Angola dhe realiteti i Islamit atje siç e pashë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve,  paqja e bekimet qofshin mbi më të nderuarin e pejgamberëve dhe të dërguarve, pejgamberin tonë Muhamedin, mbi familjen e tij dhe shokët e tij të gjithë.

Si vazhdim i serisë së begatë të raporteve thirrëse për vendet afrikane – prej të cilave janë publikuar tashmë katër raporte, duke përfshirë ato për Ruandën, Namibinë dhe Afrikën e Jugut – të cilat ishin raporte pothuajse në terren, pasi aspekti thirrës në to u transmetua nga vëzhgimet e mia gjatë vizitave në këto vende.

Qëllimi i këtyre raporteve është kontributi në përmbushjen e detyrës së thirrjes në rrugën e Allahut të Lartësuar dhe përhapja e Islamit, mirësisë dhe udhëzimit me të cilin Allahu e dërgoi të Dërguarin tonë, Muhamedin (a.s). Gjithashtu, këto raporte synojnë të ndiejnë nevojën e pakicave myslimane në përgjithësi, dhe në Afrikë në veçanti, për mbështetje materiale dhe shpirtërore, për kujdes dhe përkushtim ndaj tyre në aspektin arsimor dhe thirrës. Nëpërmjet tyre, synohet të ofrohet një pasqyrë e qartë mbi vendet ku jetojnë këto pakica, si dhe mbi nevojat e tyre në aspektin e thirrjes islame, ç’ka do të lehtësojë rrugën e thirrjes dhe do të hapë mundësi për mbështetjen e tyre, në mënyrë që myslimanët në këto vende të rriten me dije të qartë për fenë e tyre dhe me një kuptim të plotë të vlerave dhe parimeve themelore të Islamit, të cilat pranohen nga natyra e pastër e njeriut.

Ky raport i kushtohet Republikës së Angolës dhe synon të hedhë dritë mbi pakicën myslimane atje, mbi aktivitetet e thirrjes islame dhe mbi gjendjen e përgjithshme të thirrjes islame në këtë shtet.

Vendndodhja gjeografike dhe klima

Angola, ose Republika e Angolës, me kryeqytet Luanda, ndodhet në jugperëndim të kontinentit afrikan, në bregun lindor të Oqeanit Atlantik.

Në veri-lindje, Angola kufizohet me Republikën Demokratike të Kongos, në lindje me Zambian, dhe në jug me Namibinë. Gjithashtu, ajo përfshin në territoret e saj  enklavën Kabinda, e cila përpiqet të shkëputet nga Republika e Kongos.

Sipërfaqja e Angolës është rreth 1.25 milionë kilometra katrorë, saktësisht 1,246,700 kilometra katrorë, ç’ka e bën atë një nga shtetet me territorin më të gjerë në kontinentin afrikan.

Angola ka një klimë pothuajse të thatë, veçanërisht në jug të vendit dhe përgjatë bregut të oqeanit, ndërsa në veri klima bëhet më e freskët. Reshjet e shiut bien gjatë një sezoni që shtrihet nga nëntori deri në prill, çdo vit.

Sistemi politik

Angola ka një sistem politik republikan, ndërsa portugalishtja është gjuha zyrtare – një trashëgimi koloniale nga sundim portugez mbi 400 vjet. Përveç saj, fliten edhe gjuha Bantu dhe disa gjuhë të tjera afrikane. Monedha zyrtare e vendit është Kuanza.

Popullsia

Megjithëse Angola ka një territor të gjerë, numri i popullsisë së saj është vlerësuar në rreth 35 milionë banorë në vitin 2024. Ndërkohë, sipas vlerësimeve të korrikut 2014, popullsia e saj ishte rreth 19.088.106 banorë, me një normë rritjeje prej 2.78%.

Popullsia angolane përbëhet nga grupe të ndryshme etnike, të shpërndara si më poshtë:

37% Ovimbundu

25% Kimbundu

13% Bakongo

1-2% europianë (trashëgimtarë të kolonializmit)

22% të tjerë

Fetë zyrtare

Sa i përket besimeve fetare në Angola, ato ndahen si më poshtë:

47% ndjekin besime tradicionale afrikane

38% janë katolikë

15% janë protestantë

Kultura në Angola pasqyron llojshmërinë etnike dhe gjuhësore të vendit. Muzika Kuduro dhe Samba zënë një vend të rëndësishëm në shoqërinë angolane. Kultura e vendit është ndikuar nga traditat portugeze, të përhapura gjatë periudhës koloniale, por gjithashtu ruan ende shumë zakone afrikane që kanë mbijetuar deri më sot.

Burimet ekonomike

Angola është një nga vendet më të mëdha dhe më të pasura të Afrikës për sa i përket burimeve natyrore dhe prodhimit bujqësor. Ajo ka një bollëk pasurish natyrore, përfshirë: Naftën, diamantet, hekurin, fosfatin, bakrin, aurin, uranin dhe minerale të tjera.

Në sektorin bujqësor, Angola është prodhuese e madhe e bananeve, kallamit të sheqerit, kafesë, misrit, pambukut dhe duhanit.

Pavarësisht sfidave të shumta që ka përjetuar vendi, Angola ka arritur të rikthejë stabilitetin dhe ka nisur të punojë drejt zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm. Ekonomia e saj bazohet kryesisht në prodhimin dhe eksportin e naftës, e cila përbën 90% të eksporteve dhe rreth 70% të të ardhurave të shtetit. Po ashtu, siç u përmend më parë, vendi është i pasur me diamante, bakër dhe hekur.

Megjithatë, pavarësisht pasurisë natyrore dhe ekonomisë së larmishme, Angola përballet ende me sfida të mëdha, si varfëria dhe papunësia. Edhe pse ka një territor të gjerë dhe një popullsi relativisht të vogël në krahasim me sipërfaqen, këto probleme vazhdojnë të ndikojnë në ekonominë e vendit.

Disa të dhëna ekonomike për Angolën:

Prodhimi i brendshëm bruto (PBB): rreth 124 miliardë dollarë

Të ardhurat mesatare për frymë: rreth 6,300 dollarë në vit

Norma e rritjes ekonomike: 5.6%

Norma e inflacionit: 8.9%

Norma e papunësisë: 6.8%

Borxhi i jashtëm: 22.71 miliardë dollarë

Pas përfundimit të luftës civile, Angola nisi një proces rikuperimi të infrastrukturës së shkatërruar. Qeveria ka investuar në përmirësimin e rrugëve, porteve dhe aeroporteve, si dhe ka përqendruar përpjekjet në zhvillimin rural, sidomos në arsim dhe shëndetësi. Megjithatë, ka ende shumë punë për të bërë për të përmirësuar cilësinë e jetës së popullsisë angolane.

Kolonizimi portugez i Angolës

Angola ka një histori të gjatë të luftës kundër kolonializmit. Vendi ishte nën sundimin portugez që nga shekulli i 16-të dhe arriti pavarësinë e tij vetëm më 11 nëntor 1975, pas një lufte të gjatë për çlirim. Këto luftëra patën ndikim të madh në zhvillimin politik dhe ekonomik të vendit, si dhe në rritjen e popullsisë.

Pas shpalljes së pavarësisë nga Portugalia, Angola u përfshi në një luftë civile midis Lëvizjes Popullore për Çlirimin e Angolës (MPLA) dhe Unionit Kombëtar për Pavarësinë e Plotë të Angolës (UNITA). Lufta zgjati 27 vjet, deri në 2002, duke shkaktuar shkatërrime në infrastrukturë, një krizë të rëndë ekonomike dhe humbje të mëdha njerëzore.

Pas përfundimit të luftës, partia MPLA mori pushtetin dhe vendi u bë republikë presidenciale, ku presidenti ka kompetenca të gjera. Aktualisht, João Lourenço është në krye të vendit që nga 2017 dhe ka përqendruar përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe reformat ekonomike.

Mbërritja e Islamit në Angolë

Islami është një nga fetë më të mëdha në botë, me një prani të hershme dhe të vazhdueshme në Afrikë. Edhe pse krishterimi është besimi dominues në Angolë, për shkak të trashëgimisë koloniale portugeze, Islami ka gjetur hapësirë për t’u përhapur.

Sipas vlerësimeve, myslimanët përbëjnë rreth 2% të popullsisë së Angolës. Feja islame ka hyrë në vend kryesisht përmes migracionit dhe tregtisë, pavarësisht sfidave që ka hasur. Islami ka mbërritur në Angolë kryesisht përmes tregtarëve dhe emigrantëve nga Afrika Perëndimore dhe rajoni i Sahelit, veçanërisht atyre që kërkonin mundësi punësimi. Këta emigrantë formuan komunitete të vogla në qytete të mëdha si kryeqyteti Luanda.

Thirrja islame në Angolë

Islami nuk njihet zyrtarisht në Angolë, dhe aktivitetet fetare myslimane përballen me sfida të ndryshme, sidomos në aspektin politik dhe kulturor.

Mungesa e njohjes zyrtare nga qeveria e kufizon ndërtimin e xhamive dhe qendrave islame, duke bërë që disa prej tyre të jenë mbyllur apo shkatërruar për shkak të mungesës së lejeve ligjore.

Popullsia, shumicë e krishterë shpesh e sheh Islamin me dyshim ose keqkuptim, sidomos për shkak të mungesës së institucioneve islame edukative dhe të ndikimit të burimeve të njëanshme që përhapin keqinformim rreth Islamit.

Megjithatë, thirrja islame ka potencial të madh në Angolë. Migracioni dhe tregtia me vendet islamike të Afrikës Perëndimore, si Senegali dhe Mali, ndihmojnë në forcimin e pranisë islame në vend.

Edhe pse myslimanët në Angolë janë një pakicë e vogël, komuniteti islamik është aktiv dhe i përkushtuar për të përhapur Islamin dhe për të ruajtur identitetin e tij fetar.

Përhapja e Islamit në Angola gjatë dekadave të fundit

Gjatë 30 viteve të fundit, thirrja islame ka njohur rritje dhe përhapje të ndjeshme në Angola, falë Allahut.
Qysh nga fundvitet 1980 dhe fillimi i viteve 1990, Islami filloi të avancojë, kryesisht falë myslimanëve nga Afrika Perëndimore, të cilët ndihmuan në përhapjen e fesë, ndërtimin e xhamive dhe qendrave islame.

Edhe pse thirrja islame në Angola nisi relativisht vonë, ajo ka dhënë rezultate të mira, duke parë një rritje të konvertimeve në Islam, pavarësisht vështirësive politike dhe ekonomike gjatë luftës civile (1975-2002).

Një rol të rëndësishëm në përhapjen e Islamit kanë luajtur tregtarët dhe dijetarët myslimanë. Xhamia e parë e plotë u ndërtua në vitin 1994, në lagjen Minga, në kryeqytetin Luanda. Kjo xhami u bë baza për themelimin e një komuniteti mysliman në vend dhe një pikënisje për ndërtimin e xhamiave dhe qendrave islame të tjera, në të cilat një kontribut të madh ka pasur Mbretëria e Arabisë Saudite, siç ka bërë gjithmonë në përkrahjen e thirrjes islame.

Në kohët e fundit, mediat sociale dhe platformat digjitale kanë luajtur një rol të rëndësishëm në përhapjen e Islamit në Angola. Interneti u ka dhënë mundësi atyre që duan të mësojnë rreth Islamit, si dhe myslimanëve të rinj, që të kenë akses të lehtë në burime dhe literaturë islame. Për më tepër, interneti ka krijuar hapësira për diskutime ndërfetare, ku të rinjtë myslimanë në mbarë botën marrin pjesë në gjuhë të ndryshme.

Xhamitë dhe shkollat islame në Angola

Aktualisht, në Angola ka rreth 100 xhami, të cilat shtrihen në pothuajse të gjithë territorin e vendit. Në kryeqytetin Luanda, numri i xhamive llogaritet të jetë nga 60 deri në 70.

Sa i përket shkollave islame, ato janë pothuajse inekzistente. Fëmijët myslimanë mësojnë në xhami ose ndjekin shkollat shtetërore, ku arsimi islam nuk është pjesë e kurrikulës zyrtare.

Megjithëse Angola është një vend me shumicë të krishterë, qeveria respekton të drejtat fetare, përfshirë edhe ato të myslimanëve. Ekziston një nivel i mirë tolerance fetare dhe liria e besimit është e garantuar, gjë që ka mundësuar rritjen graduale të Islamit në vend.

Myslimanët në Angola organizojnë takime fetare, sigurojnë arsim islam për fëmijët myslimanë dhe punojnë për të forcuar lidhjet midis komuniteteve islame.

Misionet dhe iniciativat islame

Disa nisma dhe organizata islame janë aktive në promovimin dhe përhapjen e Islamit në Angola, duke kontribuar në rritjen e numrit të myslimanëve dhe fuqizimin e thirrjes islame. Ndër këto përfshihen:

Delegacionet nga Arabia Saudite

Universiteti Islamik i Medinës, i cili pranon dhe regjistron studentë nga Angola

Forumi Botëror i Rinisë Islame

Komiteti i Thirrjes Islame, si dhe organizata të tjera që dërgojnë misionarë dhe ndihmojnë në forcimin e Islamit në vend.

Këto përpjekje po ndihmojnë në konsolidimin e komunitetit mysliman në Angola, duke siguruar arsim islam, ndërtimin e qendrave fetare dhe forcimin e thirrjes islame në të gjithë vendin.

Përfundim

Edhe pse nuk ka statistika të sakta dhe të besueshme, vlerësimet tregojnë se më shumë se gjysma e popullsisë së Angolës është katolike. Ndërkohë, myslimanët përbëjnë rreth 2% të popullsisë, një përqindje që pritet të rritet gradualisht dhe në mënyrë paqësore me kalimin e kohës.

Me vazhdimin e migracionit dhe rritjen e aktivitetit tregtar dhe fetar, ekziston mundësia që Islami të njihet zyrtarisht në të ardhmen, gjë që do të krijonte një hapësirë më të madhe për myslimanët në praktikimin e fesë, ndërtimin e institucioneve fetare dhe arsimore.

Në një perspektivë afatgjatë, iniciativat islame mund të ndihmojnë në përmirësimin e marrëdhënieve ndërfetare dhe në rritjen e ndërgjegjësimit për Islamin si një fe e tolerancës dhe e bashkëjetesës paqësore. Kjo do të mundësojë zhvillimin dhe forcimin e thirrjes islame në vend, me lejen e Allahut.

Burimi: dawa.center

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *