqëror ose intelektual të shkaktuar nga ndryshimi i kohës.”

(Modernism) nënkupton modernizmin, i cili është një rrymë letrare ose teori mendore që thërret për rebelim ndaj realitetit ekzistues dhe për përmbysjen e së vjetrës së trashëguar në të gjitha aspektet dhe fushat e saj. Të tjerë e përdorin fjalën (Modernism) si një term që tregon dashurinë për të renë dhe bashkëkohoren, derisa ai është zhvilluar dhe është bërë një term që tregon lëvizjen e njohur të modernizmit në letërsi, siç do të shpjegohet më tej.

Ndërsa fjala (Modernity) përshkruan periudhën e dytë të kësaj epoke, dhe gjithashtu përshkruan modernitetin e letërsisë në kuptimin e saj bashkëkohor. Kështu, ky term ka një rrënjë në gjuhën arabe që lidhet me kuptime të ndryshme sipas derivimeve të tij, si: risia, rinia, fillimi i një gjëje, shfaqja e diçkaje që nuk ka ekzistuar më parë, lajmi i ri etj.

Megjithatë, gjatë përkthimit nga gjuhët e huaja (anglisht ose frëngjisht) haset paqartësi, mjegullim dhe mospërputhje e dukshme në përdorimin e këtyre termave, gjë që natyrisht sjell edhe paqartësi dhe mospërputhje në vetë konceptin dhe përkufizimin terminologjik.

Moderniteti midis konceptit arab dhe atij perëndimor

Disa studiues janë përpjekur të afrojnë konceptin e “modernitetit” në gjuhën arabe me kuptimin terminologjik të tij në Perëndim. Ata mendojnë se thelbi i modernitetit në gjuhën arabe është diçka që nuk ka të kaluar, nuk ka lidhje me rrënjë apo me trashëgimi. Kjo është edhe ajo që përfundon “Fjalori filozofik” i botuar nga Akademia e Gjuhës Arabe në Egjipt, ku termi “i ndodhuri” (al-ḥādith) shpjegohet si: ajo që paraprihet nga mosekzistenca, pra që ekziston pasi nuk ka ekzistuar më parë. Kështu, kuptimi i tij lidhet me ndërprerjen me të kaluarën dhe mungesën e rrënjëve.

Ky koncept i modernitetit është shprehur nga disa studiues duke thënë se moderniteti është produkt i iluminizmit perëndimor dhe në thelb përfaqëson një shkëputje nga trashëgimia e dijes. Sipas tyre, njeriu nuk i nënshtrohet më asgjëje përveç mendjes së tij, dhe që tani e tutje shpresa te Zoti zbehet për t’i lënë vendin përparimit të arsyes dhe sundimit të saj. Kështu, sistemi i “mirësisë hyjnore” zhduket dhe zëvendësohet nga sistemi i natyrës. Natyrisht, fjalori teologjik i vjetër mund të vazhdojë të përdoret, por ai nuk mashtron më askënd; fjalët mbeten të njëjta, por kuptimet e tyre jo, dhe njeriu bëhet masa e vetme e njeriut.

Sa për mendimet e disa mendimtarëve, Adonis, për shembull, në veprën e tij “E përhershmja dhe e ndryshueshmja”, e përshkruan modernitetin si “konflikt midis sistemit të bazuar në traditë dhe dëshirës për ndryshimin e këtij sistemi”. Ai shton gjithashtu se jeta arabe nuk mund të përparojë dhe njeriu arab nuk mund të krijojë nëse nuk rrënohet struktura tradicionale mbizotëruese e mendimit arab dhe nëse nuk çlirohet nga ndërtimi tradicional fetar imitues.

Dr. Jaber Asfour e përkufizon modernitetin si “kërkim i vazhdueshëm për të zbuluar sekretet e universit përmes thellimit në natyrë, zotërimit të saj dhe zhvillimit të dijes mbi të, duke ngritur vazhdimisht pozitën e njeriut në tokë. Ndërsa në aspektin politik dhe shoqëror, moderniteti nënkupton riformulimin e vazhdueshëm të parimeve dhe sistemeve që e kalojnë shoqërinë nga niveli i domosdoshmërisë në liri, nga shfrytëzimi në drejtësi, nga varësia në pavarësi, nga konsumi në prodhim, nga dominimi i fisit, familjes apo sektit në shtetin modern, dhe nga shteti autoritar në demokraci. Moderniteti gjithashtu nënkupton krijimtarinë që është e kundërta e imitimit, dhe arsyen që është e kundërta e transmetimit tradicional.”

Sipas Roland Barthes, moderniteti është një “përmbytje njohurish, një tërmet i dhunshëm qytetërues dhe një përmbysje e plotë kulturore”. Ai është gjithashtu një qëndrim i përgjithshëm dhe gjithëpërfshirës kundër kulturave tradicionale mbizotëruese; ai kërkon rishikimin e shumë gjërave dhe çlirimin nga të gjitha kufizimet. Moderniteti është një revolucion kundër gjithçkaje tradicionale në shoqëri dhe një proces progresiv që synon një epokë të re të lidhur me zhvillimin dhe çlirimin e njeriut. Ai është një vizion i ri filozofik dhe kulturor për botën dhe një vetëdije kritike e realitetit.

Max Ëeber e përshkruan modernitetin si “çmagjepsje të botës”, ku pas tij ndodh shpërbërja e përfytyrimeve fetare mbi botën, duke krijuar në Evropë një kulturë jofetare, proces të cilin ai e quan racionalizim.

Ky përshkrim i fundit zbulon një aspekt të modernitetit që disa e konsiderojnë të papranueshëm, pasi ai nënkupton rebelim ndaj fesë dhe trajtimin e saj si kundër arsyes. Kështu, moderniteti shihet si revolucion kundër fesë në favor të arsyes njerëzore, duke refuzuar shpirtin dhe të fshehtën dhe duke i dhënë përparësi materializmit në të gjitha format e tij.

Në këtë kontekst, disa studiues si Alain Touraine thonë se është e pamundur të quhet “modern” një shoqëri që organizohet kryesisht sipas një shpalljeje hyjnore ose një thelbi kombëtar. Sipas tij, ideja e modernitetit zëvendëson idenë e Zotit në zemër të shoqërisë, ndërsa besimet fetare kufizohen në jetën private të individit. Gjithashtu, nuk mjafton thjesht aplikimi teknologjik i shkencës për të folur për një shoqëri moderne; duhet gjithashtu të mbrohet aktiviteti intelektual nga propagandat politike dhe besimet fetare.

Ne nuk duam të zgjatemi shumë në përkufizime gjuhësore apo terminologjike, por realiteti tregon se moderniteti dhe metodat e tij të lindura për leximin e teksteve zbulojnë qartë një shkëputje midis së tashmes dhe së kaluarës. Ai e konsideron këtë shkëputje si rrugën më të mirë për çlirimin intelektual dhe për çlirimin nga autoriteti i tekstit, duke i dhënë përparësi arsyes. Meqë mendja, sipas tyre, është kufizuar nga trashëgimia fetare, atëherë duhet të çlirohet prej saj për t’i dhënë liri të plotë arsyes pa kufizime paraprake, duke e konsideruar fenë si kufizuese të mendjes.

Nëse ky është koncepti i modernitetit dhe nëse ai ka lindur si kundërshtim ndaj dominimit të klerikëve dhe mendimit tradicional në Evropë, duke zëvendësuar Zotin me natyrën dhe tekstin me arsyen, atëherë është e qartë se moderniteti në kuptimin e tij perëndimor është rezultat i zhvillimeve historike në Evropë gjatë Mesjetës, Revolucionit Industrial dhe lëvizjeve të Reformës fetare.

Edhe pse studiuesit bien dakord për lindjen e modernitetit në Perëndim, ata nuk pajtohen për periudhën e saktë të tij. Shumica e tyre mendojnë se fillimet e modernitetit datojnë nga fundi i shekullit XIX në Evropë, në fushën e letërsisë, pas rënies së romantizmit dhe lindjes së simbolizmit, me poetë si Charles Baudelaire, Rimbaud dhe Mallarmé. Më pas u shfaqën rryma të tjera letrare dhe intelektuale të njohura. Modernistët bënë thirrje për çlirim nga kufizimet, për rebelim ndaj traditës dhe imitimit, dhe disa e konsiderojnë modernitetin si rezultat i akumulimeve dhe parapërgatitjeve të rrymave të mëparshme letrare dhe intelektuale.

Por disa e kthejnë termin “modernitet” në shekullin e pesëmbëdhjetë; pra ndoshta te lëvizja e Martin Luterit, i cili udhëhoqi përçarjen protestante kundër Kishës dhe rebelimin ndaj autoritetit të saj shpirtëror, pa e neglizhuar rolin e teknologjisë që e lehtësoi dhe e përgatiti këtë rebelim, veçanërisht shpikjen e shtypshkronjës, për të cilën vetë Luteri ka thënë se është ndër mirësitë më të larta të Zotit për robërit e Tij.

Disa të tjerë e lidhin modernitetin me Dekartin, autorin e doktrinës së dyshimit në shekullin e shtatëmbëdhjetë; pra me vënien në punë të arsyes dhe rishikimin e gjithçkaje. Ndërsa disa e lidhin këtë term me epokën e Iluminizmit në shekullin e tetëmbëdhjetë, ku fusha e tij ishte arsyeja dhe ndriçimi përmes dritës së shkencës dhe teknologjisë.

Së fundi, ka edhe nga ata që e lidhin konceptin e modernitetit me fillimet e shekullit të njëzetë; pra me imperializmin në sfondin e pushtimeve koloniale, në epokën e radios dhe elektricitetit, si dhe mjeteve të shpejta të transportit dhe mjeteve të reja të komunikimit. Ky dallim i madh në përcaktimin historik të këtij termi buron nga ndryshimi në përkufizimin e vetë modernitetit dhe qëllimit të tij, si dhe nga ndryshimi i këndvështrimit ndaj tij.

Shkaqet e lindjes së leximeve moderniste

Sa i përket botës arabe, moderniteti – veçanërisht “leximet moderniste” dhe lindja e tyre – mund t’i atribuohet një sërë shkaqesh:

Shkaku i parë: tronditja moderniste që ka goditur disa modernistë, si dhe mahnitja e intelektualëve arabë dhe myslimanë me kulturën perëndimore.

Shkaku i dytë: orientalizmi dhe studimet orientalistike, të cilat kanë kontribuar në shfaqjen e këtij drejtimi interpretues, sidomos pasi disa prej këtyre studimeve synonin të zbehnin burimin hyjnor të Kur’anit.

Shkaku i tretë: lëvizja e dërgimit të studentëve për studime jashtë vendit, që nga koha e Muhamed Aliut në Egjipt e deri në ditët e sotme.

Shkaku i katërt: prirja për t’u çliruar nga metodat tradicionale të kuptimit të Kur’anit, me pretendimin se këto metoda tradicionale nuk janë më të përshtatshme për ta kuptuar Kur’anin në këtë kohë.

Shkaku i pestë: orientimi ideologjik i disa përkrahësve të këtij rrymi dhe kundërshtimi i kulturës islame.

Motivet e leximeve moderniste

Në të vërtetë, nuk mund të mohohet fuqia e dy motiveve kryesore për marrjen e tyre:

Motivi i parë: përdorimi i tyre si reagim ndaj gjendjes së ngurtësimit intelektual dhe mendor që mbizotëroi në botën arabe deri në fillim të shekullit XIX, si dhe ndaj despotizmit politik dhe shfrytëzimit të fesë për të forcuar pushtetin politik dhe autoritar të sundimtarëve.

Motivi i dytë është mahnitja me Perëndimin dhe kulturën e tij, e cila ende sot mbetet një standard i fuqishëm për shumë njerëz, ku Perëndimi dhe kultura e tij – përfshirë modernitetin – shihen si modeli ideal dhe më i përsosur që duhet ndjekur, duke ecur në gjurmët e tij pa mundësi për të krijuar një projekt të pavarur që buron nga trashëgimia jonë e pasur fetare dhe intelektuale.

Natyrisht, ndaj kësaj argumentohet se nëse moderniteti në kuptimin perëndimor bazohet në arsyen, atëherë edhe në kulturën islame arsyeja është një bosht themelor. Askush nuk e ka mohuar thirrjen e Islamit për përdorimin e mendjes dhe të menduarit në çështjet e jetës së përditshme. Për më tepër, arsyeja në çështjet fetare ka një histori të gjatë përmes ixhtihadit, nxjerrjes së përfundimeve, analogjisë dhe shkencës së usulit të fikhut, e cila është një disiplinë metodologjike që mbështetet në përdorimin e arsyes për të lexuar tekstet dhe për të nxjerrë dispozitat juridike.

E vërteta është se disa pionierë të iluminizmit na e sollën modernitetin si një “mall të paketuar”, të përdorur si kundërpërgjigje ndaj virusit të despotizmit politik, në një përpjekje për të çliruar popujt nga errësira që – sipas tyre – ishte imponuar nga teksti fetar ose nga vetë feja. Kështu, moderniteti u bë një fushë e përshtatshme për të goditur shumë aspekte të besimit fetar, deri në atë pikë sa u arrit të përdoren edhe metoda letrare për leximin e tekstit kuranor.

Ne nuk e mohojmë se bota arabe dhe islame ka pasur nevojë, në momente historike dhe madje edhe sot, për një revolucion intelektual dhe civilizues. Por pyetja është: a është e domosdoshme që ky revolucion të bazohet në metodologjinë moderniste në kuptimin perëndimor? Dhe a duhet patjetër që modernitetin ta marrim si rrugë për të përparuar dhe për të zhvilluar shoqëritë arabe drejt më të mirës? Sikur moderniteti dhe qytetërimi perëndimor mbi të cilin ai është ndërtuar të jenë e vetmja rrugë për këtë.

E vërteta që duhet theksuar nga këndvështrimi ynë është se ne nuk kemi nevojë për modernitetin material që e vendos natyrën në vend të Krijuesit dhe mohon të fshehtën në favor të materies. Sa i përket arsyes, ajo ka vendin e saj të nderuar dhe Islami nuk e ka thirrur kurrë për ta luftuar atë; përkundrazi, besimi islam e ka respektuar mendjen dhe Kurani në shumë vende ka thirrur për përdorimin e saj, qoftë në besim, qoftë në soditjen e fuqisë së Krijuesit dhe në meditimin mbi dispozitat dhe rregullat fetare.

Nga këndvështrimi ynë i thjeshtë, arsyetimet mbi të cilat është ndërtuar moderniteti perëndimor nuk ekzistojnë në shoqëritë islame, edhe nëse ngjarjet ngjajnë në aspektin e despotizmit politik dhe kontrollit të pushtetit në emër të fesë. Nga ana tjetër, ne kemi në trashëgiminë tonë qytetëruese mjaftueshëm për të ndërtuar një modernitet tonin, të balancuar shpirtërisht dhe intelektualisht. Gabimi i mendimtarëve të iluminizmit ka qenë – dhe vazhdon të jetë – bindja se projekti perëndimor me kulturën e tij është modeli i vetëm dhe më i përsosuri për përparimin e njeriut.

Moderniteti që ka rrëzuar autoritetin fetar në Perëndim dhe është ndërtuar mbi rrënojat e fesë atje, nuk mund të ketë të njëjtin rol në ringjalljen e umetit islam. Sepse as kushtet nuk janë të njëjta dhe as motivet nuk janë të njëjta. Po, ne kemi nevojë për një revolucion të arsyes dhe të dijes, por ne nuk kemi një klerik si ai perëndimor, dhe Islami nuk mund të ndahet nga shteti apo nga jeta publike, sepse feja është sjellje dhe morali, dhe Profeti ishte Kurani që ecte në tokë.

Islami është një projekt i plotë për individin dhe shtetin, dhe një sistem i tërësishëm për shoqërinë dhe institucionet. Është një projekt që kërkon zbatim, i cili pothuajse nuk ka parë dritë përveçse në epokën e shpalljes, në kohën e kalifëve të drejtë (rashidinëve), dhe në pak momente të ndritura historike në historinë e botës arabe dhe islame.

Sa i përket despotizmit të sundimtarëve në emër të fesë, apo devijimit të disa dijetarëve fetarë në çdo epokë, pavarësisht natyrës së atij devijimi – qoftë mbështetje e pushtetit autoritar në shtypjen e tij, qoftë largim nga idetë e drejta dhe përhapje e prapambetjes, bestytnive apo edhe terrorizmit në emër të fesë – kjo nuk e dëmton fenë në thelbin e saj, as nuk prek esencën, vlerën apo identitetin e saj. Përkundrazi, kjo i takon individëve dhe moralit të tyre. Të thuash të kundërtën do të thotë të ngatërrosh atë që është personale me atë që është objektive, dhe kjo është një gabim i rëndë, jo më i vogël se despotizmi në emër të fesë, sepse përfundon duke u shndërruar në një despotizëm kundër fesë në emër të arsyes.

Nëse do ta merrnim këtë kriter që e promovojnë modernistët, përveç humbjes së objektivitetit, atëherë, njësoj siç i ngarkojmë Islamit gabimet e sundimtarëve, dijetarëve dhe ekstremistëve, do të na duhej të refuzonim edhe qytetërimin që krijoi bombën atomike që vrau miliona njerëz, ndonëse vetë qytetërimi dhe shkenca bërthamore janë të pafajshme për këtë vrasje, sepse përgjegjësia bie mbi ata që e përdorën shkencën për shkatërrim në vend të ndërtimit dhe zhvillimit.

Përfundimi është se moderniteti në kuptimin perëndimor nuk mund të përputhet kurrë me burimet e dijes islame dhe bie në përplasje të fortë me konceptin e fesë tek muslimanët. Megjithatë, më e rëndësishmja është se muslimanët mund të krijojnë një lloj moderniteti që i ringjall dhe i zhvillon, pa u shkëputur nga trashëgimia e tyre dhe pa u ndarë nga lidhjet me fenë dhe kulturën e tyre intelektuale e historike.

Në këtë kontekst, përmendet ajo që ka thënë një nga pionierët e rilindjes në botën arabe dhe islame, imam Muhamed Abdu, në interpretimin e ajetit: “Na udhëzo në rrugën e drejtë”[2] ku ai përmendi atë që quhet “katër udhëzimet”, të cilat përfaqësojnë rrugët e dijes:

1 – arsyeja

2 – transmetimi (tradita/teksti fetar)

3 – përvoja

4 – ndërgjegjja (ndjeshmëria e brendshme)

Në këtë mënyrë, në projektin tonë civilizues dhe rilindës balancohen burimet e dijes mes botës së të fshehtës dhe botës së të dukshmes, dhe po ashtu balancohen rrugët e njohjes: arsyeja, tradita, përvoja dhe ndërgjegjja. Kështu shmanget ngërçi në të cilin kanë rënë si pozitivizmi ashtu edhe materializmi.

Motivet janë të ndryshme, dhe mjedisi shoqëror, kulturor dhe fetar midis nesh dhe Perëndimit është gjithashtu i ndryshëm. Prandaj, huazimi i ideve perëndimore dhe përpjekja për t’i “arabizuar” apo “islamizuar” ato shpesh çon në zbrazëti dhe nuk jep rezultate reale. Madje ndonjëherë mund të prekë parimet e besimit, të dobësojë besimin në fe dhe të cenojë identitetin.

Më e mira dhe më e udhës për dijetarët, filozofët dhe mendimtarët tanë është të kërkojnë dhe të hulumtojnë në Librin e shenjtë, në hadithet e Profetit (a.s), dhe në trashëgiminë tonë juridike, intelektuale dhe kulturore në të gjitha dimensionet, për të gjetur metoda dhe ide që i përshtaten shoqërive tona, që forcojnë vlerat tona dhe ruajnë identitetin tonë, pa ndjenjën e inferioritetit përballë ideve të Perëndimit dhe pa mendimin se ato janë domosdoshmërisht modeli më i mirë apo i vetmi standard i vlefshëm.

Ne duhet ta lodhim veten në rishikimin e trashëgimisë sonë, si asaj transmetuese (tekstuale) ashtu edhe asaj racionale, sepse do të gjejmë në të mjaftueshëm për të realizuar qëllimin tonë: ruajtjen e fesë dhe jetës sonë të kësaj bote, si dhe afirmimin e identitetit tonë.

Gjithashtu, nuk mund të imagjinohet në asnjë mënyrë një rilindje islame dhe arabe pa lidhje me të kaluarën, me vlerat, shkencat dhe mendimin e saj. Po ashtu, nuk mund të imagjinohet as neglizhimi i tekstit fetar dhe sakrifikimi i trashëgimisë për të ndërtuar një modernitet islam arab.

Kjo mund të ndodhë në Perëndim, por nuk mund të imagjinohet në qytetërimin arab dhe islam, ku teksti fetar nuk është i shkëputur nga mendimi, dhe vlerat nuk janë të ndara nga realiteti. Islami është rregulluesi i jetës, i natyrës, i martesës, i bashkëjetesës, i marrëdhënieve në tregje, i shitblerjes, i qeverisjes dhe administrimit, si dhe i çdo aspekti që lidhet me jetën e kësaj bote dhe me fenë.

Çdo gjë ose është përmendur qartë dhe në mënyrë detyruese në tekstet e Kuranit dhe Sunetit të Profetit (a.s), ose është dhënë në formën e parimeve dhe rregullave të përgjithshme, nën të cilat mendja mund të bëjë ixhtihad dhe të zhvillojë dispozita e zbatime që i përshtaten realitetit të jetës dhe ndryshimeve të gjendjes së myslimanëve, madje edhe zhvillimeve të reja si rezultat i evolucionit të jetës në të gjitha fushat e saj.

Teksti islam nuk ka lënë asgjë pa e trajtuar në parime; dhe nëse nuk ka detaje, atëherë i ka lënë mendjes detyrën të nxjerrë përfundime përmes ixhtihadit dhe arsyetimit mbi bazën e rregullave të përgjithshme. Prandaj, kultura dhe qytetërimi ynë, siç thuhet, është një qytetërim i tekstit dhe i kulturës së tij, dhe kjo nuk përbën defekt nga njëra anë. Nga ana tjetër, nuk përbën as kufizim të mendjes, sepse vetë teksti e nxit dhe e urdhëron përdorimin e saj, e respekton dhe e shenjtëron atë, dhe kjo konsiderohet nga objektivat e sheriatit që duhet ruajtur.

Nuk është një kulturë ngurtësimi, sepse vetë teksti në shumë raste e lidh dispozitën me shkakun e saj; dhe nëse shkaku ndryshon me kalimin e kohës ose nuk ekziston më, atëherë nuk ka nevojë për zbatimin e atij gjykimi. Këtu, mendja luan një rol të madh në aplikimin e dispozitave në realitet dhe në zbulimin e shkakut të tyre.

Rregulli i ndërtimit të dispozitave mbi shkaqet dispozitive, apo madje mbi urtësinë dhe interesin legjitim fetar, nga këndvështrimi ynë – sidomos në çështjet e marrëdhënieve shoqërore dhe jo në besime apo urdhra detyrues që varen nga shkaku të cilit Krijuesi i ka përcaktuar mjaftueshmërinë për detyrueshmërinë e dispozitës – garanton fleksibilitet në zbatimin e ligjeve dhe gjallëri në ripërtëritje.

Ekzistojnë hapësira të gjera dhe fusha të rëndësishme në akiden (besimin) dhe mendimin islam, ku mendja, ideja, krijimtaria dhe zhvillimi kanë fushë veprimi që i përshtatet realitetit. Këto janë pa dyshim nga veçoritë e besimit islam, të cilat reflektohen në kulturën e myslimanit. Po të mos ishte kështu, ky fe nuk do të ishte i përshtatshëm për çdo kohë dhe vend deri në Ditën e Kiametit.

Përfundimi

E vërteta është se përfshirja dhe aftësia për të përthithur fenomenet, njohuritë dhe shkencat është ajo që i ka siguruar Islamit vazhdimësinë e tij. Kjo është gjithashtu një dëshmi e madhe se ai është një fe e mrekullueshme dhe se Muhamedi (a.s) është vula e profetëve. Prandaj, dijetarët dhe mendimtarët tanë në epokat e arta kanë krijuar shkenca të reja dhe kanë zhvilluar shkenca ekzistuese, madje kanë vendosur edhe metoda shkencore për përdorimin e arsyes, të përfaqësuara në rregullat e analogjisë, nxjerrjes së përfundimeve dhe ixhtihadit juridik e njohës. Ndërsa në fushën e tefsirit, ekzistojnë pa dyshim metoda që përputhen me natyrën e tekstit kuranor, të cilat kanë qenë të pranishme dhe të rregulluara fort në punën e mufesirëve dhe interpretimi i tyre nuk ka qenë kurrë i rastësishëm; këtë do ta shohim më në detaje.

Nëse nuk mund të mohohet se Perëndimi ka përfituar nga idetë e mendimtarëve, dijetarëve dhe filozofëve tanë arabë dhe myslimanë, si Ibn Rushdi e të tjerë, si dhe nga përkthimi i veprave të epokës së artë të kulturës islame, atëherë ne kemi më shumë të drejtë se Perëndimi për dijetarët dhe mendimtarët tanë. Na mbetet vetëm të hapim thesaret tona, në mënyrë që të shërojmë sëmundjet tona dhe të shuajmë etjen tonë të gjatë. Dhe nuk ka dëshmi më të qartë për mangësinë e këtyre metodave moderniste perëndimore sesa shfaqja e asaj që quhet postmodernizëm, si një reagim ndaj ideve mbi të cilat është ndërtuar moderniteti. Kështu, moderniteti nuk ka shpëtuar nga kritika; përkundrazi, çdo metodë e re moderniste ndërtohet mbi rrëzimin e metodës së mëparshme dhe mbi rrënojat e saj, duke shpallur dështimin e saj për të arritur qëllimin e pretenduar të modernitetit.

Autor: Muhamed Abdulfetah Amar

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Buhariu dhe Muslimi.

[2] – Sure Fatiha: 6.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *